“Shteti paralel” i Gylenistëve vihet sërish në lëvizje në Shqipëri

  • None
nga Ayhan Demir | Publikuar në Jan. 28, 2016, 1 a.m.

“FETÖ/PDY (Shkurtim i Organizatës Terroriste Fethullah / Struktura e ‘Shtetit Paralel’, shën.përkth.) vazhdon të ketë ende një strukturës të fuqishme në Ballkan. Maqedonia, Bullgaria dhe Bosnjë-Hercegovina bëjnë pjesë në vendet, ku kjo strukturë është më aktive. Por nuk ka dyshim që në vend të parë qëndron Shqipëria.

FETÖ/PDY në Shqipëri ka shkelur në vitin 1993, duke u angazhuar fillimisht në sektorin e arsimit. Pastaj u orientua edhe në tregti dhe vazhdon të karakterizohet nga një ekspansion i qëndrueshëm sidomos në sektorët e turizmit, energjisë dhe telekomunikacionit.

Në Shqipëri veprojnë shkollat e njohura me emrin Medrese “Liria”, që në Turqi korrespondojnë me shkollat e mesme teologjike “İmam Hatip Lisesi”, të cilat kanë edhe filiale të tyre në qytetet Elbasan, Kavajë, Tiranë, Korçë dhe Berat. Përveç medreseve ka edhe kolegje në qytetet Tiranë, Durrës dhe Shkodër, të cilat janë organizuar në kuadër të Fondacionit Arsimor “Gulistan” dhe Fondacioni Arsimor “Sema”.

Kurse shkolla Memorial International School of Tirana (MIST), që është edhe shkolla më e shtrenjtë e vendit, u drejtohet biznesmenëve dhe politikanëve që bëjnë pjesë në shtresën e shoqërisë që kanë të ardhurat më të larta.  

Nxënësit që vijnë në nivelin universitar, në qoftë se janë në gjendje të mirë ekonomike orientohen tek Universiteti “Epoka”, nëse jo vazhdojnë studimet e larta pranë Universitetit “Bedër”.

Studentët e diplomuar nga këto shkolla në çështjet si martesa apo punësimi orientohen nëpërmjet “Qendrës Kulturore Horizontet e Reja”.

Mjaft me ndikim kjo strukturë është edhe në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë (KMSh). Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është arsimuar në shkollat e varura nga FETÖ/PDY dhe është një njeri mjaft besnik i kësaj strukture. Ata që nuk janë të kësaj strukture (FETÖ/PDY), nuk i pranon njeri në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.

Punimet për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës, e cila planifikohet të jetë xhamia më e madhe e Ballkanit dhe që çështja e realizimit të këtij projekti u shndërrua në historinë e “këmbëve të gjarprit”, morën start vitin e kaluar. Realizimin e projektit e ka marrë përsipër kompania “KOMAŞ AŞ”, e cila është pjesë e Fondacionit të Çështjeve Fetare të Turqisë (Türkiye Diyanet Vakfı). Vetëm se “KOMAŞ AŞ” nuk është aspak e ndjeshme në lidhje me FETÖ/PDY. Kjo kompani vazhdon ende të blejë shërbime nga pjesëtarët e FETÖ/PDY.  

Po ashtu edhe dy kompani të tjera të mëdha turke me inicialet Ç.H. dhe L.H., emrat e të cilave njihen shumë mirë në Turqi, në aktivitetin që ushtrojnë në Shqipëri vazhdojnë të punësojnë ende njerëz të FETÖ/PDY.

Pjesëtarët e FETÖ/PDY-së në vendet ku ndodhen denigrojnë në mënyrë të vetëdijshme dhe të organizuar Republikën e Turqisë si dhe drejtuesit, organet dhe institucionet e saj. Për shembull portali informativ në internet me emrin “Albeu.com” është kthyer në një bazë qendrore të lajmeve kundër Turqisë duke nxirë emrin e mirë të saj. Njerëzit e FETÖ/PDY-së publikojnë shpesh lajme të mbushura me shpifje dhe përgojime edhe në gazetat, kanalet televizive, revistat dhe portalet e tjera të lajmeve.

Anëtarët e FETÖ/PDY-së në vendet ku ndodhen, ata që e duan Turqinë i pasifizojnë në një mënyrë ose tjetrën, ndërsa me ata që nuk e duan Turqinë radhiten në një rresht

Kurbani (viktima) i fundit e FETÖ/PDY-së ishte Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Ankara, Shkëlqesia e tij Zoti Genci Muçaj. Zoti Muçaj ishte një ambasador punëtor, i suksesshëm dhe një njeri që i do shumë Shqipërinë dhe Turqinë.  Ai bëri përpjekje të mëdha për të rritur bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë.

Në Turqi, një vend shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe ku jetojnë me miliona shqiptarë, Genci Muçaj bëri punë, që nuk kanë për t’u harruar. Qendra e Kulturës Shqiptare, që u hap në Ankara falë përpjekjeve të mëdha të Zotit Muçaj, është e para dhe e vetmja e këtij lloji në botë.  

Këtu tek ne thonë një fjalë, “Asgjë e mirë nuk mbetet pa ndëshkim” dhe në fakt ashtu edhe ndodhi. Punët e suksesshme që Ambasadori i Shqipërisë në Ankara Genci Muçaj bëri për Shqipërinë dhe Turqinë me sa duket e shqetësuan FETÖ/PDY-në. Në ditët që lamë pas Zoti Muçaj u shkarkua nga detyra e tij në Turqi.

Një figurë tjetër që FETÖ/PDY ka vendosur në shënjestër është Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet (fetare) në Shqipëri, Ilir Dizdari. Edhe Zoti Dizdari është një njeri i drejtë, punëtor dhe më e rëndësishmja, ai është një njeri me vlera të forta kombëtare dhe morale. Bën përpjekje të mëdha për të rritur bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë. Për këto arsye FETÖ/PDY po bën përpjekje intensive për të shkarkuar nga detyra Zotin Dizdari.

Pjesëtarët e FETÖ/PDY-së e dinë mirë se çfarë bëjnë dhe me çfarë korrespondon ajo që bëjnë. Por le ti paralajmërojmë edhe një herë.  

Ata, që për vite të tëra kanë pasur me vete përkrahjen dhe mbështetjen e Republikës së Turqisë duke pretenduar se kanë qenë një “lëvizje mirësie”, sot tezgën e hapin në “tregun e tradhtisë”. 

Çfarë kanë thënë të parët: “Fati i qëllimit të mirë në shumicën e rasteve është abuzim, shpërdorim e keqpërdorim”. 

Në librin tonë të shenjtë Kur’anin Fisnik bëhet kjo pyetje “A mund të jetë shpërblimi i veprës së mirë diçka tjetër përpos të mirës?” (Er Rrahman, 60). “Lëvizja e organizuar e të keqes” këtë pyetje duhet t’ia drejtojë shpesh vetes së saj. 

Duke u nisur nga marrëdhëniet vëllazërore i paralajmërojmë edhe një herë drejtuesit e shtetit të Shqipërisë dhe miqtë tanë shqiptarë: Fethullah Gülen përfshihet në listën e personave, për të cilët Ministria e Punëve të Brendshme të Turqisë ka lëshuar urdhërarresti ndërkombëtar.

Në aktakuzën e përgatitur nga Prokuroria e Stambollin mbi Fethullah Gülen-in rëndojnë këto akuza: “Tentativë për eliminimin e qeverisë së Republikës së Turqisë duke përdorur forcë dhe dhunë ose për ta penguar ata pjesërisht apo plotësisht të ushtrojë detyrat që ka”, “Krijimi dhe drejtimi i organizatës terroriste të armatosur FETÖ/PDY”, “sigurimi i informacioneve sekrete me qëllim për ti përdorur për spiunazh politik”.

Kryeministri i Shqipërisë, Zoti Edi Rama gjatë vizitës që realizoi në Turqi në fund të vitit 2015 me Presidentin e Republikës së Turqisë bisedoi për shumë çështje, duke përfshirë edhe çështjen e mësipërme. Është arritur konsensusi paraprak për nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë, e cila do të firmoset shumë shpejt. Kështu miqësia historike do të shndërrohet në një aleancë zyrtare.

“Uji ikën, rëra mbetet”, thotë populli. Kur pjesëtarët e strukturës FETÖ/PDY do ta kenë humbur ndikimin e tyre edhe në Shqipëri, ashtu si në Turqi, prapa do të mbetet vetëm një gjë: Shqipëria me Turqinë dhe miqësia e tyre e vjetër. 



Burimi : Yeni Akit