Shqipëria midis Samitit të BE-Balkani Perëndimor dhe protestës së Opozitës

nga Alma Prifti | Publikuar në Dhj. 7, 2022, 7:17 a.m.

Ditën e martë, më 6 dhjetor 2022, u mbajt, në Tiranë  Samiti i Bashkimit Europian dhe Ballkani Perëndimor.

Për mbajtjen e këtij Samiti, masat e sigurisë në kryeqytet kanë qenë tepër të larta. Ka patur një bllokim të rreptë të rrugëve kryesore të Kryeqytetit si dhe të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Në kuadër të kësaj dite, një helikopter ushtarak monitorionte nga ajri perimetrin e sigurisë, në zonën ku po qëndronin liderët europianë.

Ky Samit u zhvillua në kuadër të marrëveshjeve kryesore të BE me Ballkanin Perëndimor, siç ishte marrëveshja ‘Roming’; sanksionet kundër Rusisë si dhe për zhvillimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Të gjithë Liderët e 26 vendeve të Europës e Ballkanit, u pritën nga kryeministri Edi Rama, në Sheshin “Italia”. Moti me diell mori vëmendjen kryesore të batutave, ndërsa personalitete më të fuqishëm të Europës shijuan edhe këngët e vallet nga një grup të rinjsh. Personalitete e Europës dhanë edhe mesazhe bashkëpunim në realizimin e projekteve të përbashkëta, duke theksuar se Europa është e paplotë pa Ballkanin Perëndimor.

Në këtë Samit, i pari i mbajtur jashtë kufijve të Europës, ra në sy prezenca e figurave kryesore si; Kryeministrja italiane Giorgia Meloni; Kancelari Gjerman Olav Scholz; Presidenti francez Emanuel Macron; Kryetarja e Komisjonit Europian Ursula von der Leyen, etj.

Kurse nga pala ballkanike ra në sy prezenca e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Samiti u mbyll me disa fjalime publike të Kryeministrit Rama dhe zonjës Von der Leyen, si dhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve të përbashkëta midis shteteve.

Nga ana tjetër, opozita shqiptare, përfitoi nga rasti për të organizuar një protestë paqësore, me qëllim që të denigrojë qeverinë propagandistike të Edi Ramës. Sipas opozitës, liderët europianë duhet të informohen për korrupsionin, varfërinë dhe krimin e organizuar që është instaluar në Shqipëri nga kjo qeveri.

Ajo që u bë lajmi i ditës  dhe tronditi gjithë opinionin publik, ishte incidenti i shënuar ditën e sotme ku, i riu 31-vjeçar, Gerti Shehu, qëlloi me grusht, në fytyrë, liderin e opozitës, dr.Sali Berisha, duke i shkaktuar, këtij të fundit, fraktura të dukshme.

Agresori është neutralizuar nga truprojat e z.Berisha dhe, më pas, është shoqëruar në komisariatin e policisë për procedura të mëtejshme.

Kryeopozitari Berisha e ka konsideruar këtë akt si të orkestruar nga vetë Edi Rama, për të përçarë dhe ç’orientuar protestën dhe për t’i mbyllur gojën opozitës.

Kryetari i opozitës ka paralajmëruar kryeministrin Rama se akti i sotëm do të marrë përgjigjen e merituar, në momentin e duhur, nga vetë shqiptarët.

Incidenti i sulmit ndaj kryetarit të opozitë bëri bujë në të gjithë mediat botërore, ku e dënuan ashpër këtë akt të paprecedentë.

Përpos ngjarjes së hidhur të sulmit fizik ndaj dr.Berishës, protesta e arriti qëllimin e saj për t’i treguar botës se Shqipëria drejtohet nga një klikë mafioze dhe totalitare, e cila “vishet” bukur me propagandën e shëmtuar të qeverisë në pushtet, për t’i hedhur hi syve Botës se në Shqipëri jetohet njësoj si në Europë.  Sot, kjo propagandë ra, bashkë me të, do të bjerë edhe kjo qeveri e fasadave fiktive dhe korruptive.