Imam Hyseni, shembull për të gjithë njerëzit
Imitimi i të mëdhenjve dhe lidhja me të afërmit e Zotit është vepër e të mençurve të botës. Çdo njeri kërkon një model për t’u ndjekur, por jo të gjithë janë të suksesshëm në ndjekjen e rrugës së drejtë, kur zgjedhin shembullin e tyre.
Po të pyesësh disa njerëz në këtë botë, për personalitetin që ka tërhequr vëmendjen e tyre dhe i ka tërhequr pas vetes, do t’i gjesh duke ndjekur individë të ulët dhe të pavlerë, që e kanë kaluar jetën në adhurimin e epshit dhe nuk dinë tjetër veçse të mashtrojnë të paditurit me gjëra që nuk janë më shumë se zbavitje për naivët dhe të pakujdesshmit. Kështu, personazhe të tilla bëhen modele për njerëzit e zakonshëm të kësaj bote.
Disa ndjekin figura politike ose historike dhe i marrin ata për shembull në jetë. Por, më të mençurit janë ata që marrin për model të dashurit e Zotit, sepse një nga cilësitë më të dukshme të tyre, është se ata janë aq trima, të fortë dhe të fuqishëm, sa janë bërë zotë të vetvetes, jo skllevër të përulur të saj.
Përmendet se një nga filozofët dhe të urtët e lashtë i tha Aleksandrit të Madh: “Ti je skllav i skllavit tim”. Aleksandri u habit dhe u zemërua nga kjo fjalë. Filozofi i tha: “Mos u zemëro. Ti je skllav i epshit dhe i zemërimit tënd. Kur dëshiron diçka ose kur zemërohesh, tronditesh dhe nuk duron dot. Kjo është skllavëri ndaj epshit dhe zemërimit. Ndërsa unë i kam nënshtruar ato, saqë janë bërë dy skllevër të mi”.
Kjo histori edhe mund të jetë e vërtetë, edhe s’mund të jetë, megjithatë, ajo është e saktë në kuptimin që u përket të dashurve të Zotit (euliya’ullah) dhe profetëve, si dhe udhërrëfyesve të udhës hyjnore për njerëzimin. Një shembull për këtë, janë: Jusufi, Ibrahimi dhe Musai. Ka shumë shembuj të tillë, edhe në jetën e të dashurve të Zotit.
Njeriu më i mençur është ai që merr për shembull këta të mëdhenj dhe këto personalitete të guximshme dhe të fuqishme, dhe nëpërmjet kësaj rruge fiton për veten e tij fuqinë, madhështinë e brendshme dhe shpirtërore.
Ndër këta të dashur të Zotit, ekzistojnë figura të dalluara. Pa dyshim që Ebu Abdillahu, Imam Hyseni (Paqja qoftë mbi të!) është një nga më të spikaturit prej tyre. Me të vërtetë, duhet thënë se drita e Hysenit, i biri i Aliut, shkëlqen si dielli, jo vetëm mbi ne, njerëzit e vegjël tokësorë, por edhe mbi të gjitha botët e ekzistencës, mbi shpirtrat e të dashurve të Zotit dhe të mëdhenjve, mbi engjëjt e afërt dhe mbi të gjitha botët e ndërthurura mes tyre, qofshin ato të njohura apo të panjohura për ne. Kushdo që ecën në udhëzimin e dritës së këtij dielli, ka bërë vërtet një vepër të madhe e të lartë.
E shihni se Imam Hyseni (Paqja qoftë mbi të!), megjithëse ishte nipi i Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!), i biri i Ali ibn ebu Talibit dhe Fatime Zehrasë, dhe këto janë veçanti të mëdha, në vetvete, që e ngrenë shumë njeriun. Përveç kësaj, ai ishte rritur në atë shtëpi, ishte edukuar në prehrin e tyre dhe ishte formuar në atë atmosferë shpirtërore dhe lumturie hyjnore. Por ai nuk u mjaftua me kaq.
Kur ndërroi jetë i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!), Hyseni ishte djalosh, rreth tetë ose nëntë vjeç. Kur u martirizua Imam Aliu, Hyseni (Paqja qoftë mbi ta!) ishte tridhjetë e shtatë ose tridhjetë e tetë vjeç. Gjatë kohës së Imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!), kohë sprovash, përpjekjesh dhe pune të palodhur, ky thesar, i gatshëm për t’u edukuar, mori mësim përmes veprave madhështore, u formua vazhdimisht nga babai i tij, derisa u bë një personalitet i fuqishëm, i ndriçuar dhe i lulëzuar.
Nëse ambicia e njeriut është si e jona, ai thotë: “Kaq më mjafton. Kjo është e gjitha që dua dhe me këtë do ta takoj Zotin tim”. Por kjo nuk është ambicia e Hysenit.
Gjatë jetës së vëllait të tij të bekuar, kur Imam Hyseni (Paqja qoftë mbi të!) ishte në pozitën e pasuesit (memum) dhe vëllai i tij, Hasani, ishte imam, ai vazhdoi lëvizjen e tij madhështore, duke ecur përpara dhe duke përmbushur detyrimet e tij përkrah vëllait, në bindje të plotë ndaj Imamit të kohës së tij. Shikoni jetën e tij, çast pas çasti.
Ky tekst është marrë nga një fjalim i imamit dëshmor, gjatë një takimi me anëtarët e Gardës së Revolucionit Islamik, me rastin e Ditës së Gardës së Revolucionit më 24.9.1375 hixhri (dhjetor 1996).