Haxhi- shkolla e vlerave të larta njerëzore

nga Vullnet Merja | Publikuar në Gus. 29, 2017, 3:31 p.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

 Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

Allahu i Madhëruar thonë të Kur'anin e shenjtë: "...dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd." (Sure "Ali Imran", ajeti 97)

Islami, siç dihet, është i ndërtuar mbi pesë shtylla. Këtë e dëshmon edhe thënia e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Madhëruar dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, kryerja e haxhit dhe agjërimi i Ramazanit.”

Për Haxhin dëshmon edhe Kur’ani, i cili u bën thirrje besimtarëve që ta kryejnë atë. Në Kur’an thuhet: “Dhe, thirr ndër njerëz për Haxhin se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura prej rrugëve të largëta.” (Sure “Haxh”, ajeti 27)

Pra, siç vihet re në këtë thënie, një prej shtyllave të fesë është edhe Haxhi. Ky adhurim (ibadet) ka disa veprime, por veprimet më të mira i përmend Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në një thënie të tij: “Haxhi më i mirë është ngritja e zërit kur thuhet telbija dhe kurbani.”

Si të gjitha adhurimet e tjera, edhe Haxhi ka si qëllim pastrimin shpirtëror të njeriut. Nëpërmjet këtij pastrimi njeriu arrin që të jetë sa më afër me Krijuesin e tij dhe i nderuar në mesin e njerëzve e të shoqërisë ku jeton. Për këtë Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Haxhi është pastrim (gjynahesh) mes tij dhe një Haxhi para tij; Ramazani është pastrim (gjynahesh) mes tij dhe një Ramazani para tij; Xhumaja është pastrim (gjynahesh) mes saj dhe një Xhumaje më përpara.”

Qabja, Shtëpia e Zotit, për çdo vit, është Pritëse e miliona besimtarëve të sinqertë, të cilët me vite të tëra kanë qenë në pritje të vizitës së këtij vendi të shenjtë. Gjatë Haxhit Mekka është plot me besimtarë, të cilët e kryejnë me bindje dhe me dashuri të madhe këtë adhurim. Qyteti ka shumë gjallëri. Prania e haxhinjve nga vende të ndryshme dhe me veshje të njëjtë, i fal Mekkës një gjallëri të paparë.

Përgatitu për këtë udhëtim me ndjenjën se nuk do të kthehesh më. Bëhu i dashur me të tjerët. Kujdesu për kohët e detyrave që të ka caktuar Allahu dhe për synetin e Profetit të Tij. Bëhu i sjellshëm, i denjë, i durueshëm dhe falënderues për udhëtimin e madh.

Pastroji gjynahet e tua me ujin e pendimit! Vishu me rrobën e vërtetësisë e të pastërtisë, me rrobën e frikës e të përuljes para Krijuesit tend! Largohu prej të gjitha gjërave që të pengojnë të përmendësh Allahun Fuqiplotë dhe të pengojnë ta adhurosh Atë.

Kur të bësh qëllim haxhin, duhet ta dish se ke vendosur të kryesh një punë sa madhështore aq edhe të vështirë. Prandaj, nijeti dhe vendosmëria jote të jenë për hir të Allahut, larg çdo shtirjeje a dukjeje. Përndryshe, përveç parave që paguan dhe lodhjes fizike që merr, do të humbasësh këtë jetë dhe Jetën Tjetër dhe do të jesh prej të humburve më të mëdhenj. Para se të nisesh në këtë udhëtim, ktheja të drejtën çdo njeriu dhe pendohu me pendim të pakthyeshëm nëse ke bërë ndonjë vepër a veprim që e zemëron Allahun; që të mos shkosh para Allahut tënd me gjynahe. Të mos jesh prej atyre që nga udhëtimi nuk fitojnë veçse lodhje e mundim. Nëpërmjet udhëtimit për në Haxh kujto udhëtimin për në Jetën Tjetër!

Në Haxh, kujto furnizimin që të duhet për udhëtimin për në Ahiret! Udhëtimi për Haxh në atë Jetë është më i gjatë dhe nevoja për të pasur një furnizim sa më të mirë është më e madhe. Ki kujdes që punët e tua, të cilat janë furnizimi yt për udhëtimin në Jetën Tjetër, të mos i prishë hipokrizia, vetëpëlqimi e të shtirurit!

Kur të nisesh për udhëtim, falënderoje Allahun, i Cili ka vënë në dispozicionin tënd mjetet e udhëtimit për të shkuar nga një vend në një vend tjetër! Kur të jesh duke udhëtuar për në Haxh, kujtoje xhenazen e vendosur në arkivol. Sa çudi e madhe është që ka njerëz që nuk përgatiten për udhëtimin e vërtëtë e të pakthyeshëm!

Kur ta marrësh në dorë ihramin, kujto qefinin me të cilin do të mbulohesh! Kujto se njëlloj si ihrami edhe qefini kanë një ngjashmëri: ato nuk janë të qepura.

Dije mirë se kur udhëton për në shtëpinë e Allahut ti ndahesh nga familja, fisi, shokët, atdheu. Dije mirë se ky udhëtim nuk është si udhëtimet e tjera! Për këtë duhet që zemra jote të jetë e vetëdijshme se ku po shkon dhe vizitën e kujt do të bësh. Është vizita e Shtëpisë së Krijuesit të saj. 

Aty ku vishet ihrami, kujto vdekjen dhe vendqëndrimet e Botës Tjetër. Silli në mendjen tënde çastet kur do të të veshin me rrobën e qefinit! Kujtoji momentet kur Munkeri dhe Nekiri do të të pyesin në natën e varrit! Kujtoji akrepat, gjarpërinjtë dhe krimbat e varrit! Kujtoje vetminë tënde në banesën e re! Kujtoje tmerrin e natës së varrit! Prandaj, kur t’i sjellësh ndër mend të gjitha këto, mendo që të furnizohesh me atë furnizim që të shpëton nga ato tmerre. Dhe, furnizimi më i mirë është devotshmëria.

Kur të thuash telbijen (lebejkellahume lebejke) ta dish se po i thërret Allahut dhe se Ai ka turp që të të thotë se nuk të dëgjon. Kur të shqiptosh telbijen, shqiptoje me çiltërsi, për Allahun e Madhëruar.

I nderuar haxhi! E nderuar haxheshë! Dije mirë se kur të hysh në Mekë, ke hyrë te vendstrehimi i sigurt. Ti duhet ta ndiesh se kur hyn aty, je i shpëtuar nga dënimi i Allahut. Por duhet të frikësohesh se ndoshta nuk je prej të merituarëve, prej atyre që e meritojnë afrimin tek Allahu i Madhëruar. Sidoqoftë, gjithmonë shpreso te mëshira dhe dashuria e Allahut, sepse Pronari i Shtëpisë është shumë Bujar!

Kur të shohësh Qaben, mendo se ndodhesh para Allahut! Lutju Atij që të të mbarësojë takimin më Të në Ahiret me zemër të pastër, ashtu si të mbarësoi te Shtëpia e Tij në këtë jetë! Kurt ë shohësh Qaben, kujto tubimin e njerëzve para Allahut në Ditën e Gjykimit, kur njerëzit do të ndahen dhe gjithkush do të shkojë aty ku e meriton, sipas veprave të tij në këtë jetë.

Kur të fillosh tauafin (rrethrrotullimin) rreth Shtëpisë së Allahut, zemra jote të kujtojë vetëm Pronarin e Shtëpisë, Allahun. Bëje tauafin me zemër në shoqërinë e melekëve të cilët bëjnë tauaf rreth Arshit, njëlloj siç bën tauafin me besimtarët rreth shtëpisë së Allahut. Filloje dhe mbaroje tauafin duke përmendur Allahun.

Pranoji gabimet dhe gjynahet e tua në Arafat! Ripërtërije besën tënde me Allahun në Muzdelife! Ji I vëmendshëm kur të nisesh për në Mina! Mposhte egon dhe lakminë kur të presësh kurbanin! Flaki tej epshet kur të hedhësh gurët tek Xhemeratet! Rruaji të këqijat e dukshme dhe ato të padukshme kur të rruash flokët! Shko përsëri në Shtëpinë e Allahut për të kryer tauafin e lamtumirës dhe kërkoji Allahut mbrojtje dhe mbarësi për aq kohë sa do të jetosh në këtë jetë pas haxhit!

Kur të shohësh muret e Medines së Ndritur, kujto se ai është vendi që Allahu i Madhëruar e zgjodhi për Profetin e Tij, hazreti Muhamedin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Kujto se në atë vend ndodhet shtëpia e Profetit, nga e cila filloi të predikonte sheriatin e Allahut dhe synetin e tij! Kur të hysh në Medine, kujto Profetin Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), udhëheqësit e devotshëm të Islamit, si edhe përpjekjet dhe sakrificat e myslimanëve në fillimet e Islamit! Kur të ecësh nëpër rrugët e Medines, mendohu se po i hedh hapat mbi gjurmët e Profetit Muhamed, i cili  ka thënë: “Ai njeri që e kryen Haxhin të plotë dhe të saktë, pastrohet prej mëkateve dhe kthehet si atë ditë që e ka lindur e ëma.”

E lus Allahun e Madhëruar që të na e mundësojë këtë adhurim madhështor! Alllahu ia pranoftë haxhin vëllezërve dhe motrave që kanë shkuar në Shtëpinë e Shenjtë!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI