Koalicioni PD-Partia e Lirisë. A mjafton për të fituar zgjedhjet?

  • Foto: Albeu.com
nga Alma Prifti | Publikuar në Tet. 30, 2022, 12:58 a.m.

Më 21 tetor 2022 u mbajt një tryezë e përbashkët për miratimin e koalicionit midis Partisë Demokratike e udhëhequr nga Sali Berisha dhe Shtëpisë së Lirisë e udhëhequr nga Ilir Meta, e quajtur ndryshe si “Koalicioni i Fitores”.

Këto dy forca nënshkruan arritjen e marrëveshjes duke rënë dakord për disa pika me interes të përbashkët.

Një ndër pikat kryesore ishte edhe dalja në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm me një kandidat të përbashkët.

Kësaj marrëveshje pritet t’i bashkohen edhe partitë e tjera aleate si dhe shoqëria civile.

Kjo marrëveshje kryet në kuadër të bashkimit të forcave në një mision të përbashkët, gjunjëzimin e Partisë Socialiste dhe shkatërrimin e Erion Veliajt në krye të  Bashkisë së Tiranës.

Për këtë të fundit, kësaj marrëveshjeje nuk i mjaftojnë vetëm pikat e dakortësuara në kontratë, por edhe mjetet e duhura që do të mundësonin një dobësim dhe rrënim të imazhit të Erion Veliajt, duke e eklipsuar atë me një kandidat që do të duhej të ishte poli i kundërt i tij.

Për të mundur Erion Veliajn politikisht, nuk mjafton vetëm të bësh një marrëveshje dhe të zgjedhësh një kandidat pozitiv, të pakorruptuar, të paintimidueshëm, të papërlyer politikisht, por kërkohet mbi të gjitha një bishë politike që ta zhys imazhin e Veliajt në pusin e errët të harresës historike.

Triumfi, në këtë rast, kërkon të kesh gurin dhe arrën.

Pas arritjes së marrëveshjes midis dy forcave më të mëdha opozitare në Shqipëri,  protesta e dhjetorit do të tregojë një kurbë të qartë të nivelit të mbështetjes qytetare për opozitën në këto zgjedhje.

Mbajtja e primareve për përzgjedhjen e kandidatëve, po i jep legjitimitet kandidatëve që do të dalin nga këto primare, të cilët do të përballen kokë-lartë me “gurët” e konsumuar të Partisë në fuqi.

Le të nisë me këtë marrëveshje, të vazhdojë me mbajtjen e primareve dhe të prijë me mbajtjen e protestave të fuqishme mbarëpopullore me në krye një kandidat model, aksione të cilat do të dobësonin favorizimin e kundërshtarëve në zgjedhje, si dhe do të zbehnin përpjekjet e  patronazhistëve në zhvendosjen e rezultatit të zgjedhur nga qytetarët.