Mbulimi i të këqijave të tjetrit - detyrë fetare, morale dhe humane

nga Vullnet Merja | Publikuar në Jan. 26, 2019, 1:31 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu! 

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

 

Allahu i Madhëruar në Kur'anin e Shenjtë thotë: "Ata që duan që të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në Tjetrën; Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini." (Sure "Nur", ajeti 19).

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: "Kur një njeri ia mbulon të këqijat një njeriu tjetër në këtë jetë, Allahu do t'ia mbulojë atij të këqijat në Jetën Tjetër."

Të gjithë njerëzit gabojnë, sepse ata nuk janë të pamëkatë. Vetëm Allahu i Plotfuqishëm është pa të meta. Po ashtu, edhe të dërguarit e tij dhe të dashurit e Tij punëmirë janë të pamëkatë, sepse ata janë njerëzit më të devotshëm, më besimtarë dhe më afër Allahut të Madhëruar.

Mbulimi i të këqijave ka kuptimin e mosshfaqjes dhe të mospërhapjes së gabimeve, gjynaheve dhe mëkateve të njerëzve të tjerë. Mbulimi i të këqijave të të tjerëve është detyrë fetare, morale dhe humane. Qëllimi i këtij veprimi është mospërhapja e të këqijave dhe e të turpshmeve në mesin e njerëzve. Mbulimi i të këqijave të të tjerëve është prej xhevahirit të fesë. Feja e pastër islame dëshiron kultimin dhe forcimin e këtij parimi të lartë moral dhe të kësaj sjelljeje madhështore. Ajo urdhëron që kjo vepër të praktikohet në jetën e njerëzve në përgjithësi dhe të myslimanëve në veçanti. Është për të ardhur keq që sot përhapen të këqijat dhe të turpshmet në mesin e shoqërisë pa asnjë problem dhe përdoren të gjitha mjetet e infomacionit për këtë qëllim si interneti, gazetat, revitat, televizionet.

Sigurisht që kjo nuk është në përputhje me atë që i dëshiron Krijuesi njeriut. Nuk është në përputhje me Islamin dhe me dispozitat e tij. Allahu i Madhëruar dëshiron që njeriu të vishet me moralet me të mira dhe të sillet me butësi, dashuri, mirëkuptim e rrespekt me të tjerët. Një prej emrave të Allahut është "Mbuluesi i të këqijave" (Settarul ujuub). Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Allahu i mbulon aq shumë të këqijat saqë duket se Ai i ka falur ato."

Në një lutje të imam Zejnul Abinit (Paqja qoftë mbi të!) thuhet: "O Zoti im! Ty të falënderoj për mbulimin Tënd pas njohjes Tënde (pas njohjes së të keqes time nga ana Jote)." Pra, Allahu i Madhëruar është i Gjithëditur për të fshehtat e zemrave dhe çfarë fsheh njeriu. E megjithëkëtë, Ai ia mbulon të këqijat, gjynahet dhe të metat atij që ai të largohet nga të këqijat dhe të bëjë punë të mira. 

Besimtari i devotshëm që beson në Allahun, që falet dhe agjëron, duhet të jetë mbulues i të këqijave të të tjerëve. Besimtarit kurrë nuk i lejohet që të përhapë të këqijat e të tjerëve. Nëse e bën, atëherë raportet e tij me besimin janë të dobëta (Allahu na ruajtë!).

Transmetohet nga Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: "Allahu është i turpshëm dhe mbulues i të këqijave dhe Ai e pëlqen turpin dhe mbulimin e të këqijave."

Në një transmetim tjetër ka thënë: "Mbulojini të këqijat vëllezërve tuaj."

duhet që njeriu të mbulojë të këqijat e veta dhe të këqijat e të tjerëve. Nëse dikush bën një gjynah apo gabim, duhet të mos e shfaqë. T'i kërkojë Allahut që t'ia falë dhe t'ia pranojë pendimin, sepse ai gabim apo gjynah që bëri mund të ishte përshkak të pavëmendshmërisë, apo zemërimit.

Transmetohet nga profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi rë dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: "I gjithë ymeti im është i falur me përjashtim të atyre që shfaqin dhe përhapin gjynahet e tyre. Prej këtij veprimi është kur një njeri bën një punë në darkë dhe gdhihet në mëngjes dhe thotë: O njeri! Unë mbrëmë kam bërë këtë e këtë, ndërkohë që Allahu ia ka mbuluar dhe vazhdon t'ia mbulojë atij këtë vepër. Duke përhapur atë që ka bërë, ai zbulon atë që ia mbuloi Allahu." Sa domethënëse kjo thënie e profetit Muhamed! Sa mirë do të ishte që  të zbatoheshin porositë e tij sot në këto ditë, në të cilat, fatkeqësisht, edhe ndjekësit e tij kanë rënë pre e përhapjes së të këqijave të të tjerëve!

Duhet që besimtari kur sheh një të keqe apo një të metë te një tjetër, ta këshillojë dhe t'ia mbulojë të keqen apo të metën. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: "Ai që ia mbulon të keqen vëllait të tij mysliman në dynja, Allahu do t'ia mbulojë atij të këqijat në dynja dhe në Ahiret."

Transmetohet se Profeti Isa (paqja qoftë mbi të!) një ditë u tha bijëve të Izraelit: "O ju rob të këqinj. A po i fajësoni njerëzit me dyshim dhe nuk i fajësoni vetat tuaja me bindje?!" Ka shumë njerëz të cilët përhapin të këqijat e të tjerët bazuar në dyshime, mirëpo nuk fajësojnë vetat e tyre duke qenë të bindur se mëkatojnë dhe bëjnë gjynahe.

Nëse dikush thotë se jam besimtar dhe ndërkohë përhap të metat dhe të këqijat e të tjerëve, ai nuk është besimtar, por është hipokrit, sepse hipokriti nuk ia do të mirën askujt dhe gëzohet nga brenda kur tjetrin e godet ndonjë fatkeqësi. Allahu i Madhërur thotë për hipokritët: "Nëse ju vjen ndonjë e mirë, ata i brengos e, nëse ju gjen ndonjë e keqe, ata gëzohen, por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak. Vërtet Allahu ka dijeni për çdo gjë që punojnë ata." (Sure "Ali Imran", ajeti 120).

Transmetohet nga imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i ka thënë atij: "Nëse e shoh një njeri duke bërë punë të keqe, e mbuloj atë. Imam Aliu i tha: Po nëse e sheh për të dytën herë? Profeti i tha: "E mbuloj me këmishën time dhe me mantelin tim."

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "O njerëz! Lum ai njeri që merret me të këqijat e tij dhe jo me të këqijat e të tjerëve! Lum ai njeri që qëndron në shtëpinë  etij, ushqehet me ushqimin e tij, është i zënë me bindjen ndaj Zotit të tij, qan për gabimet e tij, merret me veten e tij dhe njerëzit janë të qetë prej tij..."

Dhe: "O rob i Allahut! Mos nxito në fajësimin e dikujt për gjynahun që ka bërë, sepse ndoshta ai gjynah i është falur atij. Mos ji i sigurtë prej një gjynahu të vogël që bën, sepse ndoshta ti do të ndëshkohesh për të. Ai që i di ndonjë të keqe një tjetri, le të mos e përhapë, ndërkohë që ai ka të këqija vetë...Njeriu nuk duhet të nxitojë në turpërimin e vëllait të tij, sepse ai mund të jetë më i mirë dhe Allahu mund ta ketë falur atë. Nëse vepron kështu, ai do të bëhet përgojues që përhap thashetheme dhe kjo sjell zemërimin e Allahut dhe pakënaqësinë e Tij."

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: "Mos u merrni me gabimet dhe të metat e besimtarëve sepse ai që merret me të metat dhe gabimet e besimtarëve, Allahu do të merret me të metat dhe gabimet e tij dhe do ta diskriminojë atë qoftë edhe brenda shtëpisë së tij."

Të gjithë atyre që përhapin të këqijat, të neveritshmet dhe të turpshmet në mesin e njerëzve, gjoja në emër të "lirisë", u themi se ju pret një dënim i rëndë në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër. Të gjithë ato televizione, revista, faqe interneti që përhapin lakuriqësinë, pornon, striptizmin, prostitucionin, programe dëfrimi me fjalë banale, programe të ndryshme që janë larg parimeve morale, etike dhe njerëzore, ta dinë se po shkatërrojnë shoqërinë dhe po e degradojnë atë. Po shthurin të rinjtë dhe të rejat. Po vrasin të ardhmen e vendit.

Është detyrë e prindërve që të jenë më të kujdesshëm ndaj fëmijëve të tyre me qëllim që fëmijët mos të shkojnë buzë humnerës së shthurjes, devijimit dhe shkatërrimit moral. Nëse duam shpëtim, ai gjendet në zbatimin e urdhrave të Krijuesit dhe në ndjekjen e Rrugës së Tij. Nëse duam shpëtim, të kapemi pas Kur'anit dhe synetit të Profetit Muhamed dhe familjes së tij të pastër dhe shokëve të tij të zgjedhur.

Këto janë argumente të mjatueshme që ne të nxjerrim mësime dhe të heqim dorë nga përhapja e të këqijave dhe e të metave të njerëzve të tjerë. Në Kur'anin e Shenjtë thuhet: "Por ti mos iu bind çdo betari të përçmuar, shpifaraku, që përhap thashetheme." (Sure "Kalem", ajetet 10-11).

Allahu i Madhëruar na urdhëron dhe thotë: "O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët! Atë e mbikëqyrin melekë të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato." (Sure “Tahrim”, ajeti 6).

Allahu na faltë dhe na udhëzoftë të gjithëve!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI