Besimi në Allahun çelësi i lumturisë

nga Vullnet Merja | Publikuar në Shta. 4, 2018, 9:46 p.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

Allahu i Madhëruar thotë në Kur'anin e Shenjtë: ...Thuaj: “Të humburit e vërtetë janë ata që do të humbin veten dhe familjen e tyre në Ditën e Kiametit. Ja, kjo është humbja e qartë.” (Sure “Zumer”, ajeti 15)

Dhe: “Betohem në kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” (Sure “Asr”, ajetet 1- 3)

Nëse njeriu nuk i merr në konsideratë shkaqet e shpëtimit e të suksesit, ai do të jetë gjithmonë i humbur. Ai do të humbasë veten e tij, këtë jetë dhe Jetën Tjetër. Kjo ndodh se ai njeri do t'i dorëzohet epsheve dhe lakmive, do t'i nënshtrohet qejfeve dhe do të pasojë egon e vet. Në këtë mënyrë ai do të bëhet skllav dhe rob i dynjasë dhe i kënqasëive të saj shkatëruese.

Ky njeri as nuk e ka mendjen te Krijuesi i tij, Allahu i Plotfuqishëm dhe as nuk don t'ia dijë se çfarë detyrash dhe përgjegjësish i ka caktuar Allahu atij. Duke qenë i tillë ky njeri do të jetë i humbur dhe është në përputhje me thënien e Allahut të Madhëruar në suren “Zumer”: ...Thuaj: “Të humburit e vërtetë janë ata që do të humbin veten dhe familjen e tyre në Ditën e Kiametit. Ja, kjo është humbja e qartë.”

Një njeri i tillë mund të jetë i kënaqur në këtë jetë materialisht, por jeta e tij është e zbrazët nga ana shpirtërore dhe nga çdo qëllim dhe synim i lartë në këtë jetë.  Ai jeton në këtë jetë i vetëm dhe i mbuluar nga vetpëlqimi, arroganca e mendjemadhësia.

Është detyrë që në këtë jetë njeriu të të përshkojë rrugën që e lartëson dhe e çon te Krijuesi i tij, Allahu i Madhëruar. Ai duhet të lartësohet shpirtërish dhe mendërisht. Duhet të ketë qëllime e synime të larta në çdo fushë të jetës së tij dhe jo të qëndrojë i mbështjellë me mbulesën e egoizmit.

Me të drejtë dikush mund të pyesë: Çfarë e lartëson njeriun? Sigurisht, atë e lartëson besimi dhe puna e mirë. E lartëson besimi në Allahun, në të Dërguarit e Tij, në Librat e Tij, në melekët e Tij dhe besimi në Jetën Tjetër.

Besimi është dy llojesh: Sipërfaqësor dhe i vërtetë. Besimi sipërfaqësor është ai besim që është i zbarazët nga përmbajtja e tij. Është i zbrazët nga thelbi dhe dimensionet e tij. Ai njeri që mbart këtë besim është i ngjashëm me atë që adhuron Allahun dhe në të njëjtën kohë i nënshtrohet tjetër kujt përveç Allahut, e do një tjetër më shumë se Allahun, falet mirëpo nuk e përjeton anën shpirtërore të namazit, agjëron mirëpo nuk e shijon anën shpirtërore të agjërimit, e lexon Kur'anin dhe i mallkon të padrejtët, mirëpo ai vetë bën padrejtësi dhe shkel të drejtat e të tjerëve duke u marrë atyre ato që ai nuk ka të drejtë.

Ky lloj besimi është ai për të cilin Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thotë: Sa e sa lexues Kur'ani ka dhe Kur'ani e mallkon atë. Është transmetuar nga Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: Sa agjërues ka që nga agjërimi i tij nuk merr veçse urinë dhe etjen. Sa e sa namazfalës ka që nga namazi i tyre nuk marrin veçse qëndrimin zgjuar dhe lodhjen.

Ndërsa besimi i vërtetë është ai që gjendet në zemrën e njeriut dhe ia ndriçon zemrën e tij, mendjen e tij, ndërgjegjjen e tij dhe jetën e tij të përditshme. Në këtë mënyrë njeriu e ndjen se drita e besimit të vërtetë e rrethon atë në çdo anë.

Njeriu ka nevojë për dritë që t’i kalojë errësirat e kësaj jete dhe ta ndriçojë rrugën e tij, përndryshe ai do të mbetet gjithmonë në errësirë.Drita e besimit është drita e Allahut i cili është drita e qiejve dhe e Tokës, siç thotë edhe Kur'ani: Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës. Drita e Tij shëmbëllen me atë të një kamareje, në të cilën ndodhet një llambë. Llamba është në një kristal, kurse kristali është si një yll i shndritshëm. Ajo (llamba) ndizet nga druri i bekuar i ullirit, as lindor, as perëndimor, ndërsa vaji i saj shkëlqen edhe pa e prekur zjarri. Dritë sipër dritës. Allahu udhëzon drejt dritës së Tij kë të dojë dhe paraqet shembujt për njerëzit. Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.(Sure Nur, ajeti 35).

Besimi i vërtetë është ai që ta adhurosh vetëm Allahun dhe t'i nënshtrohesh vetëm Atij me të gjithë qenien tënde, me të gjitha ndjenjat e tua, mendimet e tua dhe qëllimet e tua.

Besimi i vërtetë është ai kur ti ndjen se vetëm Allahu është Administruesi dhe Rregulluesi i vërtetë i jetës tënde. Ai është i Gjithëditur dhe i Mirëinformuar për gjithçka në jetën tënde. Ai është Furnizuesi dhe Dhënësi i miësive. Pra, Ai të jetë qëllimi kryesor në jetën tënde.

Besimi i vërtetë është besimi praktikues në mendime, në thënie dhe në veprime. Të zbatosh ato të të ka urdhëruar Allahu dhe të largohesh prej atyre që ka urdhëruar Allahu. Gjithmonë të jetosh me ndjenjën e pranisë së Allahut dhe të mbikqyrjes së Tij në çdo gjë që flet, që mendon dhe që vepron.

Besimi i vërtetë ka kuptimin që nënshtrimi, dorëzimi absolut dhe bindja absolute i takojnë vetëm Allahut. Nëse urdhëron për diçka, askush nuk e ka të drejtën e zgjedhjes në urdhërin e Tij. Në Kur'an thuhet: Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur.(Sure “Ahzab”, ajeti 36)

Po ashtu thuhet: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe pastaj nuk dyshojnë, por luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre. Këta janë besimtarë të sinqertë.” (Sure “Huxhurat”, ajeti 15).

Dhe: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten, ata që falin namazin dhe japin prej asaj që Ne ua kemi dhënë. Njëmend, ata janë besimtarë të vërtetë. Ata do të kenë shkallë përnderimi te Zoti i tyre, falje dhe furnizim bujar (në Xhenet). (Sure “En’am”, ajetet 2-4)

Çfarë i sjell njeriut besimi? Cilat janë ndikimet e besimit në jetën e tij?

Sigurisht që mirësitë dhe dobitë e besimit janë të shumta. Prej atyre përmendim:

1- Besimi në Allahun i dhuron njeriut ndjenjën e lirisë

 Besimtari është plotësisht i bindur se ai nuk është rob e skllav i askujt prej krijesave. Ai është i fuqishëm sepse fuqia e tij buron nga fuqia absolute e Krijuesit. Allahu i Madhëruar thotë: “...Në të vërtetë, fuqia është e Allahut, e të Dërguarit të Tij dhe e besimtarëve, por hipokritët nuk e dinë.(Sure “Munafikun”, ajeti 8). Kështu që besimtari nuk i trembet fuqive të tjera, të brendshme apo të jashtme qofshin. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Mos u bëj rob (skllav) i askujt sepse Allahu të ka krijuar të lirë.”

2- Besimi e nxit njeriun në njohjen e përgjegjësive ndaj Allahut, ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve që e rrethojnë

 Besimi e bën me dije njeriun se ai është përgjegjës për çdo vepër që vepron dhe një ditë ai do të japë llogari. Allahu i Madhëruar thotë në Kur'anin e Shenjtë: “Çdo njeri është peng i veprave të veta.” (Sure “Muddethir”, ajeti 38)

Dhe: “Nëse bëni mirësi, e keni bërë për veten tuaj. E, nëse bëni keq, ia keni bërë po vetes. (Sure Isra, ajeti 7)

Dhe: ...Asnjë gjynahqar nuk do t’i mbartë gjynahet e tjetrit. Pastaj, do të ktheheni te Zoti juaj e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë, sepse Ai e di vërtet se ç’keni në zemrat tuaja.” (Sure “Zumer”, ajeti 7).

Pra, këto ajete na sqarojnë se çdo gjë që bën njeriu e bën për veten e tij dhe askush nuk mbart gjynahet e tjetrit. Kështu që çdo njeri do japë llogari për punët e veta. Në Kur'an thuhet: “Çdo njeriu ia kemi varur në qafë llogarinë për punën e tij dhe Ne, do t’ia paraqesim Ditën e Kiametit librin, që do ta gjejë të hapur (e do t’i themi): “Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!” Kush zgjedh rrugën e drejtë, e ka për veten e vet e kush i largohet asaj, i largohet në dëm të vetvetes dhe askush nuk e merr të keqen e tjetërkujt. Ne nuk dënojmë asnjë popull, para se të çojmë të dërguar! (Sure “Isra”, ajetet 13- 15).

Nga këto ajete kuptojmë se në Islam askush nuk është flijuar për gjynahet e të tjerëve, por gjithkush do të jetë përgjegjës për veprat e tij nesër në Ditën e Logaridhënies para Krijuesit.

3- Besimi e nxit njeriun që të llogarisë veten e tij dhe e bën që ai të gjykojë veten e vet se në ç'rrugë është

Besimi forcon ndërgjegjjen, e cila e qorton njeriun kur gabon, mëkaton apo devijon. Pra, ndërgjegjja është gjykata e brendshme qortuese e njeriut. Në Kur'anin e Shenjtë thuhet: Betohem në shpirtin qortues!” (Sure “Kijame”, ajeti 2)

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Llogaritini vetat tuaja para se t'ju bëhet llogaria dhe peshojini ato para se të peshohen.”

4- Besimi e ndalon njeriun në bërjen e gjynaheve dhe mëkateve, qoftë në gjendje gëzimi apo hidhërimi

Kjo sepse besimi e paralajmëron njeriun për pasojat në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër nëse do të rebelohet ndaj Allahut dhe nëse don të sfidojë vullnetin e Allahut Fuqiplotë. Imam Xhevadi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Besimtar është ai i cili kur është i kënaqur, kënaqësia e tij nuk e fut as në mëkat e te e kota; kur zemërohet, zemërimi i tij nuk e pengon nga thënia e të vërtetës; kur ka fuqi, fuqia e tij nuk e bën atë që të bëjë keq aty ku nuk i takon.”

5- Besimi e bën njeriun të palëkundur nga Rruga e Drejtë dhe nga rruga e mirësisë

Njeriu besimtar flet vetëm ashtu siç e pëlqen Allahu. Ai as nuk shan, as nuk ofendon, as nuk poshtëron, as nuk shpif e as nuk përgojon. Besimtari fal dashuri, respekt, dhembshuri, dashamirësi, butësi, solidaritet dhe buzëqeshje. Besimtari i vërtetë kurrë nuk gjunjëzohet. Ai është si mali. Allahu i Madhëruar thotë: "Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar.(Sure “Fusilet”, ajeti 30.).

6- Besimi siguron jetë të qetë, të kënaqshme e të bukur

Allahu i Madhëruar thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (Sure “Nahl”, ajeti 97).

Dhe: Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që, pas kësaj, mohojnë (besimin), pikërisht ata janë të mbrapshtët. (Sure “Nur”, ajeti 55).

7- Besimi sjell siguri dhe udhëzim

Fjala iman buron nga fjala emnun (siguri). Allahu i Madhëruar thotë: Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.(Sure “En'am”, ajeti 82).

Njeriu ka nevojë për Krijuesin e tij në çdo moment të jetës. Besimi në Allahun i krijon njeriut një lidhje të fortë mes tij dhe Krijuesit, Allahut të Madhëruar. Nuk mjafton që dikush të thotë unë jam besimtar, ndërkohë që veprat e tij nuk janë në përputhje me besimin e tij. Besimi në Allahun e gjallëron jetën e njeriut, i jep atij shpresa në këtë jetë, ia lumturon atij jetën dhe ia ndriçon rrugën e kësaj jete.

Një shoqëri pa besim në Allahun e Madhëruar i ngjan një xhungle, në të cilën sundon i forti  dhe jo më i miri dhe më i dituri, më i devotshmi dhe më besimtari.

Allahu na bëftë prej besimtarëve të devotshëm e të sinqertë në këtë jetë!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI