Njohje me figurën e zonjës Zejneb

nga Vullnet Merja | Publikuar në Shta. 28, 2018, 2:21 p.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu! 

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

Çdo njeri në këtë jetë ka shqetësime, probleme, lodhje, mundime, hidhërime e dhimbje. Kjo gjendje i përfshin të gjithë njerëzit, qofshin të thjeshtë apo me pozitë, të varfër e të pasur. Askush në këtë jetë nuk i shpëton sprovave e fatkeqësive. Ose sprovohet me veten e tij, nga ndonjë sëmundje, ose sprovohet me humbjen e një të dashuri të zemrës, ose me humbjen e pasurisë etj. Allahu i Madhëruar thotë në Kur'anin e Shenjtë: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave. Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: 'Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi.' Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë.” (Sure “Bekare”, ajetet 155-157). Askush në këtë jetë nuk i realizon dëshirat e tij dhe lakmitë e tij.

Ka njerëz që sprovohen me fatkeqësi e hidhërime që në vegjëli. E tillë ishte zonja e madhe Zejneb, e bija e imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!). Zonja e madhe Zejneb ka lindur më pesë të muajit Xhumada El Ula, në vitin e pestë të hixhrit. Emrin Zejneb asaj ia vuri vetë profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), që do të thotë hijeshia e babait.

Shpesh herë dëgjojmë njerëzit të flasin për heroizma e heronj, qofshin meshkuj apo femra. Flasin për trimërinë dhe për trimat sypatrembur në betejat përballë armiqve. Flasin për trimërinë e femrave që qëndruan në krah të burrave.

S'ka dyshim se Ehli Bejti qëndron në majë të heroizmit e të trimërisë. Ata janë shembulli më i mirë në këtë drejtim. Zonja e madhe Zejneb, e bija e Fatime Zahrasë dhe e Ali Murtedasë, pas gjyshit të saj, babait të saj, nënës së saj dhe vëllezërve të saj, qëndron në majë të heroizmit e të trimërisë. Këtë e dëshmon historia islame. Ajo përjetoi fatkeqësi të ndryshme në jetën e saj, që nga fëmijëria e deri në fund sa mbylli sytë dhe u nda nga kjo jetë. Ajo ka parë vdekjen e gjyshit të saj, Profeti Muhamed, vdekjen e nënës së saj, hazreti Fatimesë, martirizimin e babait të saj, imam Aliut, martirizimin e vëllait të saj, imam Hasanit dhe masakrën e vëllait të saj, imam Hysejnit, së bashku me fëmijët e tij dhe me shokët e tij besnikë.        

Hazreti Zejneb, e bija e imam Aliut dhe e Fatime Zahrasë (Paqja qoftë mbi ta!) është frut i pemës së Familjes më të pastër dhe më të dëlirë në rruzullin tokësor. Ajo është Familja e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Hazreti Zejneb (Paqja qoftë mbi të!) mbart në personalitetin e saj dritën e profetit Muhamed, pastërtinë dhe dëlirësinë e Fatimesë, trimërinë e imam Aliut, fisnikërinë e imam Hasanit dhe sakrificën e imam Hysejnit. Të gjitha këto bënë që të formohet një personalitet i rrallë e i lartë që quhet Zejneb. Ajo është quajtur edhe “Ummul mesaibu”, nëna e fatkeqësive, për shkak të fatkeqësive të mëdha e të shumta që përjetoi në jetën e saj.

Ajo është model i femrës së përsosur myslimane për çdo kohë dhe për çdo vend. Ajo është pishtar ndriçues, drita e së cilës është prej dritës së dritave, hazreti Muhamed Mustafasë (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ajo është heroina, e cila trashëgoi trimërinë, guximin, kurajon dhe palëkundshmërinë e trimit të arabëve, prijësit të besimtarëve, imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!). 

Ajo është ndjenja e humanizmit, e cila përcjell dashuri, dhembshuri e dashmirësi. Këtë ndjenjë e trashëgoi nga nëna e saj, Fatime Zahraja (Paqja qoftë mbi të!). Me kënaqësinë e saj (Fatimesë), kënaqet Allahu dhe me zemërimin e saj, zemërohet Allahut.

Ajo është mesazhi islam, i cili përban palëkundshmëri, falje, sinqeritet, dije, argument, besim e devotshmëri. Të gjitha këto u shfaqën në qëndrimin e zonjës Zejneb në Kerbela dhe u binjakëzuan me imam Hysejnin në revolucionin e tij, duke u bërë pjesë e pandarë e kryengritjes së tij pas ndodhisë së Kerbelasë.

Ajo është model në sakrificë, në xhihad, në durim, në hidhërim, në përballjen e humbjes së të dashurve të zemrës, në robërim e në shpërngulje nga një vend në një vend tjetër. Të gjitha këto ajo i përballoi me durim dhe sinqeritet të plotë për hir të Allahut dhe në rrugën e Tij dhe të fesë së Tij.

Në fushën e Kerbelasë, zonja e madhe Zejneb (Paqja qoftë mbi të!) ishte gjithmonë në lëvizje. Ajo nuk u ul për asnjë çast. Herë shkonte te fëmijët e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!), i ledhatonte, i përkëdhelte, i përqafonte dhe ua mbyllte veshët që të mos dëgjonin hingëllimat e kuajve dhe të kërciturat e shpatave që prisni e masakronin trupat e pastër të dëshmorëve. Herë tjetër shkonte te gratë dhe vajzat e tjera që ishin në Kerbela, të cilat vajtonin humbjen e të dashurve të tyre të zemrës, baballarët, bashkëshortët e vëllezërit. Herë tjetër ndihmonte burrat që përgatiteshin për të dalë në fushën e betejës. E herë shkonte pranë trupave të mbuluar me rërë e me gjak. Ajo mbante në duar trupin e imam Hysejnit (Paqja qoftë mbi të!) dhe i lutej Allahut me zemër të thyer e të mbushur me dhimbje: O Zot! Pranoje prej nesh këtë kurban.

Ajo ishte mbrojtësja e imam Zejnul Abidinin (Paqja qoftë mbi të!) duke qëndruar mes tij dhe të padrejtëve. Ajo ishte e gatshme të sakrifikonte veten e saj, pa patur frikë nga asgjë dhe nga askush, në mbrotje të imam Zejnul Abidinit, i cili ishte dega e vazhdimësisë së pemës së Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) dhe argumenti i Allahut në Tokë. Kur Shimër ibn Dhil Xheushen hyri në çadrën ku qëndronte imam Zejnul Abidini (Paqja qoftë mbi të!), i cili qëndronte i shtrirë për shkak të sëmundjes, Shimri tha: “Vriteni atë!”. Një burrë prej shoqëruesve të tij i tha: “I Lartësuar është Allahu (Subhanallah)! A do të vrasësh një djalë të ri të sëmurë që nuk ka luftuar?”. Atëherë doli zonja e madhe Zejneb dhe tha: “Betohem në Allahun! Ai nuk vritet pa u vrarë unë më parë! Lëre atë!”.

Pasi Shimri dështoi në vrasjen e imam Zejnul Abidinit (Paqja qoftë mbi të!), ushtarët filluan t’i nxirrnin gratë nga çadrat. Ato dolën këmbëzbathura e duke qarë. Pastaj ushtarët i vunë flakën çadrave. Aty doli zonja e madhe Zejneb dhe me zë pikëllues tha: “Ja Muhamed! Sunduesi i qiellit të bekon ty. Ky është Hysejni i zhveshur e i braktisur! I mbuluar me gjak! Me gjymtyrë të prera! Oh, ç’fatkeqësi e rëndë! Vajzat tuaja robina! Tek Allahu ankohem, te Muhamed Mustafai, tek Ali Murtedai, te Fatime Zahraja dhe te Hamzai, zotëria e dëshmorëve…”.

Çfarë lloj besimi mbante zonja e madhe Zejneb në zemër e çfarë durimi kishte ajo në shpirt, ndërkohë që pa fëmijën qumështor e të pafajshëm, Abdullahun e vogël, djalin e imam Hysejnit, që e shpoi shigjeta nga njëra anë e fytit në anën tjetër dhe i dhanë për të pirë gjak në vend të ujit? Vetëm ky krim mjafton për copëtimin e zemrës. Sa i shëmtuar, sa çnjerëzor e sa i egër ky krim!

Çfarë lloj besimi mbante zonja e madhe Zejneb në zemër e çfarë durimi kishte në shpirt kjo femër madhështore, ndërkohë që shihte me sytë e saj vdekjen e Kasemit, djalit të imam Hasanit, i cili ishte djalosh…; vdekjen e Aliut të madh që i ngjante Profetit nga pamja dhe nga morali; masakrimin Ebul Fadl Abasit (Abas Aliu), të sakatuar e të gjymtuar të mbuluar me rërë dhe me gjak? Çfarë lloj besimi mbante zonja e madhe Zejneb në zemër e çfarë durimi kishte ajo në shpirt, ndërkohë që shihte dëshmorët e Kerbelasë të masakruar e kokëprerë?

Ajo kope injorantësh e barbarësh nuk u mjaftuan vetëm me kaq. Ata vodhën e plaçkitën gjithçka që gjetën në çadrat e pjestarëve të familjes së Profetit dhe të martirëve të Kerbelasë. Pasi vodhën dhe plaçkitën, ata i shkatërruan çadrat dhe i dogjën ato. E më pas zonjën e madhe Zejneb, së bashku me gratë dhe vajzat e familjes së Profetit dhe të dëshmorëve, i morën robina duke i lidhur me zinxhirë dhe nuk e ruajtën shenjtërinë e Profetit te gratë e familjes së tij.

Betohem në Allahun se ky është një krim që nuk mund të përshkruhet! Në emër të fesë dhe në emër të atij që e solli fenë, profetit Muhamed, masakrohen fëmijët e tij dhe robërohen gratë e familjes së tij. Kjo është një fatkeqësi e madhe. Vallë, përse neglizhojnë shumica e myslimanëve në përmendjen e kësaj fatkeqësie? Përse heshtin ligjëruesit ndaj kësaj fatkeqësie dhe ndaj kësaj masakre? Përse gumëzhijnë minberet para Ashurasë për agjërimin e kësaj dite dhe për mirësitë e këtij agjërimi? E përse nuk ua sqarojnë njerëzve të vërtetën e ditës së Ashurasë? A jemi ymeti i profetit Muhamed apo i ndonjë profeti tjetër? Përse motrat e nderuara myslimane nuk hulumtojnë dhe nuk e lexojnë historinë e kësaj heroine të madhe dhe ta marrin shembull në jetën e tyre?

Vërtet, ndodhia e Kerbelasë është masakra më e hidhur, më pikëlluese dhe më diskriminuese për profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ishte krimi më barbar që iu bë pasardhësve të pastër të Profetit Muhamed në emër të tij dhe në emër të fesë së tij. Në vend që ta nderonin e ta respektonin gjenezën e Profetit, ata derdhën gjakun e tyre pa iu dridhur qerpiku. Imam Rizai (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: Në kohën e xhahilijetit (para Islamit) njerëzit e ndalonin luftën në muajin e Muharremit, mirëpo në këtë muaj u lejua gjakderdhja jonë. Në këtë muaj u përbalt shenjtëria jonë! Në këtë muaj u morën robina gratë tona dhe gjeneza jonë. U dogjën çadrat tona dhe u grabit çdo gjë me vlerë e jona!”. (Menakibu Al Ebi Talib; vëllimi 2, faqe 206)

Edhe pse situata ishte e tillë, zonja e madhe Zejneb qëndroi e fortë, e çeliktë, e palëkundur dhe e vendosur. Ajo ishte e bindur se çdo gjë që po ndodhte ishte nën mbikëqyrjen e Allahut. Me këtë shpirt të bindur e të mbushur me besim tek Allahu, zonja e madhe Zejneb i përballoi të gjitha dhimbjet dhe vuajtjet. Ajo kurrë nuk u gjunjëzua përballë kopesë injorante të emevitëve, barbarë e gjakatarë. Ajo ua mbylli atyre gojët, siç veproi me Ubejdullah ibn Zijadin kur e pyeti: Si e pe veprën e Allahut ndaj familjes tënde? Hazreti Zejnebi (Paqja qoftë mbi të!) iu përgjigj: “Unë nuk pashë asgjë tjetër, përveç bukurisë.”.

Në këtë thënie të Ubejdullah ibn Zijadit duket dinakëria dhe tinëzaria e emevitëve. Krimin e tyre ia mveshën Allahut të Lartësuar (Allahu na ruajtë!) dhe ua paraqitën njerëzve sikur ishte kader i Allahut.

Kurse Umer ibn Sa’adi-it, zonja e madhe Zejneb (Paqja qoftë mbi të!) i tha: “O i biri i Sa’adit! Allahu gjykoftë mes teje dhe nesh! Ta ndaloftë Allahu shefaatin e gjyshit tonë dhe mos të dhëntë nga uji i Keutherit, siç veprove me ne dhe urdhërove vrasjen e nipit të të Dërguarit të Allahut dhe nuk i mëshirove fëmijët e tij dhe as nuk të erdhi keq për gratë e tij!”.

Zonja e madhe Zejneb, motra e imam Hysejnit (Paqja qoftë mbi të!), i ka thënë Jezidit: “Betohem në Allahun, o Jezid, se çdo gjë që bëre do të të kthehet ty, sepse ti nuk preve asgje tjetër veç lëkurës tënde dhe veç mishin tënd copëtove!
O Jezid! A e di se në ç′gjendje do të jesh atë ditë kur Zoti do t′i paraqesë trupat e pastër të martirëve tanë që të kërkojnë të drejtën e tyre prej atij që u bëri padrejtësi? Si do të jetë gjendja jote kur të dalësh para të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), ndërkohë që ti e derdhe lumë gjakun e të dashurve të tij dhe shkele në dinjitetin e trashëgimtarëve të tij? O Jezid! Mos u zhyt në gëzim nga kjo fitore e jashtme për atë që i bëre të dashurve tanë në Qerbela duke i vrarë e duke i larë me gjak! Mos kujto se ata janë të vdekur, se Zoti thotë: Kurrsesi mos i quani të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Jo, janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre. Janë të gëzuar për çfarë u ka dhënë Allahu nga mirësitë e

Tij... (Sure “Ali Imran”, ajeti 169-170).

O Jezid! Për ty mjafton që atë ditë gjykatësi është Zoti dhe armiku yt është i Dërguari i Zotit, miqtë e Ehli Bejtit dhe Xhebraili. Së shpejti personi që të frymëzoi që ta bësh këtë punë dhe që të vendosi ty mbi kokat e myslimanëve (Muavija), do ta dijë se çfarë zëvendësi të keq ka zgjedhur. Në Ditën e Llogaridhënies do ta mësosh se cili do të ketë vendin më të keq dhe nga ana e kujt do jenë fatkeqësia e pafuqia...”.

Kjo ishte zonja e madhe Zejneb, e cila, falë cilësive dhe virtyteve të saj të larta, është shembull për femrat myslimane, ashtu si nëna e saj, Fatime Zahraja (Paqja qoftë mbi të!).

Allahu i Madhëruar thotë: Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët.(Sure “Ankebut”, ajeti 69). E gjithë jeta e zonjës së madhe Zejneb (Paqja qoftë mbi të!) ishte për hir të Allahut dhe për fenë e Tij të pastër islame. Ajo është dëshmi e qartë e këtij ajeti, sepse ajo luftoi dhe sakrifikoi për hir të çështjes së Allahut Fuqiplotë.

Paqja qoftë mbi heroinën e Kerbelasë, të bijën e Aliut dhe të Fatime Zahrasë!

 



Burimi : Media e Lire

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI