Ehli Bejti, shembull për të gjithë muslimanët

nga Vullnet Merja | Publikuar në Shta. 10, 2018, 1:09 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

Allahu i Madhëruar është më i Mëshirshmi i mëshiruesve. Ai është i Drejti, i Gjithëdituri, i Mirëinformuari, i Dashuri, Dhuruesi, etj. Ai ka emrat më të bukur. Ai është e Vërteta Absolute. Vetëm Atij i takon adhurimi dhe Ai e meriton të falënderohet në çdo moment të jetës.

Me fuqinë e Tij absolute, krijoi gjithçka. Me urtësinë e Tij të madhe, dërgoi profetët dhe zbriti Librat për të udhëzuar njerëzimin në rrugën e paqes, dashurisë, harmonisë, respektit dhe në rrugën e udhëzimit të drejtë.

 I dërgoi të Dërguarit dhe i zbriti Librat, me anë të tyre të sqarojë se si të arrihet te virtytet e mira. Allahu i ka urdhëruar njerëzit që të rrugëtojnë udhën e përsosmërisë duke ndjekur të Dërguarit në përgjithësi dhe vulën e tyre, profetin Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), në veçanti. Për këtë Ai thotë në Kur’anin e Shenjtë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Sure “Ahzab”, ajeti 21).

Ky ajet na sqaron se Profeti ynë i dashur, hazreti Muhamed Mustafa (paqja dhe bekimet Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është modeli dhe shembulli më i mirë për t’u ndjekur jo vetëm nga muslimanët, por nga të gjithë njerëzit, në çdo kohë dhe në çdo vend.

Këtu lind pyetja: Po pas Profetit cilët janë shembulli më i mirë për t’u ndjekur?

Kushdo që lexon historinë islame me arsyetim e logjikim, do të konkludojë se Ehli Bejti i pastër i Profetit Muhmed janë shembulli dhe modeli për t’u ndjekur, sepse ata janë njëra prej dy rëndesave të vyera për të cilat ka porositur profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij për t’u kapur pas tyre. Ai ka thënë: “Unë po ju lë juve dy gjëra me peshë të madhe për nga rëndësia. Nëse ju do të kapeni për këto të dyja, nuk do të humbisni kurrën e kurrës, pas meje. Njëra prej tyre është më madhështore se tjetra: Libri i Allahut, një litar që zgjatet nga qielli në Tokë dhe pasardhësit e mi, Ehli Bejti im. Ata nuk ndahen deri sa të ktheheni te Hauzi (burimi Keuther). Prandaj, hapini sytë se si do të më kundërshtoni mua me këto të dyja.”

Ky hadith është transmetuar me këtë term dhe me terma të tjerë në mënyrë konsekuente (muteuatir) sipas kuptimit në: Sahijhu Muslim, 4: 1873/2408 dhe 5: 663/3786 dhe 3788. El Mustedrek i Hakimit, 3: 148. Musnedu Ahmed, 3: 14, 17, 26, 59 dhe 4: 371, 5: 182 dhe 189. Fadailu Sahabe i Ahmed ibn Hanbelit, 2: 603/ 1035. El Khasais i Nisaijut, 21. Mesabijhu Sunneh, 4: 185/4800 dhe 190/4816. Mexhmau Zeuaid, 9: 163-164. El Xhamiu Sagijr i Sujutijut, 1: 244/1608. Es Sauaikul Muhrika i Ibn Haxherit, 75 dhe 89. El Khasaisul Kubra i Sujutijut, 2: 266. Tefsiri Ed Durrul Menthur i Sujutijut, 2: 60. Tefsijru Rrazij, 8: 163. Hiljetul Eulija, 1: 355. Sunenul Bejhakij, 2: 148 dhe 7: 30. Usdul Gabeh, 2: 13. Tarijkhu Bagdad, 8: 442. El Mu’xhemul Kebijr i Taberanijut, 3: 201/3052 e shumë të tjerë.

Ky hadith i bekuar dëshmon qartë se ai që dëshiron të arrijë përsosmërinë në ktë jetë dhe të jetë i shpëtuar në Jetën Tjetër, le të kapet pas Kur’anit dhe Ehli Bejtit të profeti Muhamed, sepse Kur’ani i Shenjtë është Libri i udhëzimit dhe Ehli Bejti (paqja qoftë mbi ta!) janë modeli i humanizmit, i adhurimit, i devotshmërisë, i durimit, i drejtësisë, i sakrificës dhe i virtyteve të larta. Ehli Bejti përfaqëson rrugën dhe sunetin e vulës së profetëve, profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i cili ka thënë: “Ne jemi Ehli Bejti dhe nuk matet askush me ne.” (El Firdeus i Dejlemijut, 4: 283/6838; Dhekhairul  Ukba, 17; Kenzul Ummal, 6: 218; Kunuzul Hakaik i Abdurrauf El Munauij, 153; Feraidu’s-Simtejn, 1: 45.)

Ehli Bejti në gjuhën e Kur’anit dhe të Synetit ka kuptim të veçantë. Në të dyja këto burime qëllimi i fjalës Ehli Bejt është për të Dërguarin e Allahut, Profetin Muhamed, për imam Aliun, për Fatime Zahranë dhe për dy zotërinjtë e të rinjve të banorëve të Xhenetit, Hasanin dhe Hysejnin (Paqja qoftë mbi ata!). Këta i pasojnë pasardhësit e pastër, të cilët janë nëntë imamët e pagabueshëm nga gjeneza e Imam Hysejnit. Ata janë njerëzit më të afërt të Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), më të diturit e fesë së tij dhe më të diturit e traditës dhe të rrugës së tij.

Ka shumë transmetime të sakta të ardhura nga Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) te sunnitët dhe  te shiitët që deklarojnë qartë emrat e tyre (Shih: Jenabiu’l Meueddeh i El Kunduzij Hanefit, 3: 281/1, Darul Usueh, botimi I.)

Kushdo që e lexon dhe e studion jetën e Ehli Bejtit të Profetit Muhamed me gjakftohtësi, me meditim, me arsyetim larg çdo lloj fanatizmi, do të konkludojë se Allahu i Madhëruar me anë të Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e ka përzgjedhur Ehli Bejtin dhe i ka bërë ata shembull dhe model për muslimanët, sepse ata përfaqësojnë vijën dhe rrugën e profetit Muhamed. Ai që ndjek rrugën e tyre, është ndjekës i rrugës së Kur’anit të Shenjtë, të  cilit nuk i vjen e kota nga asnjë anë. Ai që ndjek rrugën e Ehli Bejtit është ndjekës i rrugës së Profetit Muhamed, i cili asgjë nuk e thotë nga vetja e tij, porse çdo gjë që ai thotë e ka bazën te Kur’ani i Shenjtë Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij.” (Sure “Nexhm”, ajetet 3-4). Pra, do të arrijë në përfundimin se pas Profetit Muhamed shembulli më i mirë për t’u ndjekur është Ehi Bejti i pastër i Profetit.

Kjo është mëse e vërtetë sepse ka ajete nga Kur’ani dhe hadithe nga profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) që flasin për Ehli Bejtin e pastër. Qëllimi i atyre ajeteve dhe haditheve është që t’i bëjnë me dije muslimanët se çfarë vendi dhe pozite të lartë ka Ehli Bejti (paqja qoftë mbi ta!). T’u sqarojnë atyre se ata janë shembulli më i mirë për t’u ndjekur pas profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), jo se janë të afërmit e tij nga gjaku, por sepse ata i ka pastruar Allahu plotësisht nga çdo gabim, mëkat, harresë, gjynah dhe nga çdo e keqe dhe e kanë merituar nëpërmjet besimit, adhurimit, devotshmërisë dhe virtyteve të larta që mbartnin.

Ehli Bejti i profetit Muhamed janë ata, të cilët Allahu i Madhëruar i ka pastruar plotësisht, siç thotë në Kur’anin e Shenjtë: “…O Familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht.”(Sure “Ahzab”, ajeti 33). Muslimi ka përcjellë në Sahihun e tij me zinxhir tek Aishja e cila ka thënë: “Doli Profeti sapo u zgjua nga gjumi dhe kishte veshur një gunëleshi të zezë. Në këtë moment, erdhi Hasani, i biri i Aliut, pastaj erdhi Hysejni, Fatimeja dhe Aliu e pastaj tha: “…O Familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht.” (Sahihu i Muslimit, Kitabu Fadaili Sahabe, 4: 1883 / 2424.)

Ehli Bejti i profetit Muhamed janë ata, të cilët profeti i zgjodhi kur e urdhëroi Allahu i Lartësuar të ballafaqohej nëpërmjet lutjes për mallkim (mubaheleh) me të krishterët në thënien e Tij: Atyre që të kundërshtojnë ty për çështjen e Isait, pasi të ka ardhur njohuria, thuaju: “Ejani t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, veten tonë dhe ju vetë, pastaj, të lutemi që mallkimi i Allahut t’i godasë gënjeshtarët!” (Sure“Ali Imran”, ajeti 61).

Ehli Bejti i profetit Muhamed  janë ata për të cilët ka zbritur ajeti: “Thuaj: ‘Nuk ju kërkoj përkëtë kurrfarë shpërblimi, përveç se dashurisë ndajtë afërmve.(Sure “Shura”, ajeti 23.)

Ehli Bejti i profetit Muhamed janë ata për të cilët ka zbritur ajeti: “Ata që besuan dhe me të përmendur Allahun, zemrat e tyre qetësohen; ta dini, se me të përmendur Allahun, zemrat qetësohen.” (Sure “Ra’d”, ajeti 28.)

Këto janë disa prej ajeteve të shumta që flasin për pozitën e lartë të Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!).

Ehli Bejti janë ata për të cilët kanë ardhur shumë hadithe nga Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) që flasin për pozitën e lartë të Ehli Bejtit. Ndër ato hadithe, përveç hadithit e dy rëndesave të vyera Thakalejn), që e përmendëm më lart, citojmë:   

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tiij!) ka thënë: “Shembulli i Ehli Bejtit tim tek ju është si shembulli i anijes së Nuhut: ai që hipën në të shpëton dhe ai që zmbrapset prej saj mbytet.” (El Mustedrek i Hakimit, 2: 343 dhe e cilësoi atë të saktë sipas kushtit të Muslimit dhe 3: 151. El Khasaisul Kubra i Sujutijut, 2: 266. El Xhamius Sagijr i Sujutijut, 2: 533/8162. Ruhul Me‘anij i Alusijut, 25: 32. Tefsijr Ibn Kethijr, 4: 123. Tarijkhu Bagdad, 12: 19. Hiljetul Eulija, 4: 306. Es Sauaikul Muhrika, 184 dhe 234. Mexhmauz Zeuaid, 9: 168. Dhekhairul Ukba, 120. Kifajetu Talib, 378. Nurul Ebsar, 104 e të tjerë).

Dhe: “Yjet janë siguri për banorët e Tokës nga mbytja dhe Ehli Bejti im është siguri për ummetin tim nga mosmarrëveshja. Nëse e kundërshton atë një prej fiseve arabe, do të përçahen dhe do bëhen parti e Iblisit.” ( El-Mustedrek i Hakimit, 3: 149 dhe e cilësoi atë të saktë. El-Khasaisu’l-Kubra i Sujutijut, 2: 266. Fadailu’s-Sahabe i Ahmed ibn Hanbelit, 3: 671/1145. Es-Sauaiku’l-Muhrika, 111 dhe 140. Dhekhairu’l-‘Ukba, 17. Kenzu’l-‘Ummal, 12: 96/34155 dhe 101/34188 dhe 102/34189. El-Xhamiu’s-Sagijr i Sujutijut, 2: 680/9313. Mexhmau’z-Zeuaid, 9: 174. Fajdu’l-Kadijr, 6: 297 e të tjerë.)

Dhe: “Duajeni Allahun për atë që ju ushqen nga begatitë e Tij, më doni mua për dashurinë që keni ndaj Allahut dhe duajeni Ehli Bejtin për dashurinë që keni ndaj meje.” (Sunenu’t-Tirmidhij, 5: 664/3789. Hiljetu’l-Eulija ue Tabakatu’l-Esfija i Ebu Naim El-Isfahanit, 3: 211, Daru’l-Kitabi’l-Arabij, Bejrut, botimi 4. Tarijkhu Bagdad, 4: 159. Usdu’l-Gabeh, 2: 13. El-Mustedrek ‘ala’s-Sahihejn, 3: 150. Ka thënë për të është hadith me zinxhir të saktë dhe është dakort me të edhe Dhehebiu.)

Dhe: “Edukojini fëmijët tuaj me tri cilësi: Dashurinë ndaj Profetit tuaj, dashurinë ndaj Ehli Bejtit të tij dhe leximin e Kur’anit.” (Kenzul Ummal, 16: 456/45409; Es Saua‘ikul Muhrika, 172. Fajdul Kadijr, 1: 225/311.)

Dhe: “Baza e Islamit është dashuria për mua dhe dashuria për Ehli Bejtit tim.” (Kenzu Ummal, 12: 105/34206; Ed Durrul Menthur, 6 :7).

 Dhe: “Çdo gjë e ka një bazë dhe baza e Islamit është dashuria për Ehli Bejtin.” (El Mehasin i El Berkijut, 1: 247/461).

Dhe: “Ai që dëshiron të hipë në anijen e shpëtimit, kërkon të kapet me lidhjen e fortë dhe dëshiron të kapet për litarin e fortë të Allahut, atëherë le të ndjekë Aliun dhe të ndjekë prijësit e udhëzuar prej bijve të tij.”  (Shevahidu Tenzijl, 1: 168/177.)

Dhe: “Ai që dëshiron të begatohet në jetën e tij dhe ta kënaqë Allahu me atë që ka, atëherë le të më pasojë mua në Ehlin tim me një ndjekje shembullore.” (Kenzu’l-‘Ummal, 12: 99/34171.)

Dhe: “Më ndiqni mua përmes Ehli Bejtit tim.” (Es Sauaikul Muhrika, 150; El Xhamiu Sagijr, 1: 50/302; Mexhmau Zevaid, 9: 163; Jenabij‘ul Meuedde, 1: 126 62.). Sa I qartëky hadithi, i cili qartëson pasimin e Ehli Bejtit pas Profetit Muhamed! E shumë e shumë hadithe të tjera që gjenden në literaturat islame.

A nuk janë këto hadithe të Profetit Muhamed argument i mjaftueshëm për ta marrë Ehli Bejtin e tij shembull dhe model? Sigurisht që po. Është detyra jonë si muslimanë që të zbatojmë porositë e profetit Muhamed. Allahu i Madhërur thotë: …Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj. Frikësojuni Allahut, sepse Allahu, dënon vërtet ashpër.” (Sure “Hashr”, ajeti 7).

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Ju këshilloj për Ehli Bejtin tim me më të mirën, se përndryshe unë do t’ju luftoj juve për ta nesër. Për atë që jam kundërshtar do ta kundërshtoj nesër dhe atë që e kundërshtoj unë hyn në Zjarr.” (Es-Sauaiku’l-Muhrika, 150. Dhekhairu’l-‘Ukba, 180.)

Transmetohet nga prijësi i besimtarëve, imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Ne jemi shtëpia e profetësisë, minerali i urtësisë, siguri për banorët e Tokës dhe shpëtimtarë të atyre që kërkojnë shpëtim.” ( Nethru Durer, 1: 310.)

Kërkuesit e kësaj bote dhe të dhënit pas bukurive dhe qejfeve të saj, e kanë të vështirë ta kuptojnë të vërtetën shpirtërore të Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!). Gjithashtu, edhe sipërfaqësorët dhe fanatikët nuk do të arrijnë asnjëherë ta njohin Ehli Bejtitn, nëse nuk thellohen në hulumtime dhe nuk pastrohen nga fanatizmi verbues.

Ne jemi krenarë që kemi Imamët tanë të Ehi Bejtit (paqja qoftë mbi ta!, të cilët janë të pagabueshëm dhe të pastër duke filluar nga Imam Ali ibn Ebu Talibi (Paqja qoftë mbi të!) dhe duke e mbyllur me ndihmëtarin e njerëzimit, me Imam Mehdi (Allahu e shpejtoftë ardhjen e tij!), udhëheqësin e kohës. Bekimet dhe përshëndetjet e panumërta qofshin mbi të! Ai, me dëshirën e Allahut të Gjithëpushtetshëm, është i gjallë duke zgjidhur çështjet.

Ne jemi krenarë që edhe sot e kësaj dite, falë dijetarëve, teologëve, baballarëve dhe shehlerëve të nderuar, drita e Ehli Bejtit është e pranishme në trojet tona shqiptare dhe kjo dritë e tyre na ndriçon zemrat, mendjet dhe të gjithë qenien tonë që ne të jemi të dashur me të tjerët, t’i duam dhe t’i rrespektojmë ata. Drita e Ehli Bejtit na ndriçon rrugën drejt Allahut të Madhëruar. Është detyrë e të gjithëve ne që këtë dritë ta ruajmë dhe t’ua përcjellim brezave të ardhshëm.

Ai që e do Ehli Bejtin, ai që e ndjek rrugën e tyre dhe i merr shembull ata në jetën e përditshme, atij i pranohen punët, i pranohet pendimi dhe do të fitojë faljen e Allahut. Profeti Muhamed ka thënë: “Ai që vdes me dashuri ndaj familjes së Muhamedit, vdes si dëshmor; ai që vdes me dashuri ndaj familjes së Muhamedit, vdes me mëkate të falura për të; ai që vdes me dashuri ndaj familjes së Muhamedit, vdes pendimtar; ai që vdes me dashuri ndaj familjes së Muhamedit, vdes besimtar me besim të plotësuar.”

Ai që e do Ehli Bejtin, ai që e ndjek rrugën e tyre dhe i merr shembull ata në jetën e përditshme, do të përgëzohet me Xhenet. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “S’ka dyshim se atë që vdes me dashuri ndaj familjes së Muhamedit, e përgëzon meleku i vdekjes me Xhennet e pastaj Munkeri e Nekiri. S’ka dyshim se ai që vdes me dashuri ndaj familjes së Muhamedit, përcillet për në Xhennet, ashtu siç përcillet nusja tek shtëpia e bashkëshortit të saj. S’ka dyshim se atij që vdes me dashuri ndaj familjes së Muhamedit, i hapen tek varri dy porta prej portave të Xhennetit. S’ka dyshim se atij që vdes me dashuri ndaj familjes së Muhamedit, Allahu ia bën varrin vendprehje të melekëve të mëshirës.”

O Zoti ynë! Na bëj prej ndjekësve të dashurve të Tu në këtë jetë dhe na bashko me ata në Jetën Tjetër!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI