Përse shiiat e lartësojnë figurën e imam Hysejnit?

nga Vullnet Merja | Publikuar në Shta. 18, 2018, 1:14 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit.

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!

Shpesh dëgjojmë thënien: Përse shiiat interesohen kaq shumë për përmendjen e imam Hysejnit ? Përse vishen me të zeza dhe organizojnë tubime vajtimi dhjetë ditë në çdo vit? A është Hysejni më madhështor se gjyshi i tij profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)? Nëse Hysejni është imam, gjyshi i tij ka qenë vula e profetëve, më i miri i tyre dhe më i larti. Babai i tij ka qenë zëvendësi i profetit Muhamed. Vallë, përse shiiat nuk veprojnë për Profetin dhe imam Aliun ashtu siç veprojnë me Hysejnin (Paqja qoftë mbi të!)?!

Përgjigjja rreth kësaj pyetjeje është: Shiiat, kurrë, nuk favorizojnë askënd mbi profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ata besojnë se Profeti Muhamed është krijesa më e nderuar, më e lartë, më e përkryer. Ai është shembulli më i mirë, mëshirë për mbarë botët, përgëzues, paralajmërues dhe pishtar ndriçues. Nuk vjen profet pas tij. Ata besojnë se pozita e profetit Muhamed tek Allahu është më e afërt se pozita e melekëve dhe se pozita e të dërguarve të tjerë.

 Pas profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ata favorizojnë Aliun ndaj të gjithë njerëzve. Te shiitët gjendet thënia e imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!), i cili thoshte me krenari: “Unë jam ndreqësi i sandaleve të të Dërguarit.” Ata besojnë se imam Aliu është zëvendësi i profetit Muhamed dhe se Aliu është prej familjes së tij. Më i miri ndër shokët e tij.

Ata besojnë fort se qëllimi i kryengritjes dhe i revolucionit të imam Hysejnit (Paqja qoftë mbi të!) ishte mbrojta e mesazhit që solli gjyshi i tij, Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), për të cilin luftoi dhe sakrifikoi babai i tij, imam Aliu dhe për të cilin u martirizua padrejtësisht vëllai i tij, imam Hasani (Paqja qoftë mbi ta!). Të gjithë këta, së bashku me Fatime Zahranë, janë pjesëtarët e Ndodhisë së Mbulesës (Hadithul Kisa), të cilët Allahu i pastroi plotësisht.

Pas profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), katër pjesëtarët e tjerë kanë qenë yjet ndriues për Islamin dhe për myslimanët. Ishin busulla e tyre dhe pishtarët e udhëzimit.  

Pas një kohe të shkurtër nga vdekja e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), ndërroi jetë Fatimeja, e privuar dhe e zemëruar ndaj të drejtës që i takonte dhe e cila nuk iu dha. Edhe pas largimit nga kjo jetë të hazreti Fatimesë, shtëpia profetike qëndroi e ndriçuar dhe e zbukuruar me Aliun, Hasanin dhe Hysejnin (Paqja qoftë mbi ta!).

Pas vrasjes barbare e të pabesë të imam Aliut, pas tij qëndroi drita e Hasanit dhe e Hysejnit (Paqja qoftë mbi ata të dy!). Dashuria e myslimanëve për ata të dy ishte shumë e madhe. Askush nuk kishte atë dashuri që kishin Hasani dhe Hysejni në zemrat e myslimanëve, sepse ata të dy ishin të mbeturit nga gjeneza e Ehli Bejtit të pastër të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

 Pas martirizimit të imam Aliut, erdhi radha e martirizimit të Hasanit (Paqja qoftë mbi të!), i cili u përpoq në rrugën e mbrojtjes dhe të përhapjes së Mesazhit të gjyshit të tij, profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) me gjithçka që kishte. Ai u detyrua që të bënte marrëveshje paqjeje me armikun e tij më të përbetuar, Muavije ibn Ebi Sufjan, i cili më pas e shkeli marrëveshjen dhe planifikoi martizimin me helm të imam Hasanit (Paqja qoftë mbi të!).

 Pas martirizimit të imam Hasanit, nga Ehli Bejti (Familja e Profetit) mbeti vetëm imam Hysejni, i cili përfaqësonte katër pjesëtarët e pastër të mëparshëm duke filluar nga Profeti Muhamed e deri tek imam Hasani (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!). Ai përfaqësonte dashurinë që kishin myslimanët për të gjithë Ehli Bejtin. Kjo është njësoj sikur të kesh pesë pjesëtarë të dashur dhe prej tyre të humbasësh katër dhe të mbetet vetëm një dhe ky zë vendin e të gjithëve dhe pozita e tij në zemrën tënde është e barabartë me pozitën e të pestëve. Këtë e dëshmon zonja e madhe, Zejnebi, e bija e imam Aliut, në ditën e dhjetë të muajit Muharrem, e cila, kur po vajtonte vëllanë e saj, imam Hysejnin, ka thënë: “Sot vdiq gjyshi im, i Dërguari i Allahut; sot vdiq nëna ime, Fatime Zahraja; sot u vra babai im, Aliu; sot u helmua vëllai im, Hasani.”

Martirizimi i imam Hysejnit ishte i njëjtë me martirizimin e të gjithë Ehli Bejtit (Familjes së Profetit). Ringjallja e kujtimit të imam Hysejnit është ringjallje e kujtimit të të gjithë Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!).

Ndodhia e Kerbelasë ka qenë, është dhe do të mbetet ndodhia më e hidhur dhe më e pikëlluese që ka njohur historia. Ajo nuk ishte si luftërat e njohura. Ajo ishte masakër përgjakëse për Familjen e të Dërguarit të Allahut, e cila përfshiu të mëdhenj e të vegjël. Ata i rrethoi në Kerbela një ushtri e madhe injorante, zemërgurë, e padrejtë dhe tirane. Ua ndaluan të ngrënit dhe të pirët për disa ditë me radhë. Kur Familja e të Dërguarit të Allahut, e cila përfaqësohej nga imam Hysejni, u rraskapitën nga mosngrënia dhe mospirja, këta zemërgurë hodhën shigjeta, hodhën gurë, goditën me shpatë e me shtiza mbi atë familje të pastër të Profetit. Kur u vranë të gjithë, ua prenë kokat dhe ua copëtuan trupat me patkojtë e kuajve sa në bark e sa në kurriz. Dogjën çadrat, vodhën dhe grabitën sendet e tyre dhe i morën gratë dhe vajzat e Familjes së profetit Muhamed robëresha (robina).

A nuk duhet të hidhërohet çdo ndjekës i Profetit dhe çdo i dashur i tij nga kjo masakër? Ai që thotë e dua profetin Muhamed dhe zbatoj synetin e tij, nuk duhet ta harrojë dhe as nuk duhet ta neglizhojë ndodhinë e Kerbelasë. Ai duhet ta kujtojë gjithmonë atë, sepse me kujtimin e Kerbelasë ai kujton profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). A nuk përpiqemi ne myslimanët për të fituar Xhenetin? A nuk është imam Hysejni zotëria i të rinjve të banorëve të Xhenetit? Atëherë, a nuk duhet të turpërohemi para tij nesër në Xhenet?

S’ka dyshim se Hysejni në mesin e ndjekësve të tij dhe në mesin e atyre që ia njohin qëllimet dhe synimet, nuk është thjesht një emër, por ai është simbol i heroizmit, simbol i humanizmit, simbol i shpresës, simboli i fesë dhe i Sheriatit, simboli i sakrificës në rrugën e së vërtetës dhe të drejtësisë. A nuk ishte i tillë profeti Muhamed? Sigurisht që po. Për këtë profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Hysejni është prej meje dhe unë jam prej Hysejnit.”

Ndërsa Jezidi ishte simboli i shkatërrimit, i devijimit, i shtypjes, i përbaltjes, mbartës i moraleve të këqija. Aty ku gjendej shkatërrimi, gjendja kaotike, përdhosja e shenjtërive, gjakderdhja e të pafajshmëve, padrejtësia, shkelja e të drejtave, aty ishte emri i Jezidit dhe bëmat e tij. Aty ku gjendej sinqeriteti, palëkundshmëria, trimëria, morali i mirë, ndershmëria, besimi dhe devotshmëria, aty ishte emri i imam Hysejnit (Paqja qoftë mbi të!).

Këto nuk janë deklarata individuale, por janë të vërteta që gjenden në literaturat islame.

Ringjallja e trimërisë dhe e sakrificës së imam Hysejnit (Paqja qoftë mbi të!) është ringjallje e të vërtetës, e mirësisë dhe e lirisë. Ringjallja e Ashurasë së imam Hysejnit është ngritja e zërit përballë sunduesit të padrejtë dhe përkrahësve të tij. Është britmë për çdo shpërdorues të mirësive të vendit dhe të popullit. Është britmë për çdo sundimtar që mbart cilësitë e Jezidit.

I biri i Muaviut donte të zhdukte Ehli Bejtin dhe të shuante dritën e Allahut. Ai dëshironte që fjala e keqe, padrejtësia dhe tirania të qëndronin më lart se fjala e mirë dhe drejtësia. Ai hamendësoi se do të triumfonte me vrasjen e Hysejnit. Por ky triumfi i tij ishte vetëm një mirazh afatshkurtër. Shumë shpejt, pas ndodhisë së Kerbelasë, u rrëzua dinastia emevite së bashku me bëmat e saj dhe mbeti Kerbelaja dhe imam Hysejni. Ata do të qëndrojnë deri në fundin e kësaj jete.

Pra, kur shiitët e nderojnë imam Hysejnin, e nderojnë se ai është nxitësi për liri e pavarësi. Është mësuesi i kryengritësve për drejtësi dhe barazi. Ata nuk adhurojnë individë. Ata i quajnë të shenjta parimet humane, morale dhe fetare. Ata janë myslimanë dhe zbatues të Kur’anit të Shenjtë dhe të synetit të bekuar të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Imam Hysejni përfaqëson në mënyrën më të mirë parimet e gjyshit të tij, profetit Muhamed, për të cilat, ai, së bashku me familjen e tij dhe shokët e tij besnikë u martirizuan në fushën e Kerbelasë.

Mosinteresimi për revolucionin dhe kryengritjen e imam Hysejnit, për ndodhinë e Ashurasë dhe për masakrën e Kerbelasë e ka burimin te mosnjohja e shkaqeve të tyre.

Është e vështirë që në këto pak rreshta të sqarohen shkaqet e këtij revolucioni, i cili ka depërtuar në thellësi të kohës dhe vazhdon të përçojë energji e forcë në zemrat dhe shpirtërat e të përmalluarëve për liri e drejtësi. Pa dyshim që ai është revolucioni që shpëtoi mesazhin islam prej devijimit dhe humbjes si pasojë e qejfeve dhe tekave të udhëheqësve të shthurur e të devijuar emevit. Prej shkaqeve më të rëndësishme të revolucionit të imam Hysejni ishte shthurja, devijimi, padrejtësia, terrori i udhëheqësit dhe i pushtetit emevit mbi myslimanët. Qëllimi i emevitëve ishte që ta bënte Islamin e pastër, shërbyes të interesave të tyre djallëzore dhe të lakmive të tyre të ulta.

Muaviu thoshte: "Pasuritë janë të Allahut dhe unë jam mëkëmbësi i Allahut. Ato që marr janë të miat dhe ato që jap janë bamirësi dhe bujari e imja."

Në një thënie tjetër, Muaviu i thotë Jezidit: "Cili është fëmija më i pa bindur dhe më mëkatar sesa ti?! Ti e di mirë që unë, për përparësinë tënde, i quajta të gjithë njerëzit fajtorë. I zbrita ata prej vendit të tyre të lartë për të të caktuar ty prijës dhe të emërova ty imam mbi as'habët e Profetit të Allahut dhe tek ata gjendet ai që ti e njeh (Hysejni) dhe mashtrova prej tyre ata që ti i njeh." (El Imametu ue Sijasetu: vëllimi 1, faqe 167.)

Qëllimi i imam Hysejnit (Paqja qoftë mbi të!) me revolucionin e tij ishte zhdukja e padrejtësisë dhe vendosja e drejtësisë. Allahu i Madhëruar thotë në Kur'anin e Shenjtë: "Dhe mos anoni nga ata që bëjnë të këqija, përndryshe do t’ju përcëllojë Zjarri. Ju nuk do të keni mbrojtës përveç Allahut dhe nuk do të ndihmoheni." (Sure "Hud", ajeti 113).

Dhe erdhën të padrejtët dhe thanë: Anoni nga ata që bëjnë padrejtësi se do të hyni në Xhenet!!! Me këtë parrullë ata donin shkatërrimin e Islamit. Imam Hysejni kishte për qëllim rikthimin e Islamit ashtu siç e solli gjyshi i tij, Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Ne e dimë se Allahu është mbrojtës i fesë së Tij. Mirëpo edhe ne si myslimanë kemi detyra ndaj kësaj feje të pastër dhe njëra prej këtyre detyrave është mbrojtja e saj prej mendimeve dhe prej duarve të keqdashëve. E kjo arrihet nëpërmjet të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja.

Imam Hysejni (Paqja qoftë mbi të!) është shkolla e drejtësisë islame. Për këtë, Kerbelaja është për të gjithë njerëzit dhe për mbarë popujt në rruzullin e tokës, sepse Islami është fe mbarëbotërore. Me ripërtëritjen e kujtimit të imam Hysejnit dhe të ndodhisë së Kerbelasë ripërtëritet liria e vërtetë shpirtërore në brendinë e njerëzve.

Imam Hysejni (Paqja qoftë mbi të!) i tha ushtrisë së Hur ibn Jezijd Er Rijahi-it, i cili shpejtoi në rrethimin e tij: “O njerëz! I Dërguri i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: ‘Cilido prej jush që sheh një udhëheqës të shthurur, që lejon të ndaluarat e Allahut, thyen besën e dhënë Allahut, nuk vepron sipas synetit të të Dërguarit të Allahut, sillet me robtë e Allahut me mëkat e armiqësi dhe nuk e ndryshon atë me fjalë apo me vepra, është e drejta e Allahut që atë njeri ta fusë në Xhehenem. S’ka dyshim se ata iu bindën shejtanit dhe e braktisën bindjen ndaj Rrahmanit (Allahut). Ata përhapën shkatërrimin, prishën kufijtë e caktuar nga Allahu, luftojnë për plaçkë lufte, e lejuan atë që ka ndaluar Allahu dhe ndaluan atë që ka lejuar Allahu. E unë e meritoj më shumë se çdo tjetër udhëheqësinë dhe të bëj ndryshimin. Mua më erdhën shkresat tuaja dhe më njoftuan të dërguarit tuaj për besën tuaj se ju nuk do të më dorëzoni e as nuk do të më poshtëroni. Nëse e plotësoni besën tuaj ndaj meje, jeni të udhëzuar, sepse unë jam Hysejni, i biri i Aliut dhe i biri i Fatimesë e bija e të Dërguarit të Allahut. Ne jemi një. Familja ime është me familjet tuaja. Unë jam shembull për ju.’” (Tarijkhu Tabarij: vëllimi 4, faqe 304. El Kamilu fi Tarijkh: vëllimi 3, faqe 280.)

Pra, me këto fjalë imam Hysejni sqaron gjendjen e dinastisë emevite në atë kohë dhe se ndryshimi dhe reformimi ishte një domosdoshmëri dhe përgjegjësi e të gjithë myslimanëve dhe jo vetëm e imam Hysejnit, mbartësit të flamurit të Mesazhit të pastër islam.

Allahu na bëftë prej atyre që përpiqen dhe sakrifikojnë në rrugën e fesë, të paqes, të dashurisë, të vëllazërisë dhe të unitetit!

 



Burimi : Media e Lire

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI