Mbikëqyrja e Allahut

nga Vullnet Merja | Publikuar në Korrik 13, 2017, 3:25 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit.

 Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

Allahu i Madhëruar thotë: Allahut i përkasin Emrat më të Bukur. Prandaj thirreni Atë (lutjuni Atij) me to!” (Sure “A’raf”, ajeti 180). Një prej 99 Emrave të Bukur të Allahut të Madhëruar është “Er Rakijb”, Mbikëqyrësi, Vëzhguesi. Në Kur'anin e Shenjtë ky emër përmendet në këto sure:

1- Në suren “Nisa”:

  “…Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” (ajeti 1).

2- Në suren “Maide”:

"Unë nuk u kam thënë asgjë tjetër, përveç asaj që më ke urdhëruar Ti: “Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!” Kam qenë dëshmitar, për sa kohë që kam jetuar midis tyre dhe, qëkurse më more mua, vetëm Ti je Mbikëqyrës i tyre. Ti je Dëshmitar për çdo gjë."

3- Në suren “Ahzab”:

"... Allahu është Mbikëqyrës për çdo gjë." (ajeti 52).

Nga këto ajete të Kur’anit të Shenjtë sqarohet se ne jemi gjithmonë nën vëzhgimin dhe mbikëqyrjen e Allahut të Madhëruar. Është detyrë e çdo njeriu që të jetojë me ndjenjën e mbikëqyrjes së Krijuesit. Njeriu duhet ta dijë se Allahu është i Mirinformuar dhe i Gjithëditur për gjithçka që mendon dhe vepron. Në vëzhgojmë të jashtmen e njerëzve, kurse Allahu i Madhëruar vëzhgon të jashtmen dhe të brendshmen. Kjo do të thotë se kur njeriu hesht, Allahu e vëzhgon zemrën e tij. Kur lëviz, Allahu i vëzhgon lëvizjet e tij. Kur flet, Allahu vëshgon të folurin e tij dhe dëgjon gjithçka që flet. Allahu është me ne në çdo lloj situate a rrethane, qofshin të mira apo të këqija. Këto i dëshmojnë ajetet e Kur’anit: “…Ai është me ju kudo që të gjendeni; Ai sheh gjithçka që bëni.(Sure “Hadid”, ajeti 4). Dhe: A nuk e di ai se Allahu i sheh të gjitha?(Sure “Alak”, ajeti 14). Dhe: “…Prandaj, duro për gjykimin e Zotit tënd se, me të vërtetë, ti je nën Sytë Tanë…” (Sure “Tur”, ajeti 48). Dhe: …Ta dini se Allahu e di ç’ka në zemrat tuaja. Prandaj ruhuni prej Tij!” (Sure “Bekare”, ajeti 235).

Allahu është shumë afër njeriut, por fatkeqësisht, shumë njerëz nuk e dinë këtë. Ata kanë arsye, por nuk e përdorin ashtu siç duhet dhe aty ku duhet. Këtë e dëshmon Kur'ani i Shenjtë kur thotë: Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne e dimë ç’i pëshpërit atij nefsi (egoja). Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet. Dy melekë i rrinë atij nga e djathta dhe nga e majta, dhe për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)." (Sure "Kaf", ajetet 16-18).

Prandaj profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Adhuroje Allahun sikur ti e sheh Atë. E, nëse nuk e sheh ti Atë, Ai të sheh ty.” S’ka dyshim se kjo është shkalla më e lartë e besimit. Besimtari e ndien se Allahu është gjithmonë me të.

Në shumë e shumë raste njerëzit mblidhen dhe bisedojnë gjatë e gjerë, derisa biseda i kalon caqet e saj – mundet, edhe me përgojime etj. Shpesh herë dëgjojmë për mbledhje dhe takime me dyer të mbyllura, kur bëhen marrëveshje të fshehta a merren vendime që vetëm palët në takim i dinë. Mirëpo ata nuk e dinë që janë të vëzhguar e të mbikëqyrur nga Allahu, sepse nuk e njohin Krijuesin e tyre dhe nuk i njohin Atributet e tij të përsosura. Kur'ani i Shenjtë na e sqaron fort mirë këtë çështjen e bisedimeve e të takimeve të fshehta. Në suren “Muxhadele” thuhet: "A nuk e di ti se Allahu di çdo gjë që është në qiej dhe në Tokë? Nuk ka bisedë të fshehtë midis tre vetave, që Ai të mos jetë i katërti; as midis pesë vetave e që Ai të mos jetë i gjashti; as kur janë më pak, as kur janë më shumë, që Ai të mos jetë me ata, kudo që të ndodhen Ditën e Gjykimit Ai do t’i njoftojë ata se çfarë kanë bërë se me të vërtetë, Allahu di çdo gjë." (Sure "Muxhadele", ajeti 7). Atëherë ne jemi gjithmonë të sprovuar në këtë jetë. Për këtë Allahu i Madhëruar thotë në Kur'anin e Shenjtë: "Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh." (Sure "Mulk", ajeti 2).

Në një ajet tjetër Allahu thotë: "Çdo gjë që gjendet në Tokë, Ne e kemi bërë stoli për të, për të provuar se kush prej tyre punon më mirë." (Sure "Kehf", ajeti 7). Mirëpo, ka raste kur ne jemi të pavetëdijshëm ndaj Mbikëqyrësit dhe Vëzhguesit tonë. Në provime ka studentë që kopjojnë, edhe pse ka vëzhgues a mbikëqyrës në provime. Mirëpo ka dallim mes provimit të jetës dhe provimit të shkollës. Vëzhguesi dhe mbikëqyrësi në provimin e jetës është Allahu, Krijuesi i Gjithëditur.

Nëse nuk e di se je i vëzhguar e i mbikëqyrur, atëherë do të bësh gjithçka. Ka njerëz që kanë turp nga njerëzit dhe u fshihen atyre kur duan të bëjnë vepra të turpshme. Por, ngado që të shkojnë e kudo që të fshihen, kamera vëzhguese e Allahut i sheh dhe i filmon ata dhe veprat e tyre të shëmtuara. Asgjë nuk i fshihet Allahut të Madhëruar. Këtë e dëshmon edhe Kur'ani i Shenjtë: "Ata fshihen nga njerëzit, por nuk i fshihen dot Allahut. Ai është pranë tyre edhe natën, kur trillojnë gjëra, me të cilat Ai nuk është i kënaqur. Se Allahu përfshin (me dijen e Tij) gjithçka që ata bëjnë." (Sure "Nisa", ajeti 108).

Besimi te mbikëqyrja e Allahut zgjon ndërgjegjen tonë, lëviz te ne ndjenjën e veprës së mirë, shkatërron faktorët e së keqes dhe na bën që të shohim me dritën e Allahut të Madhëruar. Atëherë çdo gjë që e themi a e bëjmë e kemi brenda kufjve të caktuar nga Allahu i Madhëruar. Për çdo hap që hedhim, pyesim veten: A është i Kënaqur Allahu apo jo? Besimi për mbikëqyrjen e Allahut është ilaçi më i mirë kundër pavëmendshmërisë. Ajo është arma më e mirë për t’u përmirësuar dhe për të ndrequr veprat e punët tona. Ai që jeton me besimin në mbikëqyrjen e Allahut, kurrë nuk dyshon, kurrë nuk paragjykon, kurrë nuk fyen e kurrë nuk përçmon. Fryti i besimit në mbikëqyrjen e Allahut është pastrami i zemrës, i shpirtit dhe i mendjes prej çdo gjë të keqe, të dëmshme dhe shkatërrimtare.

Cilësitë e Vëzhuesit Suprem, na shpalohen në disa ajete:

▲ "I lavdëruar qoftë Allahu, të Cilit i përket gjithçka që ndodhet në qiej dhe në Tokë! I lavdëruar qoftë Ai edhe në Jetën Tjetër! Ai është i Gjithëditur dhe i Urtë. Ai di çfarë hyn në tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret nga qielli dhe çfarë ngrihet drejt tij. Ai është Mëshirëploti dhe Falësi." (Sure "Sebe", ajetet 1-2).

▲ "Ai i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi Fron. Ai e di se çfarë hyn në Tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret prej qiellit dhe çfarë ngjitet drejt tij. Ai është me ju kudo që të gjendeni. Ai sheh gjithçka që bëni." (Sure "Hadid", ajeti 4).

"Allahu e di shikimin e përvjedhur të syrit dhe atë që fsheh zemra." (Sure "Gafir", ajeti 19).

▲ "Sido që të flisni ju, fshehtas apo haptas, Ai e di mirë ç’ka në zemrat tuaja. E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithëinformuari?" (Sure "Mulk", ajetet 13-14).

▲ "Edhe nëse ti flet me zë të lartë, (është e kotë, sepse) Ai, me të vërtetë, i di sekretet edhe më të fshehta." (Sure "Taha", ajeti 7).

Nga këto ajete duket qartë se prej cilësive më kryesore të Vëzhguesit dhe Mbikëqyrësit është dija. Pra, Ai di gjithçka dhe është i Gjithëdituri.

Allahu i Madhëruar ka caktuar melekët për të vëzhguar njeriun. Në Kur'anin e Shenjtë thuhet: "Dy melekë i rrinë atij nga e djathta dhe nga e majta, dhe për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)." (Sure "Kaf", ajetet 16-18).

Dhe: "Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar atë?”. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë bërë. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt." (Sure "Kehf", ajeti 49).

Dhe: "Ky është Libri Ynë, që do t’ju tregojë të vërtetën. Ne i kemi urdhëruar (melekët) që të shkruajnë të gjitha ç’keni bërë”. (Sure "Xhathijeh", ajeti 29).

Dhe: "Vallë, a mos kujtojnë ata se Ne nuk i dëgjojmë fjalët e tyre tinëzare dhe bisedat e tyre të fshehta? Pa dyshim, Ne dëgjojmë, ndërsa të dërguarit Tanë (melekët) që janë pranë tyre, shënojnë." (Sure "Zuhruf", ajeti 82). Dhe: "Sot Ne do t’ua vulosim atyre gojët e do të Na flasin duart e tyre dhe do të dëshmojnë këmbët e tyre për atë që kanë bërë." (Sure "Jasin", ajeti 65).

Dhe: "Atë Ditë që do të dëshmojnë kundër tyre gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë." (Sure "Nur", ajeti 24).

"Kur të vijnë afër zjarrit, kundër tyre do të dëshmojnë veshët, sytë dhe lëkurët e tyre për atë që kanë bërë. Ata do t’u thonë lëkurëve të veta: “Pse dëshmuat kundër nesh?” e ato do të përgjigjen: “Allahu, i Cili ia jep aftësinë e të folurit gjithçkaje, na ka bërë që të flasim. Ai ju ka krijuar për herë të parë dhe tek Ai do të ktheheni. Ju nuk u fshehët, që kundër jush të mos dëshmonin veshët, sytë e lëkura juaj, por ngaqë besonit se Allahu nuk i dinte shumë nga ato që bënit." Ky mendim, që keni pasur për Zotin tuaj, ju shkatërroi e ju u bëtë humbës." (Sure "Fusilet", ajetet 20-23).

Ai që e di se Allahu e mbikëqyr dhe e vëzhgon, bën vetëm punë të mira, të cilat e afrojnë tek Allahu dhe e fusin në Xhenetin e premtuar si punëmirë.

Njeriu që jeton me ndjenjën e mbikëqyrjes së Allahut të Madhëruar, është i përfshirë në ruajten dhe mbrojten e Allahut Fuqiplotë, siç thuhet në një hadith: “Shtatë njerëz janë ata që do t'i mbulojë Allahu me hijen e Tij atë Ditë, kur nuk ka hije tjetër përveç hijes së Tij. Njëri ndër ata të shtatë është ai që përmend Allahun në vetmi dhe i lotojnë sytë nga përmendja e Tij.”

Njeriu, që jeton me ndjenjën e mbikëqyrjes së Allahut të Madhëruar, nuk e sheh tmerrin e Ditës së Kiametit.

Njeriu, që jeton me ndjenjën e mbikëqyrjes së Allahut të Madhëruar, ka fituar dashurinë dhe kënaqësinë e Allahut e kjo është fitorja më e madhe.

Njeriu, që jeton me ndjenjën e besimit në Allahun e Madhëruar, do ta ketë të lehtë largimin nga kjo jetë. Inshallah.

Atëherë, është detyra jonë që t'i frikësohemi Allahut haptas dhe fshehtas, sepse Zoti ynë është i Mirinformuar për gjithçka që bëjmë ne. Atij nuk i shpëton asgjë nga fjalët dhe veprat tona, sado të vogla të jenë ato. Nesër, në Ditën e Llogarisë ne do t'i shohim të gjitha veprat tona. Ato janë të regjistruara dhe të shënuara në librin e veprave tona. Këtë e dëshmon edhe Kur'ani i Shenjtë: "Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë dhe kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë." (Sure "Zelzele", ajetet 7-8).

Dhe: "...Ne e kemi llogaritur çdo gjë në një Libër të qartë." (Sure "Jasin", ajeti 12).

Dhe: “O djali im! Edhe veprën e rëndë sa kokrra e sinapit që ndodhet në shkëmb, në qiej apo në tokë, Allahu do ta nxjerrë në shesh. Me të vërtetë, Allahu njeh mirë çdo imtësi dhe i di të gjitha fshehtësitë." (Sure "Lukman", ajeti 16).

Dhe: "Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar atë?”. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt." (Sure "Kehf", ajeti 49).

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Llogaritini vetat tuaja, para se t'u bëhet llogaria. Peshojini ato para se të peshohen."

Allahu na bëftë prej atyre që jetojnë gjithmonë me besimin e mbikëqyrjes së Allahut! 

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI