Çfarë e shkatërron zemrën

nga Vullnet Merja | Publikuar në Dhj. 25, 2017, 1 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

 Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

      Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Në trupin e njeriut gjendet një copë mishi, nëse ajo është e shëndoshë, i gjithë trupi i është i shëndoshë. Nëse ajo do të prishet, do të prishet i gjithë trupi. E ajo është zemra.”

Një prej betejave të luftës me vetëveten është mbikëqyrja e zemrës dhe ruajtja e saj prej veprave që e dëmtojnë. Veçanërsiht në këto ditë ku zemrat e shumë njerëzve janë të lidhura pas materializmit dhe pas kënaqësive të përkohshme të kësaj jete kalimtare. Kur’ani i Shenjtë, të cilin Allahu i Madhëruar e ka bërë sqarues për gjithçka, na njeh me dëmtuesit dhe shkatërruesit e zemrës. Sigurisht, ato janë të shumtë. Këtu do të përmendim disa prej tyre:

1- Sëmundja

Sigurisht, sëmundja e dëmton shumë zemrën e njeriut. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e Shenjtë: Në zemrat e tyre ka një sëmundje, të cilën Allahu ua shton. Ata i pret një dënim i dhembshëm për shkak të hipokrizisë së tyre.” (Sure “El Bekare”, ajeti 10)

 Dhe: E sa u përket atyre që kanë sëmundje në zemrat e veta, ajo ua shton edhe më dyshimin që kanë dhe ata vdesin si mohues.” (Sure “Et Teube”, ajeti 125).

Dhe: Kjo ndodh që Ai ta bëjë ndërhyrjen e djallit sprovë për njerëzit që i kanë zemrat të sëmura (nga dyshimi) dhe të ngurtësuara - prandaj keqbërësit janë në përçarje të madhe.” (Sure “El Haxh”, ajeti 53).

Dhe: “Hipokritët dhe ata që kishin sëmundje në zemrat e veta, thoshin: “Këta i ka mashtruar feja e tyre…” (Sure “El En’am”, ajeti 49). Eh sa të shumtë janë edhe sot të tillë njerëz, të cilët flasin kundër besimtarëve!

Dhe: Por hipokritët dhe ata me zemra të sëmura e të dobëta, thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk na kanë premtuar asgjë, pos mashtrimit” (Sure “El Ahzab”, ajeti 12).

Dhe: Nëse nuk heqin dorë (nga veprimet e tyre) hipokritët, ata që kanë sëmundje në zemrat e tyre dhe ata që përhapin lajme të gënjeshtërta në Medinë, Ne me siguri, ty do të të japim pushtet mbi ta dhe ditët e tyre në Medinë do të jenë të numëruara.” (Sure “El Ahzab”, ajeti 60).

Dhe: ...Ata që kanë sëmundjen e dyshimit në zemër dhe mosbesimtarët: “Ç’ka dashur të thotë Allahu me këtë shembull?...” (Sure “El Mudethir”, ajeti 31). 

Pra, në zemrat e tyre ka sëmundje dhe dyshim e Allahu ua shton edhe më shumë dyshimin e tyre.

Sëmundjet e zemrës janë të shumta: padituria, mosbesimi, kënaqësitë e shfrenuara, lakmia e madhe etj. Shëruesi më i mirë i zemrave është Kur’ani i Shenjtë. Ai shëron sëmundjet trupore dhe shpirtërore, të kësaj jete dhe të Jetës Tjetër. Allahu i Madhëruar thotë: Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.” (Sure “El Isra”, ajeti 82). Dhe: O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kur’ani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” (Sure “Junus”, ajeti 57).

Këto ajete të bekuara dëshmojnë qartë se zemra sëmuret. Sëmundja e trupit përfunon me vdekjen, por sëmundja e zemrës fillon pas vdekjes sepse, mbartësi i zemrës së sëmurë, do të vuajë përgjithmonë. Prandaj, duhet të jemi të kujdesshëm që zemrën tonë ta mbajmë gjithmonë të pastër e të shëndoshë.

2- Mbyllja e zemrës

Për mbylljen dhe vulosjen e zemrës, Kur’ani ka folur në shumë ajete. Kjo është përmendur disa herë në Kur’anin e Shenjtë. Prej atyre ajeteve përmendim:

Allahu i Madhëruar thotë: Allahu i ka vulosur zemrat e tyre, ndërsa në veshët dhe sytë e tyre kanë mbulesë; ata i pret një dënim i madh.” (Sure “El Bekare”, ajeti 8)

Dhe: “Thuaj: “Më thoni: Sikur Allahu t’jua merrte dëgjimin dhe shikimin e t’ua vuloste zemrat, cili zot, përveç Allahut, do t’jua kthente ato?!” Shih si ua shpjegojmë shpalljet Tona, por ata përsëri largohen nga e vërteta. (Sure “El En'am”, ajeti 46).

Dhe: “…Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë mohuesit. Këta janë ata të cilëve Allahu ua ka vulosur zemrat, të dëgjuarit dhe të parët; pikërisht këta janë të shkujdesurit. (Sure “En Nahl”, ajetet 107-108).

Dhe: “…duke ia vulosur dëgjimin dhe zemrën e duke i vënë perde para syve të tij? A nuk po merrni vesh? ” (Sure “El Xhathije”, ajeti 23).

Kur’ani e ka përdorur fjalën “khateme” në këtë ajet, që të shprehë gjendjen e personave të pabindur, mbi zemrat e të cilëve janë grumbulluar një numër i madh gjynahesh, saqë e pengojnë të vërtetën të depërtojë tek ta.

Tek ata nuk funksionon as syri me anë të të cilit të devotshmit shikojnë Argumentet e Allahut, as veshët, me anë të të cilëve dëgjojnë thirrjen për të Vërtetën dhe as zemra, me anë të së cilës kuptojnë të Vërtetën. Asnjë nga këto nuk funksionon te jobesimtarët. Ata kanë sy, veshë dhe zemër, por nuk kanë fuqinë e shikimit, të dëgjimit dhe të kuptimit. Ata janë zhytur në devijim.

 3- Mbulimi me perde i zemrës

Një nga dëmtuesit e zemrës është mbulesa me perde. Kjo përshkruhet në Kur’anin e Shenjtë si shumë e rrezikshme për zemrën e njeriut. Kjo perde e pengon pranimin e Rrugës së Drejtë dhe pranimin e Argumenteve të Allahut Fuqiplotë. Për këtë, Allahu i Madhëruar thotë: “...Zemrat tona janë të mbyllura në këllëf (prandaj s’i kuptojmë fjalët e Profetëve)”. Nuk është kështu, por Allahu ua ka vulosur ato për shkak të mohimit të tyre, prandaj pak prej tyre besojnë.  (Sure “En Nisa”, ajeti 155).  Dhe: Ata që i kundërshtojnë shpalljet e Allahut, pa pasur asnjë provë, janë të urryer në sytë e Allahut dhe në sytë e atyre që besojnë. Kështu, Allahu ia vulos zemrën çdo mendjemadhi e dhunuesi.”  (Sure “El Gafir”, ajeti 35).

 Në një ajet të Kur’anit të Shenjtë Allahu i Lartësuar na përshkruan gjendjen e zemrave të atyre që janë të luhatshëm në besimin e tyre, të cilët për interesa të kësaj bote e ndërrojnë besimin e tyre. Allahu thotë: Kjo, sepse ata fillimisht besuan, pastaj mohuan, kështu që zemrat e tyre u vulosën dhe si pasojë ata nuk kuptojnë më.” (Sure “El Munafikun”, ajeti 3).

4- Ngurtësimi i zemrës

Edhe ngurtësimi është prej shkatërruesve të zemrës. Ngurtësimi ndikon në mospranimin e Argumenteve të Allahut të Madhëruar. Për këtë Allahu i Madhëruar thotë në Ku’ran: Por, pas kësaj, zemrat tuaja u forcuan e u bënë si guri, madje edhe më të forta. Në të vërtetë, ka gurë, nga të cilët burojnë lumenj, ka të atillë që çahen e nga të cilët rrjedh uji, madje ka edhe syresh që rrëzohen nga frika e Allahut. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve tuaja.” (Sure “El Bekare”, ajeti 74).

Dhe: “Për shkak se ata e thyen besëlidhjen e tyre, Ne i mallkuam ata dhe ua bëmë zemrat të ashpra. Ata i kanë shtrembëruar fjalët e Shkrimeve të shenjta dhe kanë harruar një pjesë të mirë nga ato këshilla. Ti (Muhamed) përherë do ta vëresh tradhtinë e tyre, përveç një pakice të tyre; pra, falua fajet dhe mos i qorto! Se, Allahu i do bamirësit.” (Sure “El Maide”, ajeti 13).

Çdo njeri që është larg Allahut të Madhëruar atë e sundon shejtani i mallkuar, i cili ia zbukuron veprat e këqija, e si pasojë zemra e tij njeriu ngurtësohet. Këtë e dëshon edhe Kur’ani i Shenjtë, i cili thotë: “…Por zemrat e tyre u bënë gur, ndërsa djalli ua paraqiste si të bukura veprat e tyre të këqija.” (Sure “El En’am”, ajeti 43).

Siç shihet, ngurtësimi i zemrës në këtë ajet cilësohet më i fortë se ngurtësia e gurit.

Allahu na këshillon: A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, që iu është dhënë Libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur.” (Sure “El Hadijd”, ajeti 16).

5- Veprat e këqija

Edhe veprat e këqija përmenden në Kur’anin e Shenjtë si një prej shkatërruese të zemrës. Ato ndikojnë shumë në shmangien e zemrës nga Rruga e Drejtë. Allahu Fuqiplot thotë në Kur’anin e Shenjtë: “Jo, nuk është ashtu! Por të këqijat që i bënë, zemrat e tyre ua mbuluan”. (Sure “El Mutaffifijn”, ajeti 14).

S’ka dyshim se veprat e mira kanë ndikim pozitiv te zemra e njeriut besimtar e i devotshëm, ndërsa veprat e këqija ndikojnë negativisht te zemra e jobesimtarit dhe tek ata njerëz me besim të dobët e të lëkundur. Veprat e këqija janë shkaktare të zbritjes së fatkeqësive dhe problemeve në jetë. Allahu i Madhëruar thotë: Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë.” (Sure “Esh Shura”, ajeti 30).

Pasoja e veprave të këqija janë të shumta. Ato shkaktojnë sëmundje trupore dhe shpirtërore.

Një prej veprave të këqija, apo prej gjynaheve është kundërshtimi i urdhrërave dhe i porosive të Krijuesit Fuqiplotë, i Cili thotë: Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër.” (Sure “Ta Ha”, ajeti 124).

Kur njeriu vazhdon të bëjë vepra të këqija, atëherë ato do t’ia nxijnë zemrën e tij e do t’ia shkatërrojnë plotësisht atë.

6. Verbëria

Allahu thotë në Kur'anin e Shenjtë: Vallë, a nuk kanë udhëtuar ata nëpër botë, që zemrat e tyre të mendojnë dhe veshët të dëgjojnë? Në të vërtetë, atyre nuk u janë verbuar sytë (në këto gjëra), por u janë verbuar zemrat e veta në kraharor.” (Sure “El Haxh”, ajeti 46). 

Nga ky ajet kuptojmë se të tillë njerëz nuk kanë dobi prej këtyre pjesëve të trupit, edhe pse ato e kryejnë funksionin e tyre fizik. Veshët për dëgjim dhe sytë për shikim janë krijuar vetëm për të falënderuar Allahun, për ta lartësuar Atë dhe për ta adhuruar Atë. Me anë të tyre njeriu duhet të njohë Krijuesin e tij, me Argumentet e Tij. Me anë të tyre njeriu duhet të njohë atë që ka lejuar dhe që ka ndaluar Allahu i Madhëruar. Ai që I pranon urdhrat e Allahut dhe i zbaton ato në jetën e tij, do të jetë më afër Allahut dhe më lart se melekët (engjujt). Zbatimi i tyre u jep jetë zemrve. Allahu i Madhëruar thotë: O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë…” (Sure “El Enfal”, ajeti 24).Ndërsa, ai që kundërshton urdhrat e Allahut, bie më poshtë se kafsha. Për këtë Allahu i Madhëruar thotë: Ne kemi paracaktuar për Xhehenemin shumë xhinde dhe njerëz, sepse ata kanë zemra, por nuk kuptojnë, kanë sy, por nuk shohin dhe kanë veshë, por nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë, madje edhe më keq...” (Sure “El A’raf”, ajeti 179)

7- Animi nga e shtrembëruara

Animi nga e shtrembëruara, duke shpërfillur Argumentet e Allahut Fuqiplotë dhe duke mos i pranuar ato, ndikon shumë në shkatërrimin e zemrës. Në Kur'anin e Shenjtë Allahu i Madhëruar thotë: Ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta, ndjekin ajetet më pak të qarta, duke kërkuar të krijojnë pështjellim dhe duke kërkuar t’i komentojnë sipas dëshirës së vet. Por, kuptimin e tyre të vërtetë e di vetëm Allahu. Ndërsa ata që janë thelluar në dije, thonë: “Ne i besojmë (Kur'anit). Të gjitha këto  janë nga Zoti ynë.” Këtë e kuptojnë vetëm mendarët. (Ata thonë:) “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e Vërteta), pasi na ke udhëzuar në Rrugën e Drejtë dhe jepna mëshirë prej Teje. Vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh.”  (Sure “Ali Imran”, ajetet 7-8).

Dhe: Kujto kur Musai i tha popullit të vet: “O populli im, përse po më mundoni, kur e dini mirë se unë jam i dërguari i Allahut te ju?” Kur ata u larguan (nga e Vërteta), Allahu i largoi zemrat e tyre (nga Rruga e Drejtë). Allahu nuk e çon në Rrugë të Drejtë popullin jobesimtar.  (Sure “Saf”, ajeti 5).

8- Dyfytyrësia

Dyfytyrësia është një sëmundje që ndikon në shkatërrimin e zemrës. Ajo përhapet prej individit dhe arrin të pushtojë edhe shoqërinë. Zemra me sëmundjen e dyfytyrësisë vetëm e vetëm se shtiret se i pranon Argumentet e Allahut; në të vërtetë, ajo nuk i pranon. Dyfytyrësia është shkatërruesja më e madhe dhe më e rrezikshme për zemrën, sepse dyfytyraku bën gjëra të cilat janë të ndryshme nga çfarë mbart në zemër. Për dyfytyrakët dhe dyfytyrësinë Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e Shenjtë: Prandaj, Ai ua lidhi dyfytyrësinë në zemrat e tyre, deri në Ditën, kur do të dalin para Tij, sepse e shkelën premtimin dhënë Allahut. Ata e kishin zakon gënjeshtrën.” (Sure “Et Teube”, ajeti 77). 

Dyfytyrakët janë të shumtë në të gjitha kohët dhe vendet. Vendi i tyre në Botën Tjetër do të jetë shkalla më e thellë e zjarrit, siç thotë Kur’ani: Pa dyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe

të Xhehenemit dhe ti kurrsesi nuk do t’u gjesh atyre ndihmës.” (Sure “En Nisa”, ajeti 145).  Në Kur’anin e Shenjtë është një sure me emrin “El Munafikun” (Dyfytyrakët.) Ata janë shtresa më e rrezikshme e shoqërisë, sepse kanë dy fytyra. 

Në Kur’anin e Shenjtë lexojmë: Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i mashtron ata. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t’u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak. Luhaten në mëdyshje, - nuk janë as me këta, as me ata. Këdo që Allahu shpie në humbje, ti (o Muhamed) nuk do të mundesh t’ia gjesh rrugën.(Sure “En Nisa”, ajetet 142-143).
Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Shenjat e dyfytyrakut janë: Kur flet, gënjen; kur i lihet ndonjë amanet, tradhton; kur premton, nuk e mban fjalën.”

9- Smira

Smira është sëmundje që e shkatërron zemrën. Smira është keqdashje ndaj dikujt, kur e shohim më mirë se veten  - materialisht ose shpirtërisht. Smiraku gjithmonë përpiqet të përmbushë qëllimet e tij lakmitare. Në Kur’an thuhet që e keqja e smirës ështëpërkrah veprimeve shkatërruese të djallit. Allahu i Madhëruar thotë: “Edhe prej dëmit të smirëkeqit, kur sipas smirës vepron.” (Sure “El Felek”, ajeti 5).

Dhe: “Mos lakmoni në atë, që All-llahu gradoi disa nga ju mbi disa të tjerë…!” (Sure “En Nisa”, ajeti 32).

Dhe: “Dhe mos ia ngul sytë bukurisë së kësaj jete, me të cilën i bëmë të kënaqen disa prej tyre (mosbesimtarët), e për t’i sprovuar me të, sepse shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë dhe më i përjetshëm!” (Sure “Ta Ha”, ajeti 131).

Dhe: “E ty mos të të shkojnë kurrsesi sytë në atë, me të cilën Ne i pajisëm disa prej tyre, as mos u brengos për ta (pse nuk besuan), kurse ndaj besimtarëve ji i përulur e i butë.!” (Sure “El Hixhr”, ajeti 88).

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) u ka thënë shokëve të tij: “Mos u bëni armiq i të mirave të Allahut.” I thanë: “Kush bëhet armik i tyre?” Ai tha: “Ata që mbartin smirën.” (“Biharul Anuar”; vëll. 73, kreu 131, hadithi/2).

Kurse Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Smira shkrin besimin në zemër njëlloj siç shkrin uji kripën.” (“Mustedrekul Uesail”; vëll. 12, f. 18).

10- Egoizmi

Egoizmi është, gjithashtu, shkatërrues për zemrën. Kur zemra i nënshtrohet egos, patjetër që edhe trupi dhe mendja do t’i nënshtrohen asaj.

Egoizmi asnjëherë nuk duhet të nënçmohet. Ai duhet të edukohet përmes zemrës. Kur njeriu nuk u nënshtrohet egos dhe epsheve të tij dhe largohet nga puna e keqe për hir të Allahut të Madhëruar, atëherë ai është vërtetues i Fjalës së Allahut, që thotë: Kurse ai që i është frikësuar Madhërisë së Zotit të tij dhe e ka  frenuar veten nga dëshirat. Pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.” (Sure “En Naziat”, ajetet 40-41). Dhe: Mendo pak! Kush, përveç Allahut, mund ta udhëzojë atë njeri, që dëshirat e veta i ka bërë zot atë njeri, të cilin Allahu, duke e njohur për të tillë, e ka çuar në humbje, duke ia vulosur dëgjimin dhe zemrën e duke i vënë perde para syve të tij? A nuk po merrni vesh? ” (Sure “El Xhathije”, ajeti 23).

Kur’ani na mëson se në Ditën e Gjykimit nuk do të na bëjë dobi as pasuria e as fëmija, por shkuarja tek Allahu me zemër të pastër: Dhe mos më turpëro në Ditën, kur do të ringjallen njerëzit, Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Sure “Esh Shuara”, ajetet 87-89). Që zemrat tona të qëndrojnë gjithmonë të pastra duhet të jenë të mbushura me dritën e bësimit, të devotshmërisë, dashurisë, respektit, dhembshurisë dhe të moraleve të larta. Duhet që në çdo rrahje të zemrave tona të jetë përmendja e Allahut të Madhëruar. Për këtë Allahu na thotë: Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut.” (Sure “Err Rra’d”, ajeti 28).

Dhe: Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kur’anin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrëqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre e, mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre, kur përmendet

Allahu. Ky Libër është udhëzim i Allahut. Nëpërmjet tij Allahu udhëzon kë të dojë. Ndërsa atë që Allahu e shpie në humbje, s’mund ta udhëzojë kush.” (Sure “Ez Zumer”, ajeti 23).

Allahu na i ndriçoftë zemrat me dritën e Kur'anit!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI