İmam Hasani, i biri i İmam Aliut

nga Vullnet Merja | Publikuar në Qershor 10, 2017, 5:14 p.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit.

 Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!

Imam Hasani (paqja qoftë mbi të!) është i biri i imam Aliut dhe i Fatime Zahrasë. Gjyshi i tij është profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Imam Hasani (paqja qoftë mbi të!) lindi në Medinen e Ndritëshme, më 15 Ramazan, në vitin e tretë të hixhrit. Ai jetoi dhe u rrit në praninë e gjyshit të tij, profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe nën kujdesin e nënës së tij, Fatime Zahrasë (paqja qoftë mbi të!) për shtatë vjet. Jetoi me babanë e tij deri në vitin 40 të hixhrit, vit, në të cilin ndërroi jetë imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) për shkak të goditjes nga i mallkuari Abdu Rrahman ibn Mulxhem.

Në periudhën që imam Hasani jetoi me gjyshin e tij, me nënën dhe babanë e tij, u edukua me parimet e fesë së pastër islame. Me anë të kësaj edukate islame, u formua personaliteti i tij i plotë dhe i pastër islam.

 

Morali i imam Hasanit

Një ditë imam Hasani së bashku me vëllain e tij imam Huseinin po shkonin në xhami. Ata panë një burrë të moshuar që po merrte abdes, mirëpo abdesi i tij nuk ishte i rregullt. Imam Hasani mendoi se si t’ia ndreqnin abdesin të moshuarit pa e ofenduar atë. Imam Hasani dhe imam Huseini (paqja qoftë mbi ta!) iu afruan të moshuarit dhe po hiqeshin sikur po debatonin me njëri-tjetrin duke thënë: Ti nuk di të marrësh abdes. Ata i thanë të moshuarit: “Bëhu gjykatës mes nesh.” Pastaj filluan të marrin abdes. I moshuari po i vështronte me kujdes. Më pas e kuptoi qëllimin e tyre dhe u tha me buzëqeshje: Që të dy ju e merrni mirë abdesin. Pastaj tha: Ky i moshuar i paditur është ai që nuk di të marrë abdes. Tani e mësova prej jush abdesin e rregullt e të saktë.

Ky është morali i Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!), i cili buron nga morali i profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

 

Devotshmëria e imam Hasanit 

Imam Hasani (paqja qoftë mbi të!) ka qenë më i devotshmi i kohës së tij. Ai ka bërë 25 herë haxh duke ecur në këmbë. Kur çohej për të marrë abdes, ai zverdhej dhe dridhej nga frika ndaj Allahut të Madhëruar. Ai thoshte: “Është e drejta e çdo njeriu që kur të qëndrojë para Zotit të Gjithpushtetshëm t’i zverdhet ngjyra dhe t’i dridhen kyçet.” Kur mbërrinte tek era e xhamisë ai ngrinte kokën drejt qiellit dhe thoshte me përulje të madhe: “O Zoti im. Miku yt erdhi në derën Tënde. O Mirëbërës! Tek Ti ka ardhur keqbërësi. Mi fal të këqijat e mia me faljen e Tënde o Bujar.”

 

Imam Hasani (paqja qoftë mbi të!) në Kur’an

Në Kur’anin e shenjtë, i cili udhëzon në atë që është më e mira, më e drejta dhe më e vërteta, ndodhen ajete që sipas dijetarëve dhe komentuesve – qofshin sunit apo shiit- kanë zbritur për Ehli Bejtin e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). dhe një prej antarëve të Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!) është edhe imam Hasani (paqja qoftë mbi të!). Ndër ato ajetet janë:

1- “E kush të kundërshton ty në çështjen e tij, Isait, pasi të është bërë e ditur e vërteta, t’i thuaj: ‘Ejani, t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe vetë ju, mandej, sinqerisht të lutemi për mallkim dhe mallkimin nga ana e Allahut ta hedhim kundër gënjeshtarëve.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 61.) Sipas Komentuesve, qëllimi i frazës: “...bijtë tanë...” është për imam Hasanin dhe imam Huseinin (paqja qoftë mbi ta!), të cilët profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i mori për t’u ballafaquar me të krishterët e Nexhranit rreth çështjes së profetit Isa (paqja qoftë mbi të!) e më pas të luteshin që mallkimi i Allahut të binte mbi gënjeshtarët.

2- “Thuaj: ‘Nuk ju kërkoj përkëtë kurrfarë shpërblimi, përveç se dashurisë ndajtë afërmve.(Sure“Shura”, ajeti 23.)

Ky quhet Ajeti i Dashurisë (ajetul meudeh), të cilin e vërtetojnë shumica e librave të komentimeve e shumë nga burimet e haditheve dhe të historisë islame. Ky ajet ka zbritur për të afërmit e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): Aliun, Fatimenë, Hasanin, Hysejnin dhe pasardhësit e tyre të pastër. Pra, një prej atyre të fërmëve është edhe imam Hasani (paqja qoftë mbi të!).

3- “…O Familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht.” (Sure “Ahzab”, ajeti 33)

Është përcjellë nga Ummu Selemeja se kur zbriti ky ajeti i Dërguari i Allahut thirri Aliun, Fatimenë, Hasanin dhe Hysejnin dhe tha: “Këta janë Ehli Bejti im.” (El-Mustedrek ‘ala’s-Sahijhejn, 3:158/4705; Es-Sunenu’l-Kubra i Bejhakiut, 7: 63.)

4- Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë, duke thënë: “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim! Ne i frikësohemi Zotit tonë në një Ditë të ashpër, që do t’i bëjë fytyrat të jenë të vrenjtura.” Po Allahu i ruajti ata prej të keqes së asaj dite dhe u dhuroi shkëlqim në fytyra e gëzim të madh. Dhe për shkak se ata duruan, i shpërbleu me Xhenet dhe me petka mëndafshi.” (Sure “Insan”, ajetet 8-12.)

Komentuesit dhe muhadithët kanë rënë dakort se këto ajete kanë zbritur për Ehli Bejtin (paqja qoftë mbi ta!). Këto ajete kanë lidhje me historinë kur Aliu, Fatimeja, Hasani dhe Hysejni, ia dhanë ushqimin e tyre, që kishin për iftar, të vobektit, jetimit dhe robit të luftës. Nga thënia kur’anore duket se Allahu i përgëzoi ata me Xhenetin dhe me kënaqësinë e Tij.

Imam Hasani (paqja qoftë mbi të!) në sunnetin e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)

I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Hasani dhe Hysejni janë dy bijtë e mi. Ai që i do ata, më do mua; ai që më do mua, atë e do Allahu; atë që e do Allahu, e fut në Xhenet. Ai që i urren ata të dy, më urren mua; ai që më urren mua, atë e urren Allahu dhe atë që e urren Allahu, e fut në Zjarr.” (El-Mustedrek ‘ala’s-Sahijhejn i Hakimit, 3: 166, dhe ka thënë: I saktë sipas kushteve të Dy Shejkhëve (Buhariut dhe Muslimit). Musnedu Ahmed, 2: 288. Sunenu’t-Tirmidhij, 5: 656-660. Kenzu’l-‘Ummal, 13: 105. Mexhmau’z-Zeuaid, 9: 179 dhe 181. Es-Sauaiku’l-Muhrika, 191-192 pjesa 11. Dhekhairu’l-‘Ukba, 123.)

Dhe: “Këta të dy janë bijtë e mi, Hasani dhe Hysejni. O Allah i Plotpushtetshëm, me të vërtetë, unë i dua këta të dy. O Allah i Plotpushtetshëm, duaji këta të dy dhe duaje atë që i do këta të dy.” (Sahijhu’l-Bukharij, 5: 100-101/235. Sunenu’t-Tirmidhij, 5: 656, 3769 dhe 3772. Musnedu Ahmed, 2: 446 dhe 5: 369. Musnedu’t-Tajalisij, 10: 332, Daru’l-Ma’rife, Bejrut. Et-Tarijkhu’l-Kebijr i Buhariut, 2: 286. Mexhmau’z-Zeuaid, 9: 180. Kenzu’l-‘Ummal, 6: 220. Usdu’l-Gabe, 2: 12.)

Në një hadith, Ebu Hurejra ka thënë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë për Hasanin dhe Hysejnin: “Ai që më do mua, atëherë le të dojë këta të dy.” (Musnedu’t-Tajalisij, 10: 327. Tarijkhu’l-Islam i Dhehebijut, 5: 100.)

I Dërguari i Allahut(paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)e përqafoi Hasanin dhe tha: “O Allah, unë e dua këtë. Duaje Hasanin dhe duaje atë që e do atë.” (Sunenu’t-Tirmidhij, 5: 661/3783.)

Dhe: “Hasani dhe Hysejni janë dy borzilokët e mi.” (Sahijhu’l-Bukharij, 5: 102/142 dhe 8: 11/23 pjesa e edukatës. Sunenu’t-Tirmijdhij, 5: 657/3770. Musned Ahmed, 2: 85, 93, 114 dhe 153. Musnedu’t-Tajalisij, 8: 260-261. Hiljetu’l-Eulija, 5: 70. Fet’hu’l-Barij, 8: 100. Usdu’l-Gabe, 2: 20.)

Është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)se ai i ka kapur për dore Hasanin dhe Hysejnin dhe ka thënë: “Ai i cili më do mua, këta të dy, babain e tyre dhe nënën e tyre, do të jetë me mua në gradën time në Ditën e Kijametit.” (Sunenu’t-Tirmidhij, 5: 641-642/3733. Musnedu Ahmed, 1: 77. Xhamiu’l-Usul, 9: 157/6706.)

Në mbyllje të këtij artikulli po përmend një hadith mjaft domethënës të profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili ka thënë: “Kush gëzohet që të jetojë jetën time e të vdesë vdekjen time, të banojë në Xhenetin ‘Adn që e ka mbjellëZoti im, le të marrë për udhëheqës Aliun pas meje. Të dojë atë që e do atë, të ndjekë Ehli Bejtin tim pas meje, sepse ata janë pasardhësit e mi, janë krijuar nga balta ime, trashëguan të kuptuarit dhe diturinë time. Mjerë për ata prej ymetit tim që përgënjeshtrojnë virtytet e tyre, që (duke ndërprerë lidhjen) me ta ndërpresin lidhjen me mua. Mos ua dhëntëAllahu atyre ndërmjetësimin tim!” (Sherh Ibn Ebi’l-Hadijd, 9: 170/12. Hiljetu’l-Eulija, 1: 86. Kenzu’l-‘Ummal, 12: 103/24198. Kifajetu’t-Talib, 214. Mexhmau’z-Zeuaid, 9: 108. Biografia e prijësit të besimtarëve nga Tarijkh Medineti Dimashk, 2: 95.)

 

Udhëheqësia (khilafeti) e tij

Postin e udhëheqësisë e mori pas vdekjes së babait të tij, imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!) në vitin 40 të hixhrit dhe zgjati 10 vjet. Imam Hasani (Paqja qoftë mbi të!) vdiq në Medinen e Ndritur, në vitin 50 të hixhrit i helmuar nga dora e bashkëshortes së tij Xha’de bintul Esh’ath, të cilën e mashtroi dhe e joshi Muaviu.  

 

Porosi të ndryshme të imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!)

Imam Hasani (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Puno në këtë jetë sikur do të jetosh përgjithmonë dhe puno për Ahiretin tënd (Jetën Tjetër) sikur ti do të vdesësh nesër!”

Dhe: “Nëse dëshiron krenarinë, paso farefisin dhe nëse dëshiron madhështi pa pushtet, atëherë largohu nga poshtërsia e gjynaheve ndaj Allahut të Madhëruar dhe hyr në bindjen ndaj Tij!”

Dhe:  “Nëse njerëzit nevojtarë të ftojnë për shoqërim, atëherë shoqërohu me atë që të vlerëson!”

Dhe:  “O biri im! Mos qorto njeri derisa të njohësh sjelljen e tij! Nëse njihesh me sjelljen e tij dhe je i kënaqur me shoqërinë e tij, pranoje prej tij faljen dhe shoqëroje atë në vështirësitë e tij!”

Dhe:  “O robtë e Allahut! Merrni mësime prej ndodhive nga të cilat përftohen këshilla! Nxirrni mësime prej gjurmëve të njerëzve të shkuar! Përfitoni nga porsitë! Allahu është mbrojtësi dhe përkrahësi. Libri është i mjaftueshëm për argument dhe dallues mes së vërtetës dhe së pavërtetës…”

Allahu i Madhëruar na mundësoftë te jemi ne rrugën e eulijve (të dashurve) të Tij në këtë jetë dhe na bashkoftë me ata në Jetën Tjetër!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI