Imam Ali Rizai

nga Vullnet Merja | Publikuar në Dhj. 28, 2016, 5:52 a.m.

Me emrin e Allahut të Gjithmëhirshmit Mëshirplotit

Falenderimet i takojnë Allahut, të Vetëm e të Pashoq. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij të zgjedhur dhe mbi të gjithë ata besimtarë e besimtare që e ndjekin rrugën e tyre me përkushtim e sinqeritet deri në ditën e fundit të kësaj jete.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Es selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!

Në këto pak rreshta do të flasim për një nga imamët e Ehli Bejtit të profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin bmi të dhe mbi familjen e tij!), imam Ali ibn Musa Rizain (Paqja qoftë mbi të!)

Ai është Aliu, i biri i Musait, i biri i Xhaferrit, i biri i Muhamedit, i biri i Aliut, i biri i Hysejnit, i biri i Aliut, i biri i Ebu Talibit (Paqja qoftë mbi ta!).

Lindja e tij

Imam Ali Rizai (Paqja qoftë mbi të!) ka lindur në Medinen e Ndritur, në vitin 153 të hixhrit.

Imamati i tij

Imam Rizai (Paqja qoftë mbi të!) e filloi udhëheqësinë (imamatin) e tij pas vdekjes së babait, imam Kadhim (Paqja qoftë mbi të!), në vitin 183 të hixhrit.

Prej punëve më të rëndësishme të imam Rizai (Paqja qoftë mbi të!) ishin:

1- Sqarimi i besimit islam dhe pastrimi i tij prej devijimeve që u përhapën në fillim të pushtetit abasit.

2- Mësimdhënia e rregullave dhe e dispozitave të fesë, si dhe përhapja e haditheve të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!).

3- Sqarimi dhe konstatimi se imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ishte prijës i besimtarëve menjëherë pas profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe se ai e meritonte plotësisht këtë pozitë.

Vilajeti i Ahdit

Në kohën e imamatit të imam Rizait (Paqja qoftë mbi të!), Me’muni, udhëheqësi abasit i asaj kohe, zgjodhi imamin Veliju Ahdin. Këtë e bëri për shkak të faktorëve të mëposhtëm politik:

1- Animi i njerëzve të xhaxhallarëve të Me’munit kah vëllait të tij, Eminit, për t’i tërhequr ata kah vetes nga frika se pushteti të mos kalonte nga abasitët tek alevitët.

2- Përpjekja e Me’munit për të shtypur e për të shkrirë lëvizjet politike që ftonin në rrugën e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi të!) dhe këto lëvizje të mos përfitonin nga hendeku i mosmarrëveshjes mes Me’munit dhe vëllait të tij, Eminit dhe nga përçarja e abasitëve për pushtet.

3- Përpjekja e Me’munit që pasuesit e Imam Rizait (Paqja qoftë mbi të!) t’i tërhiqte nga ana e tij për të shtuar fuqinë e tij kundër përkrahësve të vëllait të tij, Eminit.

Kjo përpjekje e Me’munit, përveç Vilajetit të Ahdit, bazohej edhe në:

1- Pohimin e Me’munit se imamët e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) e meritonin më shumë se abasitët udhëheqësinë (khilafetin). Këtë pohim e ka shprehur qartë edhe në diskutimet dhe dialogjet e tij, si dhe në tekstin e vilajetit të Ahdit.

2- Prodhimin e monedhës nga Me’muni me emrin e imam Rizait (Paqja qoftë mbi të!).

3- Vendosjen e imam Rizait drejtpërsëdrejti nën mbikëqyrjen e tij, me qëllim që imami të mos bëntë asnjë aktivitet politik kundër abasitëve.

Vdekja e tij

Imam Rizai (Paqja qoftë mbi të!) vdiq në qytetin Tus, krahinën e Khorasanit (Mashhadi i sotëm- Iran), në vitin 203 të hixhrit.

Prej thënieve të tij udhëzuese

1- “Përkrahja dhe ndihma jote për të dobëtin dhe të paaftin është më e mirë se sadakaja.”

2- “Prej moralit të profetëve, është pastërtia.”

3- “Njerëzit e mirë janë ata, të cilët, kur bëjnë mirë, përgëzojnë; kur bëjnë keq, kërkojnë falje dhe kur u jepet diçka, falënderojnë për të.”

4- “Mbaji lidhjet me të afërmit e tu, qoftë edhe me nje gllënkë uji!”

Prej lutjeve të tij

“O Zoti Im! Më jep udhëzim dhe më forco në të; më tubo të udhëzuar e të sigurtë nga çdo frikë e hidhërim! Vërtet, Ti je Poseduesi i devotshmërisë dhe i faljes e mëshirës.”

Shkurtimisht rreth personalitetit të imamit Rizait (paqja qoftë mbi të!)

Imam Ali ibn Musa Riza (er Rida) (paqja qoftë mbi të!) është imami i myslimanëve, udhërrëfyes dhe reformues prej Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!). Jeta e tij ka qenë fener ndriçimi për udhëzuesit dhe tregues për ato që ndjekin rrugën e besimit të vërtetë. Ka qenë shembullyes në morale dhe në vijën e drejtë. Këtu do të përmendim shkurtimisht disa cilësi dhe morale të larta të imam Rizait (paqja qoftë mbi të!).

1 – Rexha ibn Ebi Dahhak, i cili shoqëroi imamin (paqja qoftë mbi të!) gjatë udhëtimit të tij nga Medinia për në Merva, na përshkruan besimin dhe ibadetin (adhurimin) e imam Rizait (paqja qoftë mbi të!) me këto fjalë: “Unë isha me atë nga Medinia e deri në Merva. Betohem në Allahun se unë nuk kam parë njeri më besimtar se ai, as përkujtues të Zotit më tepër se ai në kohën e tij, as frikësues ndaj Allahut të Madhëruar sa ishte ai.  Ai e falte sabahun dhe ulej në vendin e faljes duke e madhëruar Allahun e Madhëruar, duke e falenderuar e duke e lartësuar Atë. Ai dëgonte salavate për Profetin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) derisa lindte dielli. Më pas binte në sexhde dhe rrinte për një kohë të gjatë. Më pas shkonte tek njerëzit. U fliste dhe i këshillonte ata deri sa vinte vakti i ylesë.” (Ujun Ahbar Ridha: vëll.2, f.180.)

2 – Ibrahim ibn Abas Es Sulij për cilësitë e imamit (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ai flinte pak natën. Në të shumtën e netëve rrinte zgjuar deri në sabah. Ai e agjëronte shumë. Atij nuk i kalonte agjërimi i tre ditëve në çdo muaj. Ai thonte se ky është agjërimi i epokës.  Ai jepte sadeka dhe ndihmonte mjaft në fshehtësi. Këtë e bënte më tepër në netët e errëta. Kush thotë sa ai ka parë të ngjashëm me imam Rizain në këtë veprim mos e beso.” (Ujun Akhbar Ridha: vëll.2, f.184.)

3 – Ahmed Murafikij thotë: «Unë isha me Rizain (paqja qoftë mbi të!) në udhëtimin e tij për në Horasan (Iran). Një ditë shtroi një gosti dhe ftoi të gjithë dashamirësit e tij. Unë i thashë:  U bëfsha kurban për ty, sikur ta ndaje gostinë për ata. Ai tha: Pusho, Allahu i Madhëruar është një, ymeti është një, babai është një dhe shpërblimi është me punë.” (Biharul Anuar: vëll.49. f.101.)

4 – Jasir Hadim dhe Nadir Hadim kanë thënë: Ebu Hasani (paqja qoftë mbi të!) na tha neve: “Nëse unë vij dhe ju jeni duke ngrënë mos u çoni derisa të mbaroni së ngrëni.” (Biharul Anuar: vëll.49, f.159.)

5 - El Visha ka transmetuar: Në ditë unë hyra tek Ali ibn Musa Rizai (paqja qoftë mbi të!) dhe në dorë kishte një ibrik të cilin e kishte mbush me ujë për të marrë abdes.

Unë u afrova që t’i hedh ujë, por ai nuk pranoi. Ai më tha: Jo o Hasan: Unë i thashë.

Përse më ndalon të hedh ujë duarve tuaja, nuk të pëlqen të shpërblehem? Ai tha: Të shpërblehesh ti dhe të fajësohem unë? Unë i thashë: Si ka mundësi? Ai tha: A nuk e ke dëgjuar thënien e Allahut të madhëruar ku thotë: {Kush shpreson të takohet me Zotin e tij të punoi punë të mira dhe mos më bëjë shok në ibadedet e tij}. Unë po marr abdes për namaz dhe ky është ibadet. Unë nuk e pëlqej që në të marrë pjesë tjetër kush me mua.” (El Kafij: vëll.3, f.69.)

6- Me’muni i ka thënë Fadl ibn Sehlit dhe vëllait të tij: “Unë nuk njoh njeri më të virtytshëm në sipërfaqen e tokës se ky burrë -e kishte fjalën për imam Ali ibn Musa Rizain.” (El Irshad, vëll. 2, f. 261. A’lamul Uera bi a’lamuil huda, vëll. 2, f. 72. Mukatilu Talibijn, f. 375. El Fusulul Muhimmeh, vëll. 2, f. 1005.)

Allahu na mundësoftë të jemi në rrugën e Tij dhe në rrugën e të dashurve të Tij, të cilët sakrifikuan gjithçka për udhëzimin e njerëzve!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI