Jeta dhe vepra e shehid Murteda Mutahari

  • None
nga Vullnet Merja | Publikuar në Prill 1, 2016, mesnatë

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij të zgjedhur dhe mbi të gjithë ndjekësit e rrugës së tij!

Allahu i Madhëruar në Kur’an thotë:  

وَمَنْ يُعَظِّمَ شعائِرَ اللّه فَإنَّها مِن تَقْوي القلوب(سوره حج آيه 32

“…Kush i madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.” (Sure “Haxh”, ajeti 32)

Pa dyshim, të gjithë ata që përpiqen në rrugën e Allahut dhe që nuk kursejnë asgjë në përhapjen e fesë së Tij, janë prej argumenteve të Allahut. I tillë është edhe shehid Mutahariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!).

Është mirësi e madhe që të përkujtohet personaliteti dhe roli i këtij dijetari të madh në përhapjen e Islamit.

Sigurisht, Islami është fe e dijes dhe e njohjes. Në Kur'anin e shenjtë, fjala ilmun (dije, dituri), me format e saj të ndryshme, përmendet më shumë se (750) shtatëqind e pesëdhjetë herë. Fjala e parë që iu shpall të Dërguarit tonë, profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ishte “Lexo!”. Për këtë, Allahu Fuqiplotë thotë: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur  (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më Bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (Sure “Alak”, ajetet 1-5.) Fjala lexo këtu nuk është vetëm për leximin e librave apo të shkresave të tjera, por kjo fjalë ka kuptim të përgjithshëm dhe përfshin edhe leximin e universit, duke menduar thellë në krijimin e tij.

Në një ajet tjetër të Kur'anit lexojmë se Allahu i Madhëruar i lartëson dijetarët besimtarë më shumë se sa të tjerët.

... يَرْفَعِ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا مِنكُمْ وَالَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ دَرَجَاتٍ وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌ

Në Kur'an thuhet: “…Allahu i lartëson ata që besuan prej jush; i lartëson në shkallë të  lartë ata, të cilëve u është dhënë dituri. Allahu është i njohur mirë me atë që punoni.”  (Sure “Muxhadele”, ajeti 11)

 

Ndërsa në një ajet tjetër thuhet:

...إِنَّمَا يَخْشَى اللَّهَ مِنْ عِبَادِهِ الْعُلَمَاءُ

... nga robtë e Tij ia kanë frikën Allahut vetëm dijetarët...” (Sure “El Fatir”, ajeti 28) Në këtë ajet gjendet fjala innma. Kjo fjalë në gjuhën arabe ka kuptimin e përveçësisë e të veçimit. Njësoj si tek thënia “innema mu'minine ikhetun. Këtu del në pah një veti tjetër e lartë e dijetarëve, e cila është frika ndaj Allahut, që fatkeqësisht sot sa vjen e zbehet.

Në një ajet tjetër, Kur'ani i Shenjtë thotë:

...قُلْ هَلْ يَسْتَوِي الَّذِينَ يَعْلَمُونَ وَالَّذِينَ لا يَعْلَمُونَ إِنَّمَا يَتَذَكَّرُ أُوْلُوا الأَلْبَابِ

“Thuaj: ‘A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm mendarët i pranojnë këshillat!’” (Sure Zumer, ajeti 9)  Sa e mrekullueshme kjo thënie e Allahut të Madhëruar. A ka logjikë të shëndoshë që të thotë se janë të barabartë?! Kurrë.  

Po ashtu, në një ajet tjetër në Kur'an thuhet:

وقل رب زدني علما

“...dhe thuaj: ‘O Zoti im, shtoma dijeninë!’” (Sure Ta Ha, ajeti 114) Vërtet, ky është një mësim i përkryer. Allahu nuk i thotë Profetit që të lutet: “O Allah ma shto pasurinë, ma shto pushtetin, ma shto familjen etj.”, por i thotë që të lutet: “O Zoti im, ma shto dijen!”.

Edhe disa ajete të tjera kur'anore e nxjerrin në pah rëndësinë e dijes e të dijetarëve. Gjithashtu, ka shumë transmetime nga profeti Muhamed dhe nga Familja e tij e pastër që flasin për mirësitë dhe pozitën e lartë të dijes e të dijetarëve në fenë e pastër islame.

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kërkimi i diturisë është detyrë e çdo myslimani.” (Sunen ibn Maxhah, vëll. 1, kreu 18, hadithi 224)

Dhe: “Kërkojeni diturinë qoftë edhe në Kinë, sepse kërkimi i diturisë është detyrë e çdo myslimani.”  (Biharul Anuar, vëll. 1, f. 180, kreu 1)

Dhe: “Dijetarët janë trashëgimtarët e të dërguarve (profetëve).” (Sunen ibn Maxhah, vëll. 1. kap. 18, hadithi 223)

Dhe: Dija është dritë që Allahu e hedh në zemrën e atij robi (njeriu) që Ai dëshiron.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: Dijetari është gjallë edhe nëse ka vdekur, kurse injoranti është i vdekur edhe nëse është gjallë.

Nga sa përmenda më lart, sqarohet mw sw miri pozita e dijes dhe e dijetarwve nw Islam.

Kush është Murteda Mutahariu?

Ajetullahi i madh, eruditi, filozofi dhe teologu Murteda Mutahariu lindi në vitin 1920 në Qytetin Feriman, në krahinën verilindore të Khorasanit, Iran. Ai rrjedh nga një familje e devotshme dhe e njohur për dije e urtësi. Babai i tij, i ndjeri Shejh Muhamed Husejn Mutahhari, ka qenë njeri i lartë i fesë, i cili i kreu studimet fetare në Nexheful Eshref, Irak. Ai ka qëndruar për disa kohë në Irak, Egjipt, Hixhaz (Arabia Saudite). Ka qenë besimtar i përkushtuar, e për këtë nderohej nga të gjitha shtresat shoqërore të Horasanit. Ai e kaloi jetën e tij në shërbim të fesë dhe të udhëzimit të njerëzve. Ai ndërroi jetë rreth moshës 100 vjeç.

Në fillim të librit të tij “Tregime për njerëzit e vërtetë”, martiri Murteda Mutahariu thotë:Këtë vepër modeste ia kushtoj babait tim të nderuar, Haxhi Shejkh Muhamed Husejn Mutahariut, i cili ishte i pari që më njohu me besimin dhe me drejtimin në rrugën e drejtë.” Kjo thënie e tij nxjerr në pah përkujdesjen dhe rolin e madh të babai të tij në edukimin shpirtëror të martirit të paharruar, Murteda Mutahari. 

E ëma e tij ka thënë: “Kur isha shtatzënë në muajin e shtatë, pashë në ëndërr sikur isha ulur në mesin e disa grave në xhaminë e Fermanit që ndodhej në lagje. Në xhami hyri një grua e nderuar, e cila përkujdesej për xhaminë. Atë e ndiqnin dy gra të tjera. Në duart e tyre kishin ujë me aromë trëndafili dhe me të spërkatnin gratë në xhami. Kur mbërritën tek unë, më hodhën tri herë ujë mbi kokë. Unë thashë e frikësuar dhe e habitur: ‘A mos nuk i kam kryer ashtu siç duhet detyrat e mia fetare?!’ I pyeta ato: ‘Përse më hodhët tri herë ujë mbi kokë?’ Ato më thanë: ‘Për hir të atij fëmije që ke në bark, sepse ai do t'i shërbejë shumë Islamit.’”

Sa i takon përgatitjes fetare të tij, mund të them se studimet fetare i filloi në moshën 10-vjeçare. Në vitin 1933 shkoi në Mash’had për plotësimin e studimeve të fesë. Pas dy vjetësh, Rizakhani i mbylli shkollat fetare dhe shehid Mutahariu u kthye në vendlindjen e tij. Aty vazhdoi studimet fetare në gjendje të lirë për dy vjet. Studimet dhe hulumtimet ai i filloi që në ditët e para të studimeve të tij rreth fesë. Edhe pse në vendlindjen e tij kishte dijetarë të mëdhenj, për studime ai shkoi në Kum.     Shumë prej të afërmve dhe miqve të tij e kundërshtuan vajtjen e tij në Kum, sepse ishte koha që Rizakhani e ashpërsoi akoma më shumë luftën e tij kundër huazateve ilmije (shkollave fetare). Në Kum, ai studioi tek dijetarë të mëdhenj, si: Muhamed Damandi, Ajetullah El Khurasanij, El Huxhetu dhe Es Sadr etj. Ai përfitoi shumë edhe nga mësimet e Ajetullahul udhma, imam Khomeini (Allahu qoftë i kënaqur me të!).

Nga kjo pjesëmarrje e tij në mësimet e imam Khomeinit, marrëdhëniet mes tyre u forcuan shumë. Shehijd Mutahari ka qenë nxënës edhe i eruditit të madh, komentuesit dhe filozofit, Tabatabaij, autori i tefsirit El Mijzan.

Murteda Mutahari ka qenë muxhtehid (opinionist, autoritet i lartë fetar) dhe jepte opinionin e tij në njohuritë islame, si në: tefsir, fikh, Usul, filozofinë e lindjes etj. Ai studioi me hollësi çështjet filozofike të Sadr Muteelihijne Esh Shirazij. 

Në vitin 1953 emigroi nga Kumi për në Teheran dhe u martua me vajzën e një dijetari të njohur nga Khorasani. Me vendosjen e tij në Teheran, filloi një periudhë të re predikimi e udhëzimi. Në këtë periudhë, ai doli duke mbajtur fjalime, hytbe, kumtesa e predikime të ndryshme. Gjithashtu, jepte mësim filozofie në universitet.

Ai mbante fjalime prekëse e ndikuese nëpër universitete. Në Teheran, ai filloi mësimdhënien në shkollën fetare Meruij. Duke parë ndikimin e tij të madh në mesin e njerëzve, kundërshtarët e asaj kohe u frikësuan dhe vendosën ta ekzekutonin. Martirizimi i tij ndodhi në vitin 1979, pra pas më pak se katër muaj nga triumfi i revolucionit islamik.  

Eruditi i madh Murteda Mutahari ishte mendimtar largpamës. Gjatë jetës së tij u përpoq jashtëzakonisht në fushën e mendimit dhe të filozofisë islame. Intelekti i këtij dëshmori ishte ai i lëvizjes e jo i plogështimit e dembelizmit; ishte intelekt i rezistencës dhe jo i dorëzimit; intelekt i ndryshimit dhe jo i ngurtësimit e prapambetjes. Ky është shkaku që ai ishte, është dhe do të qëndrojë në krye të lëvizjeve të vazhdueshme islamike.

 

Thënë ndryshe, shehid Mutahariu ishte, është dhe do të mbetet flamurtar i atyre lëvizjeve. Ai ka thënë: Në fillim, kur treni ndalon, fëmijët ndalen pranë tij dhe i përulen madhështisë së tij. Por sapo të lëvizë, ata menjëherë fillojnë ta gjuajnë me gurë. Unë arrita të kuptoj se kjo është një çështje psikologjike e njerëzve dhe ka kuptimin që njerëzit e lëvizshëm goditen me gurë, ndërsa individët që nuk lëvizin dhe qëndrojnë në një vend, ata shenjtërohen dhe respektohen. Këtë çështje, më shumë mund ta hasim në shoqëritë e prapambetura.

 

Shehid Murteda Mutahari radhitet në mesin e atyre dijetarëve, të cilët sakrifikuan edhe shpirtin në rrugën e reformimit të mendimit fetar. Ndër shërbimet më të rëndësishme të shehid Mutahariut gjatë jetës së tij, është paraqitja e ideologjisë origjinale të Islamit. Ai ka shkruar libra dhe artikuj të ndryshëm dhe gjithashtu ka mbajtur ligjërata dhe fjalime të shumta në këtë drejtim.

 

Murteda Mutahariu, me mendjen e tij të ndritur arriti të depërtonte në çështje që deri atëherë askush nuk i kishte shqyrtuar. Ai rezistoi fuqishëm përballë mendimeve dhe teorive të përkthyera nga ideologjitë lindore dhe perëndimore që ishin të përhapuara në atë kohë. Ai u përball fuqishëm edhe me marksistët me teoritë e tyre.

 

S'ka dyshim se ky rol është shumë i rëndësishëm dhe kërkon guxim, vetëbesim dhe fuqi ideologjike në sfera të ndryshme të shoqëruar me bindje dhe besim të patundur. Ky burrë i madh i kishte të gjitha këto virtyte. Ai ishte dijetar dhe besimtar i devotshëm, i palëkundur në besimin e vet dhe shumë largpamës.

 

Ky mendimtar i madh mysliman, ditë e natë, punoi për zhdukjen e dukurive negative që ishin kundra Islamit, të cilat kishin krijuar distanca të mëdha mes njerëzve dhe Islamit të pastër, fesë së fundit të Allahut për mbarë njerëzimin. Këtë e bënte duke përdorur penën e tij të fuqishme dhe oratorinë e tij të pasur. Me anë të kësaj metode, ai paraqiste të vërtetat e kësaj feje të drejtë.

 

Duke krijuar një atmosferë të lirë shkencore dhe intelektuale dhe duke hedhur dritë mbi të vërtetat e Islamit në mendjet e njerëzve, martiri i paharuar, Murteda Mutahariu, arriti t'i drejtonte mendjet e tyre drejt realiteteve të përjetshme të fesë së pastër islame. Parimeve dhe dispozitave të Islamit, ai u dha një dinamizëm të paparë.

 

Në këtë mënyrë, profesori largpamës (Allahu qoftë i kënaqur me të!) argumentoi se feja islame është e vendosur në natyrën e pastër të njeriut (el fitratu) dhe mund të plotësojë të gjitha kërkesat e njeriut në çdo kohë dhe vend. Këtë gjë e dëshmon edhe Kur'ani i Shenjtë:

 

فَأَقِمْ وَجْهَكَ لِلدِّينِ حَنِيفًا فِطْرَةَ اللَّهِ الَّتِي فَطَرَ النَّاسَ عَلَيْهَا لَا تَبْدِيلَ لِخَلْقِ اللَّهِ ذَلِكَ الدِّينُ الْقَيِّمُ وَلَكِنَّ أَكْثَرَ النَّاسِ لَا يَعْلَمُونَ

“Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë. (Sure Rrum, ajeti 30)

Për të reformuar mendimin islam dhe për të ringjallur trupin e vdekur dhe mendjen e mpiksur të myslimanëve, ai nxori në pah shkaqet e dobësimit të shpirtit të fesë dhe të ikjes e të largimit nga e vërteta.

 

Në mesin e mendimtarëve të drejtë myslimanë, të cilët u përpoqën për ta paraqitur fenë ashtu siç duhej dhe ashtu siç e meriton, ekziston një pikë e përbashkët mendimi. Ajo është se feja islame është një e vërtetë e plotë.

 

Profesori martir Murteda Mutahari, si një mendimtar, studiues dhe hulumtues fetar, ideologjinë origjinale islame e paraqiti nëpërmjet mësimeve, fjalimeve, përmbledhjes së librave dhe artikujve që shkroi. Të gjitha këto bazoheshin në Kur'anin e Shenjtë, burimi themelor i Islamit të pastër; në synetin e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe në trashëgiminë e Ehli Bejtit të pastër e të Dlirë të Profetit (Paqja qoftë mbi ta!).

 

Sipas mendimit të martirit të paharruar Murteda Mutahari, feja është dritë udhëzuese për njerëzimin, sepse ajo ka ardhur nga Allahu i Plotfuqishëm, i Cili thotë në Kur'an:

 

﴿ اللَّهُ نُورُ السَّمَاوَاتِ ...يَهْدِي اللَّهُ لِنُورِهِ مَنْ يَشَاءُ ...

 

            “Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës. Allahu udhëzon drejt dritës së Tij kë të dojë dhe paraqet shembujt për njerëzit. (Sure Nur, ajeti 35)

 

Feja e Allahut përmban dispozita të pandryshueshme e të qarta të cilat kanë ekzistuar gjatë kohës së të gjithë të dërguarve, e njëri prej tyre është të menduarit në krijimin e Allahut dhe zbatimi i urdhrave dhe i porosive të Tij.

 

 

Shehid Murteda Mutahari, e cilësonte Islamin si fe gjithpërfshirëse, mbarëbotërore dhe realiste; fe, e cila i ka dhënë, i jep dhe do t'i japë përgjigje të gjitha çështjeve që u nevojiten njerëzve në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër (Ahiret).

 

I gjithë suksesi i këtij dijetari të madh e ka burimin te besimi i tij i patundur, te sinqeriteti i tij dhe te përpjekjet e palodhura. Ai nuk e linte kurrë Librin e Allahut. Përkundrazi, Kur'ani ishte pikënisja e tij në çdo çështje: racionale a shpirtërore. Të gjitha literaturat e tij bazohen te Fjala e Allahut të Madhëruar, Kur'ani i Shenjtë.

 

Martiri i paharruar ka shkruar dhjetra vepra që cekin çështje të ndryshme.

Edhe Themeluesi i Republikës Islamike të Iranit, Imam Khomeini këshillonte dhe porosiste gjithmonë që të lexohen e të studiohen veprat e martirit Murteda Mutahariut. 

 

Është detyrë që udha e tij të mos ndërpritet kurrë sepse, në çdo kohë ne kemi nevojë për mendje të ndritur dhe logjikë e arsye të fortë si ajo e shehid Mutahariut. Shoqëritë islame dhe institucionet logjike e fetare duhet ta marrin shembull personalitetin e shehid Mutahariut në misionet e tyre.

 

I nderuar qoftë kujtimi i këtij mësuesi të madh të fesë islame, i cili me dëshirën e madhe që kishte dhe gjithmonë i palodhur është përpjekur t'u falë dritë të tjerëve.

 

E lus Allahun Fuqiplotë që të na bëjë prej ndjekëve të rrugës së Tij dhe prej zbatuesve të urdhrave dhe porosive të Tij, të profetit Muhamed, të familjes së tij të pastër dhe të dijetarëve të paharruar si shehid Mutahariu (Allahut qoftë i kwnaqur me të!)

Es Selamu Alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!

Paqja, bekimet dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ju!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI