Përvjetori I 13-të i vdekjes së burrështetit Boshnjak Alia Izetbegoviç

nga Faik Miftari | Publikuar në Tet. 21, 2016, 9:05 a.m.

Alia Izetbegoviqi ka qenë lider politik i përmasave botërore të kohës moderne të shekullit XX-të. Pikësëpari ka simbolizuar luftën e Bosnjës për pavarësi dhe sovranitet shtetëror, afirmimin e identitetit boshnjak dhe të kulturës islame të saj si dhe luftën e paepur të tij për zhvillimin e demokracisë, të drejtave njerëzore dhe kolektive të popullit boshnjak.

Alia Izetbegoviqi u lind më 8 gusht 1925 në Shamac të BeH-së. Rrjedh nga një familje e pasur agrare e cila qe e detyruar të shpërngulet nga Beogradi në shekullin XIX-të nga pushtetarët serb me rastin e aplikimit të dekretit famëkeq që myslimanët, hebrenjtë dhe romët nuk kishin më të drejtë qëndrimi në Beograd. Në vitin 1928 familja e tij shpërngulet në Sarajevë të jetojë, ku Alia e kreu gjimnazin real. Në vitin 1940 si djalosh i ri 16 vjeçar anëtarësohet në organizatën “Myslimanët e rinj” me ç’rast gjatë Luftës së dytë botërore ka qenë aktiv në grumbullimin  dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare për muhagjirët(refugjatët) të vendosur në Sarajevë e që ishin shpërngulur nga Bosnja lindore prej  çetnikëve serb. Në vitin 1946 u burgos nga regjimi i atëhershëm komunist me akuzë se ka pasur dorë në botimin e buletinit islamik”Muxhahid” në të cilin janë botuar tema të ndryshme islame. Regjimi i atëhershëm e dënoi me tre vjet burg me akuzë për antikomunizëm dhe propagandë fetare. Pas vuajtjes së dënimit Alia Izetbegoviqi  kreu studimet  pran fakultetit juridik të Universitetit të Sarajevës. Një kohë të gjatë ka punuar si këshilltar juridik në kompanitë e ndryshme boshnjake. Në vitin 1983 prapë së bashku me shokët tjerë në procesin e montuar të Sarajevës u dënua me 14 vjet burg me akuzë të ideve nacionaliste, fetare dhe antikomuniste. Pas vuajtjes së burgut prej 5 vjet e 8 muaj u lirua para kohe nga burgu në fund të vitit 1988. Në maj të vitit 1990 formoi Partinë e Aksionit Demokratik ( SDA) dhe pas zgjedhjeve të para të lira shumëpartiake të mbajtura në nëntor të vitit 1990 u zgjodh kryetar i kryesisë së BeH-së. Në referendumin e mbajtur në mars të vitit 1992 boshnjakët dhe kroatët votuan pro pavarësisë së BeH-së me ç’rast serbët plotësisht e bojkotuan referendumin. Kryesia e BeH –së e shpalli BeH-në  shtet të pavarur dhe sovran të cilin edhe parlamenti boshnjak e ratifikoi. Në prill bashkësia ndërkombëtare e pranoi në gjirin e vet Bosnjën e Hercegovinës si shtet të pavarur dhe sovran, me ç’rast serbët e Bosnjës së bashku me forcat paramilitare serbe të ardhura nga Serbia dhe ish ushtria e atëhershme jugosllave i shpallën luftë tërësisë territoriale të saj dhe  okupuan 2/3 e  Bosnjës e Hercegovinës.

Alia Izetbegoviqi i hendikepuar nga shpallja e embargos për armatim nga ana e bashkësisë ndërkombëtare organizoi dhe udhëhoqi me plot sukses njësitet boshnjake të rezistencës ashtu që në fund të luftës u rritë në një ushtri prej 200.000 ushtarësh boshnjak. Duke qenë i rrethuar në të dy anët nga armiqtë, serbët e kroatët, si dhe nga kuislingu boshnjak Fikret Abdiçi arriti të shpëtojë BeH-në nga shfarosja totale nga sipërfaqja e dheut, dhe pas humbjeve të paparapara prej 200.000 dëshmorësh, qindra mijëra të plagosur, si dhe 50.000 femra të dhunuara boshnjake, dhe gjenocidit të paparë në historinë e Evropës moderne, atë të masakrës së Srebrenicës më ç’rast janë ekzekutuar në mënyrë më mizore të gjithë meshkujt boshnjak të dorëzuar  të moshës 14-84 vjeçare, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, në radhë të parë të Kombeve të Bashkuara e cila Srebrenicën edhe pse  e pat shpallur zonë të demilitarizuar dhe në mbrojtje ndërkombëtare, batalioni holandez i cili kishte për detyrë  mbrojtjen e saj, u tërhoq nga mbrojtja  dhe e dorëzoi enklavën e Srebrenicës gjakpirësit dhe kriminelit më të madh të pas Luftës së dytë botërore në Evropë gjeneralit Ratko Mlladiç.

Në Dejton në nëntor të vitit 1995 nën trusnin e faktorit amerikan e evropian   nënshkroi marrëveshjen e Dejtonit, edhe pse jo me vullnet,  me ç’rast deklaroi “kjo nuk është paqe e drejtë, por është më e drejtë se vazhdimi i luftës, në këtë situatë si është, dhe në këtë botë çfarë është, paqja më e mirë nuk do të mund të arrihej”. Kjo thënie hyri në analet historike të diplomacisë botërore. Në tetor të vitit 2000 u tërhoq nga kryesia boshnjake për arsye shëndetësore dhe me 19 tetor 2003 ndërroi jetë për në Ahiret me ç’rast u varros në mesin e dëshmorëve të tij në varrezat Kovaqi në Sarajevë, gjë që ishte edhe amaneti i tij i fundit. Përveç meritave të tija politike dhe shtetërore Alia Izetbegoviçi la pas vetes disa vepra kapitale me rëndësi të të posaqshme për civilizimin botëror ku ai në mënyrë të plotë  harmonizoi principet demokratike të Perëndimit me doktrinën Islame .

Në vitin 1970 shkroi Deklaratën Islame, një program në të cilën analizoi raportet politike botërore kundrejt sistemit politik Islam, e cila shërbeu si akuzë kryesore ndaj tij në procesin e montuar politik të Sarajevës të vitit 1983. Në vitin 1984 libri i tij “Islami në mes Lindjes dhe Perëndimit” u publikua për herë të parë në SH.B.A-të. Në burg shkroi edhe veprën “Shënimet nga burgu” në të cilën bëri analizën e ideologjive kryesore të Perëndimit gjatë shekullit XX-të, komunizmit, fashizmit dhe kapitalizmit si dhe relacionet e tyre ndaj Islamit. Në vitin 1999 publikoi librin “Ikja ime në liri” ndërsa në vitin 2000 “Kujtimet” një vështrim autobiografik të tij. Më herët, në vitin 1992  botoi librin “Problemet e ringjalljes islame”, në vitin 1995  “ Mrekullia e rezistencës boshnjake”, si dhe përmbledhja e fjalimeve, intervistave dhe letrave të tij  “Izetbegoviçi 1997”.

Historiani i njohur anglez Noel Malkolmi në librin e vet të shkruar “Bosnia a short history- Bosnja një histori e shkurtër” i cili është i njohur edhe opinionit shqiptar me veprën e vet “Kosova a short history – Kosova një histori e shkurtër”, jep analizën e gjithanshme të Deklaratës Islame të Alia Izetbegoviqit ku përveç tjerash  thotë:“ Deklarata Islame është shkruar viteve 60-ta, flet për politikën dhe Islamin në përgjithësi dërguar botës myslimane, ajo nuk ka të bëjë me Bosnjën dhe as që Bosnja në te përmendet.

Izetbegoviqi niset prej elementit themelor, shoqërisë islame dhe pushtetit islam. Ai thotë se pushteti islam nuk mund të vendoset nëse nuk ekziston shoqëria islame,  shoqëria islame mund të ekzistojë vetëm atëherë kur shumicën absolute të atij  populli e përbëjnë besimtarët mysliman. Pa këtë shumicë absolute elementi islam kufizohet vetëm në pushtet sepse mungon elementi i dytë kryesor- ai i shoqërisë islame, dhe mund të shndërrohet në dhunë”.

Për meritat e tija të jashtëzakonshme Alia Izetbegoviçi është shpërblyer me shumë dekorata dhe urdhra nga ana e institucioneve të ndryshme ndërkombëtare. Sa për ilustrim do të ceki disa sosh:

  • Shpërblimin e mbretit Fejsal për vitin 1993,
  • Çmimin e paçes të Lidhjes ndërkombëtare humanitare të vitit 1998,
  • Urdhrin e lirisë të Republikës së Turqisë të vitit 1997,
  • Çmimin për avancimin e drejtave njerëzore të Forumit në Kran Montona,
  • Urdhrin e pavarësisë së Katarit të vitit 1998,
  • Urdhrin kroat “Mbretëresha Katarina” të vitit 1995,
  • Çmimin vjetor të qendrës amerikane për demokratizim të vitit 1997.

Vlen të përmendim disa prej thënieve të shumta të burrështetasve dhe njerëzve botëror për figurën dhe rolin e Alia Izetbegoviçit në skenën politike ndërkombëtare.

Richard Holbruk , kreator i Marrëveshjes së Dejtonit: “ Përsëris, të mos ishte Alia, BeH-ja nuk do të ekzistojë, ai është shkaku i ekzistimit të BeH-së. Atë më ka thënë edhe Millosheviqi në Dejton. Ai më ka thënë se Alia ka fituar, edhe e ka merituar Sarajevën, pasi që kurrë nuk e ka braktisur atë”. George Robertson, ish sekretari gjeneral i NATO-së: “Prej vitit 1992 gjer më 1995 ka qenë zëri i BeH-së i cili ka luftuar për mbijetesën e saj. Ka udhëhequr rezistencën nga kryeqyteti i rrethuar Sarajeva dhe me përkushtim maksimal ka punuar në atë që të shpëtohet pavarësia dhe sovraniteti i BeH-së”.Jacques Chirak, kryetari i Francës: “ Franca di për trimërinë e pashoqë që ka treguar Alia Izetbegoviçi në ditët më të errëta të rrethimit të Sarajevës. Franca çmon rolin e tij historik dhe guximin politik të cilin e ka treguar duke kontribuar në pajtimin nacional me nënshkrimin e  Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995”. Pedi Eshdoun, përfaqësues i lartë i KB për BeH: “ Përsëris, pa Alinë ky vend nuk do të ekzistojë, dhe kurrgjë tjetër nuk mund të ndiej vetëm respekt të posaqshëm dhe krenari të thellë për figurën e tij”. Recep Tayyib Erdogan, kryeministri i Turqisë: “ Misioni i tij ishte nderi njerëzor dhe përkulshmëri të plot që paraqet nder për tërë botën. Për vlerat të cilat ka besuar, për shtetin dhe popullin e  vet, ai është burim i pashtershëm i trimërisë dhe i vlerave të veçanta të humanizmit njerëzor”. Muhammed Mahathir, ish kryeministri i Malezisë: Kryetari Alia Izetbegoviç ka qenë lideri i madh i BeH i cili tërë jetën e tij i ka shërbyer për prosperitetin e popullit të vet, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të tij”.Stjepan Mesiq, kryetari i Kroacisë: “ Alia me personalitetin dhe veprimin politik të tij fuqishëm ka shënuar ngjarjet në BeH. Tërë jetën e tij i ka kushtuar veprimit politik dhe nuk e kanë thyer as vitet të tëra të kaluara në burgje. Është i pakontestueshëm roli i tij udhëheqës shtetëror në vitet e luftës dhe pas luftës në BeH, atë periudhë të vështirë për të gjitha shtetet e posaformuara nga hapësira e ish Jugosllavisë”. Bernard Henry Levi, filozof dhe shkrimtar: “ ai ka preferuar Islamin tolerant, Islamin qytetar, por ne nuk e kemi dëgjuar. Ai në vitin 1992 e ka lutur Evropën që të intervenojë, ja ka tërhequr vërejtjen Fransoa Miteranit që në BeH kanë ekzistuar kampet e përqendrimit, Fransoa Miteran nuk ka dashur ta dëgjojë. Ne nuk e kemi dëgjuar Izetbegoviqin, atëherë janë vrarë 200.000 njerëz në Bosnje dhe erdhi lufta në Kosovë, të cilin kemi mundur ta evitojmë ta kishim dëgjuar atë. Ai është De Goli i Bosnjës. Maksima e tij ka qenë Islami, por edhe demokracia dhe multietniciteti”.Noel Malkolm, historian anglez: “ Në rastin e Bosnjës kemi pasur Alia Izetbegoviqin i cili nuk ishte fundamentalist, por me siguri ka qenë një mysliman i sinqertë dhe intelektual islamik, interesat intelektuale të tij janë pa dyshim në rrafshin islamik, në rastin e Kosovës kemi Ibrahim Rugovën një ligjërues universitar  i shkolluar dhe i specializuar në Paris, dhe derisa Alia e ka lexuar Kur’anin, Ibrahimi e ka lexuar Roland Bartinin. Mendoj se ky është dallimi thelbësor ndërmjet këtyre dy personaliteteve politike”.

 Në fund do të përmbylli këtë vështrim me rastin e përvjetorit të 13-të vdekjes së liderit të shquar boshnjak me thënien e famshme të tij, e cila do të mbetet përherë e shënuar në historinë: “ Me Zot të Madh betohemi se robër nuk do të bëhemi”.