Përgjegjësia e BIK-ut ndaj trashëgimisë kulturore osmane islame (Pjesa e gjashtë)

nga Faik Miftari | Publikuar në Nën. 30, 2018, 10:18 p.m.

Objektet e trashëgimisë kulturore osmane islame në Kosovë datojnë qysh nga fundi i shek. XIV-të e gjer në përfundimin e sundimit të Perandorisë Osmane në fillim të shek. XX-të, një periudhe kohore mbi 500 vjeçare në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe , jo vetëm në Kosovë, por gjithandej trojeve shqiptare të përfshira në kuadër të Perandorisë Osmane janë ndërtuar  shumë xhami, mejtepe, medrese, teqe, biblioteka, hamame, ura, bezistane, hane, karvan saraje, etj. Pas largimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani në vitin 1912, dhe okupimit të trojeve shqiptare nga sllavët , serbët, malazezët, grekët dhe bullgarët, shumë nga këto objekte të trashëgimisë kulturore osmane islame janë shkatërruar , një pjesë e saj me kalimin e kohës për shkak të mos mirëmbajtjes janë rrënuar, ndërsa një pjesë tjetër  për shkak të neglizhencës së qytetarëve janë tretur. Nga kjo trashëgimi e pasur kulturore osmane islame,  në ditët e sotshme janë ruajtur një pjesë  e konsideruar  në Kosovë, me theks të posaçëm  në Prizren e Gjakovë.

Bashkësia Islame e Kosovës  duhet trajtuar me kujdes të duhur  pjesën e trashëgimisë kulturore osmane islame që e posedon  dhe menaxhon. Këtë kur e them , kam parasysh objekte siç janë xhamit, medresetë, bibliotekat dhe vakëfet tjera  që janë në kuadër të BIK-ut. Duke u nisur që nga xhamia e parë më e vjetër në Kosovë, xhamisë së Çarshisë(sulltan Bajezidit) në Prishtinë, themelet e së cilës janë vënë  në vitin 1389, e tek  një varg objektesh  tjera të trashëgimisë osmane islame ekzistuese në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Pejë, Vushtrri , Mitrovicë, etj.

Gjatë 15 viteve, Republika e Turqisë, gjegjësisht nëpërmes agjencisë shtetërore qeveritare të saj, TIKA, ka bërë një punë jashtëzakonisht të madhe në  restaurimin e një pjesë të madhe të trashëgimisë së saj të dikurshme të periudhës osmane në Ballkan, duke u nis nga Bosnja e Hercegovina, Sanxhaku, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria. Krahas tyre në  këto shtete ka ndërtuar edhe  një varg  xhamish  të reja, medrese, biblioteka, konvikte dhe objekte tjera.   Roli i TIKËS ka qenë primar jo vetëm në ruajtjen e trashëgimisë  osmane por edhe në ndërtimin e objekteve të reja, pa ndihmën e së cilës bashkësitë islame ekzistuese në këto shtete  do të mbeteshin  të mangëta  në sfondin e objekteve  fetare  për organizimin dhe mbarëvajtjen e jetës fetare në tërësi  në Ballkan

Këtu do të ceki vetëm disa objekte të trashëgimisë osmane islame,  që janë restauruar dhe rindërtuar nga Republika e Turqisë,  nëpërmjet TIKA-së, në Kosovë. Në Prishtinë TIKA ka restauruar xhaminë e Madhe(sulltan Fatihut), xhaminë e Jashar Pashës, ndërsa  tani do të restaurojë edhe  xhaminë më të vjetër në Kosovë, xhaminë e Çarshisë(sulltan Bajazidit) si dhe hamamin e sulltan Fatihut. Në Prizren TIKA ka restauruar xhamin e Sinan Pashës, Emin Pashës dhe së shpejti pritet të restaurojë edhe  xhaminë e Mehmet Pashës(Bajraklisë) dhe të rindërtojë ruzhdijen(gjimnazin) , në Gjakovë mejtepin, medresenë e vogël, bibliotekën në xhaminë e Hadumit, xhaminë e Mahmut Pashës, xhaminë e Sefës, xhaminë e Kusarëve, xhaminë e mulla Jusufit , xhaminë e Murat pashës në Janjevë, dhe një varg objektesh tjera në Kosovë.

Bashkësisë Islame të Kosovës, këto objekte të trashëgimisë osmane islame të restauruara , tani  i mbesin që t’ i mirëmbajë dhe t’ju kushtoj   kujdes të duhur gjatë  periudhës  së ardhshme kohore. Pasi që gjer tani , jo vetëm se nuk është investuar në restaurimin e tyre, por as që është kujdesur sa duhet  për këto objekte “per exellent” të trashëgimisë  osmane islame. Këtë kur e them e marr për bazë  si shembull moskujdesjen dhe anashkalimin  nga ana e Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren,  të këtyre objekteve. Edhe pse duke   ditur  rëndësinë e madhe  që e ka xhamia e Mehmet Pashës(Bajraklisë) jo vetëm në aspektin e trashëgimisë kulturore islame   por edhe për  karakterin politik të saj që  ka pas, pasi në të është mbajtur kuvendi i Lidhjes së Prizrenit, dhe si e tillë është  e përfshirë edhe në Kompleksin e saj,  oborri i xhamisë së Bajraklisë është shndërruar në vend parkim të  veturave , ashtu që mund të rastis ndonjëherë  edhe mbi 10 vetura të parkuara, si rezultat i së cilës kalldrëmi  në oborrin e saj të bukur ka nisur të prishet  dhe shumë gurë janë thyer. Edhe pse është parashtruar kërkesa  me kohë nga  ana e Këshillit të xhamisë së  Bajraklisë për të mos lejuar parkimin e  veturave në xhami, pasi që paraqet një njollë dhe një  shëmtim  direkt në trashëgiminë e saj kulturore islame, kjo  kërkesë  fare nuk u përfill në dy mandatet e kaluara  nga ana e Këshillit dhe kryetarit të saj, e poashtu edhe në mandatin aktual të Këshillit të tanishëm me kryetarin aktual. Mbesë me shpresë se pasi që TIKA do të kryej restaurimin e xhamisë , atëherë ndoshta do të mbushen mendtë  krerët e Bashkësisë Islame në Prizren dhe do të kthjellen, pasi  është non sens i llojit të vet  kur  ata nuk përfillin trashëgiminë  kulturore osmane islame,  ndërsa për dallim prej tyre xhemati i xhamisë me kohë kërkon të respektohet dhe të ruhet trashëgimia. Lere që oborri i brendshëm nuk ju ka mjaftuar për parking , pas saj kanë ndërmarr hapin tjetër dhe   e kanë rrethuar  me shtylla të hekurit dhe zinxhir edhe pjesën e përparme para xhamisë, duke bllokuar  dhe pamundësuar  parkingun normal të veturave jo vetëm  të banorëve të lagjes por edhe të ndonjë besimtari  që vjen me veturë për të falur ndonjë namaz në xhami. Qoftë kjo edhe prej Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit e tepërt është!

Me këtë shkrim ë do të përmbyll ciklin e shkrimeve për aktualitetin  e tanishëm në Bashkësinë Islame të Kosovës  me shpresë se në të ardhmen do të këndellen dhe do të punojnë sa duhet dhe si duhet konform amanetit që e kanë  marr mbi vete, për udhëheqje dhe mbarëvajtje të jetës fetare në Kosovë. Dora  gjithnjë është e zgjatur për bashkëpunim nga pjesëtarët e xhematit të cilët e duan atë dhe janë të gatshëm të ndihmojnë  në të gjitha fushat e mundshme  për mbarëvajtjen sa më të suksesshme  të saj,  por për fat të keq kjo dorë e zgjatur  neglizhohet dhe anashkalohet  si nga niveli lokal ashtu edhe  nga niveli qendror . Kjo tani ju mbetet  në duart e saja të vendos a dëshiron në të vërtet të jetë Bashkësia Islame  e Kosovës, apo do të vazhdoj  edhe më tutje  si është , Bashkësia e Hoxhallarëve të Kosovës. Por,  në ditën kur do të dalim në llogaridhënie para Krijuesit Fuqiplotë në Ahiret, nuk do të mund të  arsyetohen para Zotit se nuk kanë ditur  më mirë të udhëheqin  me kapacitetet ekzistuese të tyre, pasi  kanë pasur në disponim  resurset të profileve të ndryshme nga ana xhematit në Kosovë, por  nuk kanë dashur të shfrytëzojnë, pse dhe për çfarë arsye ata më së miri vet e dinë.

Në fund do të përmbyll këtë  qasje  që kishte  të bëjë me trashëgimin kulturore osmane islame nga ana e Bashkësisë Islame të Kosovës me një thënie të bukur të historianit  anglez Noel Malcolmit, studiues i historisë shqiptare : “Trashëgimia osmane, duke përfshirë edhe trashëgiminë e islamit është diçka që u takon popujve të tërë Ballkanit, të hedhësh poshtë atë si të “huaj” është historikisht po aq absurde sa do të ishte absurde për irlandezët  të flakin gjuhën angleze si të huaj”.