Kosova 11 vjet de fakto shtet por de jure jo shtet

nga Faik Miftari | Publikuar në Shk. 18, 2019, 1:01 p.m.

Në ditën e sotshme, me 17 shkurt 2008 Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e Republikës së Kosovës, dhe ne shtetasit e Kosovës sot shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 11-të  të pavarësisë së Republikës sonë të dashur.

11 vjet Kosova  de fakto është shtet por de jure  jo shtet, pasi akoma nuk  ka përfunduar  njohja e shtetësisë së  saj sipas drejtës ndërkombëtare, edhe pse gjer tani Kosova është njohur nga mbi 100 shtete si shtet i pavarur, por akoma nuk është pranuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si shtet anëtare me të drejta dhe obligime  të plota  që i takojnë një shteti anëtar të Kombeve të Bashkuara.

Kosova e shpalli pavarësinë e saj në mënyrë të njëanshme, pasi që dështuan përpjekjet që të arrihet pranimi i Serbisë në mënyrë direkte e në mënyrë indirekte edhe i Rusisë me të cilën do të mundësohej pengesat  në Këshillin e Sigurimit me të cilin do të hapeshin dyert drejt pranimit të Kosovës nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara me rekomandimin e Këshillit të Sigurimit si element kyç dhe i domosdoshëm  i pranimit të shteteve të reja në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.  Për këtë arsye  akoma është në fuqi  edhe sot e kësaj dite Rezoluta 1244 e OKB-së e cila Kosovën e përcakton si pjesë të ish RF-Jugosllavisë- Serbisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës si promotore dhe mbështetëse kryesore e shpalljes së pavarësisë së njëanshme të Republikës së Kosovës së bashku me aleatët e saj kryesor, tani pas 11 vitesh  duke parë se Kosova nuk po mund të përmbyll shtetësinë e saj, për shkak të mos pranimit të saj nga Serbia , dhe të kundërshtimit të Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ndërmorën  një trusni  politike dhe diplomatike në krerët e Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht në presidentët Thaqi e Vuçiqi, për të gjetur një zgjidhje kompromisi të pranueshme për të dyja palët, e cila do të përmbyllej me njohjen reciproke në mes tyre dhe pranim të  Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e cila sipas agjendës së tyre duhet të arrihej  gjer në fund të vitit 2019.

10 vjet pas pavarësisë së njëanshme të shpallur të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë  lëvizur prej pozicionimit të saj të mëparshëm politik, të mbështetjes dhe promovimit të shpalljes së njëanshme të pavarësisë, drejt kërkimit të gjetjes së kompromisit, të pranueshme  nga të dyja palët, Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht të një kompromisi të pranueshëm, i cili do të merrte edhe aminin e Rusisë, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara,

Edhe pse akoma nuk është i njohur publik se si do të duket  ky  kompromis i mundshëm, nëpër kuloaret politike dhe diplomatike përflitet se ky mund të jetë një këmbim, korrigjim, përcaktim, rishikim i mundshëm i kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë. Bile  përflitet që Mitrovica si një qytet i tërë të mbetet në kuadër të Kosovës, ndërsa veriu i Kosovës, gjegjësisht komunat serbe Zveqani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi t’i  takojnë Serbisë, ndërsa  nga Lugina e Preshevës, komuna e Preshevës  dhe fshatrat shqiptare të brezit kufitar së bashku me fshatin më të madh shqiptar Tërnoci i Madh t’i takojnë Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë kompromis të mundshëm si duket e kanë  mbështetjen e  Britanisë së Madhe  dhe të Francës, por sipas të gjitha gjasave edhe të Rusisë, nëpërmjet së cilës, Rusia do të mbështet çdo zgjidhje  me të cilën do të  pajtohet Serbia. Për momentin, në Evropë  vetëm Gjermania  fuqishëm është duke kundërshtuar  këtë kompromis të mundshëm, këmbim apo korrigjim të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se ajo qëndron akoma  në parimin e saj, se nuk duhet bërë fjalë  për ndryshim të kufijve por për pranimin e kufijve ekzistues të Kosovës e Serbisë.

Gjermania është shtet kryesor dhe lidere e Bashkimit Evropian, të cilin e ka parasysh  edhe Serbia, me të cilin ajo punon me të madhe që eventualisht të arrijë të ndryshojë qëndrimin e saj, pasi Serbia partnerin kryesor ekonomik të saj e ka Gjermaninë, me të cilën gjatë vitit 2018 kanë pas një këmbim tregtar prej 5 miliard Eurosh, dhe se Serbia më së shumti eksporton mallra në Gjermani në njërën anë  dhe në anën tjetër Gjermania është investuese më e madhe në zhvillimin e ekonomisë së Serbisë. Por, besoj se në fund edhe Gjermania do të lëshoj pe  dhe do të lëviz prej pozicionimit të saj të tanishëm drejt pozicionimit aktual të SHBA-ve dhe shteteve tjera vendimmarrëse sa i përket gjetjes së kompromisit të mundshëm të pranueshëm në mes Kosovës dhe Serbisë.

Liderët shtetëror dhe politik të Kosovës, sikurse ata që janë në pozitë, por edhe ata që janë në opozitë, prononcimet dhe  deklaratat e tyre që japin, janë më shumë për konsumin e brendshëm kosovar, se sa në realitet kanë fuqi  dhe peshë zëri dhe deklarimi i tyre kundër në skenën ndërkombëtare, pasi që në fund do të jenë të detyruar  të pranojnë kompromisin e arritur  dhe të dakorduar si po duket më parë në mes SHBA-së dhe Rusisë, e tani ky skenar mbetet vetëm  të realizohet dhe të implementohet në praktik në mes Kosovës dhe Serbisë.  I vetmi dallim  në mes Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht liderëve të saj, Thaqit dhe Vuçiqit, do të jetë në atë, se në Kosovë do të organizohet një referendum jo obligativ për të marr  miratimin e popullit të Kosovës për marrëveshjen e arritur, të cilën besoj që do të kalojë, e në rast të mos kalimit eventual  për pranimin e kompromisit, vetëm do të ratifikohet  në Kuvendin e Kosovës, ashtu sikurse ndodhi në Maqedoni kohë më parë me rastin e referendumit për pranimin e emrit të ri të Maqedonisë dhe anëtarësimit të saj në NATO.

Ndërsa në Serbi, edhe pse lidershipi aktual politik në krye me Vuçiqin  besoj se do të pranojë  kompromisin, gjegjësisht këmbimin e territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë, ai do të jetë i detyruar  të mbaj  referendumit obligativ  për të marrë pëlqimin e popullit serb, pasi që në Kuvendin e Serbisë ratifikimi do të kaloj, por jam skeptik që kompromisi i arritur do  të kalojë në referendum në Serbi  duke pas parasysh rolin mitik të Kosovës në popullin serb. Këtu qëndron edhe pikëpyetja më e madhe për arritjen e suksesit dhe përmbylljes së këtij kompromisi të mundshëm në mes Kosovës dhe Serbisë. Por politika është arti i së mundshmes, ndoshta nën trusninë e madhe politike dhe diplomatike të Rusisë nga njëra anë dhe Gjermanisë nga ana tjetër do të arrihej  miratimi i popullit serb në referendum?

Këtu dua të cek edhe një përkujtim nga historia e re, gjegjësisht të gjysmës së shek. XX-të, se pas përfundimit të Luftës së dytë botërore, Shqipëria plot 10 vite nuk ka mund të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara , për shkak të kundërshtimit të  fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, edhe  e kishte përkrahjen e madhe nga  ish Bashkimit Sovjetik(Rusisë). Por pas bisedimeve  dhjetëvjeçare, më në fund u arrit kompromisi në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ish Bashkimit Sovjetik,  ashtu që në vitin 1955 Shqipëria së bashku në pako me 15 shtete tjera të Evropës u pranua si shtet anëtare me të drejta dhe obligime të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Nëse është arritur kompromisi  në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë   si zgjidhje e mundshme drejt njohjes reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë, nëpërmjet këmbimit, korrigjimit apo ridefinimit të kufijve në mes tyre, atëherë mbetet vetëm që në praktikë të realizohet dhe implementohet.

Sido që të jetë viti 2019, do të shihet se a do të jetë viti i arritjes së zgjidhjes përfundimtare të raporteve të pazgjidhura në mes serbëve dhe shqiptarëve  për gjatë një shekulli, apo do të vazhdon odiseada e mëtutjeshme e pazgjidhur e cila do të kushtojë më së shumti, si Kosovës ashtu edhe Serbisë, pasi që neve jemi vetëm “figura të shahut në lojën e madhe të mjeshtërve që luajnë shahun në skenën ndërkombëtare ”.

Në fund do të përmbyll këtë vështrim duke cituar analistin e shquar gjeopolitik  amerikan George Friedman:”Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të rrezikshme edhe në gjendjen e tyre më dashamirëse, por kur ato përqendrohen në një problem, ato mund të jenë tmerrësisht të pamëshirshme”.