Në përkujtim të bacës Adem Demaçi Dashuria kuantike e bacës Adem

nga Faik Miftari | Publikuar në Gus. 1, 2018, 3:09 a.m.

“Të rrëfej jetën time që të shohësh se si shqiptarët më gatuan për të mirën e vet dhe se si pushtuesit serb më kalitën e më farkuan për sherrin e për të zezën e vet”

Para ca ditësh lexova romanin më të ri të shkrimtarit, politikanit, atdhetarit dhe mbi të gjitha shqiptarit më të merituar të Kosovës së gjysmës së dytë të shekullit XX  i cili së bashku me dëshmorin më të madh të kombit shqiptar në Kosovë të fund shekullit XX Adem Jasharin, janë dy figura më eminente të historisë më të re shqiptare të Kosovës që do të mbesin përherë të shënuara me shkronja të arta.

“Prezentimi i një libri të ri është një ngjarje e shënuar në jetën kulturore, është një kënaqësi e veçantë për pjesëmarrësit, është një përgjegjësi morale e shkencore për diskutantët, është një nderim qytetar e intelektual për autorin...” është thënia e mrekulluar e Faik Lulit nga Shkodra për rëndësinë dhe vlerën e librit të ri në përgjithësi.

Studiuesve dhe lexuesve si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni si dhe në të gjitha trojet shqiptare iu vu në dispozicion një libër i ri me vlera të çmuara, “Dashuria kuantike e Filanit” e autorit Adem Demaçi nga Kosova, i cili në llojin e një autobiografie ka vlera të rëndësishme kulturore, letrare, politike, historike, publicistike.

Romani më i ri i Adem Demaçit është një “roman (auto)biografik ku autori reflekton një kohë, një jetë, një terror gjithnjë me syrin e njeriut të paqes e atdhetarit të paepur”do të mbetet si një dokument i rëndësishëm me vlera të veçanta përveç asaj artistike, edhe për historinë tonë kombëtare të periudhës më të re të Kosovës të gjysmës së dytë të shekullit XX. Shkrimtari Adem Demaçi është njeri përveç tjerash një prej intelektualëve të rrallë shqiptar që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me intervistat, bisedat, vështrimet dhe analizat politike në politikën aktuale kosovare.

Në këtë vështrim të romanit të Adem Demaçit do të ndalem vetëm në dy segmente kryesore që romani i jep porosi opinionit të gjerë publik. Segmenti i parë është ai në rrafshin artistik të prozës së bukur të shkruar, ndërsa segmenti i dytë është në rrafshin historiko-politikë. Në nëntë letrat elektronike dedikuara Dardhës autori me një stil jashtëzakonisht të bukur shpreh dashurinë “kuantike” të tij. Me një mjeshtëri të rrallë stilizon dashurinë e sinqertë që me të vërtetë mund t’ju ndihmojë  lexuesve  se si duhet të jetojë një dashuri e vërtetë dhe e sinqertë, ku shprehet me  bukuri me fjalët si vijon:

” Por, dashuria nuk është vetëm botanikë, zoologji, biologji, fizikë, kimi a matematikë. Dashuria është të gjitha këto së bashku plus diçka më e madhe. Dashuria është, vonë e mësova, një situatë kur njëra gjysmë e qenies njerëzore, njëra gjysmë e shpirtit e gjen të vetmen gjysmë të veten. E gjen minusi plusin dhe bashkohen. E gjen”tenxherja” “kapakun” e palohen dhe qetësohen. Bashkohen “akrançi” me “akrançin” e vet dhe rehatohen. Bashkohen duke krijuar dashurinë e vërtetë që prodhon një gjendje të vazhdueshme ekstatike. Çiftet pavarësisht dhe përkundër vuajtjeve e varfërisë eventuale,ndjehen të kënaqur, të gëzuar, të lumtur, e të hareshëm. Ndërkaq ato që kanë fat ta përjetojnë dashurinë e vërtetë, gjenden në gjendje të vazhdueshme ekstatike”.

Për shkak të vuajtjeve dhe kohëzgjatjes prej 28 vjetësh të kaluar nëpër kazamate jugosllave, ku kaloi rininë e hershme dhe të vonshme si dhe moshën e pjekurisë e sakrifikoi për hirë të idealit të vetë kombëtar në shërbim të kauzulës kombëtare shqiptare, ashtu që nuk ka mund të përjetojë atë dashurinë e vërtetë apo të sinqertë .

Ai nëpërmes letrave elektronike dërguar Dardhës prezanton vuajtjet e tija si për dashurinë e munguar ashtu edhe për kohën e vuajtjeve të tija në jetë e në burg. Ai këtë e përshkruan me fjalët si vijon:

“ Prandaj dhe dashurinë time ndaj teje e quaja dashuri kuantike e jo fizike. Ti, Dardhë, ke kapacitet të kuptosh këto për çfarë po të flasë. E di se edhe ty të mungon ai që do të duhej të ishte gjysma që ty po të mungon. Tamam sikurse mua që po më mungon gjysma ime. Mirëpo, për fat timin e tëndin, në momentin e fundit e pashë se as unë nuk jam ajo gjysma jote e as ti nuk je ajo gjysma ime. Prandaj jeta me mua, për çdonjërën, përveç asaj gjysmës sime që nuk po e gjej dot, nuk është aspak e lehtë”.

Segmenti i dytë i këtij vështrimi të romanit”Dashuria kuantike e Filanit” të autorit Adem Demaçi është në rrafshin politik dhe historik të porosisë që jep romani lexuesit.

Nëpërmes rrëfimit të jetës së vet që nga fëmijëria e hershme e gjer te momenti i daljes së tij nga burgu në vitin 1961 pas vuajtjes së dënimit të parë të tij në kohëzgjatje 3 vjeçare, e përshkruan me një formë të mrekullueshme. Ai atë e përmbledh me vetëm një fjali” Të rrëfej jetën time që të shohësh se si shqiptarët më gatuan për të mirën e vet dhe se pushtuesit serb më kalitën e më farkuan për sherrin e vet e për të zezën e vet” i cili nuk do fare koment.

Rrëfimin e jetës së vet e nis që nga mosha nëntëvjeçare, periudha kur çetnikët serb të kamufluar në uniformat partizane, që nga kryengritja e Shaban Polluzhës në Drenicë, kryen krime më mizore mbi popullatën shqiptare, duke vrarë, pushkatuar, ekzekutuar me rend shqiptarët në përgjithësi. Në atë periudhë janë ekzekutuar, menjëherë pas fitores së partizanëve dhe aplikimit të pushtetit sllavokomunist në Kosovë, prej vitit 1944-1949 rreth 50.000 shqiptarë. I rrëfen çastet e kaluara në bankat shkollore të fillores dhe gjimnazit real, duke evokuar çaste shumë interesante dhe vetëmohuese të tij dhe të mësuesve dhe arsimtarëve të tij atdhedashës si dhe me pyetjet e tija të guximshme që e lenin arsimtaren e gjuhës serbe pa tekst. Në kohën kur ishte nxënës Adem Demaçi shkolla fillore zgjatke 4 vjet, ndërsa gjimnazi real 8 vjet. Ishte në atë kohë në moshën17 vjeçare kur evokoi kujtimin e tij për profesorin Zekeria Rexha i cili qysh në atë kohë ju shpjegoi rëndësinë e Rezolutës së Bujanit të aprovuar nga Këshilli NacionalÇlirimtar i Luftës Antifashiste të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit që ju mundësonte Kosovës dhe popullit shqiptar që menjëherë pas luftës të vetëvendosin për fatin e vet nëpërmes referendumit se a do të mbesin në Serbi apo të bashkohen me nënën Shqipëri. Por ky premtim u nëpërkëmb nga ana e Serbisë, ashtu që në korrik të vitit 1945 nën trusnin e Kuvendit të mbajtur në Prizren u morr vendimi që Kosova të bashkohet me Serbinë. Profesori Zekeria Rexha ishte vetë pjesëmarrës dhe hartues i Rezolutës së Bujanit dhe në pyetjet e nxënësve që edhe përkundër Rezolutës së Bujanit Kosova prapë mbeti nën Serbi iu përgjigjej:

“ Fajin e kemi ne komunistët shqiptar që komunistëve jugosllav u besuam qorrazi. Fajin e kemi ne që fare i besuam idesë komuniste, e cila s’kishte pas qenë gjë tjetër përveç se një gënjeshtër e madhe me bisht të përgjakur”.

Qëndrimi i tij burrëror gjatë mbajtjes së tij në paraburgim në vitin 1958, si dhe mbajtja e fjalimit të tij historik gjatë mbrojtjes së në gjykatën e qarkut e bënë atë me të vërtet një figurë politike, historike që do të mbetej i shënuar përherë në faqet e  historisë.

Në mbrojtjen e tij para gjyqtarëve në gjykatë përveç tjerash ceku” se në mbledhjen e Kuvendit Antifashist të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit mbajtur në verë të 1945-tës regjimi serb padrejtësisht likuidoi e burgosi ata deputetë që kërkuan të respektohej Rezoluta e Bujanit për vetëvendosje e që kundërshtuan vendimin që Kosova t’i bashkëngjitej Serbisë. Unë kam thënë se terrori policor mbi fshatarët në dimrin e vitit 1955-56 si dhe arrestimi e dënimi i grupeve të të rinjve shqiptar në Prishtinë dhe Shkup kishte për qëllim që të shpejtonte dhe të shtonte përmasat e shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi. Unë po ju them se me këtë politikë që është duke ndjekur regjimi serb këtu herdo-kurdo do të derdhet gjaku midis dy popujve, që nuk do të duhej të ndodhte.

Nga ky vend po them edhe njëherë që nëse Serbia e Jugosllavia nuk do të heqin dorë nga okupimi i Kosovës dhe nëse nuk do të lejojnë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia dhe t’i bashkohet Shqipërisë, atëherë nuk do të ketë as paqe,as qetësi, as në Ballkan, as në Jugosllavi, as në Serbi. Nëse Serbia do të vazhdojë me këtë politikë ndaj shqiptarëve, një ditë Serbia ka për t’u bërë shkaktare që të shpartallohet krejt Jugosllavia dhe më në fund do të mbetet edhe pa Kosovën”.

Me të vërtet kjo mbrojtje e Adem Demaçit para trupit gjykues në vitin1958 ishte përveç trimërisë dhe guximit për të shqiptuar këto fjalë në atë kohëra të vështira për popullin shqiptar në përgjithësi në ish Jugosllavi, edhe një parashikim,lirisht mund të thuaj”profetik” që pas gjysmëshekulli apo plot 50 vite, saktësisht në vitin 2008 që Serbia ishte shkaktare e tri luftërave të përgjakshme shkatërrimtare që e bëri që Jugosllavia sot të mos ekzistojë, dhe se më në fund Serbia do mbetej edhe pa Kosovën së shpejti edhe de jure,dhe se  do të përfundojë ky cikël i shpërbërjes së ish Jugosllavisë, si dhe realizimi i plotë i parashikimeve politike të bacës Adem para plot 50 vitesh.

Kjo e bënë bacën Adem njërin më të çmuar dhe më të nderuar që sakrifikoi plot 28 vite më të bukura të jetës së tij për popullin shqiptar në përgjithësi e të Kosovës në veçanti, ndërsa veprën e tij të pavdekshme përherë për popullin shqiptar dhe historiografinë tij në përgjithësi në harmoni të plotë me thënien e tij që do të mbetet përherë e shënuar me shkronja të arta në historinë shqiptare:

“ Të rrëfej jetën time që të shohësh se si shqiptarët më gatuan për tumirën e vet dhe se si pushtuesit serb më kalitën e më farkuan për sherrin e për të zezën e vet”.