Mundësia alternative e kryerjes së haxhit

nga Faik Miftari | Publikuar në Shk. 5, 2018, 11:46 p.m.

Para ca ditësh lexova në portale turke për hedhjen e shortit nga ana e Dijanetit ( Kryesisë së Bashkësisë Islame) për kryerjen e haxhit,  me ç’rast  janë zgjedhur 80.000 besimtar mysliman nga Turqia që kanë fituar të drejtën për të kryer haxhin  këtë vit. Vjet numri i atyre që prisnin radhën për të kryer haxhin në Turqi ishte 1.800.000,  sivjet këtij numri iu shtuan edhe 300.000 besimtar tjerë në Turqi që kanë shprehur dëshirën për të kryer haxhin, ashtu  që sivjet ishin 2.100.000 kërkesa  të besimtarëve në Turqi për të kryer haxhin,  pas shortit të hedhur, tani kanë mbet edhe 2.020.000 besimtar që duhet të presin me radhë me vite të tëra  për t’ju dal emri pas hedhjes së shortit  dhe për të fituar të drejtën e shkuarjes në haxh. Duke marr parasysh se kuota për Turqinë për haxh është vetëm 80.000 atëherë për të shkuar të gjithë besimtarët mysliman të regjistruar  në Turqi do të ju duhen edhe 25 vjet, ndërsa në ndërkohë për 25 vite te ardhshme do të paraqiten edhe 7.500.000 kandidat tjerë potencial për të kryer haxhin vetëm nga Turqia. Ashtu që ky rreth vicioz assesi të përmbyllet dhe do të sillet  në pakufi  në rast se nuk ndryshon qasja e perceptimit të tanishëm të kryerjes së haxhit.

Çdo vit përafërsisht  rreth  2 milion besimtar mysliman kryejnë haxhin nga mbarë bota . Edhe pse  besimtarët myslimanët  nga Ballkani(Bosnja, Sanxhaku, Shqipëria, Kosova, Maqedonia ) nuk  kanë problem për të kryer  haxhin, pasi nuk  plotësojnë  kuotën e lejuar prej 0,1% të numrit të myslimanëve nga numri i tërësishëm i banorëve të një shteti, për dallim nga shtetet e Ballkanit,  shtetet tjera të botës islame, sidomos shtetet e mëdha myslimane po hjekin të zitë e ullirit për të kryer Haxhin për shkak të numrit të kufizuar të haxhinjëve, të kuotës  prej 0,1%  të numrit të përgjithshëm të popullatës së shtetit,  kanë të drejtë të kryejnë haxhin brenda një viti. Besimtarët mysliman  nga shtetet e mëdha sikurse që janë: Indonezia, Pakistani, India, Bangladeshi, Egjipti, Nigeria, Turqia, Irani, etj., po duhet me dhjetëra vite të presin për të fituar të drejtën e shkuarjes në haxh.  

 A thua ka zgjidhje për këtë problem aktual me të cilin ballafaqohen besimtarët mysliman që për shkak të numrit të kufizuar nuk po arrijnë të kryejnë haxhin vite me radhë,  a duhet të ju ofrohet  ndonjë  mundësi alternative për të kryer haxhin? Me siguri se po, por  së pari duhet ndërruar qasja e perceptimit të kryerjes së haxhit nga ditët e caktuara të muajit Dhulhixhe,(muaji sipas Kalendarit islam) në muajt e caktuar të haxhit sipas porosisë  së shpallur kur’anore.  Me këtë ndryshim të perceptimit të kryerjes së haxhit nga ditët e caktuar në muajt e caktuar, do të jetë e mundshme  që  kjo  përqindje e tanishme prej 0,1 % të besimtarëve  mysliman në botë  që kryejnë  haxhin,   të  mund të ritet  në 1% të  besimtarëve myslimanëve në botë që do të mund të kryenin haxhin  brenda një viti .

Në Kur’an,  në suren(kaptinën) Bekare, në ajetin 197 shkruan: ”Haxhi është në muajt e caktuar...”. Nga kjo nënkuptohet se haxhi mund të kryhet brenda muajve të caktuar të vitit, e këto muajt janë Shevali, Dhulkade dhe Dhulhixhe (muajt sipas Kalendarit islam). Gjatë kohës së pejgamberit  tonë të dashur Muhamedit a.s . haxhi është kryer  në ditët e caktuara, dhe atë në dhjetë ditët e para të muajit Dhulhixhe,  pasi që numri  i haxhinjëve në fillim ishte  shumë më  i vogël,  përafërsisht  sillej  rreth 100.000 besimtar  që kryenin haxhin gjatë vitit. Por tani, në kohën në të cilin jetojmë, numri i myslimanëve në botë është mbi 1,5 miliard mysliman, dhe kërkesat për kryerjen e haxhit janë gjithnjë e më  të mëdha, për të mundësuar një numri sa më të madh të besimtarëve që  të kryejnë haxhin, duhet t’ju mundësohet që haxhin  të mund të kryenin prej javës së parë të muajit Sheval dhe të përfundojë me pesëmbëdhjetë  ditët e muajit Dhylhixhe, ashtu që për çdo javë mesatarisht do të mund të kryenin haxhin nga 1, 5 milion haxhinjë, që do të thotë se  gjatë 10 javëve  të vitit do të mund të kryenin haxhin rreth 15 milion mysliman . Numri prej 1,5 milion haxhinjëve gjatë një jave që do të kryenin haxhin( pasi që brenda 1 jave besimtarët  lirisht mund të kryejnë të gjitha ritualet e parapara të haxhit në Meke) do të ishte më e përballueshme  edhe për  organizatorin  e haxhit, Ministrinë së Haxhit dhe Umresë të Arabisë Saudite, për dallim nga 2, 5 milion haxhinjë  që vjet e kanë kryer haxhin , i cili me të vërtet sjell  vështirësi më të mëdha organizative.

Por për të nisur realizimi i kësaj mundësie alternative të kryerjes së haxhit  do të duhej të ndryshojë perceptimi  aktual i dijetarëve islam e në botën islame lidhur me kryerjen e haxhit nga ditët e caktuar, dhjetë ditët e para  të muajit Dhulhixhe, gjatë së cilës e ka kryer haxhin profeti ynë i dashur, Muhamedi a.s. dhe cila traditë profetike vazhdon akoma në ditët e sotshme, në muajt e caktuar (Sheval, Dhulkade dhe Dhulhixhe)  në pajtim të plotë me porosinë kur’anore.  Por ia vlen të provohet, pasi që tjetër alternativë  nuk ka, pasi që në vend të 2,5 milion haxhinjëve që tani kryejnë haxhin në vit, do mund të kryejnë 15 milion besimtar mysliman haxhin  në vit, që është 6 herë më shumë se tani, me të cilin sado kudo do të mundësohet  një numrit  sa më  të madh të besimtarëve mysliman që kanë kushte materiale të mund të kryenin haxhin, përkundër realitetit të tanishëm  të hidhur të cilët për shkak të kësaj praktike të gjertanishme të kryerjes së haxhit, nuk janë në gjendje të arrijnë të kryejnë haxhin, për shkak të numrit të kufizuar, ashtu që ndodh edhe të ndërrojnë jetë e të mbesin me merakun qe nuk kanë arritur të kryejnë haxhin me kohë gjatë jetës së tyre, edhe pse kanë pasur kushte materiale.

Përveç ndryshimit të perceptimit të kryerjes së haxhit nga ditët e caktuar, në muajt të caktuar duhet edhe vullnet politik për të mundësuar këtë qasje alternative  të  kryerjes së haxhit. Por për momentin që jemi, ky vullnet politik me siguri do të mungojë, pasi që mbretëria e Arabisë Saudite, gjegjësisht mbreti si kujdestar i dy haremeve të shenjta, Mekës dhe Medinës këtë nuk do të lejojë. Nuk duhet që vetëm mbreti i Arabisë Saudite të ketë këtë drejtë ekskluzive lidhur me  kryerjen e Haxhit dhe Umresë, për këtë arsye  nuk janë  jashtë logjike thirrjet anembanë botës islame që për kujdesin e dy vendeve të shenjta, Mekës dhe Medinës, dhe kryerjen e Haxhit dhe Umresë, do të duhej të formohet një komision mbarë botëror mysliman i cili do të kujdeset dhe do të menaxhojë organizimin  e Haxhit dhe Umresë, pasi që këto dy vende të shenjta i përkasin të gjithë myslimanëve të botës, dhe ky komitet me siguri do të kishte menaxhuar me më shumë sukses dhe efikasitet se që tanimë është duke menaxhuar për momentin Ministria e Haxhit dhe Umresë e Arabisë Saudite  organizimin e Haxhit dhe të Umresë.