Aktualitete në Bashkësinë Islame të Kosovës (Pjesa e parë)

nga Faik Miftari | Publikuar në Nën. 2, 2018, 12:40 a.m.

Para ca ditësh nga mjetet e informimit  dhe portalet  u njoftuam  për zgjedhjen e anëtarëve të rinjë të Kryesisë  së Bashkësisë Islame të Kosovës, të kryetarit të ri të Kuvendit dhe kryetarit të ri të Bashkësisë Islame të Kosovës. Siç pritej për kryetar të ri të Bashkësisë Islame të Kosovës u rizgjodh për mandatin e katërt me radhë, kryetari i gjertanishëm, myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava. I përgëzoj të zgjedhurit, anëtarët të Kryesisë, kryetarin e kuvendit si dhe kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës duke ju dëshiruar punë të mbarë  në udhëheqjen  e tyre  gjatë mandatit të ardhshëm pesëvjeçar(2018-2023).

Në  këtë vështrim tim do të përshkruaj  punën e  udhëheqjes  së gjertanishme gati 20 vjeçare, nga përfundimi i luftës së vitit 1999, të arritjeve të saja si  dhe dobësive apo lëshimeve  të kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës në përgjithësi, e të kryetarit të saj, myftiut të Kosovës, në veçanti. Me të vërtet, tani  është ndezur drita e kuqe në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe ky shkrim mëton se është koha e duhur që kryesia e re dhe kryetari i ri të ndërmarrin diç të duhur në drejtim të shuarjes së kësaj drite të kuqe në Bashkësinë Islame të Kosovës me dëshirë që gjatë këtij mandat  të  mënjanojnë dhe të përmirësojnë dobësitë dhe lëshimet   gjatë periudhës së kaluar  20 vjeçare.

Edhe pse ka pas kritika dhe reagime  në media dhe portale, lidhur me rikandidimin edhe për mandatin e katërt të myftiut të tanishëm të Kosovës, Naim ef. Tërnava, kjo nuk është diç e re dhe e befasishme , pasi kjo është e shprehur në logjikën e perceptimit të personaliteteve myslimane anekënd botës islame, jo vetëm në udhëheqjen fetare por edhe në udhëheqjen shtetërore, të sundimit apo të qeverisjes  së përhershme  të personaliteteve të caktuar udhëheqës. Por  dua të cek, se zakonisht udhëheqësit shpirtëror apo fetar në përgjithësi të bashkësive fetare zgjidhen dhe udhëheqin bashkësitë fetare me mandat të përhershëm. Sipas perceptimit tim nuk duhet aq shumë të merremi me qasjen e mandatit të përkohshëm apo të përhershëm të udhëheqjes, por duhet  qasur më tepër në vlerësimin se sa është një udhëheqje e frytshme, e suksesshme për bashkësinë fetare të një vendi, shteti apo edhe më gjerë.

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava,  zotimin e marrë, shpresoj që deri në fund të mandatit(2023) edhe  të përmbush, për renovimin, rindërtimin dhe ndërtimin e xhamive të reja,me qëllim të  arritjes së1000 xhamive në Republikën  e Kosovës. Pas luftës së vitit 1999, Kosova pësoi përveç  rrënimeve dhe shkatërrimeve të papara në histori, edhe me 218 xhami të shkatërruara dhe të rrënuara, që me të vërtet duheshin të rindërtoheshin. Dhe, si pasojë e sundimit të sistemit monist gati 50 vjeçar, në shumë vendbanime, fshatra, e sidomos në qytete , nuk lejoheshim apo me vështirësi të madhe  merrej leja  aty këtu për ndërtimin e ndonjë xhamie të re, tani këtë mungesë të xhamive medoemos duhej  plotësuar me ndërtimin e  xhamive të reja. Këto xhami të restauruara, të rindërtuara dhe të ndërtuara  kryesisht u bënë në sajë të mjeteve financiare vetanake të xhematëve anekënd Kosovës, por edhe në saje të donacioneve të shumta të vendeve arabe në përgjithësi  dhe Republikës së Turqisë në veçanti.

Porse në kohën e fundit kemi një dukuri të ndërtimit të xhamive në vendbanime dhe fshatra ku ekzistojnë xhamitë, a ishte kjo nevojë për shkak të shtimit të xhematit, apo për shkak të rrethanave tjera të sapokrijuara  është çështje   e cila kërkon një trajtim dhe hulumtim të posaçëm. Si shembull vetëm një rast dua të cek, se kam rastisur që të fal një xhuma në fshatin Pozharan, fshati i dytë më i madh në Kosovë, pas Zhurit të Prizrenit, dhe mezi xhamia u mbush me xhemat për namazin e xhumasë, por tani kemi edhe një xhami të re, të bukur, të ndërtuar rishtas në fshatin Pozharan të Vitisë.

Duke marr parasysh zvogëlimin e natalitetit, migrimin e madh  të banorëve nga fshatra në qytete, dhe ikjen e të rinjve në botën e jashtme për shkaqe ekonomike, frekuentimi i xhamive nga xhemati është në zvogëlim të sipër dhe se frikësohem se dita më ditë, këto xhami të reja të ndërtuara do të zbrazen  më shumë, dhe do të mbesin vetëm si dekor që tregon se aty në atë vendbanim apo fshat jetojnë apo kanë jetuar besimtar mysliman.  Këtë  që e ceka, është  edhe nga përvoja ime  sa isha kuvendar në Kuvendin e Prizrenit, me ç’rast në planet afatmesme dhe afatgjate investoheshin mjetet e shumta financiare për ndërtimin e shkollave të reja në fshatra, edhe aty ku nuk kishte nevojë, pasi ekzistonin shkolla që plotësonin   nevojat e nxënësve të fshatrave, por ato rrënoheshim me pretekst se ishin të vogla dhe nuk mjaftonin pasi që do të shtohet numri i nxënësve në të ardhmen. Nuk kishin vizion të qartë dhe nuk mendonin  për periudhën e ardhshme kohore, dhe zakonisht si jemi neve shqiptarë, mendojmë dhe vendosim për çdo gjë ad hock, aty për aty, aspak duke mos menduar dhe planifikuar për periudha  më të gjata kohore.

Zëri im se nuk duhej investuar në ndërtimin e shkollave të reja në fshatra ekzistuese, duke elaboruar se me kohë numri i nxënësve do të shënoj ulje e jo rritje, për shkak të uljes së natalitetit, migrimit nga fshatra në qytet, dhe ikjes së rinjve në botën  e jashtme, ngulfatej nga mendimi pro i kuvendarëve tjerë  në komisione. Por, tani shënimet zyrtare  që u publikuan para ca kohe  për periudhën kohore(2003-2018), rrjedh se kemi zvogëlimin e numrit të nxënësve në Kosovë,  dhe atë nga 36.000 nxënës të regjistruar në klasën e parë në vitin shkollor 2003, në 25.000 nxënës të regjistruar  në këtë vit shkollor. Tani shumë shkolla të reja të ndërtuara në fshatra po zbrazen, jo vetëm që nuk ka nevojë për ndjekjen e mësimit në dy ndërrime, por as në një ndërrim nuk po mbushen klasat shkollore, dhe shumë të tilla po mbesin të zbrazur,  duke ditur se ky trend do të vazhdoj edhe në të ardhme, frikësohem se do të mbesin  me vetëm disa dhjetëra nxënës apo një ditë do të boshatisen tërësisht, dhe do të mbeten këto objekte të reja shkollore të ndërtuara si dekor në fshatra. Ky trend i tillë do të vazhdojë edhe me xhamitë nëpër fshatra,  sa që dita ditës xhemati po zvogëlohet dhe një ditë Zot runa mund të mbesin edhe pa xhemat.  Xhamitë e reja që po ndërtohen, njëra nga tjetra më e bukur, por bukurinë  më të madhe të xhamisë e bën mbushja e saj me xhemat, i cila dita më ditë po shënon rrënje  dhe me këtë po humbet bukuria  e xhamive.

Kur jemi tek ndërtimi i xhamive të reja në komuna dhe qytetet e Kosovës, me të vërtet ka nevojë, për shkak të rritjes së popullatës së qyteteve për shkak të  migrimit nga fshatra, dhe për shkak të mospasjes së mjaftueshme të xhamive në përgjithësi, me përjashtim të Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës ku ka pas më shumë xhamia  nga periudha osmane, për dallim nga Prishtina, Ferizaji, Gjilani e Mitrovica ku kishte më pak që datojnë  nga periudha osmane.

Me theks të posaçëm  për  ndërtimin e xhamive të reja, si nevojë imediate, ka pasur më së shumti,  kryeqyteti, Prishtina, e cila nevojë akoma nuk është  përmbush. Edhe pse kanë kaluar pesë vite nga vënia e gurit themeltar për xhaminë e re në Prishtinë, akoma nuk  ka nis ndërtimi i saj, ajo po zvarritet me vite në relacionin Komunë- Këshilli i Bashkësisë Islame për shkaqe më së miri  atyre të njohura. Si po duket do të kalojnë edhe 5 vite tjera gjersa të përfundon ndërtimi i xhamisë së re në Prishtinë,  ashtu që në përfundim të vitit 2023 myftiu i  rizgjedhur i Kosovës të bën hapjen solemne të xhamisë së re në Prishtinë, me ç’rast  ndoshta me këtë xhami do të arrihej  numri prej 1000 xhamive në Republikën  e Kosovës.

Kur jemi te ndërtimi i xhamisë së re në Prishtinë, edhe pse lokacioni për ndërtimin e xhamisë ishte parapa , në mes Katedrales së ndërtuar dhe Kishës ortodokse të ndërtuar, me  ç’rast xhamia e re e ndërtuar, do të përmbyllte  trekëndësh in me tri faltore të reja të ndërtuara të  bashkësive fetare  tradicionale ekzistuese shekullore në Kosovë. Për çfarë arsye kjo nuk u realizua, dhe  nga lokacioni paraprak u  transferua  në lokacionin e tanishëm tek Posta Qendrore në Prishtinë, me siguri  këtë më së mirë e dinë organet përkatëse dhe  myftiu  i Kosovës.