Mirësitë e dashurisë për Ehli Bejtin

nga Vullnet Merja | Publikuar në Tet. 24, 2018, 10:01 p.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!

Dashuria për Ehlin Bejtin e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është detyrim nga Allahu i Madhëruar për të gjithë myslimanët pa dallim medh’hebi. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e Shenjtë: “Thuaj: ‘Nuk ju kërkoj për këtë kurrfarë shpërblimi, përveç se dashurisë ndaj të afërmve.” (Sure “Shura”, ajeti 23).

Imam Shafiiu, imami i medh’hebit shafii, ka thënë: “O Ehli Bejti i të Dërguarit të Allahut, dashuria për ju është detyrë nga Allahu. Ai e zbriti në Kur’an atë.”.Dashuria për Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!) përmban mirësi të shumta dhe ndikon shumë në jetën e çdo myslimani dhe në jetën e shoqërisë islame.

Dashuria për Ehli Bejtin nuk është thjesht një lidhje me zemër, lidhje emocionale, apo një fjalë goje ngaqë ata janë të afërmit e Profetit dhe pasardhësit e tij, por ajo dashuri ka lidhje me Librin e Allahut që zgjatet nga qielli e deri në Tokë. Me anë të dashurisë për Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!) realizohet lidhja e jetës së individit dhe të shoqërisë me mësimet dhe dispozitat e Islamit. E kjo për arsyen se Ehli Bejti është amaneti i shtrenjtë i Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), për të cilin, ai ka porositur. Ai e ka shoqëruar me Kur’anin e Shenjtë këtë amanet në hadithin Thakalejn: Ehli Bejti është argument i Allahut dhe tregues i rrugës së Tij. Tek ata mishërohen cilësitë dhe përsosuritë, të cilat i dëshiron Allahu i Lartësuar dhe me të cilat duhet të pajisen të gjithë besimtarët, pse jo e gjithë njerëzia.

Dashuria për Ehli Bejtin e bën besimtarin që të ngjisë shkallët drejt plotësimit, përsosurisë dhe afrimit tek Allahu. Dashuria për Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!) garanton mbrojtjen e Sheriatit islam, vijën e misionit të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe forcon unitetin e myslimanëve.

Dashuria për Ehli Bejtin siguron pastërtinë shpirtërore, sepse ata i ka pastruar vetë Allahu i Madhëruar: “…O familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht.” (Sure “Ahzab”, ajeti 33). Kështu që çdokush që i do të pastërtit me sinqeritet dhe ec në rrugën e tyre me devotshmëri, ai do të jetë i pastër e i dëlirë.

Në këtë artikull do të paraqes mirësitë më të rëndësishme të dashurisë për Ehli Bejtin e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër dhe mirësitë e ndjekjes së rrugës së tyre, siç përmendet në tekstet islame.

Dashuria për Ehli Bejtin është dashuri për hir të Allahut

Me të vërtetë, dashuria për Ehli Bejtin është dashuri për Allahun e Madhëruar dhe dashuri për të Dërguarin e Tij, Profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), sepse ata janë të dashurit e Tij.

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Lidhja më e fortë e besimit është dashuria dhe urrejtja për hir të Allahut.” (El Kafij, 2: 125-126/6. Kenzul Ummal, 1: 43/105 dhe ngjashëm me të 9: 6/24657).

Kur dashuria e tyre është për hir të Allahut, arrijmë lumturinë në të dyja jetët dhe u afrohemi vendqëndrimeve të punëmirëve në Jetën Tjetër.

Dashuria për Ehli Bejtit na njeh me të drejtën (të vërtetën) dhe na mbron nga devijimi

Çdo mysliman ka nevojë për një burim të kthjellët dhe të pastër, i cili i siguron atij njohjen e së drejtës nga e shtrembëra dhe i mundëson të sigurojë arritjen e mirësive të kësaj jete dhe të Jetës Tjetër.

Ai që e do Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!) e merr diturinë, fenë dhe besimin prej tyre, sepse ata janë fanarë ndriçues dhe udhërrëfyesit e vërtetë pas Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Përderisa janë të tillë, dashuria për Ehli Bejtin është ruajtëse dhe mbrojtëse nga devijimi në rrymat dhe fraksionet e shtrembëra e të humbura.

Dashuria për Ehli Bejtin është plotësim i fesë

Nëse dikush dëshiron ta plotësojë fenë e tij, atëherë le ta dojë Ehli Bejtin e Profetit dhe të ndjekë rrugën e tyre. Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Dashuria për Ehli Bejtin tim, gjenezën time, është plotësim i fesë.” (Amalij i Sadukut, 161/1).

Dashuria për Ehli Bejtin është bindje ndaj Allahut të Lartësuar dhe ndaj të Dërguarit të Tij

Dashuria për Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!) dhe kapja pas udhëheqjes (vilajetit) së tyre është një urdhër i Zotit i transmetuar në Librin e ndritur dhe i përcjellë me gjuhën e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Si rrjedhojë, dashuria ndaj tyre është bindje ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij: “Ai që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ka arritur një fitore madhështore.” (Sure “Ahzab”, ajeti 71). Përderisa dashuria për Ehli Bejtin është urdhër i Allahut dhe i Profetit Muhamed, atëherë është detyrë e të gjithë myslimanëve që t’i binden urdhrit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

Dashuria për Ehli Bejtin është kapja pas lidhjes më të fortë

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), duke iu drejtuar prijësit të besimtarëve, Aliut (Paqja qoftë mbi të!), ka thënë: “O Ali, ai që ju do juve dhe kapet pas jush, është kapur me lidhjen më të fortë.” (Kifajetul Ether, 71. Irshadul Kulub i Dejlemijut, 415, Menshuratu Sherijfu Radijj, Kum, botimi 2).

Dhe: “Ai, që dëshiron të kapet me lidhjen më të fortë, atëherë le të kapet me dashurinë ndaj Aliut dhe Ehli Bejtit tim.” (Ujun Akhbari Rida, 27: 58/216. Jenabiul Meueddeh, 2: 268/761).

Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), ka thënë: “Lidhja më e fortë është dashuria e Familjes së Muhamedit.” (Jenabiul Meueddeh, 1: 331/2.

Dashuria për Ehli Bejtin e qetëson zemrën dhe e pastron atë

Prijësi i besimtarëve (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Vërtet, i Dërguari i Allahut, kur zbriti ajeti ‘Me përmendjen e Allahut, a nuk qetësohen zemrat...’ (Sure “Ra’d”, ajeti 28), tha: ‘Ky është për atë që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, e do Ehli Bejtin tim sinqerisht e jo me gënjeshtra dhe i do besimtarët në prani e në mungesë. Me të vërtetë, me përmendjen e Allahut, e duan njëri-tjetrin.’” (Kenzul Ummal, 2: 442/4448. Ed Durrul Menthur, 4: 642 nga Ibn Merdeuejh. El Xha’ferijat, 224).

Imam Bakiri (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nuk na do dhe nuk na ndjek ne njeri, derisa Allahu t’ia pastrojë atij zemrën. Nuk e pastron Allahu zemrën e dikujt, derisa të jetë në paqe me ne. Nëse është në paqe me ne, e shpëton Allahu nga llogaria e ashpër dhe e siguron atë nga frika Ditën e Ringjalljes më të madhe.” (El Kafij, 1: 194/1 Bab Enne El Eimmete Nurull’llahi Azze ue Xhel’le).

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kushdo që do të na dojë ne, do të jetë me ne në Ditën e Ringjalljes, do të qëndrojë në hijen tonë dhe do të na shoqërojë ne në pozitat tona.” (De‘aimul Islam i Ebu Hanijfes, 1: 73, Darul Me‘arif, Kajro. Sherhul Akhbar fi Fadailil Eimmetil Et’har i Ebu Hanijfes, 3: 471/1367, Muessesetu Neshril Islamij, Kum, botimi 1).

Dashuria për Ehli Bejtin sjell urtësinë

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Ai që dëshiron të mbështetet tek Allahu, atëherë le ta dojë Ehli Bejtin tim. Ai që do urtësi, le të dojë Ehli Bejtin tim. Betohem në Allahun, ai që do t’i dojë ata, do të fitojë në këtë jetë dhe në Tjetrën.” (Maktelul Husejn i Khauarizmijut, 1: 59 Mektebetul Mufijd, Kum. El Menakibul Mieh, 106. Feraidu Simtajn, 2: 294/551. Jenabiul Meueddeh, 2: 332/969. Xhamiul Akhbar, 62/77).

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ai që na do ne, Ehli Bejtin dhe realizohet në zemrën e tij dashuria për ne, burimet e urtësisë do të ecin në gjuhën e tij dhe do të ringjallet besimi në zemrën e tij.” (El Mehasin i El Berkij, 1: 134/167).

Dashuria për Ehli Bejtin sjell kënaqësi në momentin e vdekjes

Prijësi i besimtarëve (Paqja qoftë mbi të!) i ka thënë Harith El A’uer: “Dashuria ndaj nesh do të të sjellë ty dobi në tri gjëra: Në momentin e zbritjes së melekut të vdekjes, gjatë marrjes në pyetje në varrin tënd dhe në momentin e qëndrimit tënd përpara Allahut.” (A’lamu Dijn i Dejlemijut, 461).

Ai që e do Ehli Bejtin, fiton ndërmjetësimin e Profetit në Ditën e Gjykimit

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Ndërmjetësimi im për ymetin tim është për atë që do Ehli Bejtin tim dhe ata janë ndjekësit (shi‘at) e mi.” (Tarijkh Bagdad, 2: 146. El Xhamiu Sagijr, 2: 49).

Dhe: “Zbatojeni dashurinë ndaj nesh, Ehli Bejtit, sepse ai që do takojë Allahun Ditën e Ringjalljes dhe që na do ne, hyn në Xhenet me ndërmjetësimin tonë.” (El Mu’xhemu Eusat, 3: 26/2251. Mexhmau Zeuaid, 9: 172).

Dashuria për Ehli Bejtin fal gjynahet

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Ai që vdes me dashuri ndaj familjes së Muhamedit, vdes si dëshmor; ai që vdes me dashuri ndaj familjes së Muhamedit, vdes me gjynahe të falura për të; ai që vdes me dashuri ndaj familjes së Muhamedit, vdes pendimtar; ai që vdes me dashuri ndaj familjes së Muhamedit, vdes besimtar me besim të plotësuar.” (Tefsijrul Keshshaf i Zamakhsherijut, 4: 220-221).

Dhe: “Dashuria për ne, Ehli Bejtin, fshin gjynahet dhe shumëfishon të mirat.” (El Emalij i Shejh Tusijut, 164/274. Irshadul Kulub i Delejmijut, 253).

Duhet theksuar se falja që përmendet këtu nuk arrihet vetëm duke thënë se unë e dua Ehli Bejtin, por duhet të zbatohen porositë e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!), të veprohet ashtu siç vepronin ata dhe sjellja të jetë si sjellja e tyre.

Dashuria për Ehli Bejtin do të jetë dritë në Ditën e Ringjalljes

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Ai që do të ketë më shumë dritë (nur) Ditën e Ringjalljes, do të jetë ai që ka dashur më shumë familjen e Muhamedit.” (Sheuahiu Tenzijl, 2: 310/948).

Dhe: “Betohem në Allahun, atij që e do Ehli Bejtin tim, Allahu do t’i japë atij plot nur (dritë) deri sa të kthehet në burimin tim. Ai që e urren Ehli Bejtin tim, Allahu ia pengon atij këtë në Ditën e Ringjalljes.” (Sheuahiu Tenzijl, 2: 310/947).

Dashuria për Ehli Bejtin është siguri prej tmerreve të Ditës së Kiametit

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Sigurisht, ai që do familjen e Muhamedit, sigurohet për llogarinë, peshoren dhe siratin (urën).“ (Fadailu Shia i Sadukut, 47/1; Bisharetul Mustafa, 37; Feraidu Simtajn, 2: 258/526).

Dhe: “Ai që do i ketë këmbët më të qëndrueshme mbi Sirat prej jush, është ai që ka qenë më i dashur ndaj Ehli Bejtit tim.” (Kenzul Ummal, 12: 97/34163. Es Saua‘ikul Muhrika, 187).

Dashuria për Ehli Bejtin është hyrje në Xhenet dhe shpëtim nga Zjarri

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “S’ka dyshim se atë që vdes me dashuri ndaj familjes së Muhamedit, e përgëzon meleku i vdekjes me Xhenet e pastaj, Munkeri e Nekiri. S’ka dyshim se ai që vdes me dashuri ndaj familjes së Muhamedit, përcillet për në Xhenet, ashtu siç përcillet nusja tek shtëpia e bashkëshortit të saj. S’ka dyshim se atij që vdes me dashuri ndaj familjes së Muhamedit, i hapen tek varri dy porta prej portave të Xhenetit. S’ka dyshim se atij që vdes me dashuri ndaj familjes së Muhamedit, Allahu ia bën varrin vendprehje të melekëve të mëshirës…” (El Kesh’shaf i Zemakhsherijut, 4: 220-221).

Dhe: “Atë, që na do ne për hir të Allahut, Allahu e strehon atë në hijen e një tende Ditën e Ringjalljes, ditë që s’ka hije me përjashtim të hijes së Tij dhe atë, që na do ne dhe dëshiron shpërblimin tonë, e shpërblen Allahu prej nesh me Xhenet.” (El Fusulul Muhimmeh, 203. Nurul Ebsar, 154).

Dashuria për Ehli Bejtin na bashkon me Profetin

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kthehen tek unë, te burimi, Ehli Bejti im dhe ata të cilët i kanë dashur ata prej ymetit tim si këto të dy…(d.m.th. dy gishtërinjtë tregues).” (Mekatilu Talibijjin i Ebul Ferexh El Isfahanij, 76; Sherh Ibn Ebi Hadijd, 16: 45; Dhekhairul‘Ukba, 18)

Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Me të vërtetë, i Dërguari i Allahut mori për dore Hasanin dhe Hysejnin e tha: ‘Ai, i cili më do mua, i do këta të dy, babanë e tyre dhe nënën e tyre, ai do të jetë me mua në gradën time Ditën e Ringjalljes.” (Musned Ahmed, 1: 77. Sunenu Tirmidhij, 5: 641/3773. Fadailu Sahabe i Ahmed ibn Hanbelit, 2: 694/1185).

Dashuria për Ehli Bejtin është mirësi në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Atë që e begaton Allahu me dashurinë ndaj imamëve prej Ehli Bejtit tim, ka fituar më të mirën e kësaj bote dhe të Tjetrës dhe të mos dyshojë asnjë, se ai do jetë në Xhenet. Në dashurinë e Ehli Bejtit tim ka njëzet cilësi: dhjetë prej tyre, në këtë botë dhe dhjetë prej tyre, në Tjetrën.

Përsa i përket cilësive të kësaj bote, janë: Asketizmi, kujdesi në punë, devotshmëria në fe, dëshira për adhurim, pendimi para vdekjes, ngritja në mes të natës, mosinteresimi për atë që kanë në dorë njerëzit, kujdesi ndaj urdhrit të Allahut dhe ndalesës së Tij, përçmimi i kësaj bote dhe bujaria.

Cilësitë në Botën Tjetër janë: Nuk i hapet atij libri, nuk i ngrihet atij peshorja, i jepet libri i tij në të djathtë të tij, shkruhet për të ‘i shpëtuar nga zjarri’, fytyra e tij zbardhet, mbulohet me një veshje nga veshjet e Xhenetit, ndërmjetësohet për njëqind persona nga Ehli Bejti i tij, Allahu i Lavdishëm vështron drejt tij me mëshirë, kurorëzohet me kurora të Xhenetit dhe e dhjeta, hyn në Xhenet pa dhënë llogari. Lum për ata që e duan Ehli Bejtin tim!” (El Khisal, 515/1. Reudatul Ua‘idhijn, 298).

Në ato ajete dhe hadithe që i përmenda më lart, të cilat gjenden në literaturat islame, qartësohet se dashuria për Ehli Bejtin do të thotë dashuri për Allahun, për Profetin, për cilësitë e mira dhe për moralin më të bukur, si: besimi, adhurimi, devotshmëria, morali i mirë, asketizmi, pendimi para vdekjes, dashuria për të tjerët e të tjera cilësi që ia lartësojnë pozitën njeriut dhe e afrojnë atë tek Allahu i  Madhëruar.

Gjithashtu, na qartësohet se dashuria për Ehli Bejtin nënkupton domosdoshmërinë dhe detyrën e marrjes së tyre si udhëheqës dhe prijës, sepse ata përfaqësojnë rrugën e zotërisë së të dërguarve, Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Nga hadithet e lartpërmendur qartësohet, po ashtu, se duhet të duhen edhe ata që e duan dhe që e pasojnë Ehli Bejtin dhe të kundërshtohen kundërshtarët e tyre. Për këtë, transmetohet nga imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë: “Nuk është nasibij (armik) ai që armiqësohet ndaj nesh, Ehli Bejtit, sepse ti nuk do të gjesh njeri të thotë: ‘Unë e urrej Muhamedin dhe familjen e Muhamedit. Por armik (nasibij) është ai, që armiqësohet ndaj jush dhe ai e di që ju na ndiqni neve dhe që i kundërshtoni armiqtë tanë.” (Me‘anil Akhbar, 365/1. Sifatu Shia, 9/17).

Transmetohet nga imam Kadhimi (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë: “Ai që është armik i pasuesve tanë, është armiku ynë; ai që i do ata, na do neve, sepse ata janë prej nesh, u krijuan nga balta jonë. Ai që i do ata, është prej nesh dhe ai që i urren, nuk është prej nesh…” (Sifatu Shia, 3-4/5).

Këto ishin disa nga mirësitë që sjell dashuria për Ehli Bejtin dhe ndjekja e rrugës së tyre. Ne e falënderojmë Allahun e Madhëruar që e kemi të pranishme dritën e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) në trojet shqiptare. Prania e dritës së tyre i dedikohet sakrificës dhe mundit të dijetarëve, teologëve, hafizëve, baballarëve dhe shehlerëve tanë të nderuar e të respektuar. Është detyrë e jona dhe më shumë e brezave që do të vijnë që këtë trashëgimi të vyer dhe madhështore të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) ta ruajnë dhe ta përhapin te besimtarët myslimanë shqiptarë. Duhet të përpiqen që pishtari ndriçues i Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) të qëndrojë gjithmonë i ndezur dhe drita e tij të mbulojë qiellin e trojeve tona, sepse Ehli Bejti i Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)  është flamurtari i dijes, i paqes, i dashurisë dhe i humanizmit. Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Edukojini fëmijët tuaj me tri cilësi: dashurinë ndaj Profetit tuaj, dashurinë ndaj Ehli Bejtit të tij dhe leximin e Kur’anit.”.

Allahu na i ndriçoftë zemrat me dritën e Kur’anit dhe na i mbushtë ato me dashurinë për Profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe me dashurinë për Ehli Bejtin e tij të pastër



Burimi : Media e Lire

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI