Kur'ani për ditën e kijametit

nga Vullnet Merja | Publikuar në Shta. 26, 2018, 4:37 p.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu! 

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

Allahu i Madhëruar thotë: “O njerëz, nëse ju dyshoni në Ringjalljen, mendoni si Ne ju kemi krijuar prej dheut, pastaj prej pikës së farës, pastaj prej droçkave të gjakut, pastaj prej një cope mishi me trajtë të plotë ose jo të plotë, për t’jua bërë të qartë! Dhe Ne e mbajmë në mitër atë që duam deri në kohën e caktuar. Pastaj ju nxjerrim si fëmijë e pas kësaj do të arrini moshën e pjekurisë. Disa nga ju vdesin e disa ngelin deri në pleqëri të thellë, që të mos dinë asgjë nga ajo që kanë ditur më parë. Dhe ti e sheh tokën të tharë, por, kur Ne lëshojmë ujë mbi të, ajo trazohet dhe gufon dhe prej saj mbijnë gjithfarë lloj bimësh të mrekullueshme në çift. Kjo ndodh (që ta dini) se Allahu është e Vërteta, se Ai i ringjall të vdekurit, se Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.”. (Sure “Haxh”, ajetet 6-7)

Besimi në Allahun e Madhëruar është burimi i gjithçkaje. Në Kur'anin e Shenjtë besimi në Allahun shoqërohet me besimin në Botën Tjetër, si për shembull: “Kush beson Zotin dhe Ditën e Fundit….”. Besimi në Zot dhe besimi në Botën Tjetër janë dy bazat e besimit. Nëse mungon apo është i dobët besimi në Botën Tjetër, shumë çështje nuk marrin kuptim në këtë jetë dhe duket sikur po bëjmë diçka të pakuptimtë.

Mbi besimin në Botën Tjetër, bazohet e mira e kësaj bote dhe e mira e Botës Tjetër. Kjo dynja nuk do ta marrë kurrë kuptimin e saj, nëse nuk ekziston besimi në Botën Tjetër.

Të flasësh për Ditën e Kiametit është diçka shumë e rëndësishme dhe me vlerë. Në Kur'anin e Shenjtë është një sure e plotë me emrin “Kijame”. Gjithashtu,  rreth 70 % e ajeteve të Kur'anit flasin për Ditën e Kiametit. Kjo përqindje e lartë tregon për rëndësinë e kësaj Dite. Kjo përqindje e lartë e ajeteve vihet re sidomos në tre xhuzet e fundit të Kur'anit të Shenjtë. T'u kujtosh njerëzve Botën Tjetër, do të thotë që t'u bësh thirrje që të përgatiten për atë ditë.

Qëllimi i Ditës së Kiametit është dhënia e llogarisë para Allahut të Madhëruar, Gjykatësit Suprem, të Drejtit Absolut. Pas llogarisë vjen shpërblimi ose dënimi, sipas punëve të bëra në këtë jetë. Prandaj një nga momentet më të rëndësishme për çdo krijesë, është momenti kur fillon llogaria e tij.

Shtrohet pyetja: “Për çfarë do japim llogari?”

Do të pyetemi për shëndetin tonë. A e shfrytëzuam për mirë këtë mirësi që na e dha Zoti apo për keq?

Do të pyetemi për rininë tonë, se çfarë bëmë me të.

Do të pyetemi për pasurinë tonë. Ku e fitove, si e fitove dhe ku e shpenzove atë?

Do të pyetemi për diturinë tonë. Të gjithë thonë se ti je i ditur. Çfarë ke bërë me diturinë tënde?

Do të pyetemi për fjalët që kemi thënë.

Allahu i Madhëruar thotë: "O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës (së Kiametit), është vërtet një ngjarje e madhe!"; "Ditën, që do të shihni atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t’i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.". (Sure “Haxh”, ajetet 1-2)

Besimi në Jetën Tjetër është prej bazave të besimit. Mbi këtë besim qëndron doktrina e pastër islame. Ai që nuk beson në Jetën Tjetër, është i pafe. Besimi në Jetën Tjetër është prej çështjeve të të padukshmes (gajbit). Në shumë ajete të Kur'anit lexojmë se Allahu i Madhëruar e përmend besimin në Jetën Tjetër të shoqëruar me Besimin në Atë. Në Kur'an thuhet: “Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit...” (Sure “Bekare”, ajeti 177.) Dhe: “...Kjo është këshillë për ata që i besojnë Allahut dhe Ditës së Fundit....”. Sure “Talak", ajeti 2)

Të shumtë janë njerëzit në përgjithësi, por fatkeqësisht edhe myslimanët në veçanti, të cilët shumë pak kanë informacion për Ditën e Kiametit. Në këtë artikull jam pëpjekur të përmbledh disa të vërteta për Ditën e Kiametit, të cilat përmenden në Kur'anin e Shenjtë.

1- Dita e Kijametit është Dita e Vërtetë. Allahu i Madhëruar thotë:

▲ “Ajo është Dita e Vërtetë, prandaj kush të dojë, le të kthehet te Zoti i vet (që në këtë jetë).” (Sure “Nebe”, ajeti 39).

 “Allahu. Nuk ka zot tjetër të vërtetë, përveç Atij. Ai do t’ju mbledhë Ditën e Kjametit, për të cilën nuk ka dyshim aspak. E kush është në fjalë më i vërtetë se Allahu?” (Sure “Nisa”, ajeti 87).

▲  “…Me siguri, do t’ju tubojë Ditën e Kijametit, për të cilën nuk ka asnjë dyshim…” (Sure “En’am”, ajeti 12).

▲  “…Ajo është Dita, kur do të tubohen të gjithë njerëzit; ajo është Ditë e dëshmuar.” (Sure “Hud”, ajeti 103).

▲ “Çdonjëri prej tyre, në Ditën e Kiametit, do të dalë fill i vetëm para Tij.” (Sure “Merjem”, ajeti 95).

Drejtohu ti me përkushtim në fenë e drejtë, para se të vijë prej Allahut Dita, e cila nuk mund të shtyhet…” (Sure “Rrum”, ajeti 43).

“…Për t’i paralajmëruar ata për Ditën, e cila do të vijë me siguri, kur të gjithë njerëzit do të tubohen…” (Sure “Shura”, ajeti 7).

Ora (e Kiametit) do të vijë, për të cilën s’ka dyshim dhe se Allahu do t’i ringjallë ata që janë në varre. (Sure “Haxh”, ajeti 7).

2- Atë Ditë Gjykatësi Suprem është Allahu i Plotfuqishëm. Allahu i Madhëruar thotë:

▲ “…Allahu do të gjykojë ndërmjet jush Ditën e Kiametit…” (Sure “Nisa”, ajeti 141).

Sigurisht që Zoti yt do t’i gjykojë ata Ditën e Kiametit, për çështjet, për të cilat ata nuk pajtoheshin.” (Sure “Nahl”, ajeti 124).

Ai do të gjykojë Ditën e Kiametit për kundërshtitë, që keni pasur ndërmjet jush.” (Sure “Haxh”, ajeti 69).

Me të vërtetë, Zoti yt do të gjykojë midis tyre Ditën e Kiametit, për çështjet, për të cilat kishin mosmarrëveshje.” (Sure “Sexhde”, ajeti 25).

3- Atë Ditë llogaria është e hapur. Allahu i Madhëruar thotë:

Çdo njeriu ia kemi varur në qafë llogarinë për punën e tij dhe Ne do t’ia paraqesim Ditën e Kiametit librin, që do ta gjejë të hapur.” (Sure “Isra”, ajeti 13).

4- Atë Ditë çdokush do të jetë nën ruajtje. Allahu i Madhëruar thotë:

Çdokush do të vijë i shoqëruar me një (melek) grahës dhe një (melek) dëshmitar.” (Sure “Kaf”, ajeti 21).

5- Atë Ditë është e pamundur padrejtësia. Allahu i Madhëruar thotë:

▲ “…Unë nuk jam i padrejtë me robtë e Mi.” (Sure “Kaf”, ajeti 29).

“...Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” (Sure “Kehf”, ajeti 49).

Allahu do t’i gjykojë drejt të gjithë Ditën e Kiametit. Nuk ka dyshim se Allahu është dëshmitar për çdo gjë.” (Sure “Haxh”, ajeti 17).

6- Atë Ditë nuk ka avokat mbrojtës. Allahu i Madhëruar thotë:

▲ “Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes.” (Sure “Isra”, ajeti 14).

7- Atë Ditë më të afërmit do të të braktisin. Allahu i Madhërur thotë:

▲ “Atë Ditë njeriu do të ikë nga i vëllai, nga e ëma dhe nga i ati, nga e shoqja dhe nga fëmijët e vet.” (Sure “Abese”, ajetet 34-36).

8- Atë Ditë shkëputet çdo lidhje. Allahu i Madhëruar thotë:

▲ “Ah, sikur ta shihnin çastin kur të adhuruarit do t’i braktisin adhuruesit e tyre, kur të gjithë do të shohin dënimin e midis tyre do të këputet çdo lidhje.” (Sure “Bekare”, ajeti 166).

9- Atë Ditë nuk ka kthim pas. Allahu i Madhëruar thotë:

“Atëherë adhuruesit do të thonë: “Ah, sikur të ktheheshim edhe një herë (në jetën e Tokës) e t’i braktisnim ata, ashtu siç na braktisën ne!” (Sure “Bekare”, ajeti 167).

Ose të thotë, kur ta shohë dënimin: “Ah, sikur të ishte e

mundur për t’u kthyer edhe një herë e të bëhesha njeri i mire!” (Sure “Zumer”, ajeti 58).

10- Atë Ditë nuk ka as ryshvet as miqësi e as ndërmjetësi. Allahu i Madhëruar thotë:

▲ “Në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria…” (Sure “Shuara”, ajeti 88).

O ju që keni besuar! Jepni pa u kursyer nga të mirat që ju kemi dhënë Ne, para se të vijë Dita (e Gjykimit), kur nuk ka shitblerje, as miqësi, as ndërmjetësi! Jobesimtarët janë keqbërësit e vërtetë.” (Sure “Bekare”, ajeti 254).

Para se të arrijë dita në të cilën s’ka as tregti, as miqësi.” (Sure “Irahim”, ajeti 31).

11- Atë Ditë Allahu nuk u flet atyre që fshehin të vërtetën dhe as atyre që shkelin premtimin dhe betimin. Allahu i Madhëruar thotë:

▲ “Pa dyshim, ata që fshehin çfarë ka shpallur Allahu në Libër dhe e këmbejnë atë me diçka tjetër të pavlerë, do të gëlltisin në barkun e tyre vetëm zjarr. Në Ditën e Kiametit, Allahu nuk do t’u flasë atyre, nuk do t’i pastrojë (nga gjynahet) dhe do t’u jape dënim të dhembshëm.” (Sure “Bekare”, ajeti 174).

“Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t’u flasë atyre, as nuk do t’i shikojë në Ditën e Kiametit dhe as nuk do t’i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 77).

12- Atë Ditë do të flitet vetëm me lejen e Allahut. Allahu i Madhëruar thotë:

▲ “…Nuk do të flasë askush, përveç atij, që do t’i japë lejë i Gjithëmëshirshmi…”  (Sure “Nebe”, ajeti 38).

Kur të vijë ajo Ditë, njeriu mund të flasë vetëm me lejen e Tij…” (Sure “Hud”,ajeti 105).

13- Atë Ditë asgjë nuk harrohet. Allahu i Madhëruar thotë:

▲ “…Dhe Zoti yt nuk harron kurrë”. (Sure “Merjem”, ajeti 64).

14- Atë Ditë nuk ka gjykim prani. Allahu i Madhëruar thotë:

▲ “Të gjithë ata do të paraqiten bashkërisht te Ne.” (Sure “Jasin”, ajei 32).

(Kijeni frikë) Ditën, kur çdokush do ta gjejë përpara atë që ka bër mirë dhe atë që ka bërë keq, duke dëshiruar që midis tij dhe së keqes së tij të ketë largësi të madhe. Allahu ju paralajmëron që t’i ruheni Vetes së Tij. Allahu është i Butë e i Mëshirshëm me robtë e Vet.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 30).

15- Atë Ditë nuk ka rigjykim. Allahu i Madhëruar thotë:

▲ “Fjala ime nuk ndryshohet...” (Sure “Kaf”, ajeti 29).

16- Atë Ditë nuk ka dëshmitarë të rremë. Allahu i Madhëruar thotë:

▲ “Atë Ditë që do të dëshmojnë kundër tyre gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë.(Sure “Nur”, ajeti 24).

17- Atë ditë do të dëshmojnë gjymtyrët, madje edhe lëkura. Allahu i Madhëruar thotë:

▲“Ata do t’u thonë lëkurëve të veta, “Pse dëshmuat kundër  nesh?” e ato do të përgjigjen: “Allahu, i Cili ia jep aftësinë e të folurit gjithçkaje, na ka bërë që të flasim. Ai ju ka krijuar për herë të parë dhe tek Ai do të ktheheni”. Ju nuk u fshehët, që kundër jush të mos dëshmonin veshët, sytë e lëkura juaj, por ngaqë besonit se Allahu nuk i dinte shumë nga ato që bënit. Ky mendim që keni pasur për Zotin tuaj, ju shkatërroi e ju u bëtë humbës.” (Sure “Fusilet”, ajetet 21-23).

“Sot Ne do t’ua vulosim atyre gojët e do të Na flasin duart e tyre dhe do të dëshmojnë këmbët e tyre për atë që kanë bërë.” (Sure “Jasin”, ajeti 65).

18- Atë Ditë do të sqarohet monoteizmi. Allahu i Madhëruar thotë:

 

        ▲ Atë Ditë, kur do t’i tubojmë të gjithë, Ne do t’u themi idhujtarëve: “Ku janë idhujt tuaj, për të cilët thoshit se ishin ortakë të Allahut? Ata nuk do të mund të shfajsohen ndryshe, veçse duke thënë: “Betohemi në Allahun, Zotin tonë, nuk kemi qenë idhujtarë.” Shiko se si gënjejnë kundër vetes, por zotat që ata i trilluan, do t’i lënë në baltë.” (Sure “En’am”, ajetet 22- 24).

“Atë Ditë, Allahu do t’i thërrasë ata dhe do t’u thotë: “Ku janë ata për të cilët pretendonit se ishin ortakët e Mi?” (Sure “Kasas”, ajeti 62).

19- Atë ditë Profeti do të ankohet. Allahu i Madhëruar thotë:

Dhe i Dërguari do të thotë: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin, si (diçka) të urryer.” (Sure “Furkan”, ajeti 30).

20- Atë ditë të padrejtët do të kafshojnë duart e tyre. Allahu i Madhëruar thotë:

Atë Ditë i padrejti do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kur'ani) që më kishte ardhur.” Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës.” (Sure “Furkan”, ajetet 27-29).

21- Atë Ditë nuk u bën dobi shfajsimi të padrejtëve. Allahu i Madhëruar thotë:

▲ “Atë Ditë, të padrejtëve nuk do t’u bëjë dobi shfajsimi i tyre. Ata i pret mallkimi dhe një vendbanim i shëmtuar.” (Sure “Gafir”, ajeti 52).

22- Atë Ditë çdo gjë është e shënuar. Allahu i Madhëruar thotë:

…Allahu i ka shënuar të gjitha, edhe pse ata i kanë harruar…”

Dhe: “…Ne e kemi shënuar çdo gjë në një Libër të qartë.” (Sure “Jasin”, ajeti 12).

“Çfarë është ky Libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar atë. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë bërë.” (Sure “Kehf”, ajeti 49).

23- Atë ka peshore të sakta për punët. Allahu i Madhëruar thotë:

▲Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje.” (Sure “Enbija”, ajeti 47).

24- Atë Ditë njerëzit do të jenë si fluturat. Allahu i Madhëruar thotë:

▲ “Atë Ditë njerëzit do të jenë si fluturat e shpërndara.” (Sure “Kariah”, ajeti 4).

25- Atë Ditë do të ketë fytyra të bardha dhe fytyra të zeza. Allahu i Madhëruar thotë:

▲ “Atë Ditë do të ketë fytyra rrëzëllore, të qeshura e të gëzuara.  Atë Ditë do të ketë (edhe) fytyra të pluhurosura, që do t’i mbulojë errësira. Këta janë jobesimtarët, gjynahqarët.” (Sure “Abese”, ajetet 38-42).

“Ditën (e Kiametit) kur disa fytyra do të zbardhen e disa të tjera do të nxihen. Atyre që do t’u nxihet fytyra, do t’u thuhet: “Vallë, ju mohuat pas besimit? Atëherë shijoni dënimin për shkak se nuk besuat. Kurse ato fytyra që do të zbardhen e do të shkëlqejnë, do të jenë në mëshirën e Allahut (në Xhenet), ku do të qëndrojnë përgjithmonë.” (Sure “Ali Imran”, ajetet 106-107).

Në Ditën e Kiametit do t’i shihni me fytyra të nxira ata që kanë trilluar gënjeshtra për Allahun…” (Sure “Zumer”, ajeti 60).

26- Atë Ditë disa do të jenë të mjerë e disa fatlumë. Allahu i Madhëruar thotë:

…Disa prej tyre do të jenë të mjerë e disa fatlumë.” (Sure”Hud”, ajeti 105).

“Ditën, kur do t’i tubojmë besimtarët tek i Gjithëmëshirshmi, si të ftuar.” (Sure “Merjem”, ajeti 85).

“Ne do t’i tubojmë ata (të humburit) Ditën e Kiametit, me fytyrat përtokë, të verbër, shurdhë e memecë. Vendbanimi i tyre është Xhehenemi. Kurdo, që të zbehet zjarri, Ne do t’ia shtojmë flakën.” (Sure “Isra”, ajeti 79).

Ditën, kur fytyrat e tyre do të rrotullohen në zjarr, ata do të thonë: “Ah, sikur t’i ishim bindur Allahut dhe të Dërguarit!” (Sure “Ahzab”, ajeti 66).

27- Atë Ditë jobesimtari do të dëshirojë të ishte pluhur. Allahu i Madhëruar thotë:

▲“Me të vërtetë, Ne ju kemi paralajmëruar se është i afërt dënimi, Ditën, kur njeriu do të shohë se ç’kanë bërë duart e tij dhe, kur jobesimtari do të thotë: “Ah, sikur të isha pluhur!” (Sure “Nebe”, ajeti 40).

28- Atë Ditë sundimi absolut është i Allahut Fuqiplotë. Allahu i Madhëruar thotë:

▲“Sunduesit të Ditës së Gjykimit.” (Sure “Fatiha”, ajeti 4).

“Ditën kur Ai thotë “Bëhu”, ajo bëhet. Fjala e Tij është e Vërteta dhe Atij i përket pushteti Ditën, kur i fryhet Surit. Ai e di të padukshmen dhe të dukshmen dhe Ai është i Urti dhe i Gjithëdituri.” (Sure “En’am”, ajeti 73).

“…Kujt i përket pushteti sot? Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit!” (Sure “Gafir”, ajeti 16).

Këto ishin disa nga të vërtetat e Ditës së Kijametit në Kur'anin e Shenjtë.

Prandaj, duhet të besojmë dhe të bëjmë punë të mira për atë Ditë kur të gjithë ne do të dalim para Allahut të Madhëruar, siç thotë Allahu Fuqiplotë:Ditën, kur të gjithë njerëzit do të dalin para Zotit të botëve.” (Sure “Mutafifijn”, ajeti 6). Punoni se punët tuaja do të shihen. Allahu i Madhëruar na thotë: “Thuaj: “Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. Së shpejti do të ktheheni tek Ai që di të dukshmen dhe të padukshmen e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.” (Sure “Teube”, ajeti 105).

O Allahu Ynë! Na e ndriço zemrën me dritën e Kur'anit!

 

 

 



Burimi : Media e Lire

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI