Festa e vërtetë
Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit
Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!
Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!
(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)
Erdhi dita e Kurban Bajramit. Dita e gëzimit për ummetin islam. Kjo ditë përçon në shpirtrat dhe zemrat e muslimanëve dritën e besimit, të devotshmërisë, të vëllazërisë, të unitetit dhe të lumturisë.
Në këtë ditë të begatë muslimanët anembanë botës urojnë njëri-tjetrin me fjalët më të mira, më të ëmbla dhe më kuptiplote.
Në Kur’anin e Shenjtë ka ajete që flasin për gëzimin e besimtarëve.
Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.” (Sure “Junus”, ajeti 58)
Dhe: “…Dhe, atë ditë, do të gëzohen besimtarët.” (Sure “Rrum”, ajeti 4)
Dhe: “Janë të gëzuar për çfarë u ka dhënë Allahu nga dhuntitë e Tij dhe gëzohen edhe për ata që ende nuk u janë bashkuar e që kanë ngelur pas tyre (dhe ende nuk kanë rënë martirë), sepse nuk do të frikësohen (për çfarë i pret) dhe nuk do të pikëllohen (për çfarë kanë lënë pas). (Sure “Ali Imran”, ajeti 170)
Kjo ditë kënaq shpirtërat dhe shëron zemrat që janë në kraharore.
Vallë, çfarë është festa e vërtetë?
Festa e vërtetë është kur njeriu kthehet te Krijuesi i tij, Allahu i Madhëruar dhe është afër Tij.
Festa e vërtetë është kur njeriu ecën në rrugën e profetit Muhamed dhe të familjes së tij të pastër e të dëlirë.
Festë e vërtetë është kur njeriu zbaton Kur’anin e Shenjtë në jetën e tij.
Festë e vërtetë është njeriu e ndriçon shtëpinë e tij me përmendjen e Allahut Fuqiplotë.
Festë e vërtetë është kur njeriu përçon në zemrat e të tjerëve dashurinë dhe qetësinë.
Festë e ëvrtetë është kur hiqet dorë nga mosmarëveshjet dhe nga mospajtimet.
Festë e vërtetë është kur i jep atij që nuk të jep.
Fesë e vërtetë është që të falësh atë që të ka bërë padrejtësi.
Festë e vërtetë është kur ta shkulësh urrejtjen dhe armiqësinë nga zemra.
Festë e vërtetë është kur njeriu kthehet në kthjelltësinë dhe në natyrën e tij të pastër.
Festë e vërtetë është kur njeriu forcon besimin dhe bindjen e tij dhe bëhet i patundur në rrugën e të Madhit Zot dhe çdo problem dhe vështirësi që e godet në jetën e tij e pret krahëhapur dhe pa u brengosur.
Festë e vërtetë është kur njeriu nuk i bën mëkat Allahut. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) thotë: “Çdo ditë që nuk i bëhet mëkat Allahut, ajo është ditë feste.”
Betohem në Allahun. Sikur zemrat e muslimanëve të ishin aq të mëdhaja sa gjuhët e tyre, do të ndërronin historinë e njerëzimit.
Sikur zemrat e muslimanëve të jenë aq të ëmbla sa gjuhët e tyre në ditën e Bajramit, ata do të ndryshojnë historinë.
Sikur muslimanët të jenë të bashkuar ashtu siç bashkohen në namazin e Bajramit, ata do të jenë gjithmonë triumfues ndaj të këqijave dhe intrigave.
Sikur shpirtrat e muslimanëve të përshëndeten e të rroken ashtu siç përshëndeten dhe rroken duart e tyre në ditën e Bajramit, ata do t’i zhdukin të gjithë faktorët e përçarjes.
Sikur shpirtrat e muslimanëve të buzëqeshnin çdo ditë ashtu siç buzëqeshin buzët e tyre në ditën e Bajramit, ata do të jenë me melekët.
Sikur muslimanët të therin egon e tyre ashtu siç therin bagëtinë për kurban, të gjitha ditët e jetës së tyre do të jenë festë.
Sikur muslimanët të veshin moralet e bukura ashtu siç veshin rrobat e bukura për Bajram, ata do të jenë ummeti më i mirë në sipërfaqen e tokës.
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “…Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete…” (Sure “Rra’ad”, ajeti 11.)
O Zoti ynë! Na mundëso që t’i bëjmë ditët tona ditë Feste!
O Zoti ynë na e ndriço jetën tonë me dritën e besimit dhe me dritën e Kur’anit!
Për hir të profetit Muhamed dhe familjes së tij të pastër!