Fatime Zahraja, mirësia e madhe për ummetin İslam
Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit
Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!
Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!
(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)
Emri: Fatime
Emri i babait: Muhamed ibn Abdullah
Emri i nënës: Hatixhe bint Khuvejled
Ditëlindja: 20 Xhemadu Thani, pesë vjet pas ardhjes së Profetësisë
Allahu i Madhëruar në Kur'anin e Shenjtë, në suren Haxh, ajeti 32 thotë: "...kush madhëron simbolet Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij."
Personalitet e larta islame janë prej simboleve të Allahut të Madhëruar. Një nga ato simbole të Allahut është edhe zonja Fatime Zahra (paqja qoftë mbi të!), sepse jeta e saj ishte e gjitha islam dhe në rrugën e Allahut.
Fatime Zahraja (paqja qoftë mbi të!) lindi me 20 Xhemadu Thani, pesë vjet pas ardhjes së kurorës së Profetësisë profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ajo lindi në shtëpinë e pastërtisë, e dlirësisë dhe besimit. Ajo shtëpi ishte shtëpia e profetësisë, shtëpia në të cilën zbriti Mesazhi më i drejtë dhe përmbyllësi i të gjitha mesazhe qiellorë, Kur’ani i Shenjtë. Babai i saj, është krijesa më e përkryer dhe vula e profetëve, profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Nëna e saj është hzreti Hatixheja (paqja qoftë mbi të!), gruaja e parë që i besoi Profetit Muhamed. Profeti i mësonte Fatime Zahrasë mësimet e shenjta hyjnore.
Fatime Zahraja, është gruaja më e lartë ndër të gjitha gratë në çdo kohë dhe në çdo vend. Ajo është zonja e gave të botëve. Është e tillë jo për faktin se është vajza e profetit Muhamed, por, sepse ajo me besimin e saj, me adhurimin e saj, me moralin e saj, me devotshmërinë e saj, me sjelljet e saj e meritoi këtë pozitë të lartë. Ajo ishte vajzë e përkryer, nënë e rrallë dhe bashkëshorte besnike. Duhet që të gjitha grate pz përjashtim, ta marrin shembull këtë zonjë të lartë.
Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është mashkulli më i përkryer dhe Allahu nuk ka krijuar njeri më të përkryer se profeti Muhamed. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e edukoi vajzën e tij Fatimenë me edukatën më të mirë. Ajo kurrë nuk ka gënjyer në jetën e saj, as para martësës dhe as pas martesës. Ajo ka qenë e pastër dhe e dlirë nga mëkatet, gjynahet dhe gabimet. Ka qenë e pamëkatshme (ma'sumeh) me plot kuptimin e fjalës. Allahu nuk ka krijuar femër më të nderuar, më fisnike e më të mirë se sa Fatime Zahraja (paqja qoftë mbi të!).
FATIMEJA NËNA E BABAIT TË SAJ
E gjithë jeta e Fatime Zahrasë (paqja qoftë mbi të!) ishte e mbushur me punë, përpjekje, përsosmëri dhe lartësim shpirtëror. Ajo ishte epiqendra tek e cila drejtoheshin muslimanët për zgjidhjen e prolemeve të tyre dhe u qetësonte zemrat me këshillat dhe porositë e saj.
Fatimeja (paqja qoftë mbi të!) i qëndroi në krah babai të saj në ditë të vështira. Kushdo që e lexon historinë e të Dërguarit të Allahut pas ardhjes së Profetësisë do të shohë se të gjitha ditët e tij ishin të vështira, si në Mekë ashtu edhe në Medine. Të tilla ishin derisa u nda nga kjo jetë. Profeti Muhamed (pAqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Asnjë profet nuk është lënduar ashtu siç jam lënduar unë.” (Keshful Gumeti, vëllimi 2, faqe 537)
Fatime Zahraja paqja qoftë mbi të!) ishte nëna e babait të saj. Kjo do të thotë se ajo ishte për Profetin si nëna e dashur dhe e dhembshur për fëmijët e saj. Për këtë ajo u quajt: Nëna e babait të saj (ummu ebijha)
FATIMEJA, BASHKËSHORTJA MË E MIRË
Fatime Zahraja ka qenë bashkëshortja më e përkryer. Të shumtë kanë qenë personat që i kërkuan profetit të martoheshin me Fatime Zahranë, por Profeti Muhamed u thoshte: Unë pres shpalljen për këtë çështje. I vetmi që i përshtatej Fatimesë ishte imam Aliu dhe e vetmja që i përshtatej prijësit të besimtarëve, imam Aliut (paqja qoftë mbi të). Fatime Zahraja ishte mbështetësja dhe përkrahësja e bashkëshortit të saj, imam Aliut (paqja qoftë mbi të!). Ajo i ka thënë imam Aliut: “O djali i xhaxhait tim. Kurrë nuk ke gjetur tek unë gënjetër, as tradhëtinë e as kundërshtinë që kur më martove. Aliu i tha: Ti je më e njohura për Allahun, më adhuruesja, më e devotshmja, më fisnikja dhe më e frikësuara ndaj Allahut. Allahu më ruajtë që nesër të të qortoj ty për ndonjë kundërshti ndaj meje.” (Reudatul Uaidhijne, faqe 151).
Familja e tyre e thejshtë dhe e begatë është shembulli më i mirë për t'u ndjekur. Edhe pse ishte familje e thejshtë dhe e varfër, por në të gjendej, besimi, dashuria, morali i lartë, respekti, dhembshuria, solidariteti dhe humanizmi.
Bashkëshortët e kësaj familje të thjeshtë jetonin të lumtur. E donin njëri-tjetrin dhe e respektoni. Imam Aliu Ka thënë: “Betohem në Allahun. Unë kurrë nuk e kam zemrëruar atë (Fatimenë) dhe as nuk e kam detyruar për ndonjë çështje, deri kur sa vdiq. As ajo nuk më ka zemëruar dhe nuk më ka kundërshtuar për ndonjë çështje. Kur e shikoja atë, mua më largoheshin brengat dhe hidhërimet.”
FATIMEJA, NËNA MË E MIRË
Fatime Zahraja (paqja qoftë mbi të!) ka qenë nëna më e mirë për fëmijët e saj, Hasanin Huseinin, Zejnebin dhe Ummu Kulthumin (paqja qoftë mbi ta!). Ajo i ushqente me virtytet të larta, me devotshmëri dhe i edukonte me edukatën më të mirë. Ajo i nxiste ata që të bënin adhurime natën dhe të qëndroni zgjuar në netët e Kadrit.
Transmetohet se kur imam Hasani kthehej nga xhamia e gjyshit të tij, dhe ai ishte fëmijë, hazreti Zahraja e pyeste: Çfarë foli profeti në hytben e tij në xhami? Ai ia tregonte asaj ashtu siç kishte folur profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Ajo e edukoi vajzën e saj, heroinën Zejneb me edukatë të lartë dhe i mësoi asaj durimin. Kjo edukatë e përsosur u shfaq në të ardhmen e saj, në fushën e Kerbelasë. Hazreti Zahraja i ka thënë vajzës së saj, Zejnebit: “Kur të jesh në Kerbela, puthe për mua gushën e Huseinit në kohën që do të shkosh për t’i dhënë lamtumirën e fundit.” Ajo i përgatiste fëmijët e saj për të gjitha fushat: të adhurimit, virtyteve, xhihadit, devotshmërisë. Ajo ua forconte atyre shpirtin. Gjithashtu, kujdesej edhe për anën trupore të tyre, i lante, i pastronte u gatuante, etj.
Fatime Zahraja (paqja qoftë mbi të!) është model i plotë. Nga sjellja e saj duhet të frymëzohen burrat dhe gratë, sepse në të ishin të kristalizuara të gjitha llojet e sakrificës, mirësisë, adhurimit, durimit dhe spiritualitetit të lartë. Për këtë ajo i meritoi të gjitha llagabet me të cilat e emëtua.
Përmendja e Fatime Zahrasë zbukuron dhe aromatizon tubimet me aromën e Xhennetit. Ajo përfaqëson femrën fisnike, femrën besnike, femrën e cila përpiqet për lumturinë e bashkëshortit të saj dhe të fëmijëve të saj. Ajo përfaqëson femrën, e cila e do Allahun dhe Allahu e do atë.
FATIME ZAHRAJA NË HADITHET E PROFETIT MUHAMED
(paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)
Është e vështirë të përcaktosh pozitën e zonjës së lartë, Fatime Zahra (paqja qoftë mbi të!). Asnjë penë e asnjë mendje nuk mund ta bëjë këtë. Pozitën e saj të lartë e sqaron Kur'ani i Shenjtë dhe Sunneti i profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Historianët dhe komentuesit e Kur'anit kanë përmendur në librat e tyre shumë ajete që kanë zbritur për hazreti Fatimenë (paqja qoftë mbi të!). Prej tyre janë: Sure Keuthr, ajeti 33 i sures Ahzab, i cili quhet ajeti i dëlirësisë; ajeti 23 i sure Shura, i cili quhet ajeti i dashurisë (ajetul meudeh); ajetet 5-12 të sure Insan, të cilët njihen me emrin ajetet e të ushqyerit (ajatul it'am) ajeti 61 i sures Ali Imran, i cili njihet me emrin ajeti i lutjes për mallkim (ajetul Mubaheleh).
Prej thënieve të profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) përmendim:
1- Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “O Ali. Ti je imami i ummetit tim dhe zëvendësi im pas meje. Ti je drejtuesi dhe udhëzuesi i besimtarëve për në Xhennet. Vajza ime, Fatimeja, do të vijë në Ditën e Kijametit e mbuluar me dritë. Nga e djathta e saj qëndrojnë shtatëdhjetë mijë melekë, nga e majta e saj qëndrojnë shtatëdhjetë mijë melekë, nga përpara saj qëndrojnë shtatëdhjetë mijë melekë dhe pas saj qëndrojnë shtatëdhjetë mijë melekë. Ajo i drejton besimtaret drejt Xhennetit.” (Biharul Anuar,vëllimi 43,faqe)
2- Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Fatimeja është një pjesë e imja. Ai që e zemëron atë, më ka zemëruar mua.”
Burimet: Sahijhul Bukharij, 5: 92/209 dhe 150/255. Sahijhu Muslim, 4: 1902/93-2449. SunenuTirmidhij, 5: 698/3867. Mesabijhu Sunneh, 4: 185/4799. El Mustedrek i Hakimit, 3: 158. Mexhma Zeuaid, 9: 203. El Xhamiu Sagijr, 2: 208/5833.
3- Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Fatimeja është pjesë e imja. Më paqëton mua çfarë e paqëton atë dhe më lëndon mua çfarë e lëndon atë.”
Burimet: Sahijhul Bukharij, 7: 65-66/159 Kitabu Nikah, dhe rreth tij në Musnedin e Ahmedit, 4: 5, 223 328 dhe 332. Sunenu Tirmidhij, 5: 698/3869. MustedrekulHakim, 3: 154, 158 dhe 159. Khasaisu Nisaij, 36. Hiljetu’l Eulija, 2: 240. Kenzul Ummal, 6: 219 dhe 8: 315. Es Saua‘ikul Muhrika, 190. El Imametu ue’s-Sijaseh, 1: 14.
4- Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “O Fatime, me të vërtetë, Allahu zemërohet për zemërimin tënd dhe kënaqet për kënaqësinë tënde.”
Burimet: El Mustedrek i Hakimit, 3: 513. Usdul Gabe, 7: 224. El Isabe, 8: 159. Es Saua‘ikul Muhrika, 175, pjesa e 11, kapitulli 1, qëllimi i tretë. El Khasaisul Kubra, 2: 265. Tehdhijbu Tehdhijb, 12: 441. Kenzu Ummal, 6: 219 dhe 7: 111. Dhekhairul Ukba, 39.
5- Transmetohet nga Aishja (r.a), e cila ka thënë: “Nuk kam parë ndonjë më të ngjashëm në fjalë e bisedë me të Dërguarin e Allahut sesa Fatimen.Kur hynte tek ai, Profeti ngrihej në këmbë, e puthte atë dhe e ulte pranë tij dhe kur hynte ai, Fatimeja ngrihej në këmbë për të, e puthte dhe e ulte pranë vetes.”
Burimet: Sunenu Tirmidhij, 5: 700/3872. Fadailu Sahabe i Nisaijut, 68.
6- Gjithashtu, transmetohet se Aishja (r.a) është pyetur: “Cili nga njerëzit ka qenë më i dashur tek i Dërguari i Allahut?” Ka thënë: “Fatimeja.”I kanë thënë: “Po nga burrat?”Është përgjigjur: “Bashkëshorti i saj.”
Burimet: Sunenu Tirmidhij, 5: 701/3874. El Mustedrek i Hakimit, 3: 157 dhe e saktësoi atë. Usdul Gabe, 7: 223. El Bidaje ue Nihaje, 7: 254.
7- Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: "Në Ditën e Kijametit një thirrës do të thërrasë: O ju të tubuar. Uleni shikimin tuaj derisa të kalojë Fatimeja."
Burimet: Kenzul Ummal, vëllimi 13, faqe 91 dhe 93; Muntekhab Kenzul Ummal, vëllimi 5 faqe 96; Sauaikal Muhrikah faqe 196; Usdul Gabeh, vëllimi 5, faqe 523; Tedhkiretul Khauas, faqe 279; Dhekhairul Ukba, faqe 48; Menakibul Imam Ali i ibn el Megazilij, faqe 356; Nurul Ebsar, faqe 51 dhe 52; Jenabiul Meuedeh, vëllimi 2, kreu 56, faqe 136.
8- Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: "Kur më merrte malli për aromën e Xhenetit i merrja erë qafës së Fatimesë."
Burimet: Muntekhab Kenzul Ummal, vëllimi 5, faqe 97; Nurul Ebsar, faqe 51; Menakibul Imamu Ali i ibn el Megazilij faqe 360.
9- Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “O Ali. Vërtet, Allahu më urdhëroi mua që të të martoj ty me Fatimenë.”
Burimet: Sauaikul Muhrikah, kreu 11, faqe 142; Dhekhairul Ukba; faqe 3 dhe 31; Tedhkiretul Khauas; faqe 276; Menakibu imam Ali nga Er jadu Nadhireh, faqe 141; Nurul Ebsar, faqe 53.
10- Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Më i dashuri i familjes timë për mua është Fatimeja.”
Burimet: El Xhamiu Sagijr, vëllimi 1, faqe 37, hadithi 203; Sauaikul Muhrikah, faqe 191; Jenabiul Meudeh, vëllimi 2, faqe 479, kreu 2; Kenzul Ummal, vëllimi 13, faqe 93.
11- Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Sa herë që më merr malli për frutat e Xhennetit unë puth Fatimenë.”
Burimi: Nurul Ebsar, faqe 51
12- Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Të parët që hyjnë në Xhennet janë Aliu dhe Fatimeja.”
Burimet: Nurul Ebsar, faqe 52; Kenzul Ummal, vëllimi 13, faqe 95 (i afërt e këtë frazë)
13- Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Ajeti i pastrimit (dëlirësisë) ka zbritur për pesë: Për mua, për Aliun, për Hasanin, për Huseinin dhe për Fatimenë.”
Burimet: Is’afu Rragibijn, faqe 116; Sahihu Muslim, kreu Fadailu Sahabe.
14- Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “I pari njeri që do të hyjë në Xhennet është Fatimeja.”
Burimi: Jenabiul Meuedeh, vëllimi 2, faqe 322, kreu 56.
Po i mbyll këto rreshta me një prej thënieve të mrekullueshme të zonjës së grave të gjithë botëve, Fatime Zahraja (paqja qoftë mbi të!), e cila ka thënë: “Allahu e ka bërë besimin (imanin) pastrues për ju prej politeizmit (shirkut); namazin e ka bërë pastrues për ju prej mendjemadhësisë; zekatin e ka bërë pastrues për shpirtërat dhe shtues të furnizimit; agjërimin e ka bërë forcues për sinqeritetin; Haxhin e ka bërë fuqizim për fenë; drejtësinë harminizim për zemrat; bindjen tonë sistem për bashkësinë; Imamatin tonë siguri për përçarjen; xhihadin krenari dhe forcim për Islamin; durimin ndihmës për ardhjen e shpërblimit; të urdhëruarit në të mirë dobi të përgjithshme; mirësjelljen ndaj prindërve e ka bërë mbrojtje ndaj zemërimit;...dënimin mbrojtje për gjakërat; ...zbatimi i betimit, ekspzim për mëshirën;... ndalimin e pijeve alkolike pastrim prej ndytësive; largimin nga shpifja mbrojtës për mallkimin; braktisjen e vjedhjes domosdoshmëri për pastërinë.”
Përkujtimi i ditëlindjes së Fatime Zahrasë (paqja qoftë mbi të!) është një mundësi e vyer për gratë musliane që ato të shfaqin më shumë interes për indentitetin e tyre dhe për pozitën e lartë të femrës në Islam. Fatimeja është mirësia e madhe (Keutheri) e Profetit Muhamed dhe e mbarë ummetit islam.
Paqja qoftë mbi ty o Fatime Zahra!
Paqja qoftë mbi ty o bija e Muhamed Mustafasë!
Paqja qoftë mbi ty o bashkëshortja e Ali Murtedasë!
Paqja qoftë mbi ty o nëna e Hasan Muxhtebasë!
Paqja qoftë mbi ty o nëna e Husejnit, dëshmori i Qerbelasë!
Paqja qoftë mbi ty o nëna e imamëve!
Paqja qoftë mbi ty o Zonja e të gjitha grave të botëve!
Allahu na mundësoftë të jemi në rrugën tënde në këtë jetë dhe na bashkoftë me ju në Jetën Tjetër!