Komandant i Legjionit apo i Ballkonit të nderit??
Pas një eksperience lakuriqësie në plazhet e Francës, Edi Rama, i rikthyer si kryeministër në qytetin ku kaloi vite të rinisë dhe poshtërsisë, mori në duar nderimin më të madh zyrtar të republikës franceze, urdhrin “Komandanti i Legjionit të Nderit” nga presidenti francez.
Dekorata e lartë iu dorëzua nga homologu i tij francez Bernard Cazeneuve, i cili me siguri nuk e njeh të shkuarën e Kryeministrit tonë aventurier.
Ndër të tjera, ndoshta nga padija apo joinformimi, Kryeministri francez u shpreh:
“Franca ju është mirënjohëse për rolin aktiv që ju luani në favor të paqes dhe bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit. Ju jeni i pari shef i qeverisë shqiptare që e keni angazhuar, me kurajë, vendin tuaj në rrugën e pajtimit me Serbinë dhe sidomos ia keni dalë, në marrëveshje me homologun tuaj serb, të ngrini një Zyrë Rajonale të Rinisë që bashkon gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor. Dëshiroj t’ju përgëzoj për këtë nismë të bukur, themeluar mbi modelin e Zyrës franko-gjermane të Rinisë që kishin krijuar në kohën e tyre Gjenerali De Gaulle dhe Kancelari Adenauer”- përfundoi kryeministri francez.
Dekorimi i erdhi surprizë kryeministrit Edi Rama, i cili i emocionuar foli për nderimin që iu bë nga Presidenti francez dhe pse, misionin e tij si Kryeministër e ka “ndritur” me arritje të mëdha ku shkëlqejnë fletat e lavdërimit!!
Kjo pasiguri jomerite vihet re në deklaratën e tij:
“Po e marr veten me vështirësi, pasi nuk e prisja një gjë të tillë. Sigurisht, është mëse e mirëpritur. Ju falënderoj me gjithë zemër juve, dhe gjithashtu edhe zotin President. Nuk e di nëse e meritoj, por është pa dyshim një nder i jashtëzakonshëm për dikë që mbërriti në Francë si një artist, i cili nuk e kishte menduar kurrë se një ditë do të mbërrinte në sallonet e Francës së politikanëve dhe njerëzve të shquar. Dhe marrja e kësaj medaljeje është vërtet një ëndërr. Një ëndërr, në fakt, që ende nuk e kisha parë”, - tha Rama.
Një ëndërr, të cilën Rama as në ëndërr nuk e kishte parë, për arsye se as në ëndërr nuk e ka merituar. Reformat, të cilat kanë marrë të tatëpjetën. Një popull i zhytur në mjerim dhe skamje. Një qytetar i dhunuar dhe burgosur. Një shtet pa dinjitet dhe pa vision. Një qeveri me doktrina komuniste dhe me një mentalitet 100-vite prapa. Një kryeministër bunkartist dhe zhgarravinjosës që krekoset me bëmat e tij. Një udhëheqës ballkonesh dhe shazllonesh. Një lider që vetëquhet “global” duke u shitur mend udhëheqësve të botës kur vendimet e tyre nuk i shkojnë për shtat qeverisjes së tij. Një kryeministër pa karakter dhe harbut. Një komandant parcelash. Një gjeneral i policisë së drogës dhe avionave të trafikimit të lëndëve narkotike. Pra, një komandant ballkonesh që reciton dhe pikturon qeverinë e tij të dështuar nga ballkoni i pallatit të turpit!
Një lëvizje jo e zgjuar e Francës, duke ditur se ky urdhër është nderimi më i lartë në Francë që prej vitit 1802, kur u krijua nga Napoleon Bonaparti. Ai i është akorduar më herët edhe shkrimtarit Ismail Kadare, i cili ndryshe nga udhëheqësi i tij, është komandanti i letrës dhe penës.
Naltgjatësia e tij, Edi Rama, nënshkroi me homologun francez, Deklaratën e Partneritetit Strategjik mes dy vendeve, një partneritet të cilën Shqipëria nuk ja ka njohur dhe nuk ja njeh efektin në interesat publike.