Përpëlitjet e fundit të një diktatori në rënie!

nga Alma Prifti | Publikuar në Mars 17, 2021, 12:08 a.m.

Ikja e Edi Ramës nuk është më një kriter apo ambicie. Ikja e Edi Ramës është tashmë një mision i padiskutueshëm. Është një qëllim në vetvete, i cili duhet përmbushur me patjetër. Ikja e Edi Ramës është, mbi të gjitha, edhe rrëzimi i një sistemi diktatorial, i cili synon të implementohet më thellë se 40 vite më parë.

Tashmë Edi Rama nuk është më një individ, ai është një sistem enverian, i cili ka përvetësuar të gjitha institucionet garant të demokracisë në vend. Nëse ky sistem i quajtur ‚Edi Rama‘, do të marrë një mundësi të tretë, atëhere tentakulat e këtij sistemi do të depërtojnë edhe në ato pak cepa që mbajnë era demokraci.

Po të bëjmë një retrospektivë të shpejtë të 8 viteve në Qeveri, shohim vetëm aksione autoritare mbi institucionet dhe qytetarët dhe korrupsion masiv me PPP dhe koncesione të dyshimta.

Le të bëjmë një analizë në vite:

 Kujtojmë këtu pushtimin e pronave të qytetarëve pa asnjë kompensim, më i fundit rasti i Astirit. Kujtojmë gjithashtu zaptimin e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve  muniste të 2019-ës, duke formuar një opozitë fantazmë me personazhe të shitur, të cilët, sot, janë pjesë e listës së Partisë Socialiste.

Përmendim këtu shkatërrimin e kulteve të artit dhe kulturës, si Teatri apo dhe Shtëpia e Shkronjave në Korçë, e cila është bastarduar totalisht me restaurime të kota, në favor të fshirjes së historisë përgjithnjë nga memorja.

Gjobat masive dhe dhunimi i qytetarëve për një maskë, mbetet për t’u përmendur. Një aksion aq totalitar, sa degjeneroi me vrasjen e një të riu të pafajshëm, Klodian Rasha.

Një akt tjetër i dëshpëruar i sistemit totalitar ‚Rama, është edhe përpjekja për të zaptuar Presidencën, duke formuar komisione fiktive, për të denigruar Presidentin e Republikës. Aksion i cili dështoi me turp për Edi Ramën dhe shërbëtorët e tij të dëshpëruar nga frika e humbjes.

Tentativat e ditëve të fundit për të dhunuar ambientet e zyrave të Opozitës së Bashkuar dhe për të arrestuar anëtarë të saj, tregon qartë përpëlitjet e fundit të një diktatori në rënie. Këto veprime Edi Rama i bën në përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga listat skandaloze të mbushur me kriminelë dhe njerëz me precedentë penalë. Lista e Tiranës është një tregues konkret se nga kush komandohet Edi Rama dhe për qëllimet e kujt po punon.

Përgjimet e Ndragheta janë një tregues konkret për lidhjet e dyshimta të kësaj Qeverie me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Edi Rama akuzon Opozitën se po tenton të vijë në pushtet me njerëz që nuk sjellin produkt politik. Por, nëse i hedhim një sy listës së Rilindjes, sidomos asaj të Tiranës, Edi Rama kujton se do ta mbajë pushtetin me Damian Gjiknurin, i cili akuzohet për vjedhje votash. Me Rrahman Rrahjan, i cili dyshohet për lidhje të ngushta me krimin. Me Arben Ahmetaj, i cili dyshohet për keqmenaxhim të financave të vendit dhe abuzim me procesin e Rindërtimit. Kujton se do vijë në pushtet me znj. Najada Çomo, e cila akuzohet për keqmenaxhim të pandemisë nëpër spitale. Apo do të vijë në pushtet me Taulant Balla të dosjes ‚Toyota Yaris', hetimi i së cilës nuk shkoi asnjëherë deri në fund, etj si këta.

Lista e degraduar e Edi Ramës nuk mund të jetë kurrë një listë fituese, përsakohë ajo është një listë me të njëjtat fytyra të errëta, të cilët për 8 vite me radhë kanë shkatërruar ekonominë e Shqipërisë dhe kanë larguar mbi 800.000 shqiptar nga vendi.  Kjo listë dashakeqëse i shërben vetëm propagandës së udhëheqësit të tyre, i cili ëndërron të zërë vendin e Enver Hoxhës dhe të ringjallë komunizmin në Shqipëri. Por, më 25 Prill, Shqipëria do t’i thotë JO këtij plani satanik dhe këtë diktator të errët do ta çojë para drejtësisë të përgjigjet për të gjitha krimet e kryera në 8 vite. Shqipëria ka treguar se nuk pajtohet me komunizmin. Shqipëria do të ngrihet dhe do t'i japë fund përpëlitjeve të dëshpëruara të këtij diktatori në rënie , duke e përjashtuar atë përfundimisht nga jeta dhe politika 



Burimi : Media e Lire