Të gjithë kundra Qeverisë ‘Rama', madje edhe vetë Edi!

nga Alma Prifti | Publikuar në Shta. 29, 2020, 12:48 a.m.

Ndonëse përpëlitet në llumin e gënjeshtrave, shihet qartë dështimi epik i Qeverisë më  të keqe  që ka njohur Historia e Shqipërisë ndonjëherë! Përpos kësaj, duket sikur të gjithë i kanë kthyer kurrizin Rilindjes. Jo vetëm artistë e qytetarëve,  jo vetëm shtresa gri, jo vetëm pensionistët e intelektualët, por edhe vetë socialistët. Të gjithë janë kthyer kundër një qeverisje që shkaktoi emigrimin e mbi 800.000 shqiptarëve. Një qeverisje që shkatërroi ekonominë e vendit për të pasuruar oligarkët që e sollën në pushtet. Kundër një qeverisje që groposi bizneset për të favorizuar dy apo tri veta me të cilët ka ndërtuar perandorinë korruptive të PPP-ve.

Madje kundra kanë dalë edhe ata që kurrë s'janë marrë më parë me politikë. Flas për artistët, karriera e të cilëve po vdes nga arroganca e një kryeministri që kurrë nuk i mbështeti, madje as në gjoja paketat e tij të ndihmës ekonomike nuk i bëri pjesë këta artistë, që sot po ulërijnë kundër tij. Disa e tregojnë inatin me këngë, disa të tjerë me statuse në rrjete sociale e disa me grimca humoristike. Ka edhe nga ata artistë që i dolën kundër me trup. E sfiduan fizikisht në shesh si simbol i rezistencës së një qeverie dashakeqëse dhe kriminale. Ishin pikërisht ata, artistët e Teatrit, të cilët vazhdojnë ta mbajnë kauzën gjallë falë shpirtit të tyre luftarak.

Kundër Edi Ramës dolën edhe mjekët e infermierët. Heronjtë e pandemisë përgënjeshtruan propagandën e qeverisë për rritjet e pagave. Këtë e bënë duke dalë në protestë ditë pas dite. Ata i plasën në fytyrë qeverisë të vërtetën e vetme, se kishin tetë muaj pa marë rrogat.

Kundër janë edhe naftëtarit e Ballshit, të cilët kanë kërcënuar me grevë urie nëse nuk marin pagat e prapambetura.

Madje kundër dolën edhe të mbijetuarit e tërmetit , të cilët herë pas here denoncojnë premtimet e pambajtura të qeverisë për bonuset e rivlerësimit të dëmeve dhe rindërtimin e banesave të tyre. Tashmë kundër dolën edhe të përndjekurit politik.

Por, ajo që bën çudi nga të gjitha është fakti se kundër qeverisë ‘Rama' del edhe vet Edi, i cili përjashton veprimet e tij, duke u hallakatur sa në Vlorë e sa në Durrës. Herë lë të kuptosh se,  në zgjedhjet e ardhshme do të kandidojë në Durrës, pastaj thotë se do të jetë në Vlorë edhe kur të mos jetë më Kryeministër. Sigurisht, nëse nuk përfundon në burg për abuzim me pushtetin,  korrupsion të rangut të lartë duke përdorur Koncesionet dhe keqqeverisje me pasojë falimentimin e shtetit. Ja pra, një Kryeministër, i cili e di edhe vetë se s'ka më të ardhme në politike, sorollatet majtas e djathtas kuke dalë kundra veprimeve dhe qëllimeve të tij. Tashmë është koha që edhe votuesi më skeptik të dalë kundër Edi Ramës dhe në zgjedhjet e 25 prillit të votojë për të sjellë ndryshimin.

Në zgjedhjet e ardhshme është e sigurtë se, edhe vetë Edi do të votojë kundër vetes së tij!



Burimi : Media e Lire