Basha apo Berisha? (Kush do ta fitojë betejën e Kuvendit Kombëtar??)
Më 11 Djetor do të mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, i thirrur nga delegatët e Partisë. Aktualisht kanë depozituar firmat rreth 4200 delegatë. Deri më datën 11, pritet që numri t’i kalojë 5000 firma. Prof.Dr.Sali Berisha, prijësi i foltoreve të demokratëve, ka mbajtur, deri më tani, mbi 26 foltore në të gjithë vendin. Mbështetja e pakushtëzuar që është treguar për liderin historik është parë dukshëm në përfaqësimin e mbështetësve të bazës, të cilët kanë stërmbushur sallat ku ato janë mbajtur.
Foltorja u ka dhënë hapsirë të mjaftueshme mbështetësve të Partisë Demokratike të risjellin, pas nëntë viteve, zërin e bazës dhe elektoratit në qendrën e Partisë, e cila e kishte shkëputur totalisht kontaktin, duke kaluar në një gjum letargjik opozitar. Frymëzimi që nxiti foltorja, i motivoi delegatët të mblidhnin firmat e nevojshme për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar.
Kujtojmë këtu se kjo nismë erdhi pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të shpallur NON GRATA liderin historik të kësaj partie, Prof.Dr.Sali Berishën. Pas marrjes së vendimit, kryetari aktual Lulzim Basha, ndërmori, më 9 Shtator, një vendim individual për përjashtimin nga Grupi Elektoral, Sali Berishën, në shkelje totale të Statutit të Partisë.
Ky akt “vetëvrasës”i z.Basha, solli menjëherë reagimin e dr.Berishës, duke ngritur një aksion për një turne me foltore në mbarë vendin, me synimin e ruajtjes së sovranitetit të Partisë dhe moscënim të individit brenda partisë, kushdo qoftë ai. Pra, qëllimi i aksionit të z.Berisha, sipas tij, është moslejimi i krijimit të një kryetari autoritar, si dhe dhe mosvrasje të demokracisë brenda partisë, pavarësisht se cilët janë faktorët politik.
Nga ana tjetër, Lulzim Basha, pasi është njohur me firmat e delegatëve, edhe pse nuk e njeh kuvendin, ka thirrur, më datë 18 Dhjetor, një Antikuvend, i cili pritet të “eklipsojë” atë të datës 11. Kjo në kuadër të sfidës së lidershipit, për t’u treguar demokratëve se cili është lideri i vërtetë brenda partisë dhe kush gëzon mbështetjen maksimale në Parti.
Pyetja që lind në këtë mes është; Berisha apo Basha do të jetë lideri i ardhshëm i Partisë Demokratike? Kush do ta udhëheqë atë drejt zgjedhjeve të vitit 2024? Po të nisemi nga pesha e firmave që disponojnë delegatët, duket sikur dr.Berisha ka siguruar një terren më të gjerë drejt kryesimit të partisë. Humbjet në seri të Lulzim Bashës, dhe marrëdhënia misterioze politike me Edi Ramën, bëjnë që reputacioni i këtij të fundit të jetë i mjeruar dhe ai të qendrojë nën petkun e statusit të një “Broken Leader” (lider i thyer).
Situata mbetet ende e paqartë mbi konkluzionet që do të sjellë kjo iniciativë e mbajtjes së Kuvendit Kombëtar, por paranteza e situatës aktuale, tregon qartë për një peshore të anuar nga dr.Berisha. Data 11 do të jetë vendimtare për të kuptuar se kush nga të dy liderët gëzon kuorumin për të fituar mandatin në krye të partisë pas zgjedhjeve ‘një anëtar një votë, e cila do të ndërmeret, si akti I radhës, fill pas Kuvendit’.
Deri në datën 11, por edhe pas saj, saga vazhdon...!