Mundësia alternative e kryerjes së haxhit
Para ca ditësh lexova në portale turke për hedhjen e shortit nga ana e Dijanetit ( Kryesisë së Bashkësisë Islame) për kryerjen e haxhit, me ç’rast janë zgjedhur 80.000 besimtar mysliman nga Turqia që kanë fituar të drejtën për të kryer haxhin këtë vit. Vjet numri i atyre që prisnin radhën për të kryer haxhin në Turqi ishte 1.800.000, sivjet këtij numri iu shtuan edhe 300.000 besimtar tjerë në Turqi që kanë shprehur dëshirën për të kryer haxhin, ashtu që sivjet ishin 2.100.000 kërkesa të besimtarëve në Turqi për të kryer haxhin, pas shortit të hedhur, tani kanë mbet edhe 2.020.000 besimtar që duhet të presin me radhë me vite të tëra për t’ju dal emri pas hedhjes së shortit dhe për të fituar të drejtën e shkuarjes në haxh. Duke marr parasysh se kuota për Turqinë për haxh është vetëm 80.000 atëherë për të shkuar të gjithë besimtarët mysliman të regjistruar në Turqi do të ju duhen edhe 25 vjet, ndërsa në ndërkohë për 25 vite te ardhshme do të paraqiten edhe 7.500.000 kandidat tjerë potencial për të kryer haxhin vetëm nga Turqia. Ashtu që ky rreth vicioz assesi të përmbyllet dhe do të sillet në pakufi në rast se nuk ndryshon qasja e perceptimit të tanishëm të kryerjes së haxhit.
Çdo vit përafërsisht rreth 2 milion besimtar mysliman kryejnë haxhin nga mbarë bota . Edhe pse besimtarët myslimanët nga Ballkani(Bosnja, Sanxhaku, Shqipëria, Kosova, Maqedonia ) nuk kanë problem për të kryer haxhin, pasi nuk plotësojnë kuotën e lejuar prej 0,1% të numrit të myslimanëve nga numri i tërësishëm i banorëve të një shteti, për dallim nga shtetet e Ballkanit, shtetet tjera të botës islame, sidomos shtetet e mëdha myslimane po hjekin të zitë e ullirit për të kryer Haxhin për shkak të numrit të kufizuar të haxhinjëve, të kuotës prej 0,1% të numrit të përgjithshëm të popullatës së shtetit, kanë të drejtë të kryejnë haxhin brenda një viti. Besimtarët mysliman nga shtetet e mëdha sikurse që janë: Indonezia, Pakistani, India, Bangladeshi, Egjipti, Nigeria, Turqia, Irani, etj., po duhet me dhjetëra vite të presin për të fituar të drejtën e shkuarjes në haxh.
A thua ka zgjidhje për këtë problem aktual me të cilin ballafaqohen besimtarët mysliman që për shkak të numrit të kufizuar nuk po arrijnë të kryejnë haxhin vite me radhë, a duhet të ju ofrohet ndonjë mundësi alternative për të kryer haxhin? Me siguri se po, por së pari duhet ndërruar qasja e perceptimit të kryerjes së haxhit nga ditët e caktuara të muajit Dhulhixhe,(muaji sipas Kalendarit islam) në muajt e caktuar të haxhit sipas porosisë së shpallur kur’anore. Me këtë ndryshim të perceptimit të kryerjes së haxhit nga ditët e caktuar në muajt e caktuar, do të jetë e mundshme që kjo përqindje e tanishme prej 0,1 % të besimtarëve mysliman në botë që kryejnë haxhin, të mund të ritet në 1% të besimtarëve myslimanëve në botë që do të mund të kryenin haxhin brenda një viti .
Në Kur’an, në suren(kaptinën) Bekare, në ajetin 197 shkruan: ”Haxhi është në muajt e caktuar...”. Nga kjo nënkuptohet se haxhi mund të kryhet brenda muajve të caktuar të vitit, e këto muajt janë Shevali, Dhulkade dhe Dhulhixhe (muajt sipas Kalendarit islam). Gjatë kohës së pejgamberit tonë të dashur Muhamedit a.s . haxhi është kryer në ditët e caktuara, dhe atë në dhjetë ditët e para të muajit Dhulhixhe, pasi që numri i haxhinjëve në fillim ishte shumë më i vogël, përafërsisht sillej rreth 100.000 besimtar që kryenin haxhin gjatë vitit. Por tani, në kohën në të cilin jetojmë, numri i myslimanëve në botë është mbi 1,5 miliard mysliman, dhe kërkesat për kryerjen e haxhit janë gjithnjë e më të mëdha, për të mundësuar një numri sa më të madh të besimtarëve që të kryejnë haxhin, duhet t’ju mundësohet që haxhin të mund të kryenin prej javës së parë të muajit Sheval dhe të përfundojë me pesëmbëdhjetë ditët e muajit Dhylhixhe, ashtu që për çdo javë mesatarisht do të mund të kryenin haxhin nga 1, 5 milion haxhinjë, që do të thotë se gjatë 10 javëve të vitit do të mund të kryenin haxhin rreth 15 milion mysliman . Numri prej 1,5 milion haxhinjëve gjatë një jave që do të kryenin haxhin( pasi që brenda 1 jave besimtarët lirisht mund të kryejnë të gjitha ritualet e parapara të haxhit në Meke) do të ishte më e përballueshme edhe për organizatorin e haxhit, Ministrinë së Haxhit dhe Umresë të Arabisë Saudite, për dallim nga 2, 5 milion haxhinjë që vjet e kanë kryer haxhin , i cili me të vërtet sjell vështirësi më të mëdha organizative.
Por për të nisur realizimi i kësaj mundësie alternative të kryerjes së haxhit do të duhej të ndryshojë perceptimi aktual i dijetarëve islam e në botën islame lidhur me kryerjen e haxhit nga ditët e caktuar, dhjetë ditët e para të muajit Dhulhixhe, gjatë së cilës e ka kryer haxhin profeti ynë i dashur, Muhamedi a.s. dhe cila traditë profetike vazhdon akoma në ditët e sotshme, në muajt e caktuar (Sheval, Dhulkade dhe Dhulhixhe) në pajtim të plotë me porosinë kur’anore. Por ia vlen të provohet, pasi që tjetër alternativë nuk ka, pasi që në vend të 2,5 milion haxhinjëve që tani kryejnë haxhin në vit, do mund të kryejnë 15 milion besimtar mysliman haxhin në vit, që është 6 herë më shumë se tani, me të cilin sado kudo do të mundësohet një numrit sa më të madh të besimtarëve mysliman që kanë kushte materiale të mund të kryenin haxhin, përkundër realitetit të tanishëm të hidhur të cilët për shkak të kësaj praktike të gjertanishme të kryerjes së haxhit, nuk janë në gjendje të arrijnë të kryejnë haxhin, për shkak të numrit të kufizuar, ashtu që ndodh edhe të ndërrojnë jetë e të mbesin me merakun qe nuk kanë arritur të kryejnë haxhin me kohë gjatë jetës së tyre, edhe pse kanë pasur kushte materiale.
Përveç ndryshimit të perceptimit të kryerjes së haxhit nga ditët e caktuar, në muajt të caktuar duhet edhe vullnet politik për të mundësuar këtë qasje alternative të kryerjes së haxhit. Por për momentin që jemi, ky vullnet politik me siguri do të mungojë, pasi që mbretëria e Arabisë Saudite, gjegjësisht mbreti si kujdestar i dy haremeve të shenjta, Mekës dhe Medinës këtë nuk do të lejojë. Nuk duhet që vetëm mbreti i Arabisë Saudite të ketë këtë drejtë ekskluzive lidhur me kryerjen e Haxhit dhe Umresë, për këtë arsye nuk janë jashtë logjike thirrjet anembanë botës islame që për kujdesin e dy vendeve të shenjta, Mekës dhe Medinës, dhe kryerjen e Haxhit dhe Umresë, do të duhej të formohet një komision mbarë botëror mysliman i cili do të kujdeset dhe do të menaxhojë organizimin e Haxhit dhe Umresë, pasi që këto dy vende të shenjta i përkasin të gjithë myslimanëve të botës, dhe ky komitet me siguri do të kishte menaxhuar me më shumë sukses dhe efikasitet se që tanimë është duke menaxhuar për momentin Ministria e Haxhit dhe Umresë e Arabisë Saudite organizimin e Haxhit dhe të Umresë.