Parimi i Martesës në Univers

nga Al-lame Muhamed Taki Xhaferi | Publikuar në Tet. 14, 2017, 1:40 a.m.

“Dhe Ne krijuam prej çdo sendi dy lloje (mashkull e femër) që ju të përkujtoni (madhështinë e Zotit).” [Kur'ani i Shenjtë, 51:49].

Sistemi i bashkimit dhe çiftimit te lënda e pajetë

All-llahu, me mençuri dhe me urtësi, ka dëshiruar që çdo gjë ta krijojë në çifte në rendin e qëndrueshëm dhe ekstensiv të Krijimit. Në skenën ekspansive të krijimit çiftimi i çdo gjëje është një e vërtetë absolute, pa asnjë përjashtim. Edhe para se njeriu të arrinte ta mësonte këtë fakt me anë të dijes së tij dhe të kryente kërkime shkencore për të, Kurani i Madhëruar e ka bërë të njohur këtë të vërtetë në ajete të shumta, duke përfshirë edhe ajetin 49 të sures së bekuar me titull "Erërat shpërndarëse (Edh-Dharijat )". Ky fakt shkencor përfshin gjithçka në Krijim, duke përfshirë objektet e pajeta, bimët, shtazët dhe njerëzit.

Kjo deklaratë e rëndësishme, që është një fakt shkencor dhe një shprehje e qartë në lidhje me gjithçka që është në gjithësi, nënkupton një nga mrekullitë e Kur'anit të Lavdishëm që është përmendur disa shekuj para se të ndodhte rilindja shkencore, në një qytet si Meka apo Medina, me një numër të paktë njerëzish që mund të lexonin ose të shkruanin dhe në mungesë të librave apo të shkollave. Kjo deklaratë kur'anore (51:49) është gjithashtu një shkak i fuqishëm që vërteton origjinalitetin e këtij shkrimi të shenjtë, të qenët të tij një libër shkencor dhe e përligj pejgamberinë e të dërguarit të fundit, Muhamedit (a.s.).

Kur'ani i Lavdishëm ka ajete të tjera në lidhje me aspekte të tjera të Krijimit që i kanë habitur dhe hutuar shkencëtarët e sotëm dhe që nuk kanë lënë vend për dyshim rreth drejtësisë së tij te të gjithë njerëzit, të çfarëdo rangu apo pozite qofshin ata, si dhe për faktin se ai është dritë udhëzuese në jetën e njeriut.

“Ky është libri në të cilin nuk ka dyshim (sepse është prej All-llahut), është udhëzues për ata që janë të devotshëm.” [Kur'ani i Shenjtë, 2:2]
Mirësia dhe mëshira hyjnore ka vendosur në natyrën e brendshme të të gjitha çifteve të çdo lloji: prirjen, tërheqjen, marrëdhënien e dashurisë dhe afinitetin e fortë për njëri-tjetrin, që çojnë në martesë, në konsumimin e saj, në lindjen dhe rritjen e popullsisë. Kështu, rendi madhështor i Krijimit vazhdon dhe të gjitha krijesat, të çdo gjinie apo lloji, do të arrijnë lumturinë dhe kënaqësinë e jetës dhe do të përfitojnë nga ekzistenca e tyre dhe nga shoqëria e qenieve të tjera.

Marrëdhënia e gjenerimit në botën e objekteve të pajeta, në çfarëdo forme që merr, manifestohet në prirjen për kombinimin e një elementi me një tjetër, që rezulton në krijimin e një elementi të tretë. Le të shqyrtojmë kombinimin e oksigjenit dhe hidrogjenit, të cilët janë të dy elemente të ndezshme. Rezultati i kombinimit të këtyre gazrave të djegshëm është uji i ftohtë që është lëngu thelbësor për të jetuar dhe për t’u gëzuar. Të gjitha këto që pasojnë janë mrekulli të krijimit dhe rezultat i vullnetit dhe mëshirës së Zotit të të dy botëve. Për shembull, këtu mund të përmendet tërheqja e ndërsjellë, së bashku me rezultatet e saj të shumta, apo rasti i rrymave pozitive dhe negative me përfitime të panumërta. Kjo marrëdhënie në mes të dy elementeve dhe afiniteti i tyre për njëri-tjetrin dhe, thënë shkurtimisht, tërheqja që ekziston midis objekteve të pajeta, është shkaku i gjenerimit dhe vazhdimit të ekzistencës së tyre dhe i përjetësisë së rendit të shkëlqyer të Krijimit, si dhe i hapësirës së bukur ​​të ekzistencës.

Vërtet, çfarë fuqie mahnitëse dhe çfarë vullneti madhështor shfaqet kur krijohet një lidhje e tillë e ngushtë mes dy elementeve të djegshme. Kombinimi i këtyre dy elementeve krijon ujin e ftohtë, bollëkun e këndshme të burimeve, lumenjtë gurgullues, detet e thella, oqeanet e pafundme dhe shiun e imët. Çfarë fuqi e mrekullueshme është ajo që rezulton në prodhimin e diamanteve nga kombinimi i elementeve në thellësinë e tokës së errët, në mes të granitit, në vendin ku gjenden shkëmbinjtë e zi si katrani, më të errët se nata!

Çfarë vullnet i fuqishëm ekziston që mund të formojë agat e kuqe nga kombinimi i disa materialeve në minierat e errëta të Jemenit dhe të nxjerrë gurët e bruzit me ngjyrë të kaltër nga toka e thellë e Nejshaburit! Gjithashtu, nga kombinimi i tokës me fosilet e kafshëve krijohen dhe përftohen mijëra gjëra të dobishme për njeriun. Çfarë mëshire dhe mirësie ekziston që, nëpërmjet kombinimit të tokës dhe gurëve, apo të materialeve të tjera me tokën dhe gurët, krijon metale të tilla të dobishme si: ari, argjendi, bakri dhe hekuri! Çfarë vullnet i fuqishëm dhe urtësi madhështore ekziston që iu dhuron krijesave të Tij bekime kaq të shumta nga kombinimi i elementeve me njëri-tjetrin! Çfarë vullnet i fuqishëm dhe urtësi madhështore ekziston që ka krijuar një lidhje të tillë të ngushtë midis diellit dhe tokës, midis grumbullit të elementeve të këtij lëmshi të zjarrtë dhe elementeve të tokës! Bekime të shumta rezultojnë nga kombinimi i elementeve të diellit dhe të tokës. Siç thotë Allahu në Kuranin e lavdishëm, askush nuk ka aftësi për t’i numëruar këto bekime.

Zoti është Ai që krijoi qiellin dhe tokën, lëshoi ​​shiun prej qiellit dhe me anë të shiut ju dha fruta për të ngrënë. Ai i vuri anijet nën kontrollin tuaj në mënyrë që ju mund t'i bëni ato të lundrojnë në det dhe Ai iu dha kontrollin e lumenjve në të gjithë Tokën. Dhe ju dha pushtet mbi diellin e hënën, të cilët janë në lëvizje të vazhdueshme dhe ju lejoi të përfitoni nga dita dhe nata. Çfarëdo që ju keni kërkuar prej Tij, Ai ua ka dhënë. Nëse ju përpiqeni t’i numëroni bekimet e Zotit, ju nuk do të jeni në gjendje ta bëni këtë!
 

 “All-llahu është Ai që i krijoi qiejt dhe tokën, dhe Ai lëshoi prej së larti ujë (shi), e me të nxjerr fruta si ushqim për ju, dhe për të mirën tuaj u vuri në shërbim anijet, të lundrojnë nëpër det me urdhrin e Tij, e në shërbimin tuaj i vuri edhe lumenjtë. Për ju i nënshtroi diellin dhë hënën që në mënyrë të zakonshme vazhdimisht udhëtojnë. Për ju përshtati edhe natën e ditën. Dhe Ai ju dha gjithatë që e kërkuat (që kërkoi nevoja juaj) dhe, edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e All-llahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër). Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës.” [Kur'ani i Shenjtë, 14:32-34]

Shkalla e afinitetit dhe e tërheqjes së elementeve, të qenët e tyre negative apo pozitive dhe marrëdhënia e dashurisë mes tyre për gjenerim, bazohet mbi një sistem të rregullt, mbi ligje të veçanta, rregulla efikase dhe të drejta. Në këto prirje (apo tërheqje) nuk mund të gjenden teprime dhe këto marrëdhënie dhe ky sinqeritet nuk ndryshon kurrë. Në këtë skenë të bukur dhe të gjerë dashurie nuk ekziston asnjë zemërim apo luftim, asnjë grindje apo kundërshtim.

Divorci dhe ndarja nuk kanë kuptim në këto lidhje dashurore. Nëse në këtë shtrirje të madhe të Krijimit do të ekzistonte divorci, zemërimi, kundërshtimi, ndarja dhe urrejtja, atëherë padyshim zvetënimi do ta përfshinte plotësisht tokën, do të bëhej rrëmujë dhe do të shkatërrohej çdo gjë.

Të gjitha elementet në botën e objekteve pa jetë kanë një madhësi dhe peshë të përcaktuar. Të gjithë këta trupa të pajetë kanë distancat e duhura dhe zhvillohen dhe qarkullojnë në bazë të pozitës së tyre. Kombinimi i tyre me njëri-tjetrin bazohet mbi bashkimin e tyre. Elementet nuk e prishin rendin e tyre të paracaktuar dhe nuk armiqësohen duke luftuar me njëri-tjetrin. Kudo që ekzistojnë në këtë sistem të rregulluar, ata respektojnë kufijtë e tyre të ligjshëm të ekzistencës.
“As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata nuk mund t’ia kalojë ditës, po secili noton në orbitat e veta.” [Kur'ani i Shenjtë, 36:40 ]

Në peshën, madhësinë, gjatësinë, gjerësinë, thellësinë, ngjyrën dhe cilësitë e trupave qiellorë nuk ndodh asnjë ndryshim; dhe distanca e tyre nga njëri-tjetrin është gjithmonë konstante. Për shembull, distanca midis Diellit dhe Tokës, që është përafërsisht 150 milionë kilometra, nuk rritet apo zvogëlohet kurrë.

Nëse distanca do të rritej, të gjitha krijesat tokësore do të ngrinin nga të ftohtit, nëse distanca do të zvogëlohej, të gjitha elementet e globit tokësor do të digjeshin krejtësisht. Në të gjitha krijesat nuk mund të manifestohet asgjë tjetër përveç njohurisë, drejtësisë dhe urtësisë së pafundme, të cilat që të gjitha bazohen mbi vullnetin e Zotit. Kjo është arsyeja pse gjithmonë ata që kanë ndërgjegje dhe që janë të drejtë, ata që mendojnë dhe kuptojnë, ata që janë të pastër dhe të dëlirë, e shohin përzemërsisht sistemin e Krijimit dhe e kujtojnë përulësisht Krijuesin – organizatorin madhështor të këtij rendi. Ata sinqerisht thonë:
“Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot!” [Kur'ani i Shenjtë, 3:191]
 

Po! Rregullshmëria, ligjet, kufijtë, rregullat dhe faktet manifestohen, nga brenda dhe nga jashtë, në të gjitha elementet e Krijimit. Dhe emrat dhe atributet e Allahut shfaqen në të gjitha krijesat në mënyrë aq të qartë sa që edhe analfabetët mund t’i lexojnë dhe t’i kuptojnë ato.
Gjëja më e çuditshme është se të gjitha këto krijesa, me sistemet e tyre të veçanta, drejtohen drejt të dashurit të tyre dhe synimit të tyre që është Zoti i Plotfuqishëm.
Dhe se kthimi i fundit do të jetë te Zoti yt.” [Kur'ani i Shenjtë, 53:42]

Sistemi i simbiozës së bimëve
Sistemi i kombinimit ose, me fjalë të tjera, pllenimi dhe riprodhimi në mbretërinë e perimeve dhe bimëve kryhet në një mënyrë të tillë që çdo vëzhgues do të habitej tërësisht. Këtu është e pamundur që t’i shpjegojmë të gjitha aspektet e kësaj çështjeje të rëndësishme, pasi kjo do të merrte shumë kohë. Lexuesve të mi të dashur do t’u paraqes me disa fjali një vështrim të shkurtër rreth këtij fakti të mrekullueshëm shkencor, të shoqëruar me kushtet e veçanta dhe ligjet e habitshme të tij, si dhe planet e tij të rregulluara jashtëzakonisht saktë. Nëse dikush u ka kushtuar një vëmendje të veçantë luleve të ndryshme, ai duhet të ketë parë disa thekë delikatë në mes të luleve që quhen shtyllëza. Numri i tyre ndryshon nga lulja në lule. Gjithsesi ekziston një arsye e caktuar për këtë gjë. Në majë të tyre gjendet një kokërr e vogël e verdhë që quhet pjalmore. Ekziston një qese e vogël me katër gavërza në të cilën poleni vendoset në pjalmore. Pluhur i imët, që quhet polen, përbëhet nga thërrmija mikroskopike të cilat në fakt janë shumë të ngjashme me spermën e kafshëve. Pas përfundimit të procesit të pllenimit mes pjalmit  dhe pjesëve femërore, formohen farat e luleve. Grimcat e polenit që janë shumë të vogla kanë brenda vetes një strukturë tepër komplekse dhe kryejnë në mënyrë të habitshme një punë të ndërlikuar. Në to gjenden sasi të mëdha protoplazme, yndyre, sheqeri, amidoni dhe lëndë nitrike dhe në mes ekzistojnë dy bërthama, njëra prej të cilave është më e vogël se tjetra. Bërthama më e madhe quhet fara e rritjes, kurse më e vogla është quajtur fara riprodhuese. Funksionet e të dyja do t’i shpjegojmë më poshtë.

Pistili
Kjo është pjesa e vendosur në aksin e lules dhe në pjesën e lartë ka një pjesë të ngritur që quhet krezë e pistilit. Sipërfaqja e tij është e mbuluar me një material ngjitës për të mbajtur polenin dhe për të ndihmuar rritjen e tij.
Në fund të pistilit, i cili i bashkëngjitet pjesës së sheshtë të lules, gjendet një seksion i ngritur që quhet vezore. Ajo mban fara të vogla të ngjitura në murin e vezores me anën e strukturave të ngjashme me bishttha të vegjël, nëpërmjet të cilëve ato thithin ujin dhe materialet e nevojshme. Edhe vezorja gjithashtu ka një strukturë të dallueshme.

Riprodhimi
Pasi kapsulat e farave hapen dhe poleni arrin krezën femërore, ai menjëherë fillon të rritet. Duhet të thuhet se ekzistojnë mënyra të ndryshme nëpërmjet të cilave poleni mund të arrijë krezën. Vëzhgimi i këtij fakti të thjeshtë i befason jashtëzakonisht ata që e studiojnë Krijimin.
Ekzistojnë insekte të ndryshme që e kryejnë instinktivisht këtë funksion të rëndësishëm. Ato tërhiqen nga lulet për shkak të aromës dhe ngjyrës së tyre dhe posaçërisht për shkak të materialit të ëmbël brenda tyre. Duke u ulur në lule, ato e transferojnë polenin e ngjitur në këmbët e tyre, duke e bërë veçanërisht të domosdoshme që, te lulet, shtyllëzat e veçanta mashkullore dhe femërore të përcaktohen mbi baza të ndryshme.

Siç u përmend më parë, pasi poleni vendoset mbi krezën e pistilit, ai fillon të rritet. Bërthama më e madhe, duke qenë një bërthamë rritëse, fillon të rritet me polenin dhe lëviz drejt vezores, afër së cilës ajo shpërbëhet tërësisht.
Sidoqoftë, bërthama më e vogël, e cila është riprodhuese, kalon përmes një tubi të vogël që hyn në vezore dhe bashkohet me qelizat vezë. Riprodhimi zhvillohet në atë hapësirë ​​të fshehtë të errët dhe kështu një lule e re do të lindë.

Njeriu, uji dhe ajri janë disa prej mënyrave të tjera me anë të të cilave riprodhohen bimët dhe perimet. Në botën e bimëve, ashtu si në atë të objekteve të pajeta, funksionojnë ligje të caktuara për kombinimin dhe riprodhimin nëpërmjet vullnetit të Zotit. Këto ligje kryhen pa asnjë vështirësi, grindje apo divorc. Në këtë mënyrë, njeriu dhe krijesat e tjera të gjalla sigurojnë ushqimin e tyre.

Sistemi i çiftimit dhe riprodhimit të kafshëve
Tërheqja e kafshës mashkull për një femër dhe tërheqja reciproke që ekziston mes këtyre dy qenieve të gjalla, posaçërisht për shijimin e kënaqësisë së jetës, për riprodhimin dhe mbijetesën e llojit, është një nga mrekullitë biologjike. Kushdo që mendon në lidhje me dëshirën dhe vëmendjen që i kushtohet nga ana e kafshëve kësaj çështjeje jetike dhe mbi rregullin dhe disiplinën që e udhëheq çiftimin dhe ndërzimin, do të befasohet së tepërmi.
Të gjitha çështjet që vijojnë janë në të vërtetë manifestim i vullnetit të Zotit dhe konsiderohen të jenë mrekullitë e krijimit: bashkëpunimi i çiftit në ndërtimin e folesë së tyre; struktura e folesë; ruajtja e sekreteve të tyre; zgjedhja e vendit dhe e kohës; dhe më e rëndësishme se të gjitha këto është çiftimi. Mrekulli të tjera të tërheqin vëmendje te kushtet e zogjve të vegjël dhe sigurimit të tyre me ushqim, të mësuarit me atë që ata duhet të mësohen dhe të mbrojturit e tyre nga rreziku dhe ngjarjet e papritura etj.

Njeriu me të vërtetë befasohet nga bota e sekreteve të gjitarëve dhe të zogjve që lëshojnë vezë: çiftimi, vëmendja që ata i kushtojnë ruajtjes së vezëve, fetusit dhe të sapolindurve. Kushtet dhe rregullat që udhëheqin çiftimin, mbarsjen dhe riprodhimin janë të përshtatshme dhe bazohen mbi ligjet hyjnore. “Nuk ka asnjë nga gjallesat, e që Ai të mos e ketë nën sundim, vërtet Zoti im është i drejtë.” [Kur'ani i Shenjtë, 11:56]
Asnjë kafshë nuk përpiqet që të tërheqë kafshën e ndonjë specieje tjetër. Kafsha mashkull nuk devijon nga rruga e tij e drejtë hyjnore dhe në instinktet seksuale të kafshëve nuk gjendet asnjë devijim. Sperma mashkullore është paramenduar për femrat e të njëjtit lloj dhe asnjë specie tjetër nuk është marrë në konsideratë.

Kafshët nuk i sulmojnë femrat që i përkasin meshkujve të tjerë të së njëjtës specie dhe ata nuk i ndjekin kafshët femërore të specieve të tjera. Shpendët që pjellin vezë dhe gjitarët nuk ndryshojnë në këtë drejtim.
Ata që meditojnë mbi rendin dhe disiplinën e të gjitha çështjeve, sidomos çiftimin dhe riprodhimin e zogjve, zvarranikëve, bimëngrënësve dhe krijesave ujore do të habiten vërtet. Mënyrat  jetësore të kafshëve dhe rregullat që i drejtojnë ato janë leksione të mira për ata njerëz që nuk e kanë marrë udhëheqjen e Zotit dhe jetojnë një jetë pa spiritualitet. Kafshët janë të ngjashme me objektet pa jetë, me elementet kimike, me hënën, tokën, qiellin dhe me bimët për sa i përket rendit dhe disiplinës.

Njeriu dhe martesa

Çiftimi, mbarsja dhe riprodhimi në botën e objekteve të pajeta, të bimëve dhe kafshëve bazohen në rregullat e Krijimit dhe mënyrën korrekte të instinkteve. Kjo çështje jetike dhe ky program natyror madhështor megjithatë duhet të kryhet dhe të bazohet mbi rregullat hyjnore, mbi ato rregulla qiellore të theksuara në Kuran dhe në thëniet hyjnore të Pejgamberëve dhe Imamëve (udhëheqësve hyjnorë).
Përbërësit bazë të këtij fakti (të martesës) janë vendosur te burri dhe gruaja në formën e instinkteve, tërheqjes, miqësisë, dashurisë dhe mirësisë dhe janë rregulluar sipas dëshirës së urtë të Zotit.

 “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” [Kur'ani i Shenjtë, 30:21]

“Dhe Ai nga uji (fara) krijoi njeriun, dhe e bëri atë të ketë fis dhe të ketë miqësi. Zoti yt ka mundësi të jashtëzakonshme.” [Kur'ani i Shenjtë, 25:54]

Në kulturën e papërlyer islame, veprimi i zgjedhjes së bashkëshortit rekomandohet dhe admirohet fuqimisht si një program i shkëlqyer. Nëse të qenët i pamartuar mund ta çojë dikë deri në kryerjen e mëkateve, është absolutisht e detyrueshme që ai të martohet. Në këtë pikë, çdokush duhet ta zbatojë me gjithë zemër urdhrin e Zotit në lidhje me martesën dhe nuk duhet të frikësohet për shpenzimet që përfshin ajo, pasi shqetësimi në lidhje me shpenzimet e jetesës në të ardhmen është një mendim djallëzor që rezulton nga dobësia mendore dhe që nuk mbështetet në dëshirën e Zotit. Tani le të shqyrtojmë ajetin e mëposhtëm kur'anor nga kapitulli Nur, në lidhje me martesën dhe garancinë e Zotit për të siguruar shpenzimet jetësore:

“Dhe martoni të pamartuarat (të pamartuarit) edhe robërit e robëreshat tuaja që janë të ndershëm e të ndershme. Nëse janë të varfër, All-llahu i begaton nga mirësitë e Tij, All-llahu është bujar i madh, i gjithëdijshëm.” [Kur'ani i Shenjtë, 24:32]
Fjalë për fjalë, "martoni" në këtë ajet është një urdhër që iu adresohet të gjitha burrave dhe grave të shoqërisë.  Nga ky ajet çdokush mund të konkludojë se martesa është e domosdoshme për ata që kanë nevojë për t'u martuar, pasi përndryshe shëndeti dhe dëlirësia e tyre do të rrezikohet. Ajeti gjithashtu shërben për t’i udhëzuar prindërit, dhe ata që mund t’i paguajnë shpenzimet e dasmës, që t’i martojnë të rinjtë dhe të rejat.

Jini dashamirës në bërjen e përgatitjeve për martesë


Është një çështje e natyrshme, njerëzore dhe jetike që burrat të tërhiqen nga gratë dhe anasjelltas, veçanërisht kur sythat e instinkteve çelin dhe lulja e epshit shfaqet në shkallën dhe fuqinë e saj më të lartë, në kohën kur njeriu është për martesë. Martesa është një çështje e pamohueshme për të gjithë. Dëshira e drejtë e të rinjve, qofshin ata djem apo vajza, në lidhje me të ardhmen e krijimit të një jete martesore është një e vërtetë e qartë. Kjo e vërtetë është e qartë si dielli që ndriçon në mes të ditës për të gjithë, veçanërisht për prindërit të cilët kanë fëmijë në moshën e martesës. Mënyra më e rëndësishme dhe më e mirë për t’i parandaluar mëkatet dhe për ta mbrojtur shoqërinë nga rënia në vorbullën e korrupsionit është martesa e të rinjve dhe të rejave, kur ata kanë nevojë për t'u martuar. Kjo nuk mund të mohohet nga askush, përveçse nga të paditurit dhe injorantët. Duke u bazuar në diskutimin e mësipërm, gjatë fazës së parë të këtij bashkimi, prindërit, të afërmit dhe çdokush tjetër që ka lidhje me martesën e çiftit, duhet të jenë dashamirës në përgatitjen e lehtësive për këtë çështje hyjnore. Ata duhet t’i bëjnë rregullimet e dasmës në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Në fazën e ardhshme është e nevojshme që burri dhe gruaja që planifikojnë të martohen t’i shmangin premtimet pa vend ndaj njëri-tjetrit. Po ashtu, ata duhet ta shmangin krijimin e kushteve të rrepta për martesë, ashtu që prirjet, instinktet, epshi dhe dëshirat të mund të ndjekin me lehtësi rrugën e tyre natyrale dhe që themelet e jetës të vendosen me mbarësi. Kështu, ndërtesa e suksesit do të lartësohet në këtë botë dhe në botën tjetër. Sipas haditheve dhe ajeteve kur'anore, pa dyshim Zoti Mirëdashës do të jetë dashamirës në këtë botë dhe veçanërisht në botën tjetër për sa u përket veprave të atyre që janë dashamirës në lidhje me çështjet e tyre, sidomos me veprat që lidhen me martesën e bijve dhe bijave të tyre. Nga ana tjetër, burrat dhe gratë që janë shumë të rreptë do të bëjnë që pasardhësit e tyre të vuajnë nga sëmundje nervore dhe psikike dhe të bëhen me karakter të keq, për shkak të presionit të instinkteve dhe epshit. Këta të pafajshëm mund të kryejnë mëkate dhe shpresat dhe dëshirat e tyre do t’i marrë era. Në këtë botë dhe veçanërisht në Botën e Përtejme, Zoti do të jetë i rreptë dhe i zemëruar me ta dhe ata do të digjen në zjarrin e zemërimit të Zotit. Të qenët tepër i matur në lidhje me martesën do të bëjë që njeriu të bëhet shumë i rreptë. Bashkimi i një çifti në natyrë bëhet jashtëzakonisht me lehtësi. Ky sistem superior padyshim nuk do të mund të ekzistonte tani nëse procesi i kombinimit dhe çiftimit në natyrë do të ishte i vështirë. 

O ju prindër dhe fëmijë! Mos u bëni tepër të rreptë në lidhje me përgatitjet për këtë bashkim hyjnor dhe human, në përcaktimin e dhuratës martesore, në përcaktimin e kushteve të martesës, në organizimin e ceremonisë së fejesës, ceremonisë fetare dhe ceremonisë së dasmës. Mos u bëni shumë të rreptë në lidhje me kryerjen e zakoneve lokale dhe mos propozoni plane të cilat janë përtej mundësive financiare të dy familjeve. Kryejeni martesën me lehtësi që Zoti Mirëdashës t’ua lehtësojë punët tuaja në këtë botë dhe në botën tjetër. Prandaj, praktikoni mënyrat e të devotshmëve dhe merrni leksione nga ky burim përfitimesh dhe bekimesh. Dhe ndërtojeni jetën tuaj duke u bazuar mbi karakteristikat e të devotshmëve, pasi lumturia dhe të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër janë për ata që ndjekin shembullin e të dashurve të Zotit të Përjetshëm. Kalifi i besimtarëve (Imam Aliu) i prezanton të devotshmit si vijon:

"Ata  vazhdimisht i nënshtrohen vetëkontrollit nga çdo përfshirje në korrupsion. Ata kërkojnë pak dhe prej tyre priten vetëm vepra të mira. Njerëzit ndihen të qetë dhe të sigurt në shoqërinë e tyre." [Hedayat ul-Elm, f. 651] Në çdo rast, ata që angazhohen me përgatitjet e dasmës duhet t’i shmangin këto që vijojnë: premtimet pa vend; imponimin e çështjeve të ndryshme të pamundshme ndaj atyre që bëjnë përgatitjet; pasimin e dëshirave trupore të ndokujt; zënien në kurthin e zakoneve të gabuara; të qenët tejet ziliqar ndaj asaj që kanë të tjerët; dhe, më në fund, të qenët tepër të rreptë në të gjitha punët e dasmës. Që nga fillimi, themeli i martesës duhet të bazohet mbi devotshmërinë, mirësinë, lehtësimin vetëm për hir të fitimit të kënaqësisë së Zotit. Pas kontratës së martesës, burri që ka parë gruan para martesës dhe që e ka aprovuar atë, duhet të fillojë një jetë të re me të dhe të garantojë vazhdimësinë e dashurisë dhe mëshirës hyjnore të vendosur mes çiftit. Dhe gruaja, i cili e ka parë burrin e saj para martesës dhe e ka pranuar atë, duhet të jetë një grua mirëdashëse që nuk hap telashe dhe që i respekton të drejtat e tij në të gjitha fushat. Rastet e mëposhtme nuk janë shenja të dinjitetshme: dhuratat tepër të shtrenjta martesore; ceremoni të shtrenjta; gosti me shumë të ftuar; ndjekja e zakoneve dhe traditave të palogjikshme dhe të papërshtatshme dhe imponimi i kushteve të rrepta. Ndërsa këto që vijojnë janë akte dinjitoze: çifti duhet të përputhet me njëri-tjetrin sipas rangut; të dyja familjet duhet t’i binden etikës islame; burri dhe gruaja duhet t’i respektojë të drejtat hyjnore dhe njerëzore; të dy partnerët duhet të vazhdojnë të jenë të dashur dhe të sjellshëm për vazhdimin e martesës dhe për të shmangur grindjet. Jeta e një çifti e tillë si ajo e kalifit të besimtarëve (Imam Aliut) dhe Fatimes (paqja e Zotit qoftë mbi të dy) është modeli më i mirë për çdo burrë dhe grua muslimane. Fatimja ishte burimi i paqes për burrin e saj, duke krijuar një ambient të qetë në shtëpi dhe Aliu (paqja e Zotit qoftë mbi të) ishte një model dhe një mësues i shkëlqyer për fëmijët dhe një ndihmës i këndshëm në punët e shtëpisë dhe familjes. Ai nuk ngurronte të ndihmonte në çështje të thjeshta rreth shtëpisë si: pastrim, përgatitjen e brumit të bukës dhe të ndihmonte në kujdesin për fëmijët. Ai nuk e linte gruan e tij që të lodhej në bërjen e punëve të shtëpisë dhe nuk e linte atë të bënte gjithçka rreth shtëpisë. Është e obligueshme për burrin dhe gruan që t’i respektojnë të drejtat e njëri-tjetrit dhe të jenë ndihmëtarë të njëri-tjetrit në të gjitha aspektet e jetës. Ata nuk duhet të mendojnë se shtypja kufizohet te Faraoni, te mbreti Nemrud dhe shtypësit e tjera përgjatë historisë. Çdo akt i padrejtë që i dëmton të tjerët është shtypja dhe Zoti nuk e pëlqen shtypjen dhe shtypësin. Ai nuk e pëlqen çdo shkelje të të drejtave të tjetrit, sado e parëndësishme qoftë. Në vijim do të citojmë, nga burime autentike, disa thënie të rëndësishme në lidhje me vlerën dhe rëndësinë e martesës dhe dobitë e saj. Shpresojmë se ju do ta kuptoni forcën e çështjeve hyjnore dhe do ta kuptoni se asnjë kulturë tjetër nuk i ka planet e urta dhe të mençura si të Islamit.

Thënie mbi vlerën dhe rëndësinë e martesës
1-Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
“Mëshira dhe përkujdesja e Zotit do t’i dhurohet njeriut në katër situata: kur bie shi, kur një fëmijë kujdeset me mirësi për babanë e tij/saj, kur dera e Qabesë (Shtëpisë së Zotit) është e hapur dhe kur hartohet një kontratë  martese dhe dy njerëz bashkohen me njëri-tjetrin në një jetë të re.” [Martesa në Islam, f. 17]

2-Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
“Ju duhet të martoheni dhe t’i martoni bijat dhe bijtë tuaj të pamartuar. Shenjë e prosperitetit të një muslimani është të paguajë shpenzimet që të martohet me një grua. Dhe asgjë nuk pëlqehet më shumë nga Zoti se sa një shtëpi muslimane që pasurohet nga martesa.” [Martesa në Islam, f. 7]

3-Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
“Martojini djemtë tuaj të pamartuar derisa vullneti i Zotit t'i bëjë ata të përmbajtur dhe ta shtojë bukën e gojës së tyre të përditshme, si edhe shpirtmadhësinë e tyre.” [Martesa në Islam, f. 8]

4- Pejgamberi (a.s.) i Shenjtë i Zotit ka thënë:
“Martesa është praktika ime dhe kush largohet nga ajo nuk i përket umetit tim.” [Bihar al-Anvar, v.103, f.222.]

5-Pejgamberi (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka thënë:
“Kushdo që martohet e ka plotësuar në fakt gjysmën e fesë së tij dhe [për të plotësuar] gjysmën tjetër ai/ajo duhet të jetë i devotshëm.” [Bihar al-Anvar, v.103, f. 219.]

6-Imam Sadiku (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka thënë:
Një burrë erdhi tek im atë, Imam Bekiri. Babai im e pyeti nëse ishte i martuar, ndërsa burri i tha ‘jo’. Pastaj babai im i tha atij se ai nuk do ta donte të gjithë botën me gjithçka në të, që të mos jetonte një natë pa gruan e tij. Pastaj babai im vazhdoi duke thënë se dy rekate lutjeje të një njeriu të martuar janë më të mira se një natë adhurimi dhe një ditë agjërimi të një njeriu të pamartuar. Pastaj babai im i dha burrit shtatë dërhemë dhe i tha atij që të blinte gjërat e nevojshme për martesë me këto para, pasi Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Zgjidhni një bashkëshort dhe kjo do të shkaktojë shtimin e bukës suaj të përditshme.” [Vasa’ il al-Shiia, v. 14, f. 7]

7- Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
“O të rinj! Kush prej jush ka mundësi të martohet le të martohet, ashtu që rrallë t’i shohë gratë e tjera dhe të mbetet pa mëkate.” [Martesa në Islam, f. 14]

8- Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
“Asnjë kontratë në Islam nuk është më e aprovuar nga Zoti se sa martesa.” [Bihar al-Anvar, v.103, f. 222]

9- Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
“Kush martohet ka fituar gjysmën e prosperitet.” [Mustadrak el-Vasa' il, Kapitujt hyrës, Kap.1]

10- Pejgamberi (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka thënë:
“Kushdo që martohet në moshë të re do të bëjë që shejtani të bërtasë dhe të thotë se: ‘ai që u martua shpëtoi dy të tretat e fesë së tij nga qasja ime.’ Robi i Zotit duhet të mbetet i virtytshëm për të ruajtur një të tretën tjetër.” [Bihar al-Anvar, v.103, f. 221]

Në fakt, martesa çmohet shumë në Islam dhe ajo është jashtëzakonisht e dobishme për burrin dhe gruan. Shpresojmë se familjet do ta lehtësojnë këtë çështje humane, hyjnore dhe të rëndësishme dhe do të abstenojnë nga bërja e kushteve të vështira për t’u përmbushur dhe se do të jenë më dashamirës. Dhe shpresojmë se ata do t’i kryejnë këto ceremoni në bazë të statusit të tyre social, duke u kënaqur me atë që kanë në dispozicion. Kështu që dëshirat e të rinjve do të përmbushen në mënyrë të natyrshme dhe instinktet e tyre, duke u dhënë nga Zoti si bekime, nuk do të kthehen në mëkate.

Cilat janë shkaqet rrënjësore të sëmundjeve nervore dhe psikike, të mungesës së vëmendjes ndaj çështjeve arsimore, të të qenët dembel në praktikimin e namazit, të dhunimit, prostitucionit, epshit dhe të devijimeve epshore? Kjo pyetje duhet të kërkohet nga prindërit të cilët janë shumë striktë dhe të kurthuar nga traditat dhe zakonet e gabuara dhe që janë jashtëzakonisht ziliqarë ndaj asaj që kanë të tjerët. Dhe gjithashtu kjo pyetje duhet të kërkohet nga ata të rinj që nuk janë të devotshëm dhe nga ata që kanë mundësi financiare për të siguruar martesën e të rinjve por nuk e shpenzojnë pasurinë e tyre në rrugën e Zotit. Çfarëdo përgjigje të logjikshme dhe të pranueshme që ata mund ta kenë në këtë botë, të njëjtën përgjigje ata do të kenë edhe para gjyqit të Zotit në Botën e Përtejme.