Komentimi i Fjalimit 32 të Nehxh-ul Belagas (pjesa e dytë)

nga Al-lame Muhamed Taki Xhaferi | Publikuar në Shta. 24, 2017, 9:43 p.m.

Jeta e Ndërgjegjësuar

 Përgjatë historisë kemi parë shumë njerëz që jeta e tyre ka qenë një jetë e ndërgjegjësuar dhe racionalizuar, apo kanë pasur disa karaktristika të kësaj jete. Karvani i profetëve, të dashurve të Zotit dhe njerëzve të iluminuar me mësimet racionale-gnostike ka qenë në lëvizje krahas atij të shumicës së njerëzve të zhytur në jetën e kulluar natyrore-shtazarake. Karvani i individëve të sublimuar përbëhet po nga këta njerëz të zakonshëm dhe përkundër imagjinatave pesimistike të disa individëve, njerëzit e lartësuar në “jetën e ndërgjegjësuar” nuk përbëjnë një përjashtim, ashtu sikur që natyra e tyre nuk dallon nga natyra e njerëzve të kategorisë së parë, pra ata që janë të apasionuar me jetën shtazarake. Bile përkundrazi, janë po këta njerëz të cilët duke bërë kurban intelektin, ndërgjegjen dhe tërë kapacitetin e tyre human kanë devijuar nga udha e drejtë njerëzore.

Thënë ndryshe, parimi i natyrës së jetës njerëzore me të gjithë ato talente dhe veçori  është  jetë e ndërgjejgësuar, dhe jo thjesht një jetë natyrore a të shfrenuar nën afektin e instinktëve. Ata të cilët janë zhytur në një jetë të tillë natyrore-shtazarake lëvizin dhe veprojnë kundër parimit, dhe aspak nuk është e vërtet që  njerëzit e kultivuar përbëjnë përjashtim, apo janë njerëz të jashtëzakonshëm. Faktorët që kanë ndikuar për kategorizimin e jetës në dy – të sublimuar dhe të zhytur në jetën e kulluar natyrore-shtazarake - janë të shumtë. Ne këtu do t’i analizojmë duke i ndarë në dy pjesë kryesore : Faktor të brendshëm dhe faktor të jashtëm.

1. Faktori  i brendshëm

 Përbën instinktet dhe afektet natyrale të njeriut të cilët në funksionimin dhe dinamikën e tyre nuk iu nënshtrohen asnjë parimi apo ligji human. Këto instinkte kërkojnë vetëm kënaqjen e tyre dhe kjo është një shtysë shumë e fortë dhe serioze. I vetmi faktor i aftë për moderimin e kësaj shtyse dhe kërkese është fuqia e personalitetit të njeriut, ku funksionimi i intelektit dhe ndërgjegjes shihet si parësor dhe individi merr seriozisht udhërrëfimin dhe drejtimin e këtyre dyve.

2. Faktor i jashtëm

 Përbën relacionet e jetës shoqërore që domosdoshmëria e tyre rrjedhë nga domosdoshmëria e vetë jetës shoqërore. E vërteta e hidhur është kjo, që njeriu, me gjithë ato kapacitete dhe dhunti të mrekullueshme, në reformimin dhe rregullimin e jetës shoqërore ka pësuar një disfatë të mjerueshëm. Që do të thotë se njeriu në përpjekje për sigurimin e përfitimeve dhe epërsive në jetën shoqërore nuk ia ka dalë që të ruajë një mori veçori individuale dhe institucione personale tejet të rëndësishme. Dy faktorët e përmendur janë bërë shkak që njerëzit të ndahen në dy grupe të rëndësishme :   

 1. Njerëz që kanë shfaqur dobësi në moderimin e vrullit dhe funksionimit të instinktëve natyrore dhe kanë pranuar si qëllimin e jetës së tyre kënaqjen e këtyre impulseve dhe në jetën shoqërore janë mjaftuar me “kallëpet” e normave dhe parimeve të njohura për koekzistencë. Këta janë udhëtarët e kervanit të jetës së kulluar natyrore-shtazarake, të cilët për fat të keq përbëjnë shumicën e njerëzve në histori.

2. Personalitete të cilët si parimor kanë marrë funksionimin e intelektit dhe ndërgjegjes dhe e kanë obliguar veten për kultivimin e dhuntive dhe kapaciteteve intelektive dhe mentale të tyre.

 Nga ana tjetër në jetën shoqërore njerëzit e ndritur kanë arritur të shpëtojnë nga robërimi ndaj këtyre “kallëpeve” të imponuara nga jeta shoqërore. Po, ata i kanë pranuar këto forma të jetës shoqërore, mirëpo duke i konsideruar vetëm si domosdoshmëri të pa shmangshme, por njëkohësisht në mënyrë konstante në brendësinë e tyre orvaten për të siguruar forcën e përshtatshme për rimodelimin e këtyre “kallëpeve” në udhën e lartësimit dhe sublimimit shoqëror. Këta janë ithtarrët e jetës së ndërgjegjësuar, të pakët për nga numër, por në nivel të lart human nga pikëpamja e njohjes së jetës dhe vlerave të saj si dhe nga aspekti i përkorjes psikike racionale dhe aftësisë për komentimin serioz të jetës. Analizimi i këtyre dy kategorive, ku, mjerisht, përfaqësuesit e jetës së kulluar natyrore-shtazarake përbëjnë shumicën e njerëzve, na bën të qartë që ata nuk dallojnë për nga aspekti psikologjik, biologjik apo parimeve psikologjike. Të dy këto grupe janë njerëz, ashtu siç Sokrati dhe Neroni kanë të njëjtën përkufizim në të qenët njeri. Por ky përkufizim i përbashkët që është tregues vetëm për natyrën parësore të njeriut, ashtu siç është, është bërë shkak që natyra e njeriut, ashtu siq duhet, të lihet në harresë. Ne e dimë që përpjekja e përhershme e jetës shoqërore dhe drejtuesit e saj përgjatë historisë njerëzore zakonisht ka qenë në drejtim të realizimit të vetë jetës shoqërore dhe jo në udhën e formësimit të njerëzve për realizimin e jetës së ndërgjegjësuar, të cilët duhet të punojnë në çdo formë që është e mundur për shtimin e vetëdijësimit, racionalitetit dhe ndërgjegjes së lirë tek njerëzit.

 Sociologë si Durkheimi duke u bazuar në primaritetin shoqëror (përkundër atij individual) kanë ndërmarrë rrugën e ekstremit duke harruar faktin se problemet e pazgjidhura të relacionit midis individit dhe shoqërisë burojnë nga ekstremitete të tilla, të cilët vetëm se vështirësojnë çështjet dhe problemet shoqërore. Mendimtar të tillë duhej që të dinin më mirë se çdo kush tjetër,  se jeta njerëzore, me normat dhe ligjet që i ka përcaktuar vetes në mënyrë të determinuar, dhe i vë në zbatim, nuk kanë të bëjnë fare me ato imperativa dhe kapacitete pozitive që i mundësojnë njeriut shpjegimin racional të jetës individuale të tij.

Motoja “Gjithë njerzit janë vëllezër dhe të barabartë  ” në shekujtë e fundit është përhapur gjerësisht në shoqëritë njerëzore, por nga frika se mos pohuesit e saj të akuzohen për moralizëm, ata shmangen nga plotësimi i kësaj motoje me frazën “dhe gjithnjë duhet të përpiqen për sigurimin e virtytshmërisë dhe ndërgjegjesë së lirë”.