Loja e Shqipërisë me muxhahidinët

  • None
nga Olsi Jazexhi | Publikuar në Shk. 16, 2016, 1 a.m.

Vizita e sekretarit amerikan Xhon Kerri në 14 shkurt në Tiranë, ka ngritur në mediat shqiptare edhe njëherë çështjen e xhihadistëve iranianë, të cilët qeveria shqiptare i strehon që nga koha kur në pushtet në Shqipëri ishte Partia Demokratike. Anëtarët e organizatës Moxhahidin el-Halk (njohur në anglisht me akronimin MKO) kanë ardhur në Shqipëri që nga viti 2013, pasi qeveria irakene i kërkoi amerikanëve që të largonin nga Iraku, terroristët iranianë.

Organizata e xhihadistëve iranianë, nis që përpara revolucionit islamik në Iran. Ata ishin një nga grupet që përmbysën shahun e Iranit. Por pas revolucionit islamik, kryetari i tyre Masoud Raxhavi hyri në konflikt me autoritetet iraniane, pasi këto refuzuan kërkesën e tij për t'u zgjedhur president i vendit. Konflikti politik i partisë së Raxhavit me revolucionarët e tjerë iranianë, e çuan këtë të fundit që të shpallë luftë politike kundër qeverisë iraniane. Partia e tij e njohur si Xhihadistët e Popullit (Moxhahedin el Halk apo MKO) ndërsa morrën pjesë në pengmarrjen e ambasadës amerikane në Teheran, më pas nisën luftë të armatosur kundër vetë regjimit republikan iranian, si pasojë e së cilës janë vrarë me mijëra civile, sikur edhe presidenti dhe kryeministri i parë i Iranit republikan.

Organizata e Moxhahedinëve iranianë është mbështetur nga regjimi i Sadam Huseinit, i cili i përdori gjatë luftës Iran - Irak. MKO-ja u përdor nga regjimi i Sadam Huseinit edhe gjatë masakrave ndaj kurdëve ku xhihadistët e MKO-së janë shquar për terrorin dhe masakrat që kanë bërë kundër civilëve. Marjam Raxhavi e cila drejtonte masakrat kundër kurdëve në këtë kohë, citohet të ketë thënë që kurdët ti shtypni me tanke, ndërsa plumbat ti ruanin për gardën iraniane.

Pas pushtimit amerikan të Irakut, muxhahedinët u çarmatosën nga amerikanët. Kampi ku ata dhe tanket e tyre ishin dislokuar u bombardua, pasi muxhahidinët e MKO-së ishin fedainët më besnikë të Sadam Huseinit. Qeveritë që kanë ardhur në Irak pas Sadamit i kanë kërkuar vazhdimisht autoriteteve amerikane që të gjejnë një vend për muxhahidinët apo ti dorëzojnë te autoritetet irakene e të dënohen për krimet që kanë bërë kundër kurdëve dhe arabëve. Ndërsa ata nuk kthehen dot në Iran pasi edhe aty kanë kryer një numër të madh aktesh terroriste, dhe pasi asnjë qeveri në Lindjen e Mesme nuk do ti mbajë më, amerikanët tamam sikur edhe me armët kimike të Sirisë, gjetën Shqipërinë si vendin e vetëm që pranon të shërbejë si kosh plehrash. Në një kohë që xhihadistët iranianë fare mirë mund të strehoeshin në Francë ku kryetarja e tyre ka selinë, apo edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Kanada, perëndimorët që nuk duan të kenë telashe me organizata militare të cilat veprojnë kundër ligjit ndërkombëtar, kanë vendosur ti shkarkojnë në Shqipëri.

Organizata e Muxhahidinëve iranianë vepron si një organizatë okulte. Ajo ka qenë e listuar si organizatë terroriste nga Bashkimi Evropjan, qeveria amerikane, kanadeze, britanike etj deri disa vite më parë. Pas pushtimit amerikan të Irakut, lideri i tyre historik, Masoud Rajavi dha dorëheqje nga drejtimi i organizatës për shkak të luftës së tij kundër amerikanëve dhe besnikërinë ndaj Sadam Huseinit. Udhëheqja e MKO-së pas kësaj u morr në dorë nga gruaja e dytë e Masoudit, Marjam Rajavi. Marjami e cila ka qenë më parë gruaja e një shoku të Masoudit, vishet zakonisht më rroba jeshile, mban një shami në kokë dhe drejton organizatën e MKO-së sikur Shën Eleonora kur drejtonte kultin e Eleonorës në Selitë të Tiranës vite më parë. Marjam Rajavi ashtu sikur edhe Abu Bakr al-Bagdadi pretendon të jetë njeri i shenjtë. Ajo pretendon se ka lidhje me imamin e fshehur, i cili është shpëtimtari i botës sipas teologjisë shiite. Ajo qendron e strehuar në Paris, nga ku edhe drejton organizatën okulte të muxhahidinëve, ndërsa muxhahidinët vetë qëndrojnë në kampin al-Ashraf në Irak ku deri pak muaj më parë jetonin rreth 3500 vetë. Muxhahidinët janë urdhëruar nga lidershipi i tyre që të mos martohen me njëri tjetrin. Ky urdhër iu është dhënë gjatë luftës Iran-Irak kur Masoud Rajavi i urdhëroi që të ndaheshin nga njëri tjetri dhe jetën e tyre t'ia dedikonin vetëm kauzës së Masoudit, e cila synon të çlirojë Iranin nga ajatollahët dhe në vend të tyre vendi të drejtohet nga Masoudi dhe gruaja e tij. Ndërsa muxhahidinët lejohen të bëjnë seks me njëri tjetrin, atyre nuk u lejohet që të martohen dhe fëmijët që lindin mes tyre rriten nga organizata, apo kampi ku jetojnë. Duke patur frikë dezertimin, udhëheqja muxhahidine nuk i lejon që të dalin vetëm nga kampet ku jetojnë në Shqipëri apo Irak, por lëvizin gjithmonë të shoqëruar në grup. Ata lexojnë librat e Masoudit apo Marjamit mëngjes e mbrëmje, raportojnë te udhëheqësit e tyre mbi aktivitetin e ditës, dhe indoktrinohen që të besojnë se Marjam Rajavi është njeri i shenjtë dhe një ditë ajo do të çlirojë Iranin nga hoxhallarët që sot e sundojnë.

Në korrik 2014 Marjam Rajavi ftoi një numër politikanësh shqiptarë në Paris, të cilët i patën vizitat e tyre të paguara nga organizata xhihadiste. Në këtë vizitë ku Marjam Rajavi kishte thërritur një delegacion prej rreth 300 vetësh, të ftuar ishin shumë politikanë dhe artistë. Sali Berisha, Ermonela Felaj, Pandeli Majko, Zhani Ciko, Albana Vokshi, Gerti Bogdani etj ishin disa nga politikanët dhe artistët të cilët shkuan në Paris dhe i'u kërkua që të mbështesin organizatën terroriste të muxhahidinëve iranianë e cila organizon luftëra terroriste në Lindjen e Mesme prej 5 dekadash. Në tubimin e mbajtur në Paris, Pandeli Majko i cili mesa duket ka zhvilluar një miqësi shumë të afërt me drejtuesit e muxhahedinëve, deklaroi se edhe ai vetë është një muxhahidin, ndërsa Sali Berisha deklaroi se amerikanët i kishin kërkuar që ti merrte muxhahidinët në Shqipëri.

Në fjalimin që Edmond Spaho mbajti para Marjam Raxhavit ai deklaroi se Shqipëria ka marrë rreth 600 muxhahidinë dhe do të merrte edhe 200 të tjerë shpejt. Por duke lexuar Zërin e Amerikës pas vizitës së Xhon Kerrit në Tiranë, ne mësojmë që Shqipëria nuk do të marrë edhe 200 xhihadistë siç deklaroi Edmond Spaho në 2014, por edhe 2000 të tjerë, që do të thotë pothuajse të gjithë muxhahidinët e ngelur në Irak.

Sjellja e xhihadistëve iranianë në Shqipëri krijon disa probleme për shqiptarët. Së pari, pasi qeveria shqiptare inkurajoi dhe lejoi xhihadistët vehabistë që të shkojnë drejt Sirisë në vitin 2013, tani do të ngrejë një bazë të re xhihadistësh në vend e cila do të rekrutojë ashtu sikur edhe ISIS-i shumë shqiptarë për kauzën e saj. Organizata e muxhadinëve iranianë përdoret nga shërbimet sekrete perëndimore për të kryer sulme terroriste në Iran, Irak dhe gjithë Lindjen e Mesme. Këto akte terroriste do i ngjisin Shqipërisë një tjetër damkë në hartën e terrorizmit ndërkombëtar, pas damkës që vehabistët xhihadistë të Sirisë i vunë vendit.

Strehimi dhe trajtimi i privilegjuar që qeveria shqiptare i bën terroristëve iranianë, do të jetë një shtysë për xhihadistët vehabistë shqiptarë që të akuzojnë qeverinë e tyre si qeveri hipokrite që zbaton standarte të dyfishta. Kur në një kohë qeveria shqiptare burgos imamë sikur Bujar Hysa e Genci Balla si terroristë, pasi të fundit akuzohen se kanë nxitur besimtarët muslimanë shqiptar të shkojnë në Siri, strehimi dhe mbështetja që i jepet iranianëve xhihadistë përbën një krim ligjor nga qeveria shqiptare. Sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, aktiviteti i organizatës MKO është terrorist dhe i dënueshëm sipas neneve 230, 231, 232, 234 të Kodit Penal. Organizata MKO është një organizatë që kryen dhe ka kryer, thërret e mbështet akte terroriste kundër shteteve dhe qeverive anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Krimet që MKO ka kryer në Irak, Iran, Turqi dhe një sërë vendesh të Lindjes së Mesme e bëjnë këtë organizatë po aq terroriste sa edhe ISIS-i.

Fakti që qeveria shqiptare strehon disa xhihadistë iranianë, por burgos disa xhihadistë shqiptarë, tregon që në vendin tonë ligji është shkruar sa për gallatë. Ligji në vendin tonë ekziston për të ndërshkuar vetëm ata që kërkon Perëndimi, ndërsa terroristët që qeveria amerikane do, mund të jenë gjithë ditën të lumtur dhe të lirë. Terroristët që i shërbejnë Amerikës dhe Perëndimit zakonisht kanë trajtim të klasit të parë: ata trajtohen si heronj dhe revolucionarë. Sikur Bin Ladeni, i cili në vitet 1980 tregohej si hero i madh i popullit afgan nga revistat amerikane, por që pas vitit 1990 u shpall terrorist. Po muxhahidinët iranianë të Tiranës kur do të shpallen sërisht terrorist nga Perëndimi? 

Allahu e di më së miri!



Burimi : Gazeta İmpakt