Gaza dhe Bregu Perëndimor: të vërtetat e parrëfyera nga Izraeli

  • None
nga Robert Fisk | Publikuar në Korrik 13, 2014, mesnatë

Deri sot pasdite (9 korrik 2014), rezultati në lojën e vdekjeve ishte 40-0 në favor të Izraelit. Megjithatë, tani do të flasim për atë që nuk keni për ta dëgjuar prej askujt tjetër në orët në vijim.

E gjithë kjo është për pak më tepër tokë. Izraelitët në Sederot u sulmuan nga raketa që vinin nga Palestina dhe tani, kuptohet, “palestinezët po e marrin dënimin e merituar”. Pa prisni një çast! Si ndodh që gjithë këta palestinezë – 1,5 milionë – të jenë stërmbushur kështu në Gaza? A nuk ishin familjet e tyre që, njëherë e një kohë jetonin në atë që sot quhet Izrael e që pastaj, u dëbuan që aty ose ikën për t’i shpëtuar jetët e tyre kur u krijua shteti i Izraelit?
Dhe – mbase këtu duhet të marrim një frymë të thellë – njerëzit që jetonin në Sederot-in e vitit 1948 nuk ishin izraelitë por arabë të Palestinës. Fshati i tyre quhej Huxh. Dhe ata as që ishin armiq të Izraelit. Veç dy vite më herët, këta arabë të njejtë i kishin fshehur luftëtarët e Haghana-së çifute nga ushtria britanike. Por kur ushtria izraelite u shfaq nëHuxh më 31 maj të vitit 1948, ajo i dëboi të gjithë fshatarët arabë drejt Rripit të Gazës, me çfarë ata u bënë refugjatë! David Ben Gurion (kryeministri i parë i Izraelit) e quajti këtë një “aksion i padrejtë e i paarsyetuar” por vetëm kaq! Palestinezëve të Huxh-it kurrë nuk u lejua të ktheheshin.
Dhe sot, më se 6000 pasardhës të palestinezëve të këtij fshati – tani të riemërtuar nëSederot – jetojnë në mbeturinat e Gazës, në mesin e “terroristëve”, të cilët Izraeli pretendon se është duke i shkatërruar e të cilët tani gjuajnë raketa në drejtim të Huxh-it. Një tregim interesant, apo jo?

Po kaq interesant është edhe rrëfimi mbi të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur. E dëgjuam sërish edhe sot: “Çfarë sikur të goditeshin me raketa qytetarët e Londrës? A nuk do të sulmonin edhe ata?” Gjithsesi, por ne britanikët me siguri nuk do t’i burgosnim mbi një milion ish-banorë të Britanisë në kampe refugjatësh, që nuk do të ishin më shumë se disa milja katrore përreth Hastings-it.
Ky argument dinak u përdor së fundmi në vitin 2008, kur Izraeli e pushtoi Gazën dhe vrau së paku 1100 palestinezë (përkundër 13 izraelitëve të vrarë!!!). Asokohe, ambasadori izraelit pyeti: “Çfarë do të bënit ju sikur të sulmohej Dublin-i me raketa?” E vërteta është se qyteza britanike e Crossmaglen-it në Irlandën Veriore u sulmua në vitet e shtatëdhjeta me raketa që vinin nga Republika e Irlandës. Megjithatë, Forcat Ajrore të Mbretërirës (RAF, Royal Air Force)  nuk e bombarduan Dublin-in në shenjë hakmarrjeje, duke vrarë gra e fëmijë irlandezë. Në vitin 2008 në Kanada, përkrahësit e Izraelit e thonin të njejtën gjë: “Çfarë sikur banorët e qyteteve Vancouver, Toronto ose Montreal të sulmoheshin me raketa nga paralagjet e tyre? Si do të ndiheshin vallë?” Por harrojnë diçka: kanadezët nuk i kanë burgosur banorët zanafillorë të Kanadasë në kampe refugjatësh.

E tani të kalojmë pak në Bregun Perëndimor! Në fillim, Benjamin Netanjahu thoshte se nuk do të kishte bisedime me “Presidentin” Mahmoud Abbas, sepse ai nuk e përfaqësonte edhe lëvizjen Hamas. Pastaj, kur Abbasi e krijoi qeverinë e unitetit kombëtar, Netanjahu thoshte se nuk mund të fliste me Abbasin sepse ai tashmë ishte bashkuar me “terroristët” e Hamasit. Tani thotë sërish se ka për të patur bisedime vetëm nëse ai i shkëput lidhjet me Hamasin, me çfarë, ironikisht, ai sërish nuk do të jetë përfaqësues i Hamasit (dhe nuk do të jetë një palë relevante bisedimesh)!
Ndërkohë, filozofi i madh majtist i Izraelit, Uri Avneri – tashmë 90 vjeçar dhe, fatmirësisht, akoma i fortë – po merret me obsesionin më të fundit të shtetit të tij, gjegjësisht rrezikun se Shteti Islam i Sirisë dhe Irakut (ISIS në anglisht, në vijim do të përdoret ISIS) do të sulmojë nga “kalifati” i vet siriano-irakian dhe do të arrijë deri në bregun e lumit Jordan.
Dhe siç përcjell Avneri, Netanjahu thotë se “nëse nuk ndalen nga një garnizon i përhershëm i ushtrisë izraelite atje (pra në bregun e lumit Jordan), ata do të shfaqen në Tel Aviv”. E vërteta, kuptohet, është se forcat ajrore izraelite do ta shkatërronin ISIS-in në çastin që do të guxonin ta kalonin qoftë edhe një hap kufirin jordanez, qoftë nga Iraku ose nga Siria.
Rëndësia e gjithë kësaj, ndërkohë, është se nëse Izraeli e mban ushtrinë e vete në bregun e lumit Jordan (pra në Bregun Perëndimor palestinez), me pretekstin e mbrojtjes nga ISIS, një shtet i ardhshëm palestinez do të jetë një shtet pa kufij ndërkombëtarë dhe jo tjetër veçse një enklavë brenda Izraelit, e rrethuar në çdo anë nga toka izraelite.
“Ngjashëm si Bantustan-ët e krijuar (si zona të veçanta për banorët e zi) në Republikën e Afrikës së Jugut (gjatë regjimit të apartheid-it)”, thotë Avneri. Me fjalë të tjera, nuk do të ketë kurrfarë shteti të mirëfilltë palestinez. Në fund të fundit, a nuk është edhe ISISnjësoj si Hamasi? Kuptohet që jo!
Por nuk isht kjo ajo që dëgjuam nga Marg Regev, zëdhënësi i Netanjahut. Ajo që i tha ai kanalit El-Xhezira ishte se Hamasi është “një organizatë ekstremiste terroriste, jo shumë e ndryshme nga ISIS-i në Irak, Hezbollahu në Liban dhe Boko Haram...” Muhabete bosh! Hezbollahu është një grup ushtarak shiit, që sot lufton për vdekje në Siri kundër ISIS-it sunnit. Ndërsa Boko Haram-i, mijëra kilometra larg Izraelit, nuk është një rrezik për Tel Aviv-in.

Por qëllimi është i qartë: palestinezët e Gazës – dhe ju lutem harrojini përgjithmonë ata 6000 vetë, familjet e të cilëve vijnë nga toka e Sederotit – janë aleatë të dhjetëra mijëra islamistëve që e kërcënojnë Malikin në Bagdad, Essadin në Damask dhe president Goodluck Jonathan në Abuxha!!! Dhe nëse vërtet ISIS është duke u afruar drejt Bregut Perëndimor, përse qeveria izraelite akoma insiston të ndërtojë atje koloni për qytetarët izraelitë, në një mënyrë krejt ilegale dhe në tokë arabe?
  
E gjithë kjo nuk është për shkak të vrasjes së ligë të tre izraelitëve në Bregun e okupuar Perëndimor dhe as për shkak të vrasjes së ligë të një palestinezi në Jerusalemin lindor, sërish të okupuar. Nuk është as për shkak të rrëmbimit të disa militantëve dhe politikanëve të Hamasit në Bregun Perëndimor. Në të vërtetë, nuk është as për shkak të raketave. Si rëndom, e gjitha është për të okupuar pak më shumë tokë.


Burimi : Mendimi Alternativ