Raporti i fshehtë i Pentagonit zbulon se përkrahja e Perëndimit e krijoi ISIS-in

  • None
nga Nafeez Ahmed | Publikuar në Qershor 9, 2015, mesnatë

Një dokument i fshehtë i qeverisë amerikane[1], i zbuluar kohëve të fundit nëpërmjetJudicial Watch, kompanisë konservative ligjore për mbrojtjen e interesit publik në gjyqësi, tregon se qeveritë perëndimore qëllimisht krijuan një aleancë me El-Kaiden dhe grupet e tjera ekstremiste islamike, me qëllim që ta rrëzonin diktatorin sirian Beshar el-Essad.
Dokumenti zbulon se, në bashkëpunim me shtete e Gjirit dhe Turqinë, Perëndimi qëllimisht sponsoroi grupe të dhunshme islamiste për ta destabilizuar Essadin. Ai gjithashtu tregon se këto “fuqi përkrahëse” dëshironin krijimin e një “principate selefiste” në Siri, në mënyrë që “të izolohej regjimi sirian”.
Sipas këtij dokumenti të sapozbuluar, Pentagoni e kishte paraparë lindjen e mundshme të “Shtetit Islam” si një pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj strategjie, dhe kishte paralajmëruar se kjo gjë mund ta destabilizonte edhe Irakun. Edhe përkundër parashikimit se përkrahja e Perëndimit, e shteteve të Gjirit dhe e Turqisë për “opozitën siriane” (duke përfshirë El-Kaiden) mund të shkaktonte krijimin e një “Shteti Islam” në Irak e në Siri (ISIS), dokumenti nuk nënkupton assesi se pati ndonjë vendim për ta ndryshuar këtë politikë përkrahjeje për rebelët sirianë. Përkundrazi, shfaqja e një “principate selefiste” të ndërlidhur me El-Kaiden, si pasojë e kësaj përkrahjeje, përshkruhet si një mundësi strategjike për ta izoluar Essadin.

Hipokrizia 
Kjo zbulesë bie ndesh me linjën zyrtare të qeverive perëndimore lidhur me politikat e tyre mbi Sirinë dhe ngre pyetje shqetësuese mbi përkrahjen e fshehtë të Washingtonit për ekstremistët e dhunshëm jashtë SHBA-së, ndërsa vetë e përdor vazhdimisht kërcënimin terrorist si një mjet për ta arsyetuar përgjimin masiv dhe kufizimin e lirive qytetare brenda vendit.
Në mesin e një sërë dokumentesh të siguruara nga Judicial Watch nëpërmjet një procesi gjyqësor dhe të zbuluara gjatë kësaj jave, është edhe një dokument i Agjencisë amerikane për Kundërzbulim Ushtarak (Defence Intelligence Agency; DIA në vijim të tekstit), i cili ishte cilësuar si “i fshehtë” dhe e mban datën 12 gusht 2012.
DIA është një agjenci që siguron informata në përkrahje të planifikuesve, strategëve dhe operacioneve të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.
Deri tani, raportimet mediatike lidhur me çështjen janë përqëndruar tek dëshmitë që tregojnë se administrata e presidentit Obama dinte për furnizimin e armëve nga një bastion terroristësh në Libi për rebelët sirianë.
Disa media kanë raportuar lidhur me parashikimin e brendshëm të shërbimit informativ amerikan lidhur me lindjen e mundshme të ISIS-it. Megjithatë, asnjë media nuk ka arritur t’i shohë hollësitë shqetësuese, të cilat tregojnë se si Perëndimi kultivoi në Siri një kryengritje sektariane, të prirë nga El-Kaide.
Charles Shoebridge, një oficer kundërzbulimi anti-terror në British Army and Metropolitan Police, thotë: “Duke i ditur prirjet politike të organizatës që i botoi këta dokumente (nënkuptohet Judicial Watch, një organizatë konservative), nuk është e habitshme që fokusi kryesor të jetë tek përpjekja për ta turpëruar Hillary Clinton lidhur me atë që dihej mbi sulmin në konzullatën amerikane në Benghazi në vitin 2012. Megjithatë, ky dokument përmban disa zbulesa shumë më pak të reklamuara, të cilat krijojnë pyetje të rëndësishme për qeveritë dhe mediat perëndimore, lidhur me përkrahjen e tyre për kryengritjen siriane.”

Islamistët e Perëndimit
Dokumenti i sapozbuluar i DIA-s (përpiluar në gusht 2012) konfirmon se pjesa kryesore e forcave kryengritëse kundër Essadit, në këtë periudhë, përbëhej nga grupe islamiste, të ndërlidhura me grupet që më vonë do të sillnin deri tek krijimi i ISIS-it. Megjithëkëtë, këta grupe do të vazhdonin të pranonin përkrahje nga ushtritë perëndimore dhe nga aleatët e tyre rajonalë.
Duke theksuar se “selefistët, Vëllazëria Muslimane dhe El-Kaide në Irak janë forcat kryesore pas kryengritjes në Siri”, dokumenti thotë se “Perëndimi, shtetet e Gjirit dhe Turqia e përkrahin opozitën”, ndërsa Rusia, Kina dhe Irani “e përkrahin regjimin”.
Dokumenti prej shtatë faqesh thotë se El-Kaide në Irak, paraardhëse e “Shtetit Islam të Irakut” (ISI), e cila më pas do të bëhej ISIS, “e përkrahu opozitën siriane që nga fillimi, qoftë ideologjikisht, qoftë nëpërmjet mediave.”
Dokumenti thekson gjithashtu se “zhvillimi i kryengritjes në Siri” është duke marrë një kahje gjithë më tepër “sektariane”, duke marrë përkrahje të ndryshme nga fuqi “fetare dhe fisnore” sunnite në rajon.
Në një pjesë të titulluar “Pandehje për të ardhmen e krizës”, raporti i DIA-s parasheh se, ndonëse regjimi i Essad-it do të mbijetojë, duke e ruajtur kontrollin mbi Sirinë, kriza do të zhvillohet gjithë më tepër në drejtim të një “lufte prokurë” (ang. proxy war).  
Dokumenti gjithashtu propozon që të krijohet një “zonë e sigurt nën mbrojtje ndërkombëtare, ngjashëm me atë që u krijua në Libi, kur Benghazi u zgjodh si kryeqendra e qeverisë së përkohshme”.
Në Libi, rebelët anti-Gaddafi, shumica prej të cilëve ishin milicë të ndërlidhur me El-Kaiden, u mbrojtën nëpër “zonat e sigurta” të NATO-s (nënkuptohen zonat e ndaluara për fluturim; ang. no-fly zone)

Fuqitë përkrahëse kërkojnë një entitet për ISIS-in
Në një parashikim tejet të përpiktë, dokumenti i Pentagonit shumë hapur e parasheh shpalljen e mundshme të një “Shteti Islam nëpërmjet bashkimit me organizatat terroriste në Irak e në Siri”.
Edhe përkundër kësaj, “shtete perëndimore, shtetet e Gjirit dhe Turqia e përkrahin këtë sipërmarrje” nga “forcat opozitare” siriane, që luftojnë “për ta kontrolluar zonën lindore (Haseke dhe Deir ez-Zor), ngjitur me provincat perëndimore të Irakut (Mosul dhe Anbar)”:
...ekziston mundësia e krijimit të një Principate Selefiste, zyrtare ose jozyrtare, në lindje të Sirisë (Haseke dhe Deir ez-Zor), dhe kjo është pikërisht ajo që kërkojnë fuqitë që e përkrahin opozitën siriane, në mënyrë që ta izolojnë regjimin sirian, i cili konsiderohet një thellësi strategjike e ekspansionit shi’it (Irakut dhe Iranit).

Kështu, raporti i Pentagonit na jep një miratim të jashtëzakonshëm të faktit se koalicioni i prirë nga SHBA-ja, i cili tani lufton kundër ISIS-it, para tre viteve e mirëpriti shfaqjen e një “principate selefiste” në rajon, në mënyrë që ta rrëzonte Essadin dhe ta pengonte ekspansionin strategjik të Iranit. Tejet me rëndësi është fakti se Iraku konsiderohet një pjesë integrale e këtij “ekspansioni shi’it”.
Themelimi i një “principate” të tillë selefiste në lindje të Sirisë, sipas dokumentit në fjalë, është “pikërisht ajo që kërkojnë fuqitë që e përkrahin opozitën siriane”. Në pjesët paraprake të dokumentit, cilësimi “fuqitë përkrahëse” përdoret qartësisht për Perëndimin, shtetet e Gjirit dhe Turqinë.
Për më tepër, ky dokument tregon se analistët e Pentagonit ishin të vetëdijshëm për rreziqet e kësaj strategjie dhe se vazhduan me të edhe përkundër këtij rreziku.
Themelimi i një “principate selefiste” në Sirinë lindore, thotë raporti”, do të krijonte “një atmosferë ideale që El-Kaideja në Irak të kthehej në bastionet e veta të vjetra në Mosul dhe Ramadi”. Verën e kaluar, ISIS e pushtoi pikërisht Mosulin në Irak dhe këtë muaj e morri nën kontroll edhe Ramadin.
Ky “thuajse-shtet” selefist do të siguronte:
...një vrull të ri, nën supozimin e unifikimit të xhihadit mes sunnitëve të Irakut e të Sirisë, dhe sunnitëve në pjesët e tjera të botës arabe, kundër asaj që ata e konsiderojnë një armik i vetëm. Shteti Islam i Irakut mund gjithashtu të shpallë një Shtet Islam nëpërmjet bashkimit me organizatat e tjera terroriste në Irak e në Siri, gjë që do të krijonte një rrezik të madh për unifikimin e Irakut dhe kontrollimin e territorit të tij.
Dokumenti i vitit 2012 nga DIA cilësohet si “Intelligence Information Report” (IIR; Raport informacioni kundërzbulues), dhe jo një “kundërzbulim me vlerësim përfundimtar” (ang.finally evaluated intelligence), por duket se përmbajtja e tij është përpunuar mirë para se të shpërndahej. Raporti ka qarkulluar nëpër të gjithë mjediset e kundërzbulimit amerikan, duke përfshirë, mes tjerash, Departamentin e Shtetit, Komandën Qendrore, Departamentin për Siguri të Brendshme, CIA, FBI etj.
Si përgjigje ndaj pyetjes sime lidhur me këtë strategji, qeveria britanike thjesht i mohoi zbulesat e raportit të Pentagonit lidhur me sponsorimin e qëllimshëm të ekstremistëve të dhunshëm nga Perëndimi. Një zyrtar i ministrisë së jashtme britanike tha:
El-Kaide dhe ISIS janë organizata të cilësuara si terroriste. Mbretëria e Bashkuar e kundërshton çdo lloj terrorizmi. El-Kaide, ISIS dhe organizatat e ndërlidhura përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar. Ne jemi pjesë e një koalicioni ushtarak dhe politik që ka për qëllim nënshtrimin e ISIS-it në Irak e në Siri, dhe punojmë bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë për t’iu kundërvënë kërcënimit të El-Kaides dhe grupeve të tjera terroriste në rajon. Në Siri gjithnjë i kemi përkrahur grupet e moderuara opozitare, të cilat e kundërshtojnë tiraninë e Essadit dhe brutalitetin e ekstremistëve.
Vetë DIA nuk i ktheu përgjigje kërkesës sime për të komentuar lidhur me raportin.

Një mjet strategjik për ndryshim të regjimit
Analisti për siguri, Shoebridge, i cili e ka gjurmuar përkrahjen perëndimore për terroristët islamistë në Siri që nga fillimi i luftës, thekson se raporti i fshehtë i Pentagonit zbulon kundërthënie fatale në bërthamën e deklaratave zyrtare perëndimore:
Përgjatë viteve të hershme të krizës siriane, qeveria e SHBA-së dhe Britanisë, dhe thuajse të gjitha mediat kryesore perëndimore i promovuan rebelët sirianë si një grup i moderuar, liberal, sekular  e demokratik, pra tamam si një grup që e meriton përkrahjen e Perëndimit. Duke pasur parasysh se këta dokumente e kundërshtojnë këtë qëndrim, është tejet interesante se si mediat perëndimore, edhe përkundër rëndësisë së madhe të tyre, thuajse krejtësisht i kanë shpërfillur këta dokumente.
Sipas Brad Hoff, një ish-ushtarak i marinës amerikane, i cili shërbeu në vitet e hershme të luftës së Irakut, raporti i sapozbuluar i Pentagonit për herë të parë miraton se:Kundërzbulimi amerikan e kishte paraparë lindjen e ISIS-it, por në vend që ai qartësisht të përvijohej si grup armik, u konsiderua një mjet strategjik amerikan.”
Hoff, i cili është redaktor drejtues i Levant Report, një publikim online i një grupi edukatorësh nga Texasi, me përvojë të drejtpërdrejtë në Lindjen e Mesme, thotë se dokumenti i DIA-s, në të vërtetë thotë se lindja e një entiteti politik selefist në rajon është një “mjet për të siguruar ndryshim regjimi në Siri”.
Raporti i DIA-s tregon, sipas tij, se shfaqja e ISIS-it u bë e mundur vetëm në kontekstin e kryengritjes siriane. Në raport “nuk përmendet aspak tërheqja e trupave amerikane nga Iraku si një katalizator i lindjes së ISIS-it, edhe përkundër faktit se politikanë të panumërt janë të këtij qëndrimi”. Raporti dëshmon se :
Themelimi i një “principate selefiste” në Sirinë lindore është “pikërisht” ajo që kërkojnë fuqitë e jashtme që e përkrahin opozitën (dhe të cilat identifikohen si: Perëndimi, shtetet e Gjirit dhe Turqia), në mënyrë që të dobësohet qeverisja e Essadit.

Bashkëfajësia
Kritikët e strategjisë së prirë nga amerikanët në rajon vazhdimisht kanë ngritur pyetje lidhur me rolin e aleatëve të koalicionit në sigurimin e përkrahjes për grupet terroriste islamiste gjatë përpjekjes për ta destabilizuar regjimin e Essadit në Siri.
Arsyetimi i përgjithshëm është se qeveria amerikane nuk ishte mjaft e kujdesshme gjatë financimit të grupeve rebele anti-Essad, gjë që do të duhej të mbikqyrej e të koordinohej më me kujdes, në mënyrë që të përkraheshin vetëm grupet “e moderuara”.
Megjithatë, raporti i sapozbuluar i Pentagonit dëshmon në mënyrë të pakundërshtueshme se vite para se ISIS të niste me sulmin e tij të orkestruar drejt Irakut, kundërzbulimi amerikan ishte mjaft i vetëdijshëm se militantët islamistë e përbënin bërthamën e kryengritjes sektariane në Siri.
Megjithatë, Pentagoni vazhdoi ta përkrahte kryengritjen islamiste, edhe përkundër faktit se mund të parashihte me saktësi se kjo gjë do të krijonte një bastion selefist në Siri dhe në Irak.
Siç më tha edhe Shoebridge, “dokumentet jo vetëm që tregojnë se qeveria amerikane, më së voni në gusht të vitit 2012, e dinte natyrën ekstremiste dhe rezultatin e mundshëm të rebelimit në Siri”, pra shfaqjen e ISIS-it, “por edhe e konsideronte këtë si një përparësi për politikën e jashtme amerikane. Kjo nënkupton, në të njejtën kohë, një vendim për të harxhuar vite të tëra duke e mashtruar publikun perëndimor nëpërmjet mediave e për ta bindur se rebelimi sirian ishte kryesisht një sipërmarrje e grupeve “të moderuara”.
Annie Machon është një ish-zyrtare e shërbimit britanik MI5, e cila në vitet e nëntëdhjeta zbuloi se si shërbimi tjetër britanik, MI6, kishte financuar El-Kaiden për ta vrarë ish-liderin e Libisë, Kolonel Gaddafin. Lidhur me zbulesat e fundit, ajo thotë:
Për mua nuk është një gjë e befasueshme. Në shumë shtete ekzistojne shërbime të ndryshme të kundërzbulimit, me plane që konkurojnë me njëri-tjetrin.
Ajo shpjegoi se operacioni i MI6 në Libi në vitin 1996, i cili rezultoi me vdekjen e njerëzve të pafajshëm, “ndodhi pikërisht në një kohë, kur MI5 po hapte një dikaster të ri për ta hetuar El-Kaiden”.
Kjo strategji u përsërit në përmasa madhështore në intervenimin e NATO-s në vitin 2011 në Libi, thotë Machon, ku CIA dhe MI6:
...i përkrahnin të njejtat grupe libian, duke krijuar kështu një shtet të dështuar, vrasje masive, zhvendosje të popullatës dhe anarki. Pra ideja se elemente të kompleksit ushtarak e mbrojtës amerikan e kanë mundësuar zhvillimin e ISIS-it pas përpjekjes së dështuar për ta bindur NATO-n të “intervenonte” sërish, është pjesë e një strategjie tashmë të rrënjosur. Dhe ata mbeten krejtësisht indiferentë ndaj përmasave të vuajtjes njerëzore, e cila vjen si pasojë e lojërave të tilla.

Përça dhe sundo!
Shumë zyrtarë të qeverisë amerikanë kanë pranuar se janë pikërisht aleatët e tyre në koalicionin e sotëm “anti-ISIS”, që i financuan grupet ekstremiste islamiste, të cilat më vonë do të bashkoheshin për ta krijuar ISIS-in.
Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, për shembull, vitin e kaluar pranoi se Arabia Saudite, Emirate te Bashkuara Arabe, Katari dhe Turqia kishin kanalizuar miliona dollarë drejt rebelëve islamistë në Siri, të cilët më pas pësuan një “metamorfozë” dhe u shndërruan në ISIS-in e sotëm.
Por ai nuk e pranoi atë që e dëshmon dokumenti i sapozbuluar i Pentagonit, gjegjësisht se e gjithë kjo strategji e fshehtë u lejua dhe u mbikqyr nga Amerika, Britania, Franca, Izraeli dhe fuqitë e tjera perëndimore.
Kjo strategji duket se është në harmoni të plotë me një skenar të konceptuar nga një raport i korporatës RAND[2], i financuar nga ushtria amerikane.
Raporti, i botuar katër vite para dokumentit të sapozbuluar të DIA-s, bën thirrje që Amerika “të përfitojë nga konflikti shi’ito-sunnit duke e mbajtur fuqimisht anën e regjimeve konservative sunnite dhe duke bashkëpunuar me ta kundër çdo lloj lëvizjeje fuqizimi të shi’itëve në botën muslimane”
SHBA do të duhet t’i kundërvihet “fuqisë dhe ndikimit iranian” në zonën e Gjirit, duke “i përkrahur regjimet tradicionale sunnite në Arabinë Saudite, Egjipt dhe Pakistan”. Njëkohësisht, SHBA duhet të ruajë “marrëdhënie të fuqishme strategjike me qeverisjen shi’ite të Irakut”, edhe përkundër aleancës që ka kjo e fundit me Iranin.
Raporti i korporatës RAND konfirmon se strategjia “përça dhe sundo” ishte duke u përdorur tashmë, “për të krijuar përçarje në kampin xhihadist. Sot kjo strategji përdoret në Irak në nivelin taktik.”
Raporti vëren se SHBA-ja krijon “aleanca të përkohshme” me “rebelët nacionalistë” të lidhur me El-Kaiden, të cilët kanë luftuar kundër ushtrisë amerikane “qoftë me armë ose me para”. Ndonëse këta grupe nacionaliste kanë “bashkëpunuar me El-Kaiden kundër forcave amerikane”, ata përkrahen tani, për t’iu kundërvënë “kërcënimit të përbashkët që El-Kaide përfaqëson për të dyja palët”.
Por raporti i vitit 2012 tregon se, ndërsa përkrahnin ish-grupe të ndërlidhura me El-Kaiden për t’iu kundërvënë vetë El-Kaides, qeveritë perëndimore njëkohësisht po armatosnin kryengritës të El-Kaides në Siri.
Zbulesa nëpërmjet një dokumenti të fshehtë të vetë kundërzbulimit amerikan e faktit se vetë koalicioni i prirë nga SHBA-ja, i cili sot duket sikur lufton kundër ISIS-it, ishte ajo që e krijoi ISIS-in në radhë të parë, ngre shumë pyetje lidhur me përpjekjet e fundit të qeverisë amerikane për t’i arsyetuar zgjerimet e kompetencave shtetërore në “luftën anti-terror”.
Bashkë me shfaqjen e ISIS-it, masa të reja gjithëpërfshirëse për ta luftuar ekstremizmin po merren nga qeveritë në të dy anët e Atlantikut, duke përfshirë këtu përgjimin masiv, “detyrën e pengimit” orwellian dhe madje edhe plane për të lejuar cenzurë të mediave. Shumë prej këtyre masave shënjestrojnë në mënyrë të tepëruar aktivistët, gazetarët dhe pakicat, veçanërisht ato muslimane.
Megjithatë, raporti i fundit i Pentagonit zbulon se, përkundër pretendimit të qeverive perëndimore, shkaku kryesor i kërcënimit terrorist janë vetë politikat e tyre të hutuara të financimit të fshehtë të terrorizmit islamist, për qëllime krejt të dyshimta gjeostrategjike.  



Dr. Nafeez Ahmed
 
Autori është gazetar hulumtues dhe studiues ndërkombëtar i çështjeve të sigurisë. Ai ka ligjëruar në Universitetin Sussex në Angli dhe ka shkruar për gazeta të shquara botërore, siThe Independent, Foreign Policy, The Atlantic, Le Monde diplomatique etj. Është autor i disa librave bestseller dhe themelues i Institutit për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave(Institute for Policy Research and Development, www.iprd.org.uk).





Burimi : Mendimi Alternativ

Nafeez Ahmed

    Dr. Nafiz Ahmed është një gazetar hulumtues, dijetar ndërkombëtar  sigurisë dhe autor bestseller, i ...