Izraeli dhe Palestina: apo përralla e dy vendeve (dita 5)

  • Me Sheh Omar Avdallah Kisuanin duke biseduar mbi aparteidin izraelit kunder Xhamise Aksa
nga Olsi Jazexhi | Publikuar në Jan. 21, 2019, 4:46 a.m.

Pelegrinazh në Jeruzalem dhe Betlehem 

[dita e pestë]

Në datën 24 dhjetor programi që kishin paramenduar miqtë tanë ishte vizita në Kuds al-Sharifin apo qytetin e Jeruzalemit ku ndodhet xhamia e shenjtë e Aksasë dhe Kubat al-Sakhra apo xhamia e Kupolës së Shkëmbit. Më pas do shkonin në Betlehem për të vizituar Kishën e Lindjes së Krishtit apo Kanisat ul-Mahd sikur ajo njihet nga betlehemasit. Do merrnim pjesë në festimin e Krishtlindjeve sëbashku me të krishterët e Palestinës.

Dëshira ime për të vizituar Jeruzalemin ka qenë e kahershme. Jeruzalemi është qyteti i shenjtë i tre besimeve monoteiste të botës; Islamit, Judaizmit dhe Krishtërimit. Në këtë qytet ku kanë kaluar kaq profetë, ku ka predikuar Jezu Krishti, ku predikuan profetët biblikë dhe ku profeti Muhamed u ngjit për në qiell, nuk ka asnjë besimtar që nuk ëndërron ta vizitojë. Xhamia Aksa është kibla e parë e muslimanëve dhe një nga tre qytetet ku muslimanët kryejnë pelegrinazh.

Për të vizituar Jeruzalemin dhe Haram al Sharifin (kompleksin e xhamisë Aksa) ne u nisëm që herët në mëngjes. Pasi lamë hotelin në Ramallah, shkuam në pikën e kontrollit në Kalandia. Sikur të gjithë palestinezët e tjerë hymë në radhë në kafazët e hekurt që Izraeli u ka ndërtuar palestinezëve. Pritëm radhën në kafaz për tu treguar ushtarëve izraelitë pashaportat dhe vizat tona. Ushtarët kalamaj pasi na kontrolluan dokumentet, na skanuan çantat dhe pajisjet që kishim me vete na lanë të kalonim. Ne ishim ‘të privilegjuar’ në Kalandia. Kaluam pa problem meqë ishim të huaj. Por aty pamë palestinezë që nuk i linin dhe i kthenin mbrapsht. Çfarë ironie. Ne që kishim ardhur nga një botë tjetër kishim më shumë të drejta sesa palestinezët në tokën e tyre.

Miqtë tanë palestinezë nuk erdhën dot me ne në Jeruzalem pasi atyre nuk u lejohej të futen në Izrael. Ata i lamë pas në rrëmujën e Ramallahut ndërsa dolëm nga burgu i Palestinës për në utopinë biblike të zionizmit, në Izrael.

Në anën tjetër të kufirit na priste Ahmad Siami, drejtori i marrëdhënieve me publikun për Autoritetin Palestinez në Jeruzalem. Ahmadi ishte një jeruzalemist i vjetër. Patriot i madh, burrë i vuajtur dhe goxha xhentëllmen. Ahmadi ishte rezident i Jeruzalemit. Ndryshe nga palestinezët që jetojnë matanë murit të Kalandies në Bregun Perëndimor, Ahmadi gëzonte disa nga privilegjet e izraelitëve edhe pse ai nuk kishte pasaportë izraelite por palestineze.

Ahmadi na mori sapo kaluam murin dhe me makinën e tij me targa izraelite e na çoi në Malin e Ullinjve. Rrugës për në Haram al-Sherif, ai na tregonte si të dallonim banesat e arabëve nga banesat e çifutëve. Arabët në taracat e tyre vendosnin fuçi të mëdha të zeza për të depozituar ujin, ndërsa banesat e izraelitëve nuk kishin fuçi pasi çifutët furnizoheshin 24 orë në ditë me ujë nga ujësjellësi i Jeruzalemit, ndërsa arabët 3 herë në javë.

Kur dikush kalon murin që ndan Bregun Perëndimor dhe hyn në Izrael arrin të kuptojë që është në një vend tjetër. Me murin që ka ndërtuar në cepin e Jeruzalemit, Izraeli arrin të fshehi nga sytë e botës, si një magjistar, atë që ndodh matanë murit në Bregun Perëndimor. Muri e fsheh krimin e madh të Izraelit sikur ai personi që kur bën pis plehrat i hedh nën rrogoz. Në zonën palestineze mbizotëron varfëria, kaosi, rrëmuja, rrugët e ngushta, pallatet e sajuara dhe frika. Aty ushtria izraelite mund të të mbylli rrugën në çdo moment, mund të të vrasë, dhe mbi të gjitha të vendos tabela në hyrjen e fshatit apo qytetit tënd ku izraelitët paralajmërohen që të mos hyjnë pasi Izraeli arabët i tregon si egërsira. Izraeli dhe Palestina i ngjajnë romanit 1984 ku sistemi utopik i Vëllait të Madh ka ndërtuar dy shoqëri; dy realitete të cilat ndahen me mure dhe sundohen me dhunë, frikë dhe mashtrim.

Izraeli është një shtet mashtrues. Sikur Dexhalli, mashtruesi i madh të cilin profeti Muhamed i paralajmëroi muslimanët në profecitë e tij. Izraeli është një vend sa i frikshëm dhe kriminal, aq edhe i bukur dhe modern. Izraeli është një vend i ndërtuar mbi një utopi të stisur biblike dhe kjo utopi, ashtu sikur utopia jonë komuniste në kohë të Enver Hoxhës që na thoshte se ne ishim një shkëmb graniti në Evropë, implementohet me dhunë dhe terror.

Kur kalon në Jeruzalem e vetmja gjë që të tregon se gjërat nuk janë mirë, janë muret e larta që ndajnë fshatrat palestinezë nga Izraeli, repartet ushtarake që ndodhen pranë zonave arabe dhe numri i madh ushtaravë dhe policëve që gjenden në çdo cep të Izraelit. Në Jeruzalem ashtu sikur edhe gjetkë në Izrael ka shumë ushtarë. Vetëm ushtarë. Në Jeruzalem sheh ushtarë në rrugë, në xhami, në pazar, në stacione autobusi, në qendrat tregtare, në ministri dhe kudo. Ushtarët izraelitë janë aq të shumtë, sa që sikur edhe gjithë Kina të shkonte për ushtar në Izrael nuk do prodhonte dot aq shumë. Kur shikoja aq shumë ushtarë u habisja dhe thoja: ku i gjen Izraeli gjithë këta fakira që u jep nga një pushkë në krah dhe i nxjerr në rrugë të vrasin arabët? Izraeli është një vend shumë i mërzitshëm.

Sikur tregova më lartë pasi na mori nga kufiri Ahmadi na çoi në Malin e Ullinjve. Ky mal që në fakt është një kodër e cila qendron në zonën arabe të qytetit të shpalos një pamje fantastike të Haram al-Sherifit. Kupola e Shkëmbit, Aksaja dhe sheshi i saj madhështor janë ndërtuar mbi një pllajë kodre. Kubetul Sakhraja me kupolën e saj ngjyrë floriri dhe gurët e bukur që kanë ndërtuar Aksën, rrugët dhe muret e Haramit të krijojnë idenë që këtu je në një vend të shenjtë. Sheshi masiv i oborrit të Aksës me pemët që zbukurojnë parkun përreth xhamisë të krijon idenë se këtu je me të vërtetë në një vend të shenjtë. Minarja e xhamisë Aksa dhe Kubetul Sakhrasë të duket sikur shkrihen në një me qiellin blu, dhe këto të dyja të tregojnë mrekullinë që ka krijuar Allahu, Zoti i profetëve të Tokës së Shenjtë. Ngjyra e bardhë e gurëve, blerimi i pemëve, azani hyjnor i muezinit të Aksasë dhe kupola e Kubetul Sakhrasë magjepsin të gjithë pelegrinët. Çifutë, të krishterë dhe muslimanë, të gjithë dorëzohen kur shohin Haram al-Sharifin me pamjen e tij që duket sikur është nga xheneti dhe jo nga kjo botë. Kubetul Sakhraja me ngjyrën e saj të florinjtë sikur tregon që ky shesh, kjo Faltore e ngritur mbi këtë kodër është vendi i rrugës për në qiell. Vendi ku profeti Muhamed shko te Allahu, vendi ku Allahu ngriti Krishtin në qiell, vendi ku Sulejmani i lutej Allahut sëbashku me njerëzit dhe xhindët e tij. Pamja madhështore shërben si një hajmali psikologjike, e cila e shplodh pelegrinin dhe e bën që të harroj diktaturën izraelite që kontrollon Palestinën.

Në malin e ullinjve vijnë me mijëra pelegrinë nga e gjithë bota. Të krishterë, çifutë, muslimanë, qafirë, idhujtarë. Turlifarë dykëmbëshash që quhen njerëz! Të gjithë shohin këtë tempull të mrekullueshëm të Islamit i cili dëshmon fuqinë e fesë së Muhamedit në tokën e pushtuar të Zionit. Zionistët edhe pse kanë arritur të pushtojnë të gjithë Palestinën; edhe pse kontrollojnë Evropën dhe Amerikën; edhe pse kanë nënshtruar Vatikanin, Arabinë, Egjiptin dhe Jordaninë; edhe pse kontrollojnë paranë e dynjasë; edhe pse kanë armë atomike, raketa, avionë dhe tanke, deri më sot nuk kanë arritur ta shkatërrojnë dhe përvetësojnë ende xhaminë Aksa, edhe pse rabinët ekstremistë çifutë luten për këtë gjë natë e ditë. Ky fakt ata i irriton shumë, pasi Aksaja me bukurinë e saj është halë në sy për projektet judaizuese të Izraelit. Por për sa kohë në Aksë do falen muslimanët, do ketë minare dhe thërritet azani, projekti për judaizimin e Izraelit do jetë i dështuar. Fjala e Allahut deri në këto momente kumbon ende krenare në shtetin e Zionit.

Pasi vizituam malin e ullinjve Ahmadi na drejtoi për në Haramin e Shenjtë. Ecëm nëpër rrugët e Jeruzalemit deri sa arritëm pranë hotelit King David dhe ish-konsullatës amerikane. Hoteli i King Davidit është i famshëm në historinë e Palestinës, pasi në 1946 ai u hodh në erë nga grupi terrorist çifut i Irgunit i cili kërkonte të shpallte shtetin e Izraelit, ku u vranë dhjetra britanikë. Pranë hotelit, konsullata amerikane ishte e mbyllur pasi amerikanët po kalonin në ambasadën e re në Jeruzalemin e pushtuar. Makinën e parkuam në rrugën Gershon Agron, rrugë e emëruar pas një ekstremisti ukrainas çifut që ka qenë bashkiak i Jeruzalemit. Më pas ecëm deri sa arritëm në rrugën e sulltan Sulejmanit. Aty përpara nesh u shfaq porta e Damaskut, një nga nëntë portat që të lënë të hysh në Jeruzalemin e vjetër. Kjo portë dhe muret që rrethojnë Jeruzalemin janë ndërtuar nga sulltani ynë, Sulejmani i Mrekullueshëm. Porta e Damaskut ashtu sikur të gjithë portat e tjera të qytetit të vjetër ruheshin nga ushtarë të armatosur të cilët duket sikur ishin aty për të vrarë njerëzinë.

Porta e Damaskut dhe pazari që vijonte pasi hyje brenda në Jeruzalem të bënin të ndjeheshe sikur je në Isfahan apo Stamboll dhe jo në një qytet perëndimor. Pasi ecëm nëpër pazaret e Jeruzalemit mes ushtarëve izraelitë, më pas u kthyem në mëhallën e zezakëve – apo lagjen e muslimanëve nga Afrika dhe që aty u futtëm për në Haram al-Sherifin. Hyrja për në Haram kontrollohej nga dhjetra ushtarë izraelitë të cilët i kërkonin dokumentet vizitorëve dhe i pyesnin për fenë. Ushtria dhe policia izraelite ishte edhe brenda vetë Kompleksit të Shenjtë. Kur hyn brenda në Haram shtangesh. Bukuria e Kubetul Sakhrës apo e Kupolës së Shkëmbit, e Xhamisë Aksa, dhe e vakëfeve të tjera që janë në Faltoren e Jeruzalemit të trondisin. Zemra, duart e këmbët të dridhen. Kubetul Sakhraja të kujton Qabenë, ndërsa Aksaja të kujton Xhaminë e Profetit në Medinë. Besimtari emocionohet kur sheh për herë të parë vendin e bekuar ku kanë predikuar profetët biblikë dhe ku profeti Muhamed u ngjit për në qiell.

Pasi i dhamë selam Haramit dhe iu lutëm Allahut që të bekojë dhe ruajë Xhaminë e Shenjtë, Ahmadi na prezantoi me drejtorin e Vakëfit dhe Haram al-Sharifit të Xhamisë Aksa, Sheh Omar Avdallah Kisuanin. Imami që është përfaqësues i mbretërisë së Jordanisë e cila ka juridiksion mbi Xhaminë e Shenjtë na tregoi hallet që muslimanët përjetonin në Jeruzalem. Ata sulmoheshin në mënyrë të vazhdueshme nga çifutët fanatikë që kërkonin të falen dhe pushtojnë xhaminë. Ata i urrenin muslimanët e nuk pranonin të bashkëjetonin me ta. Muslimanët i shikonin si skllevër. U kërkonin të largohen nga Palestina dhe shkojnë në Arabinë Saudite, ndërsa Haram al-Sherifin e quanin Tempulli i Malit. Qeveria izraelite që mbështeste grupet ekstremiste çifute ishte duke gërmuar nga poshtë xhaminë për të gjetur tempullin e pretenduar të çifutëve.

Imami i cili dukej i trembur dhe i dobët përpara dhunës ushtarake dhe policore izraelite që e rrethonte nga do, tregoi sesi ushtarët izraelitë persekutonin besimtarët. I ndalonin të hyjnë në xhami, i trembnin dhe mbështesnin kolonistët kur ja mësynin xhamisë. Imami që ishte një burrë zotni, i dashur dhe i vetëm, më apeloi që tu them muslimanëve të të gjithë botës që të kryejnë obligimin e tyre fetar. Të vijnë në Palestinë, vizitojnë xhaminë Aksa, xhaminë e Ibrahimit, Malin e Ullinjve nga ku Krishti u ngjit në qiell dhe të luten për muslimanët e Tokës së Shenjtë. Imami dhe muslimanët e tjerë të Jeruzalemit prisnin shumë nga bota muslimane. Ata ndjeheshin të braktisur dhe harruar dhe kënaqeshin kur shikonin muslimanë evropianë që vizitonin xhaminë e tyre. Prezenca e tyre shërbente si një argument kundër racistëve çifutëve që i ofendonin si skllevër. Prezenca jonë si evropianë i lumturonte shumë palestinezët të cilët na merrnin për turq, fakt që mua më ekzaltonte. Të qenit tonë evropianë sikur i tregonte çifutërve nga Rusia, Ukraina e Polonia që pretendonin superioritet mbi arabët, që ka evropianë sikur ata që në fakt besonin fenë e arabit të bekuar, Muhamedit s.a.s. Kur po shkonim në zyrën e imamit, Ahmadi na tregoi që kur izraelitët kishin pushtuar Aksanë në 1967, brenda në xhami kishin vënë flamujtë e zionit. Por ambasadori turk që ishte në Izrael në atë kohë kishte telefonuar kryeministrin izraelit Levi Eshkol dhe e kishte pyetur pse Izraeli ka çuar flamujtë çifut brenda xhamisë Aksa. Levi i kishte thënë “nga që i mundëm arabët”. Ambasadori turk i kishte thënë, ju fituat luftën me arabët, por jo me muslimanët. Prandaj flamurin duhet ta hiqni nga Haram al-Sharifi. Çifutët ishin bindur.

Pasi dolëm nga zyra e imamit dhe shkuam për në Kubetul Sakhra dhe në xhaminë e Aksës, nëpër oborrin e xhamisë endeshin dhjetra policë zionistë me uniforma të zeza. Në Kubetul Sakhra kujdestarët e xhamisë lejonin vetëm muslimanët të hynin. Sensitiviteti i kujdestarëve lidhej me faktin se ekstremistët çifutë kërkonin të hyjnë në xhami pasi mendojnë se aty është gurëthemeli i tempullit çifut.

 

Pasi i deklarova shehadetin kujdestarëve të Kubetul Sakhrës u futa në xhami ku arrita të shoh nga afër brendinë e mrekullueshme të xhamisë e cila ngrihet mbi një shkëmb nga ku profeti Muhamed u ngrit për në qiell. Shkembi i cili qendron në mes të xhamisë është me një zgavër poshtë e cila njihet ndryshe edhe si pusi i shpirtërave, pasi një legjendë tregon që aty dëgjohen shpirtërat e njerëzve të vdekur që presin Yaum al-Dinin apo Ditën e Gjykimit. Aty futen shumë besimtarë të cilët i luten Allahut. Në Shpellën e Shpirtërave unë fala namazin e ylesë dhe iqindisë ndërsa falenderova dhe lavdërova Allahun që më kishte mundësuar faljen në një vend të këtillë.

Pas faljes në Kubetul Sakhra shkuam në Xhaminë Aksa e cila gjendet në cepin jugor të Haram al-Sharifit dhe është e drejtuar nga Meka. Xhamia e Aksasë ashtu sikur edhe xhamia e Ibrahimit dhe Kubetul Sakhra është e ndërtuar nga masive të mëdhenj gurësh. Aksaja përmendet në Kuran në Suren el-Isra ku Allahu përmend udhëtimin e profetit Muhamed nga Meka për në Jeruzalem:

Pa të meta është Lartëmadhëria e Atij që robin e Vet e dërgoi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (Xhamisë së Shenjtë në Mekë) për në Mesxhidi Aksanë (Xhaminë më të Largët), rrethinën e të cilës E kemi bekuar. Kjo për ti treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet Ai është Dëgjuesi, Pamësi.

Kuran 17: 1

Xhamia e Aksasë ishte masive. Ajo kishte dy kate lutjesh, një nën tokë e një mbi tokë. Xhamia ishte e mbushur me besimtarë, zbukurime dhe emblema nga perandoritë e kaluara islamike që janë marrë me rikonstruktimin e saj. Në Aksa fala dy rekatë dhe ju luta Allahut për Palestinën.

Më pas në oborrin e xhamisë bëra edhe një video ku tregoja shqetësimin tim me situatën në Palestinë. Gjatë videos disa kalamaj palestinezë më ndërprenë xhirimin, duke më folur turqisht pasi menduan se jam turk.

Pas vizitës në xhami dolëm nëpër qytetin e vjetër ku vizituam Murin e Burakut (vendin ku ka qendruar kafsha që çoi profetin Muhamed në qiell). Ky mur sot njihet si Muri i Lotëve apo Muri Perëndimor ku çifutët besojnë se ka ekzistuar tempulli i Solomonit.

Më pas shkuam në Kishën e Anastasit apo Kishën e Qametit apo të Ringjalljes ku të krishterët besojnë se ndodhet vend-kryqëzimi i Jezu Krishtit dhe Golgota apo varri ku Krishti u vendos pas kryqëzimit. Kisha e Qametit [apo Ecclesia Sancti Sepulchri] ishte e mbushur me besimtarë nga e gjithë bota të cilët luteshin dhe ndiznin qirinj për veten dhe Jezu Krishtin. Unë u luta gjithashtu. I dërgova një el-Fatiha Jezu Krishtit dhe u luta për paqe për të, të krishterët e Palestinës dhe Tokën e Shenjtë.

Pas lutjes në Kishën e Ringjalljes u nisëm për në Betlehem. Betlehemi ishte 9 km larg nga qendra e Jeruzalemit. Meqë rrugët ishin të mbushura me makina të krishterësh që shkonin në Kishën e Lindjes së Krishtit ne vendosëm të evitojmë trafikun dhe të hipim në autobus, pasi autobusët kishin linjë të dedikuar dhe nuk ngelnin në trafik. Autobusi që hipëm nga Jeruzalemi deri në pikën e kontrollit 300 ishte i mbushur me punëtorë arabë që ktheheshin nga puna në Izraeli. Pasi mbërritëm në pikën e kalimit ne dhe arabët zbritëm të gjithë nga autobusi që aty kishte linjën e fundit. Hymë të gjithë si grup nëpër kafazët izraelitë të kontrollit për të kaluar në qytetin e lindjes së Jezu Krishtit.

Pasi kaluam kafazët që ndajnë Autoritetin Palestinez nga Izraeli ne dolëm në Betlehem (apo Shtëpinë e Mishit – Bejt el Lahm). Pika e kontrollit 300 ishte njësoj sikur në Kalandia. Kur dilje në tokat palestineze përballeshe me të njëjtin fenomen sikur edhe në Kalandia. Arabët ishin të varfër, të thjeshtë dhe të shtypur. Disa nga arabët që kishim në autobusë ishin të krishterë. Mbanin në qafë kryqet e Jezu Krishtit.

Miqtë tanë nga Ramallahu që kishin udhëtuar me orë për të ardhur në Betlehem na prisnin përtej murit. Pasi dolëm nga kafazët ata na morën dhe na çuan për vizitë në Hotelin e Murit të ndërtuar nga artisti britanik “Banksy”. Hoteli i Murosur është një hotel i ndërtuar përballë murit të frikshëm që Izraeli ka ndërtuar në hyrje të Betlehemit për të ndarë qytetin e Krishtit nga pjesa tjetër e Izraelit. Banksy e ka ndërtuar hotelin si një nga pikat me interesante turistike të Izraelit dhe Palestinës ku kishin ardhur si turistë ministra, aktorë e këngëtarë nga e gjithë bota. Hoteli ndahet në tre pjesë; në njërën anë janë dhomat, në tjetrën është një bar; dhe pjesa tjetër është muzeumi ku vizitorët shohin historinë kriminale të Izraelit, Amerikës dhe Britanisë me Palestinën. Banksy e ka dizanjuar hotelin si një burg. Kur hyn në hotel shikon kamera, sëpata, kafka, ushtarë izraelitë, mure, plumba, gjak, Jezu Krishtin e gjakosur, engjëj në agoni që mbahen me oksigjen etj dhe ideja të krijohet sikur po hyn në ndonjë film horror. Kur ecën në hotel, Banksy ka vënë edhe një telefon të cilit i bie zilja. Kur e hap telefonin një zë të fletë. Zëri është kopje e asaj që bën ushtria izraelite kur u bombardon shtëpitë palestinezëve. Në telefon ushtari izraelit thotë këtë tekst:

Përshendetje.

Emri im është Dani.

Jam oficer në inteligjencën ushtarake izraelite.

Do të bombardojmë shtëpinë.

Dil jashtë!

Ke 5 minuta përpara se të vijnë raketat.

Hoteli dhe muzeumi i Banksyt kërkon ti tregojë botës fytyrën sadiste të Izraelit. Ky hotel është një nga vendet që kushdo që shkon në tokën e shenjtë, duhet ta vizitojë. Aty do të shikoni dhe kuptoni Izraelin dhe Palestinën në miniaturë.

Në murin i cili qëndron para hotelit, Banksy ka bërë shumë piktura ku ironizon politikanët perëndimorë të cilët mbështesin qeverinë fashiste të Izraelit. Hoteli i Banksyt është ndoshta institucioni më tërheqës i krejt Izraelit dhe Palestinës, i cili tregon çmendurinë dhe obsesionin utopik të regjimit izraelit dhe mbështetësve të tyre anglo-amerikanë me Palestinën.

Pas vizitës në Hotelin e Murosur miqtë na çuan në Kishën e Lindjes së Krishtit e cila njihet përndryshe si Kanisat ul-Mahd. Betlehemi është qyteti me numrin më të madh të të krishterëve në Palestinë. Por që prej pushtimit izraelit shumë të krishterë janë larguar nga qyteti. Në vitin 1948 të krishterët përbënin 85% të qytetit, por sot si pasojë e largimit të tyre nga Palestina për në Perëndim dhe ardhjes së shumë refugjatëve musliman, të krishterët mendohet se janë rreth 16%.

Në Kishën e Ringjalljes mbërritëm rreth orës 10 pm. Sheshi para saj ishte i mbushur me palestinezë të krishterë dhe shumë pelegrinë të huaj të cilët prisnin meshën e mesnatës për të festuar Krishtlindjen. Festimi i Krishtlindjes mua më bëri shumë përshtypje. Edhe pse Betlehemi ishte i rrethuar nga izraelitët, ne qendër të qytetit ideja të krijohej sikur je diku në Itali, në Firence a në Romë. Sheshi kryesor ishte plot drita dhe në mes të tij ishte pema e Krishtlindjes. Kisha për më tepër dukej tipike katolike. Kishte shumë jezuitë që drejtonin aktivitetin dhe për më tepër në një tabelë jashtë saj shkruhej që rikonstruksioni i Kishës ishte bërë nga një seri institucionesh italiane, ndër të cilat edhe Universiteti i Ferrarës, nëse nuk gaboj.

Mesha e Krishtlindjes ishte një aktivitet katolik i cili mundohej ti tregonte botës që Vatikani është në kontroll të ditëlindjes së Krishtit. Në Palestinë / Izrael ndërsa Kisha e Ringjalljes së Krishtit në Jeruzalem posedohet në pjesën më të madhe nga orthodhoksët, Kisha e Lindjes posedohet në pjesën më të madhe nga katolikët. Ama sikur në Jeruzalem edhe në Betlehem të krishterët e riteve të ndryshme, më në veçanti katolikët, orthodhoksët dhe armenët grindeshin me njëri tjetrin për kontrollin e hapësirave të këtyre dy kishash themeltare në historinë e Krishtërimit.

Si të ftuar specialë ne morëm pjesë në darkën që u shtrua nga Kisha dhe jezuitët, ku presidenti i Palestinës, Mahmoud Abass ishte i ftuari kryesor. Pas kësaj në meshë erdhën autoritetet kryesore të Palestinës sëbashku me ministrin e jashtëm Rijad al-Maliki. Mesha e Krishtlindjes e cila transmetohej live nga shumë televizione botërore të krijonte idenë sikur në Palestinë çdo gjë shkonte mirë.

Bledi, një nga gazetarët që ishte me ne transmetoi live stream disa pjesë nga mesha e Betlehemit në facebook, dhe ndjekësit e tij në Shqipëri ishin të mahnitur me këtë meshë. Kuptohet që pak prej tyre e dinin që vetëm 3 km larg Kishës qyteti i Betlehemit ishte i rrethuar nga mure dhe ushtarë izraelitë. Shumë nga komentuesit i thonin Bledit: Lum si ti që je në atë vend. Megjithatë, jam i sigurtë që shumë palestinezë do ëndërronin që të mos jetonin në Betlehemin e pushtuar por në atë natë të ishin në Shqipërinë e lirë.

Shumë nga të krishterët që kishin ardhur nga e gjithë bota atë natë për të marrë pjesë në meshën e Krishtlindjeve kishin paguar 550 dollarë ndaj Kishës për të blerë biletën për të hyrë në meshë. Kur mesha mbaroi pas mesnate, shumë prej tyre që kishin banesat në Izrael kaluan sërisht nëpër kafazët e ushtrisë izraelite për të kaluar në Jeruzalem. Ne me miqtë palestinezë nuk kaluam nëpër kafazët e Izraelit. Udhëtuam në territoret palestineze për rreth një orë deri sa mbërritëm në Ramallah për ti thënë lamtumirë dy qyteteve të shenjta që kishim vizituar atë ditë.

Për fat të mirë izraelitët nuk i kishin mbyllur rrugët. Në hotel arritëm shëndosh e mirë.

Atë natë miqve të mi të krishterë doja t’u thoja:

Gëzuar Krishtlindjen miq!

Qyteti ku lindi Jezu Krishti është nën shtetrrethim!



Burimi : Gazeta İmpakt