Mbi nevojën e Islamit politik te shqiptarët

  • Bilal Kasami duke i dhene besen ambasadorit amerikan
nga Olsi Jazexhi | Publikuar në Dhj. 19, 2016, 12:41 a.m.

1.
Zgjedhja e deputetëve të Partisë Besa në parlamentin e Maqedonisë ka provokuar një debat të madh në mediat dhe politikën shqiptare në Ballkan. Lidhjet e drejtuesëve të kësaj partie me qeverinë turke dhe organizata të tjera fetare turke dhe arabe, alarmuan analistët dhe spiunazhet anti-muslimane që operojnë në Ballkan që të hetojnë dhe sulmojnë këtë parti si përfaqësuesen e “profetizuar” dhe pritur prej kohësh nga islamofobët të gogolit të Islamit politik. Ambasadori amerikan në Maqedoni, Zëri i Amerikës, dhe të gjithë mediat që sponsorizohen apo dekorohen apo i servilosen Amerikës i’u lëshuan Besës duke hetuar punët e saj, drejtuesit dhe pyetur udhëheqjen për qëllimet e kësaj lëvizje. Drejtuesi i saj Bilal Kasami, në të gjithë intervistat që ka dhënë është zotuar për bindshmëri ndaj NATO-s, Amerikës, Bashkimit Evropjan dhe status kuosë së sotme politike të shqiptarëve në Ballkan. Në statutin e Besës, në fushatën elektorale etj, drejtuesit e saj kanë folur për nacionalizmin shqiptar, NATO-n, UÇK-në dhe idera të tjera nacionaliste që partitë e tjera shqiptare kanë.

Por ndërsa në publik Partia Besa nuk ndryshon aspak nga partitë e tjera shqiptare, në privat, nëpër ambjentet fetare të Maqedonisë ideja u krijua para zgjedhjeve se Partia Besa do ishte partia e muslimanëve. Besën e mbështetën disa grupe muslimanësh nga Kosova dhe Shqipëria. “Analistë” nga Tirana shkuan në Shkup e bënin sofizma në mbrojtje të Besës, ndërsa hoxhallarë të ndryshëm yshtnin xhematet e tyre që të votonin për këtë parti. Megjithatë në ballafaqimet publike anëtarët e Partisë Besa kanë ripohuar të gjithë slloganet e nacionalizmit pas-komunist shqiptar, e ndër të tjera edhe nënshtrimin e politikës shqiptare ndaj Vatikanit dhe politikës katolicizuese të tij.

Në emisionin e datës 13 dhjetor në Top Shou në Top Channel në Tiranë, zëdhënësi i Partisë Besa, Arianit Hoxha, deklaroi që Nënë Tereza është heroinë e popullit shqiptar. Me pak fjalë Partia Besa, ose nga frika, ose nga injoranca, apo nga takija – shtirja – fshehja e besimit – po pranon simbolet e rikonkuistës katolike në Ballkan ndaj shqiptarëve. Nëse dikush sheh revistën Shenja që dy drejtuesit kryesor të Besës drejtonin, shkruesit në këtë revistë janë Ervin Hatibi, Enis Sulstarova, Abdi Baleta, Çelo Hoxha, Adri Nurollari etj. Pra shkruesit janë një frappe ndërmjet nacionalistëve dhe muslimanëve tip tallava shqiptar. Asnjë islamist nuk lexohet në faqet e Shenjës dhe shkrimet e kësaj reviste – ku ne mund të lexojmë idetë e drejtuesëve të Besës – flasin vetëm për nacionalizëm. Kuptohet që herë pas here shohim edhe ndonjë figurë të qeverisë turke, por boshti ideologjik i saj është nacionalizmi shqiptar.

Me pak fjalë, Partia Besa, përtej gurgulesë që bën mediat islamofobe dhe inshallave të hoxhallarëve dhe besimtarëve nëpër xhamitë e Shkupit, nuk është parti e Islamit. Ajo në fakt është një parti pa ideologë, pa një platformë të qartë. Sikur edhe revista Shenja, ajo punon me shkrime të huazuara nga të tjerët. Disa njohës të saj, thonë që Besa mundohet të kopjojë Vetëvendosjen – vetëm se me një përjashtim. Besës i mungon një ideolog ateist sikur Albin Kurti. Edhe pse fytyrat e zyrtarëve turq që dalin në revistën Shenja herë pas here të hutojnë dhe krijojnë idenë sikur Besaxhijtë mund të jenë edhe islamistë, fakti është që ata nuk janë. Ata janë kopjacë nacionalistë. Apo popullorshe mund ta thoja: ata vërtetë i hanë bukën turkut, por duanë ia bëjnë kaurit.

2.
Edhe pse agjencitë dhe spiunazhet perëndimore që operojnë në Ballkan janë munduar të gogolizojnë islamin politik, dhe që prej viteve 90 kur ra komunizmi, i trembin shqiptarët muslimanë që të mos bëjnë parti politike islame – fakti është që muslimanët në Ballkan kanë nevojë për Islamin politik, apo më saktë për organizimin e tyre politik. Sot në Ballkan çdo grup masiv njerëzish ka organizimet e tija politike. Shqiptarët, maqedonët, serbët, grekët, malazezët, romët, evgjitët, turqit, vllehët, boshnjakët, socialistët, hajdutët, demokratët, katolikët e kushdo që do të përfaqësohet politikisht, ka partinë e tij. Edhe Sorosi krijoi partinë e tij G99 para disa vitesh me protestantë sikur Erjon Velija me shokë. Vetëm muslimanët nuk kanë, apo më saktë nuk i lënë që të krijojnë partinë e tyre.

Sabotimi i muslimanëve shqiptar që të krijojnë Islamin politik është institucional, ideologjik, politik dhe ushtarak në Ballkan. Në një tryezë që Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare organizoi në Tiranë më 22 nëntor 2016 me temë “Radikalizmi dhe ekstremizmi fetar në Ballkan” prezantuesi islamofob i këtij instituti, tregonte shqetësimin që organet e “sigurisë” kanë për krijimin e partive islamike nga shqiptarët. Në reagimin tim ndaj kësaj teze islamofobike, e cila kërkon që shqiptarëve muslimanë t’u hiqen liritë e tyre demokratike dhe të mos lejohen të krijojnë partitë e tyre sikur kanë të krishterët – drejtori i ISHSN-së këmbënguli që partitë islamike janë të rrezikshme dhe nuk krahasohen dot me partitë kristjane. Pra muslimanët paragjykohen ideologjikisht, dhe si pasojë e këtij paragjykimi u hiqet e drejta për të qenë aktorë demokratikë në një shoqëri demokratike.

Edhe pse si në Shqipëri, si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni shqiptarëve u bëhet presion i lloj-llojtë që të mos bëjnë parti islamike, shqiptarët muslimanë janë munduar në këto dekadat e fundit që të krijojnë partitë e tyre. Idetë e para të islamit politik shqiptarëve u kanë ardhur pas revolucionit islamik në Iran, kur imam Khomeini rrëzoi Shahun dhe muslimanët morën pushtetin. Këto ide, sëbashku me idetë e Lëvizjes së Vëllazërisë Muslimane, u forcuan pasi në Turqi Nexhmedin Erbakani themeloi lëvizjen e Milli Gorushit e më pas Refah Partinë. Sukseset e Erbakanit në risjelljen e Islamit në politikën e Turqisë, kanë inspiruar edhe muslimanët e Ballkanit. Alija Izetbegoviçi me Partinë e Aksionit Demokratik inspiroi disa grupe muslimanësh që në vitet 90 të krijojnë parti si-motra në Kosovë dhe Maqedoni. Pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, muslimanët kosovarë krijuan një seri partishë – që nga Partia e Drejtësisë, Lëvizja Islame Bashkohu, Partia Fjala etj me të cilat ia kanë mësyrë politikës.

3.
Një fenomen që ka përshkruar lëvizjet e muslimanëve në politikë si në Shqipëri, ashtu edhe Kosovë në këto vitet e fundit ka qenë 1. përçarja, 2. dështimi, 3. paqartësia ideologjike, 4. shtirja apo fshehja e besimit, dhe 5. lufta që regjimet laik-katolike i kanë bërë Islamit politik. Partia Besa në Maqedoni i ngjan pak a shumë Partisë së Drejtësisë në Kosovë e cila e nisi historinë e saj si parti e muslimanëve, por që më pas e përballur me presionin e mediave dhe ambasadave perëndimore humbi identitetin e saj. Përjashtim në historinë e islamit politik te shqiptarët bëri për pak kohë LISBA apo Lëvizja Islame Bashkohu. E drejtuar nga veterani i luftës së Kosovës Fuad Ramiqi, një ish-oficer me eksperiencë në ushtrinë jugosllave dhe FARK, ajo drejtoi një seri protestash kundër regjimit të Prishtinës i cili ofendonte muslimanët, sheriatin, nuk i lejonte të ndërtojnë xhami të madhe në Prishtinë etj. Protestat për shaminë, futjen e lëndës fetare në shkolla, kundër LGTB-izmit, kundër presidentes Jahjaga që ofendoi sheriatin etj, i dhanë kësaj partie imazhin e një lëvizje rinore dhe qytetare islame e cila mund të krahasohej me Vetëvendosjen. Kjo Lëvizje e cila përndryshe nga partitë e tjera muslimane, ndërmerrte edhe aksione politike, sikur protestat etj, u sulmua rëndë nga regjimi i Prishtinës. Udhëheqësi i saj Fuad Ramiqi u anatemua si njeri i Serbisë, u arrestua nën akuzat e terrorizmit, ndërsa shumë hoxhallarë bashkëpunëtorë më SHIK-un e sulmuan dhe bojkotuan.

Në anën tjetër, partitë e tjera, më të “moderuara” të muslimanëve me kalimin e kohës e kanë humbur apelin e tyre dhe me pak fjalë islami politik është vënë në gjumë. Siç debati im më i fundëm në Top Shou me përfaqësuesin e Besës tregoi, muslimanët shqiptarë në Ballkan sot kanë turp dhe frikë që të pranojnë që janë muslimanë. Kanë frikë të citojnë Islamin si ideologji të tyre, dhe kanë frikë që të pohojnë lidhjet që kanë me botën e Islamit. Në anën tjetër, islamofobët laik-katolikë e sulmojnë islamin politik si të sponsorizuar nga sllavët e Serbia, duke arritur kështu që ti trembin veprimtarët e tij.

Por ndërsa muslimanët janë në defensivë, të krishterët, sidomos katolicizmi politik është në ofensivë. Udhëheqësit shqiptarë mblidhen në Vatikan sa herë që Papa ka adetet e tij. Shenjtorë të nacionalizmit shqiptar pas-komunist sot janë atleti i Krishtit – Skënderbeu, misionarja e Papës – Nënë Tereza, masakruesit dhe fashistët anti-musliman dhe anti-çifutë sikur Pjetër Bogdani, Gjergj Fishta etj. Në Shqipëri, kryeministri Rama e ka kthyer vendin në një regjim mesjetar teokratik ku Rama e çon ta bekojë qeverinë e tij në Vatikan pas përzgjedhjes, Papës i deklaron që Shqipëria nuk është vend musliman, ndërsa në anën tjetër shkatërron Kisha Orthodhokse për hir të misionarëve katolikë, dhe burgos muslimanë sipas qejfit.

4.
Të përballur me ofensivën e Katoliçizmit dhe katolicizimin e institucioneve shtetërore si në Kosovë, Shqipëri por edhe në hapësirat shqiptare në Maqedoni, shqiptarëve sot u nevojitet Islami politik. Ky Islam i cili duhet të mobilizojë energjitë demokratike të shqiptarëve muslimanë në tre shtetet ku ata banojnë, duhet që të luftojë me mjete demokratike që të ruaj identitetin islam të shqiptarëve musliman. Ndryshe nga vendet e Lindjes së Mesme, ku Islami politik synon të vendosë sheriatin, në rastin tonë në Ballkan, Islami ynë politik duhet të luftojë që të ruaj shekullarizmin, demokracinë dhe lirinë e besimit nga teokracia laik-katolike. Islami politik shqiptar duhet ti japi fund agresionit katolik në institucionet shtetërore shqiptare, dhe katoliçizimit të identitetit kombëtar. Në anën tjetër muslimanët shqiptarë nëpërmjet pjesëmarrjes politike duhet që të influencojnë që shtetet ku ata jetojnë ti japin fund aparteidit kundër muslimanëve. Ky aparteid që shihet në media, punësim, institucione shtetërore, demonizimin e Islamit, shkrimin e historisë etj duhet larguar dhe muslimanët duhet që të zënë vendin e tyre në Ballkan.

Ndërsa në muzeume sikur Muzeu Kombëtar në Tiranë pushtetarët shqiptarë reklamojnë Nënë Terezën por refuzojnë të ndërtojnë një pavion për historinë tonë osmane, Islami politik nëse një ditë merret me pushtetin do të duhet që të rishkruaj dhe rinegocioj historinë. Do të duhet që ti tregoj shqiptarëve që ne jemi muslimanë, që të parët tanë ishin osmanë dhe kemi bërë histori në perandoritë e islamit. Islami politik do të duhet të ndërhyjë në legjislativin shqiptar, në politikën e jashtme dhe të brendshme duke i treguar shqiptarët në arenën ndërkombëtare si popull me shumicë muslimane. Islami politik duhet ti japi fund aparteidit historik dhe politik i cili trajton Islamin dhe shqiptarët musliman sikur të jenë zezakë të Afrikës së Jugut gjatë kohës së Aparteidit.

Duke qenë se shqiptarët muslimanë janë popull minoritar në Evropën e Krishterë, Islami politik do të duhet të ndërtojë politika pacifiste. Këto politika do të duhet ti largojnë shqiptarët nga organizata të dhunshme dhe militariste sikur NATO, dhe Shqipëria e Kosova duhet të kthehen sikur Zvicra dhe Omani, vende të paangazhuara në blloqet luftarake. Islami politik shqiptar do të duhet ta ruaj Islamin si nga asimilimi prej Krishtërimit ashtu edhe nga përplasjet ideologjike dhe sektare në Botën Islame.

Ndryshe nga sot, kur shqiptarët muslimanë shpesh manipulohen në idetë e tyre nga regjimet e Lindjes së Mesme, dhe në disa raste edhe radikalizohen duke u çuar mish për top në xhihadet e tyre, Islami politik te shqiptarët do të duhet të jetë pacifist dhe evropianist. Liderët e Islamit politik shqiptar do të duhet të ndjekin rrugën e lëvizjeve të tjera pacifiste të botës, sikur gandizmin apo Mandelën. Muslimanët shqiptarë nuk kanë mundësi tjetër por të jenë pacifistë. Ata jetojnë në Evropë dhe që kur Turqia Evropjane u zhduk në 1913, fatet e tyre janë përcaktuar dhe përcaktohen nga kancelaritë e Perëndimit. Në anën tjetër, projekti multikulturalist i Bashkimit Evropian përbën një shans të mirë për Islamin te shqiptarët që ti bashkangjitet projektit multikulturor të Evropës. Evropa e Bashkuar, nëse ajo mbijeton, do të jetë një bashkësi e mrekullueshme komunitetesh. Dhe ashtu sikur çifutët, të krishterët, ateistët etj, edhe muslimanët do të mund të bashkëjetojnë në paqe në Evropën e Bashkuar.

Dhe në përfundim, Islami politik i duhet shqiptarëve dhe Evropës. Sot në Evropë ka parti të majta dhe të djathta, demokristiane dhe ambientaliste, pirate dhe fashiste. Në këtë gjurulldi ideologjishë dhe lëvizjesh politike, shqiptarët muslimanë do të duhet të dinë të ritregojnë veten e tyre. Shqiptarët nuk janë katolikët rilindas të Edi Ramës dhe Artan Shkrelit. Shqiptarët me shumicë janë muslimanë dhe feja e tyre, Islami ka shumë për ti mësuar qytetërimit evropian. Kurani i mëson muslimanët si të kujdesen për të varfërit, shtypurit, dobëtit, sëmurët, prindërit dhe gjithë qëniet njerëzore. Muhamedi a.s. i dha arabëve Islamin, i cili në kohët kur Evropa jetonte nën terrin e Katoliçizmit, i ktheu arabët, persët dhe turqit në popujt më të ndritur dhe zhvilluar të botës. Pra Islami politik në mesin e shqiptarëve, ndërsa duhet të jetë totalisht i distancuar nga Islami xhihadist që ka shpikur Perëndimi dhe regjimet arabe, do të duhet që të jetë një Islam illuminist. Islam i dijes, logjikës dhe humanizmit.

Për këtë lloj Islami kanë nevojë sot shqiptarët, evropianët dhe gjithë njerëzimi. Prandaj shqiptarët muslimanë do të duhet të krijojnë parti politike islamike. Me ato ata duhet të sfidojnë aparteidin laik-katolik dhe iluminojnë të ardhmen e tyre.

Dhe Allahu e di më së miri.



Burimi : Gazeta İmpakt