Konferenca e Tivarit dhe Islami i Tony Blair-it në Kosovë
Në datën 1-2 tetor, Instituti Ndërkombëtar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam (IIIT), AIITC nga Tirana dhe disa organizata të tjera nga Mali i Zi dhe Bosnja organizuan në Tivar të Malit të Zi konferencën me titull “Edukimi Islam mes shqiptarësh: Sfidat dhe perspektivat”. Në këtë konferencë unë mora pjesë si dëgjues. Të ftuarit ishin përgjithësisht hoxhallarë, mësues medreseshë dhe pedagogë lëndësh fetare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Temat që u trajtuan varionin që nga dijet islame, Islami në shkollat publike, institucionet mësimdhënëse islame (dmth medresetë dhe fakultetet islame) dhe çështje e kurrikulave mësimore islame.
Temat që u prezantuan ishin përgjithësisht të thjeshta. Prezantuesit tregonin psh. se çfarë është vakëfi, çfarë është medreseja X, roli i medresesë Y dhe nëse në vendin K, M apo S jepet mësim besimi nëpër shkolla apo jo. Gjatë këtyre prezantimesh gjëja që të binte në sy ishte gjendja e dëshpëruar e hoxhallarëve në Shqipëri dhe Kosovë në lidhje me çështjen e edukimit islam në shkollat publike. Përndryshe nga Serbia dhe Maqedonia, ku shqiptarët muslimanë kanë të drejta fetare dhe fenë ua mësojnë fëmijëve nëpërmjet arsimit publik (në Maqedoni ajo tanimë quhej etika e religjioneve), në dy shtetet shqiptare – Shqipëri dhe Kosovë – militantizmi laik-katolik i përjashton shqiptarët muslimanë nga e drejta e tyre bazike që është mësimi i fesë në shkollat shtetërore. Në një nga këto sesione kur po dëgjoja prezantuesit nga Maqedonia dhe Serbia, dhe keqardhjen e kosovarëve që nuk i lejonin të mësonin fenë e tyre në shtetin e tyre, unë bëra një ndërhyrje, duke u vënë në pah miqve të mi kosovarë faktin që shqiptarët kanë më shumë të drejta fetare në Serbi sesa në Kosovë dhe Shqipëri. Fajtor për këtë theksova unë, është natyra anti-islamike e nacionalizmit shqiptar dhe vura në pah që në viset ku ka penetruar më shumë nacionalizmi dhe modernizmi shqiptar në ish-Jugosllavi – qytete sikur Gjakova, Dibra etj, niveli i de-islamizimit ka qenë më i madh. Miqtë e mi kosovarë, m’u hodhën në fyt për këtë konstatim, pasi siç dihet, kosovarëve nëse u kritikon fenë dhe Zotin nuk e kanë shumë problem, por po u preke kombin “s’e ke kollaj valla”. Hoxhallarët kosovarë kur Dom Lush Gjergji dhe Shan Zefi ua shan Allahun dhe profetin zëri u ndihet pak dhe më shumë rrinë urtë – por kur ndonjë hoxhë sikur Irfan Salihu ua prek mitet kombëtare dhe thotë që Kosovën e shqiptarizuan turqit, ata bëhen më intolerantë sesa ISIS-i, e heqin nga puna dhe e denoncojnë si armik. Sulmeve që më bënë si anti-nacionalist me teza të çuditshme, unë iu përgjigja si historian profesionist që jam, duke u thënë që të mos kenë frikë nga e vërteta dhe të pranojnë faktet shkencore dhe historike dhe që nacionalizmi anti-islamik shqiptar i krijuar nga Perëndimi është problemi kryesor me shqiptarët sot, dhe se krimet që qeveritë shqiptare që nga Enver Hoxha e deri të Enver Hoxhaj dhe Hashim Thaçi kanë bërë kundër Islamit institucional, nuk ua kanë bërë as serbët dot shqiptarëve.Si për të ilustruar këtë fakt, dikush mjaftonte të dëgjonte në këtë konferencë prezantimin e Ajni Sinanit me titull “Rregullimi i gjyqeve të sheriatit dhe e drejta e sheriatit” në Kosovë për të kuptuar tolerancën që Jugosllavia ka patur ndaj Islamit në krahasim me Shqipërinë. Edhe pse Ajni Sinani e sulmoi si nacionalist ish-Jugosllavinë si shtet jo-natyral për kosovarët dhe dënoi faktin që Bashkësia Islame e Kosovës ka qenë nën Bashkësinë Islame të Serbisë (thua se Islami të jetë fe nacionaliste), faktet që ai prezantoi flisnin të kundërtën. Nga viti 1918 deri në 1946 Jugosllavia i njohu dhe respektoi gjyqet e sheriatit në Kosovë, e njohu të drejtën islame, dhe me Ligjin e vitit 1929 u njohu kosovarëve të njëjtat të drejta që u kishte njohur edhe boshnjakëve, pra të administrimit të jetës së tyre sipas Kuranit dhe synetit të profetit Muhamed. Ajniu nuk përmendi në këtë prezantim që një vit më parë, pra në 1928 shteti laik i Ahmet Zogut në Tiranë i dha fund njëherë e mirë sheriatit në mesin e shqiptarëve, dhe kur kryemufti Vehbi Dibra protestoi për këtë sulm shtetëror kundër Islamit, Mehdi Frashëri e kërcënoi hapur në gazetën Koha duke i thënë që ose do pranosh heqjen e sheriatit, mbylljen e medreseve dhe shumë xhamive, ose do të bëjmë ne ta pranosh me sëpatë dhe shpatë. Prezantimi i Ajni Sinanit mbaronte me ish-Jugosllavinë dhe nuk merrej me Kosovën e pas-luftës, ku siç edhe unë theksova në komentet e mia, shteti kosovar me në krye ministrin e saj të jashtëm Enver Hoxhaj i ka deklaruar botërisht luftën ideologjike dhe politike që regjimi NATO-ist i Prishtinës i bën Islamit.
Në intervistën që Enver Hoxhaj i dha gazetares islamofobe Arbana Xharra në portalin Zeri.info në 3 janar 2014 me titull “Hoxhaj: S’na duhet islami i importuar”, Hoxhaj i ka shpallur qartë dhe shqeto planet që udhëheqësia kosovare ka kundër Islamit sot. Hoxhaj deklaronte qartë në këtë intervistë kur pyetej për Islamin dhe lidhjen me botën Islame që:
“Kosova dhe qytetarët e saj në kuptimin e historisë, gjeografisë, në kuptimin e kulturës ne jemi evropianë dhe agjenda jonë evropiane është rikthim në Evropë.”
Dhe kur pyetej për prezencën e OJQ-vë Islame në Kosovë, Hoxhaj tregonte që qeveria e tij sëbashku me praninë ndërkombëtare apo më saktë organizatat perëndimore po kryejnë një inxhinieri sociale apo më saktë kryqëzatë kulturore apo një “kulturskampf” sipas modelit të Bismarkut, e cila synon të de-islamizojë Kosovën dhe tjetërsojë banorët e saj. Ja sesi e shpjegonte këtë ministri Hoxhaj:
“Ne kemi pasur një prani të madhe ndërkombëtare në Kosovë dhe kjo prani ndërkombëtare, qoftë përmes projekteve politike, qoftë përmes mediave të cilat i kemi shumë profesionale, qoftë përmes shoqërisë civile, qoftë përmes investimeve realisht ka krijuar një situatë ku në Republikën e Kosovës ka ndodhur një inxhiniering social.”
Dhe si për ta përmbledhur mendimin e tij në lidhje me solucionin final kundër Islamit të kosovarëve, Hoxhaj deklaronte qartësisht që Kosova nuk ka nevojë për Islam duke thënë:
“… unë nuk kam ndonjë informatë por në planin afatgjatë ftoj çdokënd që të ketë një vigjilencë, të mos përcillet me naivitet sa i përket përpjekjeve që të eksportohet islam në Republikën e Kosovës. Unë mendoj që Kosova nuk ka nevojë as të eksportojë e as të importojë islamin.”
Titulli që Arbana Xharra dhe Artan Haraqija i vunë këtij shkrimi bombë ishte mjaft i qartë: “Hoxhaj: S’na duhet islami i importuar.”[1]
Këto deklarata të frikshme të ministrit Hoxhaj ku ai tregonte që Kosova nuk do Islam dhe do të shkatërrojë Islamin institucional në vend, u finalizuan 9 muaj pas kësaj deklarate. Nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit, qeveria kosovare arrestoi me dhjetra hoxhallarë, politikanë, mbylli dhjetra OJQ synite të sponsorizuara nga Turqia, Kuvajti, Arabia Saudite etj. Dy vite më vonë në korrik 2016 qeveria kosovare mbylli edhe OJQ-të që sponsorizoheshin nga Irani, duke i dhënë fund njëherë e mirë shoqërisë civile islame në Kosovë, duke lënë kështu vetëm OJQ-të perëndimore dhe misionarët e krishterë që të merren me inxhinierinë sociale të shoqërisë kosovare.Këto fakte nuk u përmendën aspak në konferencën e Tivarit. Pjesëmarrësit kosovarë qaheshin pse qeveria nuk pranon të fusë mësim-besimin në shkollat e tyre por pa patur guximin që të shohin pikturën e madhe të ngjarjeve. Fakti që sheriati sulmohet si një kod barbarik nga zyrtarët kosovarë, apo që presidentja kosovare Atifete Jahjaga e ka cilësuar si një ligj barbarik dhe anti-shqiptar i imponuar nga pushtuesi osman, as që nuk u përmend.
Kur në konferencë, hoxhallarët e ndryshëm po flisnin për çështjen e mësim besimit dhe mos-futjen e tij nëpër shkolla, unë përmenda faktin që mësim-besimi do të futet një ditë, por jo nga hoxhallarët por nga katoliku Tony Blair. Qeveria e Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje me islamofobin Tony Blair që në vitin 2012[2] sipas të cilës, arabvrasësi më i madh i shekullit të XXI, do tu mësojë Islamin kosovarëve. Kur i pyeta miqtë e mi kosovarë nesë ishin në dijeni të këtij fakti, ata u përgjigjën po, por askush nuk kishte parë tekstet që Tony Blair po përgatit për Islamin e Kosovës. Dhe siç mund të imagjinohet, Tony Blairi nuk ua kishte marrë dorën hoxhallarëve për mësimin që ai do i bëj fëmijëve të Kosovës mbi Islamin.
Cilësimi im si katolik ndaj Tony Blairit revoltoi Xhabir Hamitin i cili ishte pjesëmarrës në këtë konferencë, dhe nisi të më sulmojë personalisht. Unë i thashë – unë e di që ti je njeriu i departamentit të shtetit dhe Tony Blair-it në Kosovë, por duhet që këtë debat ta mbajmë në suaza shkencore dhe jo në sulme personale. I irrituar nga kundërpërgjigja ime, Xhabiri la tryezën dhe doli jashtë. Idetë e Xhabir Hamitit në mbështetje të planit të Tony Blair-it dhe qeverive perëndimore për të krijuar një Islam të ri në Kosovë u shpalosën mirë në prezantimin që ai mbajti në ditën e dytë të konferencës më titull: Edukimi fetar në Kosovë ka nevojë për kurrikulë dhe mjete të reja pedagogjike. Në këtë prezantim Xhabiri rrëfeu sesi në një konferencë që kishte marrë pjesë në Gjermani, pjesëmarrësit kishin rënë dakort për reformim të mendimit të Islamit. Islami modern që qarqet evropiane po duan të implementojnë në Evropë, sikur po bën edhe qeveria gjermane këtu,[3] është një Islam liberal i cili është çdo gjë por vetëm Islam nuk është. Islami gjerman i Merkelit, Islami francez i Sarkozisë, Islami shqiptar i Edi Ramës, dhe Islami kosovar i Xhabir Hamitit është një Islam që do pranojë barazinë gjinore, lgbt-izmin, harresën e sheriatit dhe pak a shumë kthimin e Islamit nga një fe globale në një bestytni personale.
Xhabir Hamiti deklaroi qartë në prezantimin e tij që ne nuk na duhen xhami, por duhet konsolidim i kontrollit mbi masat. Ai tha që Islami ynë duhet të shkëputet nga arabët dhe iranianët dhe ti harrojmë etërit klasik të Islamit dhe të bëjmë një interpretim të ri të fesë. Mesa kuptohej nga nënteksti, Xhabiri do të ndërtojë një Islam të ri kosovar ku ndoshta ShejhulIslami i tij do të bëhet Herr Tony Blair dhe Xhabir Hamiti që mban foton e Nënë Terezës në xhep. Shkaktar për këtë ridizanjim të Islamit sipas Xhabirit është fakti i xhihadizimit të muslimanëve. Në replikën time e cila u censurua nga Fahrush Rexhepi, unë vura në pah që analiza e Xhabirit për xhihadizimin e muslimanëve ishte e pasaktë, pasi ai nuk vuri në pah që xhihadizimi i Islamit është produkt i imperializmit perëndimor të cilët i shpikën xhihadistët. Islami pa arabë dhe iranianë, që Xhabiri do të ndërtojë nuk është më Islam por mund të jetë fe tjetër. Islamin, pa traditën profetike që ne kemi sot, ne e trashëguam nga arabët me në krye profetin tonë arab dhe iranianët sikur Selman el-Farisiu, Buhariu, Ebu Hanfija, Muslimi, Tirmidhiu etj. Dhe Islami pa arabë dhe iranianë nuk është më Islam. Nën presionin e moderatorit Fahrush Rexhepit unë e pyeta Xhabirin sesi do jetë ky Islami i ri, dhe vura në pah që sot nën sulm nuk është vetëm Islami por edhe Krishtërimi duke cituar Papë Françeskun i cili sulmoi “teorinë gjinore” si armikun më të madh të fesë.[4] Xhabiri i cili u kritikua në pikat e tij edhe nga pjesëmarrës të tjerë nuk arriti ti përgjigjet pyetjeve të mia dhe as të mbrojë Papën në mbrojtjen që ai i bën Krishtërimit, por u lëshua në sulme personale si edhe një ditë më parë.
Pjesëmarrja ime në konferencën e Tivarit më dëshpëroi. Më tregoi sesa keq është situata e Islamit në mesin e shqiptarëve në Ballkan, dhe më rifreskoi edhe njëherë dijet e mia mbi realitetin ku jetojmë. Frika e hoxhallarëve që fjala bie të pyesnin qeverinë e tyre se çfarë do Tony Blair me fenë e tyre në Kosovë (këta të Shqipërisë nuk po i përmend fare pasi këta janë edhe më keq), apo paniku që i ka zënë shumë sysh pas arrestimeve të vitit 2014, i kishte kaluar hoxhallarët në njëfarë pesimizmi për të ardhmen. Ndërsa unë jam koshient që Islami institucional në Shqipëri është mizerje dhe vuan nga injoranca dhe vehabizmi, fakti që në Kosovë ku ka kaq shumë hoxhallarë ka stagnuar, është dëshpërues. Në anën tjetër idetë xhabirhamitiane për krijimin e një Islami të ri, ide që sot pushtetarët e Evropës i shprehin kudo e ngado, apo masat fashiste që qeveri sikur qeveria austriake kanë marrë kundër komunitetit musliman në Austri – të cilit nuk i lejohet që të sjellë hoxhallarë nga jashtë vendit (por kjo masë nuk ushtrohet kundër çifutëve, ortodoksëve dhe feve të tjera) tregojnë që ditë të zeza e presin Islamin në Evropë.
Kuptohet që faj këtu kemi edhe vetë ne muslimanët që kemi rënë pre e vehabizmit skizofrenik dhe lejuam rininë tonë që të xhihadizohet dhe bëj luftë për Arabinë Saudite dhe Amerikën në Siri. Por fajin më të madh e kanë imperialistët perëndimorë të cilët edhe e shpikën vehabizmin dhe e përdorin atë sa herë që duan të krijojnë trazira nëpër botë.
Konferenca e Tivarit mua më tregoi edhe njëherë rënien ciklike të Islamit në Ballkan. Në vitin 1912 Tirana dhe Prishtina ishin nën kalifatin e madh të osmanëve. Në 1945 Tirana ishte e islamizuar sikur Islamabadi. Ndërsa sot ajo është kthyer sikur Porto Riko. Në Kosovë deri në 1946 sundonte sheriati, por në 2011 presidentja e Kosovës e shpalli ligjin e Zotin si ligj barbar. Në Tivar ku u mbajt kjo konferencë deri në vitin 1877 gazilerët dhe levendët e sulltan Abdylhamit Hanit mbronin Turqinë në Evropë nga sulmet e kryqit, por tani qyteti i konferencës sonë ishte një qytet i kryqit. Dhe tani planet që qeveritë perëndimore kanë për krijimin e islameve të reja, të bëjnë të frikësohesh për të ardhmen tënde si musliman në Evropë. Evropa është një kontinent me histori të gjatë kryqëzatash dhe progromesh kundër muslimanëve dhe çifutëve. Holokausti në fund të fundit ishte një luftë fetare e nacionalizmit evropian kundër çifutëve që besonin Allahun një sipas versionit të Musait a.s. Vetëm Allahu mund ti shpëtojë muslimanët e Evropës dhe Ballkanit.
Allahu që i di gjërat më së miri, na ruajtë e shpëtoftë!
[1] Hoxhaj: S’na duhet islami i importuar,http://old.zeri.info/artikulli/24055/hoxhaj-sna, 3 janar 2014.
[2] Besimi fetar në kuadër të Edukates Qytetare,http://www.evropaelire.org/a/24749750.html
[3] Merkel ally promotes ‘German Islam’ as means to integrate refugees into liberal EU society, https://www.rt.com/news/361400-german-islam-refugee-integration/
[4] Papa në Gjeorgji e kritikon teorinë gjinore si ‘armikun e madh’ të martesës, http://www.gazetaimpakt.com/lajm/13575/papa-ne-gjeorgji-e-kritikon-teorine-gjinore-si-armikun-e-madh-te-marteses/