Ali ibn Ebi Talib, kalorësi i pamposhtur
A keni dëgjuar për kalorësin më të fuqishëm dhe për heroin e drejtësisë dhe të së vërtetës? A keni dëgjuar për kalorësin e pranishëm në paqe e në luftë? A keni dëgjuar për kalorësin më asket, më të përkorë dhe më të devotshëm?
Ai është kalorësi, i cili shkatërroi politeizmin dhe paganizmin. Është heroi që u përball me padrejtësinë dhe errësirën. Ai është Ali ibn Ebi Talib (paqja qoftë mbi të!). A jemi në gjendje ta përshkruajmë këtë kalorës? Heroizmi i tij, që përmendet në jetëshkrimin e imam Aliut (paqja qoftë mbi të!), na e tregon fare qartë pozitën e tij të lartë.
Ai e pranoi Islamin e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ai është i pari mashkull, pas profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij!), i cili dëshmoi se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është robi i Tij dhe i Dërguari i Tij.
Ai e pranoi Islamin ndërkohë që ishte vetëm dhjetë vjeç. Ai është djali i xhaxhait të Profetit, njeriu më i afërt në zemrën dhe në shpirtin e Profetit dhe më i afërti në familjen e tij. Profeti e rriti, e edukoi, e mësoi dhe e martoi me vajzën e tij Fatime Zahranë (paqja qoftë mbi të!).
Në jetëshkrimin e imam Aliut gjen qetësi çdo i varfër e i mjerë. Në të gjen shërim e lehtësim çdo i plagosur, i privuar e i shtypur. Pas sakrificës në rrugën e Allahut e të të Dërguarit të Tij në Mekë, imam Aliu emigroi në Medine. Kur arriti, Profeti i dha çmimin më të madh. Por, çfarë ishte ai çmim? Vallë, a i dha post? A i dha kështjellë? Ai i dha pasuri? Jo. Asnjërën prej tyre. Profeti i lajmëroi të gjithë njerëzit në sy të të gjithëve, duke u thënë: Vërtet, Aliu, djali i Ebu Talibit e do Allahun dhe të Dërguari i Tij dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij e duan Aliun, djalin e Ebu Talibit. (Kjo thënie tregon për hadithin e saktë që është i njohur në librat e historisë me emrin “hadijthu rrajeh” (hadithi i flamurit) dhe ndodhet në librin El Isabetu, i Ibn Haxher, vëll. 2, f. 502.)
Sa i madh është njeriu kur e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij! Sa madhështore është të jesh i dashur tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij! I tillë ishte imam Aliu (paqja qoftë mbi të!). Pa dyshim që kjo është prej dhuratave madhështore që fitoi imam Aliu në jetën e tij.
Kur këtij kalorësi vigjilent e të pamposhtur, i cili për pasuri kishte dashurinë për Allahun dhe për Profetin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), Profeti i propozoi martesën me Fatime Zahranë, duke i thënë: O Ali! A dëshiron që Fatimeja të jetë bashkëshortja jote?, imami i tha: Po.. Profeti e pyeti: A ke prikë? Imami ia ktheu: Unë nuk kam asgjë, o i Dërguari i Allahut. Profeti e pyeti sërish: Ku është mburoja jote? Imami i tha: Ajo mburojë nuk kushton as dy derhem. (Këtë e transmeton Ebu Daudi dhe të tjerë transmetues).
Edhe Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e dinte shumë mirë se Aliu nuk zotëronte asnjë dinar apo derhem, as flori e as argjend dhe as toka, por ai zotëronte besimin si mali i palëkundur. Profeti ka thënë për imam Aliun: Unë do t'ia jap flamurin atij njeriu, të cilin, e do Allahu dhe i Dërguari i Tij. Pra, imam Aliu ishte burrë që zotëronte, devotshmërinë, drejtësinë, fuqinë, guximin, humanizmin, heroizmin etj.
Megjithatë, ai e zbatoi fjalën e Profetit dhe ia solli atij mburojën. Atëherë, Profeti e kurorëzoi Aliun me Fatimenë. Ajo i lindi atij Hasanin dhe Hysejnin, zotëritë e të rinjve të banorëve të Xhenetit.
Imam Aliu u martua me hazreti Fatimenë. Kush është Fatimeja? Bija e kujt është? Nëna e kujt është? Ajo është Zonja e grave të botëve. Babai i saj është më i nderuari dhe më fisniku i profetëve. Bashkëshorti i saj është kalorësi i drejtësisë dhe i së vërtetës dhe heroi i humanizmit.
Në betejën e Bedrit, para se të niste beteja, i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ftoi më të fortët e myslimanëve për t’u ballafaquar me më të fortët e jobesimtarëve. Profeti pyeti: “Ku është Aliu?” Aliu i tha profetit Muhamed: “Jam këtu, o i Dërguari i Allahut.” Imam Aliu u përball me Velid ibn Utbeh, të cilin e vrau. Kur nisi lufta mes dy ushtrive, imam Aliu luftoi si luani i patrembur dhe vrau shumë prej jobesimtarëve. (Këtë e transmeton Ebu Daudi. Shih Es Siretu En Nebeuijetu fi daui el Masadir el Aslijeh, faqe 350.)
Në betejën e Ahzabëve (Khandakut), kalorësi më i fuqishëm i jobesimtarëve, Amru ibn Ud, i ftoi myslimanët në duel. Profeti u tha: “Kush nga ju do të dalë në duel, o myslimanë?” Ata heshtën dhe askush nuk doli, sepse e njihni kundërshtarin e tyre, i cili ishte i njohur për trimëri dhe aftësi luftarake. Mirëpo, Aliu nuk e pranonte poshtërimin e as mposhtjen. Ai i tha Profetit: “Unë do të dal në duel, o i Dërguari i Allahut.” Profeti i tha: “Ai është Amru ibn Ud!” Aliu i tha: “Po pastaj se është Amru?!” Atëherë doli Aliu dhe të dy luftëtarët filluan duelin. Profeti lutej që imam Aliu të triumfonte. Ashtu u bë. Profeti lexoi tekbirin dhe pas tij e lexuan edhe myslimanët: “Allahu ekber! Allahu ekber! Allahu ekber!”.
E të tjera ndodhi. Në çdo ndodhi dhurata e imam Aliut ishte fitorja. Ai kurrë nuk u mposht në asnjë betejë.
Erdhi koha që ai të merrte në dorë khilafetin (udhëheqësinë) për afërsisht pesë vjet. Ai ka qenë i varfër. Asnjë ditë nuk ka qenë i ngopur. Një ditë, kur shkoi në shtëpi, tha: “A keni ushqim?! Ata i thanë: “Nuk ka.” Ai u tha: “Asgjë nuk keni?!” Ata i thanë: “Jo.” Ai mori shpatën e tij, e cila quhet “Dhulfikar” dhe doli para banorëve të Irakut duke thënë: “Unë dhe familja ime po vdesim nga uria dhe kjo është shpata e të Dërguarit të Allahut, me të cilën kam larguar të këqijat nga Profeti. Kush e blen këtë me ushqimin e një nate?”
I Lartësur është Allahu. Të dashur vëllezër besimtarë dhe motra besimtare. Nuk kishte të ushqehej ai që kishte në dorë të gjithë pasurinë e myslimanëve, që ishte e mbushur me ushqim, para dhe armë. Të gjitha këto ai i shpërndau për një ditë, e pastaj fali dy rekate namaz dhe tha: “O Zot im! Dëshmo që unë nuk kam mbajtur për veten time asnjë derhem, asnjë dinar, asnjë kokërr hurmë e as një kokërr rrush të thatë.” (Këtë e transmeton Ebu Daudi me të tjerë në Es Sijretu Nebeuijetu, faqe 350.)
Martirizimi i imam Aliut (paqja qoftë mbi të!)
Profeti Muhamed i ka thënë imam Aliut: “Ti do të goditesh këtu dhe këtu, - duke i treguar vendin te koka e tij, - dhe gjaku do të rrjedhë prej saj, derisa të lyejë gjithë mjekrën tënde. Goditësi do të jetë më i ligu, ashtu siç ishte vrasësi i devesë.”
Ishte data 19 Ramazan i vitit 40 të hixhrit. Imam Aliu doli nga shtëpia për të falur namazin e sabahut në xhami. Atje pa të pafenë, të poshtrin, të mallkuarin Abdurrahman ibn Mulxhem. Ai ishte i paguar nga paria e asaj kohe për ta vrarë imam Aliun, sepse imam Aliu ishte pengesë e qejfeve të asaj parie. Ai ishte shtrirë përmbys dhe shpatën e helmuar e kishte nën vete. Imam Aliu e goditi te këmba dhe i tha: “Mos fli përmbys, sepse ashtu flenë banorët e Zjarrit.”
Imam Aliu filloi të falej dhe i poshtri e goditi në kokë. Imam Aliu tha: “Allahu është më i Madhi. Allahut i takojnë të gjitha çështjet e shkuara dhe ato që do të vijnë.” Pastaj ra përmbys dhe mjekra iu la me gjak. Atë e mbajtën dhe e çuan në shtëpi. Për atë qanë të gjithë myslimanët, të mëdhenj e të vegjël, burra, gra dhe fëmijë. Ai jetoi si hero, e përqafoi Islamin si hero, sakrifikoi me heroizëm të paparë dhe ra dëshmor si hero. Kjo ndodhi është në librin Sijretu ibn Hisham, xhuzi i dytë, f. 150. Po ashtu, edhe në Es Sijretu En Nebeuijetu, faqe 452. E ka transmetuar edhe Ahmed ibn Hanbel.
Më 21 Ramazan të vitit 40 hixhri, u martirizua një burrë, nga madhëria dhe përkryerja e të cilit, mbetën të mahnitur miqtë dhe armiqtë. E gjithë bota e lavdëroi, e lavdëron dhe do ta lavdërojnë, sepse ai ishte zëri i vërtetë i drejtësisë njerëzore.
Xhubran Khalil Xhubran, autor i njohur libanez, ka thënë: “Ali bin Ebu Talib u flijua dhe u martirizua për madhërinë dhe dinjitetin e tij. Ai ndërroi jetë në kohën kur ishte duke kënduar namaz dhe zemrën e kishte plot dashuri të Zotit.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!), edhe në çastet e fundit të jetës së tij 63-vjeçare, bëri të gjitha përpjekjet për të shpjeguar dhe për të përhapur të vërtetat e fesë islame.
Namazi dhe lutjet ishin forma më e bukur e devotshmërisë së iamam Aliut (paqja qoftë mbi të!). Ai, në hytben 234 të Nahxhul Belaga, në lidhje me ndikimin e ibadetit, ka thënë: “Njerëzimi kanoset nga imoraliteti dhe sëmundjet psikike. Zoti, nëpërmjet namazit dhe agjërimit, i mbron robtë e Vet nga këto rreziqe. Këto ibadete i ndalojnë duart dhe këmbët nga gjynahi, i mbronjnë sytë nga shikimi, duke i bërë të përulur, qetësojnë frymëmarrjen dhe i zbusin zemrat. Përkujtimi i Zotit kultivon ndërgjegjen fetare të njeriut, shton vullnetin për punë të mira dhe redukton dëshirën për punë të këqija dhe gjynahe.”
Njerëzit e mëdhenj dhe të lartë i kanë të gjitha vlerat morale dhe njerëzore. Sjelljet dhe fjalët e imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) janë të bazuara në drejtësi dhe mirësi dhe janë larg çdo të mete.
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!), si një njeri i udhëzuar në rrugën e drejtë, është pasqyrë e plotë e moralit dhe e mirësisë. Ai e kishte kuptuar të vërtetën. Çdo çast të jetës e kaloi me të vërtetën dhe realizonte çdo gjë që thoshte. Kjo për faktin se ai u rrit dhe u edukua njeriu më i përkryer, hazreti Muhamedi (paaja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)
Imam Aliu kishte personalitet të lartë dhe shumëdimensional. Ai u shërbente nevojtarëve me dashuri dhe modesti të skajshme. Ai ndikohej shumë nga vuajtjet dhe pikëllimet e jetimëve dhe shpirti i mërzitej nga gjendja e mjerueshme e tyre.
Qëllimi kryesor i Aliut (paqja qoftë mbi të!) ishte krijimi i një shoqërie të bazuar në drejtësi dhe qetësi. Kjo karakteristikë e tij kishte fituar zemrat e shumë njerëzve, saqë shumë njerëz të dijes dhe të shkencës kërkojnë që sikur edhe njëherë të vetme të kishte ardhur në histori një njeri si Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!).
Vështrimi i Imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) ndaj qeverisjes dallon shumë nga vështrimet e politikanëve që kërkojnë pushtet dhe fuqi. Ai e cilësonte botën si krijesë të Zotit, ndërsa Zotin si Pronar Absolut të gjithësisë. Dëshira e tij e madhe ishte që shoqërinë ta çonte drejt lumturisë dhe përsosurisë materiale dhe shpirtërore. Duke patur parasysh se dhuna dhe padrejtësia pengojnë lëvizjen e njerëzve drejt zhvillimit dhe përsosurisë, Imam Aliu vazhdimisht theksonte nevojën e vendosjes së drejtësisë dhe thoshte: “Drejtësia është njëra nga shtyllat ku mbështetet gjithësia.”.
Sipas tij, drejtësia është zbukurim i besimit, madje princip i besimit. Strategjia më e rëndësishme për një pushtet ideal, sipas tij, ishte vendosja e drejtësisë në shoqëri. Në pushtetin e tij, drejtësia nuk ishte vetëm një sllogan i kotë, por ishte prioritet i programit të tij dhe domosdoshmëri e vënies në jetë. Pra, drejtësia ishte parimi i politikave të tij.
Nga veçoritë e Imam Aliut në udhëheqjen e shtetit, ishte shërbimi për popullin. Në një letër që i dërgoi përfaqësuesit të tij në Azerbajxhan, shkruan: “Asnjëherë të mos mendosh që qeverisja që të është besuar ty është një kafshatë, por ajo është një përgjegjësi që e ke mbi qafë dhe individi që është mbi ty, kërkon që të respektosh të drejtat e popullit. Kështu që nuk është mirë që të diskriminosh dhe të sillesh keq me njerëzit.”.
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!), në dekretin e tij për tatimmbledhësit, shkruan: “Silluni me drejtësi dhe mëshirë! Ju jeni rezervat e popullit, përfaqësuesit e popullit dhe ambasadorët e pushtetit. Mos u sillni si një shtazë grabitqare, që e shfrytëzon rastin për të grabitur, sepse njerëzit ose janë myslimanë si ti, ose janë njerëz si ti!”. Sa mirë do të ishte që taksambledhësit e sotëm t lexonin këtë dekret!
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!), edhe pse qeveriste pjesë të gjera të botës, asnjëherë nuk përfitoi nga pozita e tij shoqërore dhe shtetërore dhe gjithnjë jetonte si njerëzit e tjerë të shoqërisë. Imami, në letrën dërguar Osman Ibn Hunejf, guvernatori i tij në Basra (Irak), thotë: Dijeni që lideri juaj është i kënaqur me këto rroba të vjetra dhe dy kafshata bukë. Po të doja, do të mund të siguroja për vete ushqime të shijshme si: mjalti dhe rroba të stolisura prej mëndafshi, por Zoti më ruajt nga ngadhënjimi i epshit dhe i shejtanit!.
Xhorxh Xhordaku, mendimtar i njohur i krishter libanez përkulet përballë vlerave njerëzore të Aliut (paqja qoftë mbi të!) dhe atë e konsideron si zërin e drejtësisë njerëzore. Në një përshkrim të bukur, Xhorxh Xhordaku shkruan: Në këtë botë çdo det lëkundet. Por unë njoh një oqean madhështor dhe shumë të gjerë. Ky oqean është trupi i Aliut, të cilin nuk arriti ta lëkundte, veçse: 'Oh'-i i të shtypurit dhe frika nga Zoti në zemrën e tij gjatë netëve.”
Ky ishte Ali ibn Ebu Talibi. Vallë, a nuk e meriton të ndiqet? Sigurisht, që po.
Allahu na mundësoftë të jemi në rrugën e tij, sepse rruga e tij është rruga e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe rruga e Profetit është rruga e drejtë e Allahut.