Bin Selman ndërton “Ushtri Troll” për të heshtur kundërshtarët në media sociale

Publikuar në Tet. 23, 2018, 10:15 p.m.

Ndërsa vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi ka kthyer gjithë vëmendjen mbi dhunën ndaj opozitarëve të regjimit saudit, gazeta New York Times ka diskutuar për taktikat e regjimit saudit për të heshtur opozitarët e vet nëpër rrjete sociale, veçanërisht në Twitter.

Gazeta amerikane New York Times ka thënë se një ekip i mediave sociale i themeluar nën mbikqyrjen e princit të kurorës, Muhamed bin Selman, ka zhvilluar fushata në Twitter me qëllim që të hesht opozitarët të cilët jetojnë jashtë vendit dhe se në mesin e objektivave më të rëndësishme  të tyre është gazetari i vrarë Jamal Khashoggi.

Në lajmin e gazetës New York Times me titull “Krijuesit të imazhit të sauditëve: Një Ushtri Troll (grup njerëzish që punojnë me para për të shpifur / diskredituar persona të caktuar, grup njerëzish në mediat sociale me llogari të rreme në internet) dhe një urith në Twitter”, u vu në dukje se qeveria saudite ka zhvilluar operacione për të heshtur nëpër rrjete sociale opozitarët të cilët jetojnë jashtë vendit.

Është njoftuar se në këtë ekip të mediave sociale të formuar në Rijad nën mbikqyrjen e princit Muhamed bin Selman dhe të drejtuar nga Saoud Al Qahtani, janë punësuar qindra njerëz.

Po ashtu u njoftua se në këtë ekip të udhëhequr nga bin Selman, Al Qahtani njihet si “mjeshtër”.

New York Times, e cila bazoi lajmin e saj në intervistat e bëra me 7 persona të cilët kishin njohuri në lidhje me operacionin e kësaj firme, ka thënë se një nga njerëzit më të rëndësishëm të shënjestruar nga ky ekip i mediave sociale ishte Jamal Khashoggi, i cili u vra në konsullatë.

Në lajme u raportua se “operacionet” e kryera në Twitter nga ekipi i mediave sociale në Rijad, i ka mbështetur edhe qytetari saudit i quajtur Ali el Zebara.

Është njoftuar se brenda një kohe të shkurtër, Ali el Zebara është ngritur në detyrë si inxhinier në Twitter, duke fituar të drejtën e qasjes në informata personale të shumë llogarive dhe se ka bartur informata të shumë emrave të opozitës tek anëtarët e inteligjencës së vendit.

Është raportuar se pasi inteligjenca amerikane i ka përcjellur tek Twitter dyshimet e saj mbi këtë person, kompania lëshoi një leje administrative për el-Zebara dhe zhvilloi një hetim në lidhje me të dhe pavarësisht mungesës së provave të qarta, detyra e tij u ndërpre në dhjetor të vitit 2015.

Një nga objektivat e regjimit saudit ishte të frikësonte kundërshtarët e vet në Twitter pas lëvizjeve të zgjimit islamik që filloi në vitin 2011.

Në lidhje me vrasjen e Khashoggit, dje u shkarkua nga detyra  konsulenti kryesor i Muhamed bin Selmanit.

Shumë qytetarë sauditë dëshirojnë që Twitter të drejtojë shoqërinë saudite drejt demokracisë duke siguruar një mjedis për njerëzit e zakonshëm. Arabia Saudite po përdor këtë media për të heshtur kundërshtarët e vet si dhe për të maskuar ngjarjet ashtu siq dëshirojnë ata.



Burimi : Tasnim News Agency