Përse shiat quhen Rrafidij?
Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!
Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!
(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)
Allahu i Madhëruar në Kur'anin e Shenjtë thotë: “O ju që keni besuar! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj! Qoftë i pasur ose i varfër ai (për të cilin dëshmoni), Allahu është për ata vlerësuesi më i drejtë. Dhe mos shkoni pas epsheve tuaja e të shtrembëroni drejtësinë! Nëse ju ngatërroni dëshminë ose i shmangeni asaj, vërtet që Allahu e di se çfarë bëni ju.” (Sure “Nisa”, ajeti 135.)
Kur'ani i Shenjtë është udhërrëfyesi ynë në çdo hap të jetës. Ai është drita që na ndriçon dhe ilaçi që na shëron. Allahu e ka bërë Kur'anin sqarues për gjithçka. Çdo fjalë që flasim dhe çdo vepër që veprojmë duhet ta ballafaqojmë me Kur'anin e Shenjtë dhe të shohim se a e miraton Kur'ani thënien dhe veprën tonë? Ajeti i lartpërmendur na urdhëron që të jemi të drejtë dhe ta zbatojmë drejtësinë. Të jemi me të vërtetën dhe ta kundërshtojmë të pavërtetën.
Tema që përzgjodha të shkruaj kësaj here ka të bëjë me një të pavërtetë rreth shiave dhe shiizmit. Ajo e pavërtetë është emërtimi dhe të quajturit e tyre Rrafidij. Mirëpo, përpara se të flas për këtë çështje desha të përmend disa pika:
1- Kuptimi i fjalës esh shiatu
Fjala “et teshejju’u” ka kuptimin el intimau (përkatësi, anim), el mushajeatu (përkrahje) dhe el uelau (besnikëri, përkrahje, mbështetje).
Në Kur’anin e Shenjtë thuhet: “Pa dyshim që një nga ithtarët e (besimit të) tij (Nuhut) ishte Ibrahimi.” (Sure “Safat”, ajeti 83). Ajeti na thotë se Ibrahimi (Paqja qoftë mbi të!) ka qenë prej ithtarëve (shiiave) të Nuhut (Paqja qoftë mbi të!) në besimin e tij, në rrugën e tij dhe në gjurmët e misionit të tij duke ftuar njerëzit në adhurimin e Allahut të Vetëm e të Pashoq dhe në drejtësi.
Fjala shiatu në histori njihet si dashuri për Ali ibn Ebi Talib dhe pasim të tij dhe të imamëve të Ehli Bejtit të Dërguarit të Allahut, Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) për të cilët kanë zbritur edhe ajete nga Kur’ani i Shenjtë si: ajeti i pastrimit (ajetut tathijri), ajeti i dashurisë (ajetul meuedetu), ajeti lutjes për mallkim për gënjeshtarët (ajetul mubaheleh) e të tjerë. Pas Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi famijen e tij!), Ehli Bejti i tij (Paqja qoftë mbi ta!) janë referimi dhe burimi kryesor për sqarimin e çështjeve islame dhe çështjeve të jetës.
2- Ehli Bejti, prijësat dhe udhëheqësit e ymetit
Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e caktoi Aliun (Paqja qoftë mbi të!) imam (udhëheqës, prijës) të myslimanëve. Këtë e bëri gjatë kthimit të tij nga Haxhi i Lamtumirës në vendin e quajtur Gadijr Khum. Ai urdhëroi që myslimanët që e shoqëronin të mblidheshin në këtë vend. Ata myslimanë që e kishin kaluar këtë vend urdhëroi të kthehen dhe ata që nuk kishin mbërritur i pritën derisa erdhën. Myslimanët u mblodhën. Koha ishte shumë e nxehtë atë ditë. Profeti urdhëroi të ngrihej një tendë e madhe. Myslimanët e pastruan vendin e tendës, e lagën me ujë dhe e hijezuan me rroba. Aty falën drekën. Pastaj Profeti Muhamed mbajti fjalim duke u thënë se po i afrohet koha e kalimit nga kjo jetë. Pas një fjalimi të gjatë, Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) mori dorën e Ali ibn Ebi Talibit dhe e ngriti atë derisa u pa e bardha e pëllëmbës së dorës së tij dhe tha: “O ju njerëz! A nuk jam më parësor për ju se sa vetat tuaja? Ata thanë: ‘Po’. Ai u tha: “Për atë që unë jam udhëheqës, ky Aliu është udhëheqësi i tij. O Zot! Duaje atë që e do Aliun dhe bëhu armik i atij që është armik i Aliut, ndihmoje atë që e ndihmon Aliun dhe poshtëroje atë që e poshtëron Aliun!”.
Para kësaj Allahu e kishte urdhëruar Profetin Muhamed që t’ua komunikonte njerëzve këtë mesazh me anë të thënies së Tij: “O i Dërguar! Komuniko atë që të është shpallur nga Zoti yt! Në qoftë se nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke përcjellë Mesazhin e Tij. Allahu të ruan ty prej njerëzve. Natyrisht që Allahu nuk i udhëzon njerëzit që nuk besojnë.” (Sure “Maide”, ajeti 67). Me këtë ajet Allahu e urdhëroi Profetin që t’ua komunikonte njerëzve se kush do të ishte udhëheqësi i myslimanëve pas tij. Siç shihet edhe nga ajeti, mesazhi ishte i fortë dhe i prerë. Ai që e lexon me vëmendje Kur’anin, nuk do të gjejë ajet që t’i drejtohet me këtë mënyrë Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) duke i thënë: “…Në qoftë se nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke përcjellë Mesazhin e Tij…”. Pas kësaj thënieje vjen thënia e Allahut që i thotë Profetit Muhamed që të mos interesohet reagimeve të njerëzve në këtë çështje, sepse Ai është mbrojtësi i tij: “…Allahu të ruan ty prej njerëzve…”.
Kur Profeti Muhamed ua komunikoi njerëzve çështjen e udhëheqësisë pas tij dhe e plotësoi përcjelljen e Mesazhit, Allahu i Madhëruar i shpalli atij thënien: “…Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova mirësinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj…” (Sure “Maide”, ajeti 3). Këtë ndodhi të madhe e përmend historia që nga koha e sahabëve e deri në ditët e sotme. Atë e kanë transmetuar më shumë se 110 sahabë të shtresës së parë, tetëdhjetë e katër sahabë prej shtresës së dytë, që janë tabiinët e të tjerë, të cilët i përmend Shejkhu Abdul Husejn El Emijnij në vëllimin e parë të librit El Gadijr. Po ashtu, hulumtuesi Sejjid Abdul Azijz Et Tabatabaij përmend një numër tjetër prej sahabëve, tabiinëve dhe tabiinët e tabiinëve së bashku me burimet përcjellëse të kësaj ndodhie. Të gjitha trasnmetimet rreth kësaj ndodhie janë të vërteta dhe në to nuk ka asnjë dyshim. Atë e përmendin hafizat, hadithologët, historianët, komentuesit e Kur’anit prej tyre: Tirmidhij në “Sahihun” e tij, ibn Maxheh në “Sunenin” e tij, Ahmed ibn Hanbel në “Musnedin” e tij, Nisaij në “El Khasais”, Hakimi në “El Mustedrek”, El Mutekij në “Kenzul Ummal”, El Menauij në “El Fajdul Kadijr”, El Hejthemij në “Mexhmau Zeuaid”, El Muhib Et Tabarij në “Er Rijadu Nadretu”, El Khatijb në “Tarijkhu Bagdad”, ibn Asakir në “Tarijkhu Dimashk”, ibn Ethijr El Xhezrij në “Usdul Gabeh”, Et Tahauij në “Mushkilul Athar”, Ebu Naim në “Hiljetul Eulija”, ibn Haxher në “Sauaikul Muhrikah”, ibn Haxher El Askalanij në “Fet’hul Barij” e të tjerë e të tjerë.
Të pranishmit e uruan imam Aliun për vilajetin e tij, e ndër ta ishin edhe Ebu Bekri dhe Omeri.
Pa dyshim, kjo ndodhi e dëshmuar dhe e vërtetuar nga një pjesë e madhe dijetarësh, është argumeti i qartë për udhëheqësinë e imam Aliut dhe të imamëve të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) pas Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
3- Ehli Bejti janë burimi i dijeve të fesë islame, pas Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)
Kjo është një prej çështjeve ku pasuesit, ndjekësit (shiat) e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) i kushtojnë rëndësi të madhe, sepse vetë Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i ka kushtuar shumë rëndësi Ehli Bejtit të tij kur ai ishte gjallë duke u sqaruar myslimanëve se Ehli Bejti janë burimi i dijeve pas tij dhe sqarues të Mesazhit që ai solli. Tek ata duhet të bazohen të gjithë myslimanët për çështjet e udhëzimit, të ruajtjes nga devijimi, për çështjet e të ndaluarave (haram) e të lejuarave (hallall) dhe për gjithçka që ka lidhje me rregullat dhe dispozitat islame.
Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e ka krahasuar Ehli Bejtin e tij me Kur’anin. Këtë e ka bërë në hadithin Thakalejn, i cili është i njohur në mesin e hadithologëve dhe është i saktë tek Ehli Syneti dhe te Shiat. Transmetimi i tij ka arrit gradën e konsensusit (teuatur). Prej atyre që e kanë transmetuar hadithin Thakalejn është Muslim ibn Haxhxhaxh në “Sahihun” e tij, kreu “Fadailu Ali ibn Ebi Talib”, i cili e ka përcjellë nga Zejd ibn Erkam që ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “O ju njerëz! Unë jam njeri dhe së shpejti do të vijë i dërguari i Zotit tim (meleku i vdekjes) dhe unë do t’i përgjigjem. Unë po ju lë juve dy gjëra me peshë të madhe për nga rëndësia. E para e tyre është Libri i Allahut në të cilin ka dritë dhe udhëzim. Merreni Librin e Allahut dhe kapuni pas tij...”. Ai nxiti dhe inkurajoi për të zbatuar Kur’anin. Pastaj tha: “Edhe Ehli Bejtin tim. Ju këshilloj për Ehli Bejtin tim, ju këshilloj për Ehli Bejtin tim, ju këshilloj për Ehli Bejtin tim.”. (Sahihu Muslim, kapitulli: “Fadailu Sahabeh”, kreu: “Fadilu Ali ibn Ebi Talib”).
Tirmidhiu e ka përcjellë këtë hadidh në “Sahihun” e tij, gjithashtu, nga Zejd ibn Erkam, i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut ka thënë: “Unë po ju lë juve dy gjëra me peshë të madhe për nga rëndësia. Nëse ju do të kapeni për këto të dyja, nuk do të humbisni kurrën e kurrës, pas meje. Njëra prej tyre është më madhështore se tjetra: Libri i Allahut, një litar që zgjatet nga qielli në Tokë dhe pasardhësit e mi, Ehli Bejti im. Ata nuk ndahen deri sa të ktheheni te Hauzi (burimi Keuther). Prandaj, hapini sytë se si do të më kundërshtoni mua me këto të dyja!”. Këtë hadith e ka transmetuar Hakimi në “Mustedrekun” e tij, Ahmedi në “Musnedin” e tij.
Është detyrë e myslimanëve që t’i lexojnë me vëmendje thëniet e Profetit Muhamed dhe jo t’i lexojnë kalimthi. Po ashtu, ata duhet t’i zbatojnë thëniet e tij dhe të mos mjaftohen vetëm me memorizimin e tyre. Po të thellohemi te përmbajtja e hadithit Thakalejn, do të vërejmë se:
1- Profeti Muhamed nuk e ndan Ehli Bejtin nga Kur’ani.
2- I ka quajtur të dy mbrojtës nga humbja.
3- E urdhëron ymetin e tij që të kapen pas atyre të dyve (Kur’anit dhe Ehli Bejtit).
4- I lajmëron myslimanët se Kur’ani dhe Ehli Bejti kurrë nuk do të ndahen nga njëri-tjetri derisa të kthehen te Burimi i Keutherit (Hauzi).
Nga këtu konkludojmë që Kur’ani i Shenjtë dhe Ehli Bejti i pastër janë burimi i ymetit islam pas Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në çdo çështje të fesë së pastër islame, parimet e saj, degët e saj, rregullat dhe dispozitat e saj.
Hejthemij në librin “Es Sauaiku” thotë: “Në hadithet që gjendet nxitje për t’u kapur pas Ehli Bejtit, tregohet moslënia e kapjes pas tyre deri në Ditën e Kiametit, ashtu siç duhet vepruar edhe me Kur’anin. Kështu që ata (Ehli Bejti) janë siguri për Tokën.”
Pasuesit (shiat) e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) bazohen te syneti i Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) për argumentimin e udhëheqësisë së imamëve të Ehli Bejtit pas tij, ndër ato janë: hadithi i paralajmërimit (hadithul indhar), hadithi i dy gjërave me peshë të madhe (hadithu thakalejn), hadithi i anijes (hadithu sefineh), hadithi i pozitës (hadithul menzileh), hadithi i flamurit (hadithu rrajeh), hadithi i portës së diturisë (hadithu babul ilmi) e të tjera hadithe që njihen nga të gjithë myslimanët në përgjithësi.
Mirëpo, fatkeqësisht janë braktisur dhe janë hedhur pas shpine në vend që të zbatohen. Vallë, përse ka ndodhur dhe ndodh një gjë e tillë? A nuk na thotë Allahu i Madhëruar në Kur’anin e Shenjtë: “…Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj. Frikësojuni Allahut, sepse Allahu, dënon vërtet ashpër.”. (Sure “Hashr”, ajeti 7).
I përmenda ato sa më lart që të sqarohet më së miri çështja delikate që ka të bëjë me shiat dhe shiizmin, e cila është emërtimi i tyre me emrin Rrafidij.
4- Përse quhen shiat Rrafidij?
Ka shumë kohë që e dëgjojmë fjalën Rrafidij apo Rrafidijtë. Ajo ka kuptimin, e lënies, braktisjes, refuzimit, mospranimit dhe të kundërshtimit. Kjo fjalë më shumë përdoret për pasuesit dhe ndjekësit (shiat) e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!). Sigurisht, qëllimi me këtë emërtim është nënvleftësimi, fyerja, diskriminimi dhe poshtërimi i pasuesve (shiave) të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!), që janë pjesë e pandarë e Islamit.
5- Kur është përdorur fillimisht kjo fjalë?
Ka mendime se përdorimi i kësaj fjale ka filluar para vitit njëqind të hixhrit. Thuhet se zanafilla e kësaj fjale është për ata që u ngritën me Zejd ibn Ali kundër udhëheqësit emevit Hisham ibn Abdul Melik.
Mirëpo këtë fjalë e përmend imam Bakir (Paqja qoftë mbi të!), i cili është imami i pestë i imamëve të shiave dhe ka vdekur tetë vjet para kryengritjes së Zejd ibn Ali. Ebu Xharud transmeton nga imam Bakiri se një burrë i ka thënë imamit se na quajnë me një emër. Imami i tha: “E çfarë është ai emër?” Ai iu përgjigj: “Rrafidij”. Imami vuri dorën në gjoksin e tij dhe tha: “Edhe unë jam Rrafidij dhe ai është prej meje.” (Biharul Anuar, vëllimi 65, faqe 97, hadithi 2).
Në librin “El Mehasin” në faqen 212 dhe në librin “Amalij” i Sejjid Murteda vëllimi 1, faqe 68 thuhet: Kur Farazdaku lexoi vargjet e tij të njohura për imam Zejnul Abidijnin, i cili ka vdekur në vitin 95 të hixhrit, Abdul Melik ibn Meruan, që ka vdekur në vitin 86 të hixhrit, i ka thënë Farazdakut: “A je Rrafidij ti, o Farazdak?”.
Thuhet se kjo fjalë u shfaq për herë të parë pas ndodhisë së Xhemelit ku Muavie ibn Ebi Sufjan quajti me këtë emër një grup prej përkrahësve të tij, të cilët morën pjesë në luftën e Xhemelit e pastaj u larguan prej tij. (Nasr ibn Muzahim, në librin “Uakiatu Siffijn”, faqe 34).
Ibn A’them në librin “El Futuh”, vëllimi 2, faqe 382 thotë: Ky është emërtim i Muaviut që ia atribuon Rrafidijtë Aliut. Ai ka thënë: Tek Ali ibn Ebi Talibi janë tubuar Rrafidijtë e banorëve të Hixhazit, të Jemenit, të Basras, dhe të Kufes.
Thuhet se shiat quhen Rrafidij për shkak të refuzimit dhe kundërshtimit të tyre të udhëheqësisë së Ebu Bekrit dhe Omerit.
I kanë thënë imam Sadikut (Paqja qoftë mbi të!) se Amar Ed Dehenij një ditë ishte dëshmitar te ibn Ebi Lejla, kadiu i Kufes. Kadiu i tha: Çohu o Amar! Ne të njohim ty dhe dëshmia jote nuk pranohet sepse ti je Rrafidij. Amari u ngrit dhe dridhej nga tronditja dhe e mbuluan të qarët. Ibn Ebu Lejla i tha atij: Ti je burrë i ditur dhe haditholog. A nuk bëhesh keq kur të thonë Rrafidij? Hiq dorë nga të qënit Rrafidij dhe do të jesh prej vëllezërve tanë! Amari i tha: “O ti! Unë nuk shkoj andej nga shkon ti. Unë qava për ty dhe për veten time. Qava për veten time, sepse ti më vendose në një gradë fisnike të cilën unë nuk e meritoj duke më thënë: Ti je Rrafidij. I mjeri ti! Sadiku më ka thënë: ‘Të parët që janë quajtur Rrafidij ishin magjistarët e Faraonit, të cilët kur panë mrekullinë e Musait në shkopin e tij, i besuan atij, ndoqën atë dhe refuzuan urdhrin e Faraonit dhe iu dorëzuan gjithçkaje që u zbriti atyre. Faraoni i quajti ata Rrafidij sepse refuzuan fenë e tij. Rrafidij është çdokush që refuzon dhe kundërshton të gjitha ato që i urren Allahu dhe vepron gjithçka që urdhëron Allahut të bëhet. E ku ka në këtë kohë si kjo? Unë qava për veten time nga frika se Allahu e sheh zemrën time, ndërkohë që mora këtë gradë të lartë dhe Ai më qorton e më thotë: O Amar! A ishe refuzues dhe kundërshtues i kotësive dhe veprues i të mirave ashtu siç të tha ai ty? Unë qava për ty për shkak të gënjeshtrës tënde të madhe me emërtimin që më bëre mua, përveç emrit tim, dhe për keqardhje ndaj teje për ndëshkimin e Allahut. Ti largove emrin më fsinik nga unë dhe e bëre atë prej të ultëve. E si do ta durojë trupi yt dënimin për këtë fjalë që the?”.
Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) tha: “Sikur Amari të ketë gjynahe më të mëdha se qiejt dhe tokat, atij do t’i fshihen ato gjynahe për këto fjalë që ka thënë. Këto fjalë do t’ia shtojnë atij të mirat te Zoti i tij i Madhëruar dhe çdo grimcë të atyre të mirave do t’i bëjë një mijë herë më të mëdha se dynjaja.”. (Biharul Anuar, vëllimi 68, faqe 106-107).
Sido që të jetë, përdorimi i kësaj fjale është përhapur aq shumë dhe është këmbëngulur aq shumë në të sa që shumica e njerëzve mendojnë se shiat refuzojnë fenë islame në tërësi dhe i quajnë të dalë nga feja, ndërkohë që e vërteta është ndryshe. Ata besojnë në tërësinë e fesë islame. Ata janë synitë para se të jenë shiitë, sepse ndjekin synetin e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe e ndjekin Ehli Bejtin duke zbatuar synetin e Profetit Muhamed.
Unë i drejtoj një pyetje atyre që nuk u ndalon gjuha së përmenduri këtë emërtim dhe këtë fjalë. Fatkeqësia më e madhe është se po ua trashëgojnë brezave të ardhshëm dhe po ua mësojnë atyre njësoj siç i mësohet e foluara një papagalli.
Unë u them: Nëse ju i quani shiitët Rrafidij sepse refuzojnë udhëheqësinë e Ebu Bekrit dhe Omerit, e cila duhet hulumtuar dhe duhet studiuar me vëmendje larg fanatizmit verbues, po ata që braktisën ndodhinë e Gadijr Khum-it dhe thëniet e tjera të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) si t’i quajmë?
Në historinë islame lexojmë:
Të enjten, katër ditë para transferimit në Ahiret, duke ndjerë dhimbje të mëdha, Resulullahu tha: “Ejani t’ju shkruaj një libër, në mënyrë që të mos devijoni nga rruga e drejtë.”. Rreth tij ishin ulur njerëzit, në mesin e të cilëve ishte Omeri, i cili tha: “Resulullahun e ka kapluar sëmundja, ndërsa ju e keni Kur’anin. Juve ju mjafton Libri i Allahut.” Njerëzit e shtëpisë u hidhëruan dhe u ndanë në mendime. Disa u hidhëruan e thanë: “Afrojani le të thotë Resulullahu ç'ka të dëshirojë.”Ndërsa të tjerët u pajtuan me mendimin e Omerit. Pasi e tepruan në polemikë, Resulullahu tha: “Shkoni dhe më lini të qetë!”. (Transmeton Buhariu nga Ummu-l-Fadli, kaptina “Sëmurja e Resulullahut” II/637. Marrë nga Nektari i vulosur i Xhenetit, faqe 564, Prishtinë 2004).
Si t’i quajmë ata persona që kundërshtuan urdhrin e Profetit?
Si t’i quajmë ata njerëz që refuzuan t’ja japin të drejtën Fatime Zahrasë, vajzës së Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), të cilët e argumentuan mosdhënien e të drejtës së saj me thënien se Profeti Muhamed, i cili ka thënë: “Ne, të dërguarit e Allahut nuk trashëgojmë dhe çdo gjë që ne lejmë është sadeka, ndërkohë që Kur’ani na thotë: ‘Sulejmani e trashëgoi Daudin.’?” (Sure “Neml”, ajeti 16).
Po ata ndjekës nga medh’hebi hanefij që nuk pranojnë medh’hebin shafiij, si t’i emërtojmë? Po ata ndjekës nga medh’hebi shafiij që nuk pranojnë medh’hebin hanbeli si t’i emërtojmë? Po ata ndjekës nga medh’hebi hanbelij që nuk pranojnë medh’hebin malikij si t’i emërtojmë?
Fatkeqësisht, në këto ditë ka shumë myslimanë që refuzojnë urdhrat e Allahut, të Profetit Muhamed, rregullat dhe dispozita e Kur’anit të Shenjtë. Po këta si t’i quajmë dhe si t’i emërtojmë?
Prandaj, çështja nuk është aq e lehtë sa mendohet dhe flitet. Sigurisht që ky emërtim i shiave është një akuzë e madhe, e kotë dhe shkatërruese si në këtë jetë, ashtu edhe në Jetën Tjetër. Kjo akuzë veçse e thellon mospajtimin mes myslimanëve, ndërkohë që çështjet e përbashkëta mes tyre janë më shumë se 95%. Çfarë fitojnë ata që hedhin këto parrulla helmuese në trupin e pastër të Islamit? A nuk e mendojnë ata se kjo që bëjnë është një punë e keqe që djalli ua zbukuron atyre? A nuk mendojnë për përgjegjësinë e kësaj vepre? Allahu në Kur’an thotë: “Ndalojini ata, sepse ata janë përgjegjësit!” (Sure “Safat”, ajeti 24).
Detyra jonë është të veprojmë siç na thotë Allahu i Madhëruar: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë, Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij, e di më së miri ata, që janë në rrugë të drejtë.” (Sure “Nahl”, ajeti 125).
Po ashtu, duhet të zbatojmë thënien e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili ka thënë: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë e ndërsjellë të tyre, në mëshirën dhe ne kujdesin ndaj tyre është si i një trup i vetëm. Kur një gjymtyrë e tij (trupit) ankohet, pjesa tjetër e trupit goditet nga pagjumësia dhe temperatura.” (Buhariu dhe Muslimi).
Ne gjithmonë duhet të themi ashtu siç na mëso Kur’ani i Shenjtë: “Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: ‘O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!’” (Sure “Hashr“, ajeti 10).
Dhe: “Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim! Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove ata para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim! Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti Ynë! Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë!” (Sure “Bekare”, ajeti 286).
Allahu na udhëzoftë dhe na bashkoftë nën flamurin e Islamit!
Burimi : Media e Lire