Urrejtja dhe shpifjet ndaj shiiave dhe shiizmit
Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!
Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!
(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)
Transmetohet nga Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Shiiat (pasuesit, ndjekësit) tanë janë besimtarë, të vetëpërmbajtur, të përpjekur, mbajtës të premtimit e të amanetit, të përkorë dhe të përkushtuar në adhurim. Janë ata që falin pesëdhjetë e një rekate në ditë e në natë; ata që falin namazin e natës dhe që agjërojnë ditën, ata që japin zekatin nga pasuria e tyre, ata që bëjnë haxhin tek Shtëpia (Qabja) dhe ata që i largohen të gjitha harameve (të ndaluarave).” (Sifatu shiia, vëllimi 1, faqe 13)
Kushdo që lexon historitë e popujve përgjatë rrjedhës së historisë, do të shohë se në to ka qenë e përhapur armiqësia, urrejtja dhe shpifjet kundër njëri-tjerit. Këtë na e sqaron edhe Kur’ani i Shenjtë dhe na lajmëron se të Dërguarit e Allahut dhe ata që i besuan atyre, u përballën me armiqësi, urrejtje, shpifje, sharje dhe ofendime nga më të ndryshmet. S’ka dyshim se armiqësia dhe shpifja janë prej shkatërrueseve të shoqërisë njerëzore. Më së shumti, këto i praktikojnë njerëzit që nuk besojnë në Allah, ose ata me besim të dobët. Besimtarët e vërtetë nuk armiqësojnë kurrë, nuk urrejnë kurrë, nuk shpifin e nuk ofendojnë kurrë, sepse ata e dinë që këto janë vepra të urryera tek Allahu i Madhëruar.
Është për të ardhur keq se armësia, urrejtja dhe ofendimi gjenden në gjuhët e myslimanëve, të cilët akuzojnë njëri-tjetrin, ofendojnë dhe e quajnë të pafe njëri-tjetrin. Ndërkohë që Islami i pastër i ndalon rreptësisht këto vepra. Në Kur’an lexojmë: “…Bashkëpunoni me njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër.” (Sure “Maide”, ajeti 2).
Të shumta janë fjalët këto ditë rreth myslimanëve shiit dhe shizmit. Të shumtë janë lapsat që i përshkruajnë ata me fjalët më të poshtra e më të këqija, të cilat janë jashtë kornizave të fesë së pastër islame dhe në kundërshtim me thëniet e vulës së profetësisë, profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), sepse ai ka thënë: “Unë jam dërguar për të plotësuar moralet e mira.”.
Të shumta janë literaturat që janë shkruar dhe vazhdojnë të shkruhen kundër shiizmit dhe shiitëve duke u veshur atyre lloj-lloj akuzash e shpifjesh deri te nderi i tyre, te nderi i nënave të tyre, i vajzave të tyre dhe i bashkëshorteve të tyre.
Vallë, përse ata folës dhe ata përshkrues ofendues nuk bazohen te thëniet e prijësve (imamëve) të shiiave, të cilët e ndalojnë rreptësisht sharjen dhe ofendimin? Cili është qëllimi i tyre me sharjen dhe ofendimin e shiiave? Kush ia ka dhënë atyre të drejtën të shajnë? Allahu? Profeti Muhamed? Sahabët? (Allahu na ruajtë!). Cili?
A e lexojnë Kur’anin këta ofendues? Si do ta justifikojnë vetën e tyre kur do të dalin nesër para Allahut të Madhëruar, i Cili në Kur’anin e Shenjtë thotë: “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni! Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi.” (Sure “Isra”, ajeti 36). Ky ajet flet qartë se njeriu nuk duhet të flasë asgjë nëse nuk është i ditur për atë që thotë.
Në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar thotë: “Ju përcillnit me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka, për të cilën nuk kishit dijeni. Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe.” (Sure “Nur”, ajeti 15). Sa e mrekullueshme dhe sa edukuese kjo thënie e Allahut të Madhëruar e të Gjithëditur! Sa nevojë kanë sot njerëzit në përgjithësi, dhe myslimanët në veçanti, për këto mësime madhështore të Krijuesit të tyre!
Në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që duan që të përhapen shpifjet e turpshme ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në Tjetrën; Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini.” (Sure “Nur”, ajeti 19).
Përsëri në Kur’an lexojmë: “O ju që keni besuar! Asnjë burrë prej jush të mos tallet me burra të tjerë, se këta mund të jenë më të mirë se ai! Gjithashtu, asnjë grua të mos tallet me gra të tjera, se këto mund të jenë më të mira se ajo! Mos e nënçmoni dhe mos e qesëndisni njëri-tjetrin me nofka (të këqija)! Sa e shëmtuar është të thirresh me emër të keq pas (pranimit të) besimit! Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës.” (Sure “Huxhurat”, ajeti 11).
Allahu i Madhëruar në Kur’anin e Shenjtë na thotë se nuk duhet t’i besojmë menjëherë çdo lajmi që dëgjojmë, por duhet ta verifikojmë atë. Ai na thotë: “O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (nëse është i vërtetë), për të mos i bërë dëm ndokujt padashje, e të pendoheni pastaj për atë që keni bërë.” (Sure “Huxhurat”, ajeti 6).
Gjithashtu, në Kur’an lexojmë se për ata që tallin dhe përqeshin të tjerët ka mjerim: “Mjerë për çdo përqeshës – shpifës!” (Sure “Humeze”, ajeti 1).
Dhe: “Nëse bëni mirësi, e keni bërë për veten tuaj. E, nëse bëni keq, ia keni bërë po vetes.” (Sure “Isra”, ajeti 7).
Ah sikur këta shkrues dhe autorë të këtyre literaturave të lexonin ndonjë libër të ndonjë dijetari të drejtë shiia apo syni, që i frikësohet Allahut dhe dënimit në ditën e Gjykimit! Sikur të lexonin sqarimet dhe përgjigjet që dijetarët e shiizmit u kanë dhënë dyshuesve dhe akuzuesve, pa dyshim që e vërteta do të ishte ndryshe dhe lapsat e tyre do të ndërronin ngjyrën e shkrimit. Mirëpo, ata akoma vazhdojnë në kokëfortësinë e tyre duke shkruar pa u frikësuar. Disa prej tyre paguhen dhe disa e bëjnë me qëllim, për shkak se janë ushqyer në mjedis armiqësor ndaj shiizmit dhe shiitëve. Të gjithë këta janë moskokëçarës ndaj hulumtimit dhe studimit për të mësuar të vërtetën. Por, ulen këmbëkryq në paditurinë dhe në fanatizmin e tyre duke hamendësuar se po të shkruajnë ndryshe, ata cënojnë ndërgjegjen, fisin, fenë dhe traditat me të cilat u rritën. Sa habi e madhe!!! Këta shkrues, nga njëra anë, lexojnë se ajeti i parë që iu shpall Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ishte “Lexo!”, e nga ana tjetër, ata vetë nuk e marrin mundimin të lexojnë e të hulumtojnë.
Të paktë janë ata persona që shkruajnë të vërtetën, mirëpo, fatkeqësisht, zëri i tyre është i dobët në krahasim me zërat e atyre që shkruajnë shpifje dhe gënjeshtra, sepse edhe mjetet e informacionit janë në dorë të padronëve të atyre që shkruajnë të pavërteta dhe që shpifin ndaj shiiave dhe shiitëve.
Habia më e madhe është se në disa raste shohim se kur një person e përqafon Islamin, bëhen përpjekje të mëdha e të shumta që ta mbajnë sa më pranë. Ndërsa nga ana tjetër, këmbëngulet për t’i nxjerrë më shumë se treqind milionë myslimanë shiitë nga trupi i Islamit duke përdorur arsye apo shfajësime që nuk kanë vend as në fenë e pastër islame, as në Kur’anin e Shenjtë e as në synetin e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi famijen e tij!).
Nëse dikush i hulumton shfajësimet e tyre, do të shohë se baza e tyre është emocioni dhe jo arsyeja. Ato shfajësime nuk bazohen as në dije e as në argument. Fatkeqësisht, ne myslimanët sot bazohemi më shumë tek emocionet dhe jo tek arsyeja dhe logjika e shëndoshë. Ndërkohë që feja jonë islame është fe e logjikës dhe e arsyes. Kur’ani i Shenjtë i konsideron njerëzit që nuk e përdorin logjikën si krijesat më të këqija. Ai thotë: “Krijesat më të këqija para Allahut janë ato që janë shurdhe dhe memece e që nuk kanë arsye.” (Sure “Enfal”, ajeti 22).
Ajo që është më e keqja, këta autorë që mbushin botën me shkrime duke e nxirë të bardhën me të zezën, as nuk e marrin parasysh fundin e rrezikshëm të këtyre shkrimeve. Rreziku më i madh është përçarja e ymetit të Profetit Muhamed dhe shkatërrimi i tij dhe hedhja e dyshimeve në mendjen e njerëzve se feja islame nuk është fe e bashkimit dhe e unitetit. A nuk e kanë lexuar këta thënien e Allahut: “…Përçarja është më e rëndë se vrasja…” (Sure “Bekare”, ajeti 191). Përveç kësaj, Allahu do të na largojë nga mëshira e Tij dhe do të bëhemi siç thotë ajeti i Kur’anit: “Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten! Pikërisht ata janë të pabindurit (ndaj Allahut).” (Sure “Hashr”, ajeti 19).
Por, një gjë është e sigurtë dhe duhet të mësohet nga të gjithë: shpifjet, gënjeshtrat, trillimet dhe akuzat kundër shiizmit dhe shiiave kanë ngjyra politike. Ato nuk kanë lidhje fare me fenë. Kushdo që e studion shiizmin dhe synizmin, do të gjejë se të përbashkëtat mes tyre janë më të shumta se sa ndryshimet. Prandaj është detyrë e dijetarëve që t’i sqarojnë të vërtetat dhe jo t’i fshehin ato; përndryshe, do t’i kapë mallkimi i Allahut, i njerëzve dhe i melekëve. Po ashtu, është detyrë e besimtarëve që të njihen me medh’hebet islame, me parimet e tyre dhe me jurisprudencën e tyre.
Kushdo që hulumton dhe e studion shiizmin, larg nervozimit dhe fanatizmit verbues, do të arrijë në përfundimin: shiiat dëshmojnë se nuk Zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është robi i Tij dhe i dërguari i Tij, njësoj siç dëshmojnë vëllezërit syni. Shiiat besojnë në Allahun e Vetëm dhe të Pashoq, njësoj siç besojnë vëllezërit syni. Shiiat besojnë në profetësinë e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), njësoj siç besojnë vëllezërit syni. Shiiat besojnë se ai është vula e profetëve dhe nuk vjen profet tjetër pas tij, njësoj siç besojnë vëllezërit syni. Shiiat besojnë në Kur’anin e Shenjtë, njësoj siç besojnë vëllezërit syni. Ata besojnë se Kur’ani është Fjala e Allahut dhe mrekullia e përjetshme për profetin Muhamed, njësoj siç besojnë vëllezërit syni. Shiiat besojnë në melekët, njësoj siç besojnë vëllezërit syni. Shiiat besojnë në Ditën e Ringjalljes, njësoj siç besojnë vëllezërit syni. Shiiat besojnë në domosdoshmërinë e namazit, të agjërimit, të haxhit, të zekatit, njësoj siç besojnë vëllezërit syni. Shiiat besojnë se kushdo që i mohon domosdoshmëritë e fesë, ai është renegat, njësoj siç besojnë vëllezërit syni, e të tjera çështje të përbashkëta mes synizmit dhe shiizmit.
Literaturat shiite janë të shumta. Shiitët nuk janë të fshehur. Ka me qindra e qindra faqe interneti të shiiave të mbushura me literatura që flasin për besimin, për moralin dhe për jurisprudencën islame. Përderisa çështja është e tillë, përse gjithë kjo armiqësi dhe gjithë këto akuza kundër shiiave dhe shiizmit? Përse nuk hulumtohet? Përse nuk lexohet? Përse vetëm dëgjohet? Ne e dimë shumë mirë që nesër, para Allahut të gjithë do të jemi të vetëm, të shoqëruar vetëm me punët tona. As njerëzit më të afërt nuk do t’i kemi nesër pranë. Po ashtu, as dijetarët, as pushtetarët, as pasurinë e as pushtetin. Prandaj duhet të përgatitemi mirë për atë Ditë: “Në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu.”. (Sure “Shuara”, ajetet 88-89). Pastërtia e zemrës nuk arrihet me anë të armiqësisë, urrejtjes, fyerjes, sharjes dhe akuzave të pabaza. Ajo arrihet duke besuar, duke i dashur të tjerët, duke i respektuar ata, duke i ndihmuar, duke u buzëqeshur në fytyrë dhe duke u sjellë me ata ashtu siç sillej profeti Muhamed, biri i Abdullahut dhe i Eminesë (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familejn e tij!).
Fatkeqësia jonë e madhe është se ne nuk e zbatojmë Kur'anin ashtu siç duhet. Marrim prej tij ato që na interesojnë, ndërkohë që Allahu na e ka bërë Kur'anin e Shenjtë sqarues për gjithçka. Allahu na mëson se nëse kemi mospajtime dhe mosmarrëveshje, të kthehemi te Fjala e Tij dhe te syneti i profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja! Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit! Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.” (Sure “Nisa”, ajeti 59).
Kur'ani na thotë: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, prandaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni.” (Sure “Huxhurat”, ajeti 10). Sa i mrekullueshëm ky ajet! Në fund, ai na mëson se në pajtim gjendet mëshirë.
Feja jonë e pastër islame është fe e dijes, e hulumtimit, e studimit. Dija është dritë dhe padituria është errësirë. Dijetarët kanë pozitë të lartë tek Allahu, siç thotë Kur'ani i Shenjtë: “...Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush, që besojnë dhe që u është dhënë dija...” (Sure “Muxhadele”, ajeti 11).
Në një ajet tjetër thuhet: “...Në të vërtetë, nga robtë e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët...” (Sure “Fatir”, ajeti 28).
Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Dijetarët janë trashëgimtarët e të dërguarve.” Nga kjo thënie e Profetit kuptohet se detyra e dijetarëve është udhëzimi i njerëzve në rrugën e drejtë dhe të mos i fryjnë zjarrit të përçarjes e të mospajtimit. S'ka dyshim se nga ky zjarr digjen vetëm myslimanët dhe askush tjetër. Duke e mbajtur të ndezur zjarrin e përçarjes e të mospajtimit midis tyre, myslimanët veçse djegin njëri-tjetrin (Allahu na ruajtë!). Duke u marrë me përhapjen e urrejtjes, armiqësisë, përçarjes dhe mospajtimit, ata bëhen shkak që shigjetat helmuese të armiqve dhe dashakeqësve të Islamit të jenë gjithmonë në harkun e tyre dhe t'i lëshojnë kur dhe ku të duan ata.
Allahu i Madhëruar thotë në Kur'anin e Shenjtë: “A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, që iu është dhënë Libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur.” (Sure “Hadid”, ajeti 16). Sa thirrje e mrekullueshme është kjo e Allahut për myslimanët në këtë kohë? Vallë, a nuk po arsyetojnë?
Burimi : Media e Lire