Dobitë e organizimit të tubimeve për të kujtuar imam Hysejnin
Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit
Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!
Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!
(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)
Transmetohet nga Imam Xha'ferr ibn Muhamed Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se i ka thënë Fudejl ibn Jesariut: “O Fudejl! A po tuboheni dhe bisedoni?” Fudejli i tha: “Po, u bëfsha kurban për ty!” Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) i tha: “Unë i dua ato tubime. Ringjalleni çështjen tonë! Allahu e mëshiroftë atë që e ringjall çështjen tonë!”
Ka shumë transmetime nga Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!), të cilat urdhërojnë për ringjalljen e përmendjes së tyre. Imam Rizai (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush ulet në një tubim dhe në të ringjall çështjen tonë, zemra e tij nuk do të vdesë atë ditë kur do të vdesin zemrat (në Ditën e Kiametit).”
Erdhi muaji i Muharremit. Filllimi i tij përkon me fillimin e vitit të ri të hixhrit, 1440. Ky kalendar është i posaçëm për ymetin islam. Në fillim të këtij viti të ri, myslimanët duhet të bëjnë llogaritë e vitit që shkoi dhe të shohin se a kanë qenë vërtet në rrugën e Allahut dhe në rrugën e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!); a i kanë zbatuar ashtu siç duhet urdhrat dhe porositë e Allahut dhe të profetit Muhamed; a i kanë forcuar radhët mes tyre apo e kanë zgjeruar më shumë hendekun e mospajtimeve dhe të mosmarrëveshjeve. Ata duhet të luten që viti i ri i hixhrit të jetë një vit i mbarë, i begatë dhe i mbushur me besim, devotshmëri, unitet e vëllazëri mes tyre.
Në muajin Muharrem, pikërisht në ditën e dhjetë të këtij muaji, ka ndodhur ngjarja më e dhimbshme për profetin Muhamed dhe për myslimanët. Në këtë ditë ka ndodhur masakra më e rëndë dhe më barbare në historinë e njerëzimit. Në këtë ditë u martirizua nipi i profetit Muhamed, zotëria i të rinjve të banorëve të Xhenetit, imam Hysejni, i biri i imam Aliut dhe i Fatime Zahrasë. Në dhjetë ditët e para të muajit Muharrem është koha më e volitshme dhe më madhështore për ringjalljen e përmendjes së Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!).
S’ka dyshim se Ashura-ja është prej ditëve të Allahu të Madhëruar, i Cili, në Kur'anin e Shenjtë, thotë: "...dhe përkujtoju atyre ditët e Allahut..." (Sure “Ibrahim", ajeti 5). Është e tillë, sepse imam Hysejni (Paqja qoftë mbi të!) është prej të dashurve të Allahut, është nipi i të Dërguarit të Allahut, është i biri i të dashurit të Allahut, është djali i gruas, të cilën Allahu e bëri zonjën e grave të botëve. Ashura-ja është prej ditëve të Allahut, sepse imam Hysejni u ngrit për hir të Allahut dhe për të shpëtuar fenë e pastër të Allahut, të cilën dinastia emevite donte ta asgjësonte.
Përderia çështja është e tillë, atëherë, këtë ditë duhet ta përkujtojnë të gjithë myslimanët pa përjashtim. Shkrimtari egjiptian Abdurrahman Esh Sherkauij ka thënë: “Hysejni është dëshmor në rrugën e fesë e të lirisë. Nuk duhet të krenohen vetëm shiiat me emrin e Hysejnit, por duhet që me këtë emër fisnik të krenohen të gjithë të lirët e botës.”
Në këto ditë myslimanët duhet të njihen me Ehli Bejtin e Profetit, me jetëshkrimin e tyre, me moralin, me dijet dhe me njohuritë e tyre. Duhet të dinë se ata janë imamët e tyre, për të cilët, profeti Muhamed e ka bërë detyrë dashurinë për ata, e gjithashtu, edhe ndjekjen dhe zbatimin e urdhrave dhe porosive të tyre.
Ka hadithe të shumta që nxisin në njohjen e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!). Prej tyre është edhe thënia e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Atë që e ka mirësuar Allahu me njohjen e Ehli Bejtit tim dhe të vilajetit të tyre, Allahu i ka dhënë të gjitha të mirat.”
Selman Farsiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një ditë shkova tek i Dërguari i Allahut, profeti Muhamed. Kur më pa, tha: “O Selman! Vërtet, për çdo të dërguar dhe lajmëtar Allahu ka caktuar dymbëdhjetë pasardhës.” Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Ti je nëna ime dhe babai im. Çfarë mirësish ka ai që i njeh ata?” Profeti tha: “O Selman! Ai që i njeh ata ashtu siç e meritojnë, i ndjek ata, e do atë që i do ata dhe është armik i atij që është armik i tyre, betohem në Allahun se ai është prej nesh. Do të shkojë atje ku do shkojmë ne dhe do të banojë atje ku do të banojmë ne.”
Ka hadithe që qortojnë mosnjohjen e Imamëve të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!). Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Ai që vdes dhe nuk e ka njohur imamin e kohës së tij, do të vdesë si njeriu në kohën injorancës (xhahilijetit).”
Duhet që dija e tyre, pozita e tyre në besimin islam, vendi i tyre i lartë që kanë te profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familen e tij!) t'u bëhen të qarta edhe të tjerëve. T'u sqarohen të tjerëve përpjekjet dhe sakrificat e Ehli Bejtit në përgjithësi dhe të imam Hysejnit në veçanti, në rrugën e mbrotjes së Islamit të pastër që solli profeti Muhamed.
Transmetohet nga Abdu Selam ibn Salih El Hereuij se ka thënë: Unë e kam dëgjuar Aba Hasanin, imam Ali ibn Musa Rizain (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë: “Allahu e mëshiroftë atë njeri që e ringjall çështjen tonë!” Unë i thashë: “Si ringjallet çështja juaj?” Ai tha: “Duke mësuar dijet tona dhe duke ia mësuar të tjerëve ato dije. Sikur njerëzit t'i dinin mirësitë e fjalëve tona, do të na ndiqnin neve.”
Ka shumë faktorë që penguan mbërritjen e njohurive të Ehli Bejtit te njerëzit. Këta faktorë çuan në errësimin dhe fshehjen e së vërtetës së Ehli Bejtit dhe të pozitës së tyre. Prej tyre është edhe përpjekja e vazhdueshme e dinastisë emevite dhe asaj abasite në këtë drejtim. Po ashtu, ka edhe rryma të tjera, të cilat vazhdojnë edhe në këto ditë të fshihen dhe të shtrembërojnë të vërtetën e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!). Me këtë veprim djallëzor ata u përpoqën dhe përpiqen që t'i largojnë njerëzit nga Ehli Bejti dhe të ndalojnë mbërritjen e thënieve të tyre te njerëzit.
Në kohën e emevitëve, transmetimi i haditheve të imam Aliut dhe përhapja e tyre në mesin e njerëzve i kushtonte jetën transmetuesit. Muavije ibn Ebi Sufjan nxori ligj në atë kohë ku thuhej se ai që transmeton hadithe nga Aliu, do t'i shembet shtëpia, do t'i ndërpritet furnizimi, do të përballet me vrasjen dhe ekzekutimin.
Kushdo që shkruante poezi apo lavde për Ehli Bejtin, përndiqej dhe burgosej. Organizimi i ceremonive të Ashurasë ishte e rrezikshme në disa periudha kohore. Ndalohej zijareti i imam Hysejnit në Kerbela. Ai që tentonte të shkonte për zijaret, arrestohej dhe ndëshkohej.
Në krahasim me ato kohë, sot gjendet më shumë mundësi e siguri për organizimin e ceremonisë së përkujtimit të ndodhisë së Kerbelasë. Prandaj, duhet që të përfitojmë nga kjo situatë dhe t’ua bëjmë të njohur njerëzve Ehli Bejtin e profetit Muhamed duke përdorur të gjitha mjetet dhe mënyrat e mundshme për këtë qëllim.
Nuk duhet që Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) të mbeten thjesht emra në mendjen e dashamirësve dhe të ndjekësve të tyre, por duhet që Ehli Bejti të jetë shembull dhe shembëlltyrë në jetën e dashamirësve dhe ashikëve të tyre. Ata duhet të ecin në rrugën e Ehli Bejtit me fjalë dhe me vepra. Kjo është dashuria e vërtetë për Ehli Bejtin dhe kjo është ndjekja e vërtetë e tyre.
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ndjekësit tanë janë ata që janë të devotshëm ndaj Allahut dhe që i binden Atij.” Gjithashtu, ai ka thënë: “Unë jam imam i atij që më bindet mua.” Pra, më ndjek mua, bën siç bëj unë dhe zbaton porositë dhe këshillat e mia. Kjo do të thotë se ashtu siç ishte Ehli Bejti shembull i lartë në çdo çështje, po ashtu duhet të jenë ndjekësit e tyre në mesin e njerëzve. Ata duhet të jenë të devotshëm, vigjilentë dhe shembull në sjellje e veprime.
Disa mendojnë se përderisa janë ndjekës të Ehli Bejtit, Allahu do t’ua lehtësojë llogarinë në Ditën e Gjykimit. Sigurisht që ky është mendim i gabuar. Imam Sadiku (Paqja qoftë mi të!) ka thënë: “O Mufaddal! E shëmtuara është e shëmtuar te çdo njeri, ndërsa tek ti është më e shëmtuar për shkak të pozitës që ke tek ne. E mira është e mirë te çdo njeri, por tek ti është më e mirë për shkak të pozitës tënde tek ne.” Ai njeri që është ndjekës i Ehli Bejtit dhe ashik i tyre, duhet ta dijë se ka një përgjegjësi të madhe në sjellje. Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Jini ftues në rrugën tonë, jo me gjuhët tuaja!” Pra, me sjelljet tuaja.
Prandaj, kuptimi i ringjalljes së përmendjes së Ehli Bejtit në mesin e pasuesve të tyre është që ata të zbatojnë urdhrat dhe porositë e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!). Për këtë, edhe tubimet që zhvillohen në kohën e matemit në muajin Muharrem apo në ceremonitë e ndryshme që organizohen për nder të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi të!) duhet të jenë nxitëse dhe inkurajuese për njohjen e personalitetit të tyre, të moralit të tyre, të sjelljeve të tyre dhe të urdhrave e porosive të tyre. Ehli Bejti nuk është monopol i shiiave. Ata janë udhëheqësit dhe imamët e të gjithë myslimanëve. Prandaj, duhet që dijet, njohuritë dhe morali i Ehli Bejtit të përhapen në mesin e të gjithë myslimanëve. Pa dyshim që metoda më e mirë për njohjen e Ehli Bejtit është ajo metodë që na urdhëron Kur’ani i Shenjtë, i cili thotë: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mire…!” (Sure ”Nahl”, ajeti 125)
Organizimi i tubimeve për kujtimin e imam Hysejnit dhe të ndodhisë së Kerbelasë ka dobi të shumta. Prej tyre janë:
Së pari: Ne shprehim besnikërinë ndaj profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Sepse, vetë profeti Muhamed është hidhëruar dhe ka lajmëruar vrasjen e imam Hysejnit në Kerbela.
Së dyti: Këto tubime janë shkollë islame, sepse ligjëruesit në këto tubime flasin rreth historisë islame, rreth dispozitave islame, rreth moralit islam. Ata komentojnë Kur’anin, flasin për historitë e profetëve, për teuhidin, profetësinë, e të tjera çështje islame.
Së treti: Në këto tubime ne shprehim dashurinë, përkrahjen dhe vilajetin për imam Hysejnin (Paqja qoftë mbi të!), të birin e Fatime Zahrasë, i cili u martirizua për të mbrojtur mesazhin që solli gjyshi i tij, Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Së katërti: Në këto tubime ne japim besën se do të jemi gjithonë në rrugën e fesë së Allahut, në rrugën e Profetit Muhamed dhe në rrugën e Ehli Bejtit të tij të pastër. Kurrë nuk do ta braktisim këtë rrugë me çfarëdo pasojash që të përballemi.
Së pesti: Këto tubime sqarojnë se çfarë i ndodhi imam Hysejnit, familjes së tij dhe shokëve të tij besnikë, të cilët u përballën me krimin dhe masakrën më të ashpër në historinë e njerëzimit. Ky krim e kjo masakër janë në kundërshti të plotë me vlerat dhe me parimet njerëzore dhe fetare. Në këto tubime ne e kundështojmë bindshëm këtë krim e masakër.
Së gjashti: Në këto tubime ne kundërshtojmë nënshtrimin dhe poshtërimin para padrejtësisë dhe shtypjes, sado të mëdha të jenë.
Së shtati: Refuzojmë dhe demaskojmë padrejtësinë, devijimin, hipokrizinë, ashpërsinë dhe armiqësinë e dinastisë emevite dhe të atyre që ecin në rrugën e tyre, qëndrime negative që mbartin ndaj Profetit Muhamed dhe Ehli Bejtit, sepse ajo ishte një dinasti xhahile me petkun e Islamit.
Së teti: Në këto tubime i çirret maska kurtheve dhe intrigave të emevitëve kundër Islamit. Edhe pse sundimi i tyre shtrihet në dy kontinente - Azi dhe Afrikë, heroizmi i imam Hysejnit, i familjes së tij dhe i shokëve të tij në Kerbela, e tundi nga themelet atë dinasti të devijuar derisa u rrëzua.
Së nënti: Në këto tubime ne refuzojmë çdo lloj ngjyre të padrejtësisë, nëpërkëmbjes dhe poshtërimit dhe lutemi që paqja, dashuria, besimi dhe vëllazërimi të sundojnë në mbarë botën.
O Allahu ynë! Na forco në Rrugën Tënde! Na mundëso të jemi në rrugën e të dashurve të Tu në këtë jetë dhe na bashko me ata në Jetën Tjetër!
Paqja qoftë mbi Hysejnin!
Paqja qoftë mbi Aliun, i biri i Hysejnit!
Paqja qoftë mbi fëmijët e Hysejnit!
Paqja qoftë mbi shokët e Hysejnit!