Ngjarja e Gadijr Khum-it
Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit
Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!
Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!
(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)
Allahu i Madhëruar thotë: “O ti, i Dërguar! Komunikoje atë që t’u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk e bën, atëherë nuk e kryer misionin e Tij. Allahu të garanton mbrojtjen prej njerëzve…” (Sure “Maide”, ajeti 67.)
Ky ajet ka zbritur për udhëheqësinë e Prijësit të besimtarëve dhe me të njëjtin rast që zbriti edhe ajeti i parë. Ka transmetuar El Uahidiju me zinxhir nga Ebi Sa‘id El-Khudrij, i cili ka thënë: “Ky ajet ka zbritur në ditën e Gadijr Khumit (fill pas Haxhit të Lamtumirës) për Ali ibn Ebi Talibin.” (Esbabu Nuzul, faqe 115.)
Transmeton Sujutiju dhe Sheukaniju nga Ibn Mes’udi, i cili ka thënë: “Lexonim në kohën e të Dërguarit të Allahut: “O ti, i Dërguar! Komunikoje atë që t’u zbrit prej Zotit tënd” që Aliu është udhëheqësi i besimtarëve: “E nëse nuk e bën, atëherë nuk e kryer misionin e Tij.” (Ed Durrul Menthur, 2: 298. Fet’hul Kadijr i Sheukanijit, 2: 60.)
Ç’është Gadijri Khumi? Çfarë ka ndodhur në të?
Transmetimet që përmendin ngjarjen e Gadirit dhe që e përshkruajnë atë ashtu siç ka ndodhur janë të shumta. Ato transmetime janë të ndryshme ku disa janë të gjata, disa të tjera shumë përmbledhëse dhe disa të tjera trajtojnë një anë të caktuar të ngjarjes. Nga të gjitha këto transmetime, nga historia islame, si dhe duke vërejtur argumentet e rrethanat e ndodhjes së kësaj ngjarjeje, sqarohet si vijon: Vërtet, në vitin e fundi të jetës së Profetit Muhammed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), myslimanët së bashku me të Dërguarin e Allahut kryen ritet e Haxhit të Lamtumirës në mënyrë madhështore. Ky Haxh ndikoi shumë në shprtitat e njerëzve.
Pasi ka mbaruar Haxhi, zemrat e tyre u mbuluan nga një rritje e madhe shpirtërore, ku ndihej kënaqësia e thellë e këtij adhurimi madhështor. Në këtë haxh kanë marrë pjesë një numër i madh myslimanësh (Thuhet se numri i tyre ka qenë 90 000, thuhet 120 000 dhe thuhet 124 000). Nga myslimanët e pranishëm kishte persona që po fluturonin nga gëzimi dhe hareja që Allahu i Lartësuar i nderoi ata me kryerjen e këtij adhurimi. Nuk kanë qenë vetëm banorët e Medinës ata që e kanë shoqëruar Profetin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në këtë haxh, por e kanë shoqëruar delegacione myslimane nga i gjithë Gjiri Arabik, për të fituar nderimin e shoqërimit në këtë Haxh të Lamtumirës.
Dielli lëshonte rrezet e tij përvëluese në lugina e në fusha. Por kënaqësia shpirtërore e këtij udhëtimi lehtësoi çdo gjë. U afrua koha e drekës dhe udhëtarët e shumtë iu afruan tokës së El Xhuhfetu nga dukej toka e “Gadijr Khum-it” e thatë dhe e djekur.
Zona e Gadijr Khum-it ndodhet në kryqëzimin e katër rrugëve, në të cilën haxhinjtë duhet të shpërndaheshin për në drejtimet e tyre. Rruga për në Medine ishte në drejtim të veriut, rruga për në Irak ishte në drejtim të lindjes, rruga për në Egjipt ishte në drejtim të perëndimit dhe rruga për në Jemen ishte në drejtim të jugut. Në këtë vend duhet të realizohej çështja më e rëndësishme e këtij udhëtimi dhe e kujtimeve të tij.
Myslimanët do të dëgjonin obligimin e fundit të tyre apo të njiheshin me periudhën e fundit prej periudhave të sukseshme të cilën do t'ua përcillte i Dërguari i Allahut përpara se ata të ndaheshin dhe të largoheshin në rrugët e tyre. Ka qenë ditë e Enjte e vitit të dhjetë të hixhretit dhe kishin kaluar tetë ditë nga festa e Kurban Bajramit (pra 18 Dhul Hixhxheh), kur i Dërguari i Allahut i urdhëroi haxhinjtë që të ndalonin. Myslimanët thirrën ata që ishin në fillim të karvanit që të ktheheshin dhe pastaj pritën që të bashkoheshin edhe ata që ishin të fundit.
Dielli kishte arritur në pikun e qiellit dhe myezini i Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), thirri ezanin për të falur namazin e drekës (ylesë). Njerëzit filluan të përgatiten me shpejtësi për të falur namazin.
Era ishte aq djegëse e përvëluese, saqë disa u detyruan që të vendosnin një pjesë të petkut të tyre poshtë këmbëve dhe një pjesë sipër kokave të tyre, për t‟u mbrojtur nga nxehtësia e tokës dhe nga rrezet e diellit.
Në atë shkretëtirë nuk kishte asgjë për hije apo oaz të gjelbërt për të kënaqur të shikuarit e për t‟u rehatuar, përveçse disa shkurreve të vogla të zhveshura që përballeshin me nxehtësinë e fortë. Disa u strehuan te këto shkurre dhe vendosën rrobat e tyre mbi to për hije dhe i Dërguari i Allahut të pushonte aty. Mirëpo erërat e nxehta hynin në ato çadra dhe shpërndante nxehtësinë e saj përvëluese në to.
Përfundoi namazi i mesditës. Haxhinjtë shpejtuan për të ngritur çadrat e tyre të vogla që mbartnin me vete që të mbroheshin nga nxehtësia përvëluese. Porse Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i lajmëroi ata që të përgatiteshin për të dëgjuar mesazhin e ri të Allahut në ligjëratën e tij. Kishte prej atyre që nuk mund ta shihnin Profetit për shkak të largësisë.
Për këtë shkak ata i ndërtuan Profetit një minber prej samarëve të deveve, ku u ngjit i Dërguari i Allahut e tha: “Falënderimi i takon Allahut. Prej Tij ndihmë kërkojmë, e në Atë besojmë. Atij i mbështetemi e i kërkojmë të na ruajë nga e keqja e vetave tona dhe nga veprat e këqija. Atë që e udhëzon Allahu askush nuk e humbet dhe atë që Ai e humbet askush nuk e udhëzon. Dëshmoj e deklaroj se nuk ka të Adhuruar tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj e deklaroj se Muhammedi është robi i Tij dhe i Dërguari i Tij.” E më pas tha: “O ju njerëz, sapo më lajmëroi mua i Gjithëdijshmi se i ka dhënë jetë një Profeti sa gjysma e jetës së Profetit që ka qenë para tij. Me të vërtetë, unë jam në prag të thirrjes e ta pranoj (jam pranë vdekjes). Vërtet, unë jam përgjegjës dhe ju jeni përgjegjësa. Çfarë më thoni: Ata thanë dëshmojmë se me të vërtetë ti e përcolle mesazhin dhe këshillove e luftove. Allahu të shpërbleftë me të mira!” (Profeti) tha: “A nuk dëshmoni se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është robi i Tij dhe i Dërguari i Tij? Se Xhenneti është i vërtetë, zjarri i vërtetë, vdekja e vërtetë dhe se Allahu do t‟i ringjallë të gjithë ata që janë në varre?” Ata thanë: “Po, me të vërtetë dëshmojmë për këtë.” (Profeti) tha: “O Allahu im, dëshmo!”. Pastaj tha: “O ju njerëz a po dëgjoni?” Ata thanë: “Po.” Pastaj mbizotëroi një heshtje e thellë dhe nuk u dëgjua veçse lëvizja e lehtë e erës. I Dërguari i Allahut tha: “Shikoni (mendoni) se si do të më kundërshtoni mua në dy gjëra të rëndësishme.”
U dëgjua një zë që pyeti: “Cilat janë ato dy gjëra të rëndësishme, o i Dërguari i Allahut?” I Dërguari tha: “E rëndësishmja më e madhe është Libri i Allahut. Një pjesë është në dorën e Allahut të Lartësuar dhe një pjesë në duart tuaja. Kapuni fort pas tij e mos humbisni! Tjetra është më e vogël, janë pasardhësit e mi. Me të vërtetë, më lajmëroi i Gjithëdijshmi se ata të dyja nuk ndahen deri sa të më paraqiten mua Heudi (burim në Xhennet). E kam pyetur Zotit tim për këto të dyja, prandaj mos dilni para atyre të dyjave se do të shkatërroheni dhe mos i neglizhoni se do të shkatërroheni.” Pastaj kapi dorën e Aliut e ngriti derisa iu duk e bardha e pëllëmbës së tij dhe i gjithë populli e njohu atë. Profeti tha: “O ju njerëz! Cili është më parësori tek myslimanët sesa vetë vetat e tyre?” Ata thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Profeti tha: “Me të vërtetë, Allahu është Udhëheqësi im dhe unë jam udhëheqësi i besimtarëve. Unë jam më parësor tek ata se sa vetat e tyre. Për atë që unë isha udhëheqës, Aliu do të jetë udhëheqësi i tij” Këtë e përsëriti tri herë.
Në transmetimin e imam Ahmedit, imam i hambelive, thuhet se e ka përsëritur katër herë. Pastaj tha: “O Allahu im, ndihmoje atë që e ndihmon atë (Aliun) dhe luftoje atë që e lufton atë. Duaje atë që e do atë (Aliun) dhe urreje atë që e urren atë. Triumfoje atë që e triumfon atë dhe poshtëroje atë që e poshtëron atë. Çoje të drejtën me atë ngado që të jetë. Sigurisht, i pranishmi të lajmërojë jotëpranishmin.” Myslimanët nuk janë shpërndarë derisa zbriti i besueshmi (Xhebraili) i shpalljes së Allahut, me fjalën e Tij: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj...” (Sure "Maide", ajeti 3.)
Pastaj i Dërguari i Allahut tha: “Allahu është më i Madhi për përsosjen e fesë dhe për plotësimin e mirësisë e dhuntisë së Tij. Allahu im është i kënaqur me mesazhin tim dhe me vilajetin e Aliut pas meje.” Pas kësaj njerëzit u ngritën dhe e përgëzuan prijësin e besimtarëve. Prej atyre kanë qenë Ebu Bekri dhe Umeri. Të gjithë i thoshin: “Urime, urime o ibn Ebi Talib, u gdhive dhe u ngryse prijësi im dhe prijësi i çdo besimtari e besimtareje.”
Ibn Abazi ka thënë: “Betohem në Allahun se është bërë obligim për të gjithë njerëzit.” Më pas, Hasan ibn Thabiti, poeti i të Dërguarit të Allahut i mori leje Profetit që përjetësinë e kësaj ndodhie ta përcillte me poezinë e tij: “ Profeti i tyre i thërret ata në Khum atë Ditë Gadijri, dhe sa duhej dëgjuar i Dërguari kur thirri! Tha: “Cili është i pari juaj dhe i juaj kujdestar?” Ata u përgjigjën – pa pipëtirë ndonjë kundërshtar - : Ti je udhëheqësi ynë dhe i yni kujdestar dhe nuk do të gjesh ti sot tek ne asnjë kundërshtar.‟ I tha atij: “Çohu, o Ali, sepse unë të kam pëlqyer ty pas meje udhëzues e prijëtar. Për atë që kam qenë udhëheqës, ky është i tiji udhëheqës Jini për të përkrahës besnikë dhe ndjekës.” E atëherë, u lut: “O Allahu im, duaje të tijin ashik dhe bëhu armik i atij që i bëhet Aliut armik.”
Shumë dijetarë të Ehli Sunnetit e kanë pranuar se ajeti: “O ti, i Dërguar! Komunikoje atë që t’u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk e bën, atëherë nuk e kryer misionin e Tij. Allahu të garanton mbrojtjen prej njerëzve…” është shpallur në Gadir Khum me rastin e emërimit të Aliut (paqja qoftë mbi të!) si kalif (udhëheqës) të muslimanëve pas Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Në lidhje me këtë çështje ata dijetarë kanë transmetuar hadithe të shumta, saktësia e të cilëve është vërtetuar sipas metodave të tyre vërtetuese.
Më poshtë po përmend disa burime të Ehli Sunnetit që e përmendin këtë çështje:
1-Hafiz Ebu Naimi në librin “Nuzulul Kitab”
2-Imam Uahidij në librin “Esbabu Nuzul”, faqe 150
3-Imam Ebu Is’hak Tha’lebi në tefsirin “El Kebir”
4-Hakim Haskani në librin “Sheuahidu Tenzil li kauaidi tefdil”, vëll.1, f.187
5-Xhelaludijn Sujuti, në tefsirin “Durr-rrul Menthur”, vëll.3, f.117
6-Fakhru Razi në tefsirin “El Kebir”, vëll.12, f. 50
7-Muhammed Rashid Riza, në tefsirin “El Menar”, vëll.2, f.86
8-Ibn Asakir në librin “Tarikhu Dimashk”, vëll.2, f.86
9-Sheukanij në librin “Fet’hul Kadijr”, vëll.2, f. 60
10-Ibn Talha Shafiij në librin “Metalibu Su’l”, vëll.1, f.44
11-Ibn Sabbag El Malikij në librin “Fusulul Muhimmeh”, f. 25
12-Kunduzij Hanefij në librin “Jenabiul Meueddeh”, f.120
13-Shehristanij në librin “El Milelu Uen Nihel”, vëll.1, f.163
14-Ibn Xherijr Et Tabarij në “Kitabul Vilajeh”
15-Ibn Said Sexhistanij në “Kitabul Vilajeh”
16-Bedruddijn Hanefij në “Umdetul fi sherhil Buhari”, vëll. 8, f.584
17-Abdul Vahhab Buharij në “Tefsirul Kuran”
18-Alusij në “Ruhul Meanij”, vëll. 2, f.384
19-Hamvini në librin “Faraid’us Simtejn”, v.1, f.185
20-Al’lame Sejjid Siddik Hasan Hani në “Fet’hul Bejan fi Mekasidil Kuran”, vëll.3, f.63
Këto janë vetëm disa prej librave të shumtë të dijetarëve të Ehli Sunnetit, që e përmendin këtë çështje. Burimet tjera përmenden në librin “El Gadir” të eruditit të madh El Eminij.
Prej shokëve të Profetit (as’habët) që e kanë përcjellë ndodhinë e Gadir Khumit janë: Khuzajma ibn Thabit, Sehl ibn Sa’ad, Udej ibn Hatim, Ukba ibn Amir, Ebu Ejub El Ensarij, Ebu Hejthem ibn Taihan, Abdullah ibn Thabit, Ebu Ja’la El Ensarij, Nu’man ibn Exhlan El Ensarij, Thabit ibn Uadi’a El Ensarij, Ebu Fadhala Ensarij, Abdurrahman ibn Abd Rabb, Xhunaida ibn Xhanada, Zejd ibn Erkam, Zejd ibn Sherhil, Xhabir ibn Abdullah, Abdullah ibn Abbas, Ebu Said El Khuderij,
Ebu Dherr El Giffari, Selman El Farisij, Xhubejr ibn Mu’tim, Hudhejfe ibn Jemen, Hudhejfe ibn Usajd e të tjerë.
Prej historianëve që e kanë përcjellë ngjarjen e Gadir Khummit përmendim: Ethirudijni në veprën “Usudu’l Gabe”, El Halebij në veprën “Siretul Halebijeh” dhe Ibn Haxher në “Es Saua’ikul Muhrikah”.
Prej dijetarëve të hadithit që e kanë përmendur ngjarjen janë: Muslimi, Nisaij, Ibn Maxha, Ahmed ibn Hanbeli dhe Hakimi.
O Zoti ynë! Na forco besimin në zemrat tona! Na mundëso që të jemi në rrugën Tënde, në rrugën e Profetit Muhamed dhe të familjes së tij të pastër dhe shokëve të tij të zgjedhur (paqja qoftë mbi ta!)