Lamtumirë, o muaji i Kur'anit!
Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit
Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!
Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!
(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)
Allahu i Madhëruar thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)...”
Ditët kaluan njëra pas tjetrës. Perdja e muajit të Ramazanit për këtë vit u mbyll. Yjet e këtij muaji u shuan. Netët e tij u errësuan pasi ndriçonin me një dritë të veçantë, e cila ishte drita e Krijuesit të gjithësisë. Qetësia fillon të pushtojë universin pas ndalimit të zërave të lutjeve, të lartësimeve, të falënderimeve dhe të këndimit të Kur'anit në ditët, netët, orët e minutat e këtij muaji të begatë. Nuk e di se çfarë të bëj: A t'ju uroj ardhjen e Bajramit apo t'ju ngushëlloj për largimin e muajit të mëshirës, faljes, bereqetit dhe të shpëtimit nga zjarri?
Vërtet, zemra hidhërohet, sytë lotojnë në këtë prag ndarjeje, o muaji i begatë i Ramazanit, o mbartës i durimit dhe i shpëtimit. Mirëpo, ato zemra që të pritën me mall e dashuri dhe u pastruan në ditët dhe netët e tua, ato zemra janë të gëzuara, sepse ia arritën qëllimit dhe fituan mirësi e begati të shumta. Ato zemra që të njohin mirë ty, o muaj i begatë, qëndrojnë të palëkundura edhe në ditët dhe netët pas teje. Sepse ato e kanë ndjerë ëmbëlsinë tënde dhe e kanë ngulitur në thellësi të tyre për të të kujtuar në çdo orë dhe për të të ndjerë në çdo kohë. Edhe pse u largove, përsëri ndodhesh në thellësinë e zemrave besimtare, e të devotshme.
Lamtumirë, o Ramazan! O muaji i durimit dhe i faljes! Lamtumirë, o muaji i Kur'anit! Lamtumirë, o muaji agjërimit dhe i adhurimit! Lamtumirë, o muaji i mëshirës dhe i bereqeteve! Lamtumirë, o muaji i bujarisë dhe i veprave të mira! Lamtumirë, o muaji i pendimit dhe i shpëtimit nga zjarri! Lamtumirë, o muaji i triumfit të intelektit ndaj egos! Lamtumirë, o mik fisnik e bujar!
O i dashur që po largohesh! Ne jetuam në ditët dhe netët e tua minutat dhe orët më të bukuar. Jetuam në ditët dhe netët e tua një ndjesi të mrekullueshme e të veçantë. Ne ndjenim sikur jetonim në botën e vërtetë. Ndjenim mëshirën që zbriste mbi ne. Ndjenim qetësinë që na mbulonte. Ndjenim mbrojtjen që kujdesej për ne. Ndjenim sikur melekët na përshëndesnin kudo që shkonim. Në ditët dhe netët e tua zemrat ishin ndryshe, frymëmarrjet ishin ndryshe dhe moralet ishin ndryshe.
Oh ç'mjerim për kohët që kaluan dhe nuk ishim në praninë e të dashurit! Në këtë muaj kishim dy grupe njerëzish: zbatuesit e urdhrave të Allahut dhe jozbatuesit e urdhrave të Allahut. Ata që e shijuan ëmbëlsinë e agjërimt dhe ata që i privuan vetat e tyre nga kjo ëmbëlsi. Në Kur'anin e shenjtë lexojmë: “Dallimi midis këtyre dy grupeve shëmbëllen me dallimin midis një të verbri të shurdhër dhe një njeriu që sheh e dëgjon. A janë të njëjtë këta (kur të krahasohen)? A nuk po merrni këshillë?!” (Sure “Hud”, ajeti 24)
O i dashur që po largohesh! Sikur të jemi të sigurtë se do të takohemi përsëri me ty, do të na ftohej malli i ndarjes prej teje dhe do t’i qetësonim shpirtrat tanë me ëmbëlsinë e pritjes tënde. Mirëpo, ne kemi frikë se kjo ndarje me ty mund të jetë ndarje pa takim. Sa e sa të dashuruar me ty dhe të përmalluar për t'u takuar me ty kemi pare, por që vdekja i ndau ata nga ti dhe ua ndaloi takimin me ty?! Vërtet, vdekja nuk i mëshiron të dashurit e tu. Ajo i merr ata para se të takohen me ty. Madje mund t’i marrë ata edhe prehrin tënd dhe nga tryeza jote e begatë.
O njeri! Bëje Ramazanin pikënisjen tënde për të qenë afër Krijuesit në muajt e tjerë! Bëje Ramazanin pikënisjen tënde për të braktisur gjynahet, që Allahu të të falë dhe të të mëshirojë! Ato punë dhe vepra që bëje gjatë Ramazanit vazhdoji edhe pas tij, pa i ndërprerë ato! Gjykoje ti vetë agjërimin tënd: A është i pranuar apo jo.
O ti që gjuha jote agjëroi nga përgojimi, thashethemi, gënjeshtra në muajin e Ramazanit! Këtë vazhdoje edhe pas Ramazanit!
O ti që sytë e tu agjëruan në Ramazan nga të shikuarit haram, vazhdoje këtë edhe pas Ramazanit, sepse Allahu do të të mirësojë me ëmbëlsinë e besimit në zemrën tënde!
O ti që veshët e tu agjëruan në Ramazan nga dëgjimi i haramit, këtë vazhdoje edhe pas Ramazanit! Kije frikë Allahun!
O ti që barku yt agjëroi nga ushqimi haram në Ramazan, vazhdoje këtë edhe pas Ramazanit! Kujtoje urinë e vëllezërve të tu që nuk gjejnë kafshatën e gojës! Bëhu ndihmës i tyre, nëse ke mundësi.
O agjërues! Allahu jua lehtësoftë ndarjen nga miku juaj! Ishte kohë e caktuar dhe ditë të numëruara. Lartësojeni Allahun për atë që ju udhëzoi dhe falënderojeni Atë për ato që ju dha dhe ju bëri prej të dashurve të Tij!
O ju besimtarë të palëkundur! Myzhde për ju! I dashuri jua, muaji i Ramazanit, u largua dhe ai është i kënaqur me ju. Ai është dëshmitari juaj dhe ndërmjetësi juaj. Ai krenohet me ju.
O ju mosbindës e të humbur! Sa e madhe është fatkeqësia juaj dhe sa e madhe është humbja juaj! Shikojini vëllezërit tuaj, fqinjët tuaj, miqtë tuaj, shikoni gëzimin e tyre, të cilët sakrifikuan në këtë muaj të begatë! Shikoni bardhësinë e fytyrave të tyre, zemërgjerësinë e tyre dhe lumturinë e tyre! Shikoni se çfarë bëtë ju dhe çfarë fituat? Prej atyre u largua lodhja dhe mundimi dhe qëndroi ëmbëlsia e besimit dhe shpërblimi i adhurimit. Kurse te ju u largua ëmbëlsia e besimit dhe mbeti hidhësia e gjynahut dhe mundi e lodhja e gjynahut.
O njerëz! Nesër ne do të jemi llogaritësit e vetave tona për gjithçka që kemi bërë në këtë jetë. Në këtë jetë mund t'u fshehim shumë gjëra njerëzve, por asgjë nuk është e fshehur tek Allahu. Çdo gjë do ta kuptojmë nesër kur të dalim para Allahut dhe kur të na dorëzohet libri i veprave tona, siç thotë Kur'ani i shenjtë: “Çdo njeriu ia kemi varur në qafë llogarinë për punën e tij dhe Ne, do t’ia paraqesim Ditën e Kiametit librin, që do ta gjejë të hapur (e do t’i themi): ‘Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!’ Kush zgjedh rrugën e drejtë, e ka për veten e vet e kush i largohet asaj, i largohet në dëm të vetvetes dhe askush nuk e merr të keqen e tjetërkujt. Ne nuk dënojmë asnjë popull, para se të çojmë të dërguar!" (Sure "Isra", ajetet 13-15).
Të bëjmë sa më shumë punë të mira. Të grumbullojmë sa më shumë thesare të vlefshme. Të nxitojmë në pendim dhe kurrë të mos e humbim shpresën nga mëshira dhe falja e Allahut, i Cili thotë: “Thuaj: ‘O robtë e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.’" (Sure "Zumer", ajeti 53).
Të përpiqemi që të jemi gjithmonë prej të dashurve të Allahut. T’i lajmë zemrat tona me ujin e pendimit me qëllim që të shkojmë te Krijuesi ynë me zemra të pastra. Të mos jemi siç thotë ajeti i bekuar i Kur'anit: "...Ditën, kur njeriu do të shohë se ç’kanë bërë duart e tij dhe, kur jobesimtari do të thotë: ‘Ah, sikur të isha pluhur!’…” (Sure "Nebe", ajeti 40). Në atë Ditë nuk bën dobi as fëmija, as pasuria e as pushteti: “…në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Sure "Shuaraa", ajetet 88-89).
Në një ajet tjetër thuhet: “…ditën (e Kiametit) kur disa fytyra do të zbardhen e disa të tjera do të nxihen. Atyre që do t’u nxihet fytyra, do t’u thuhet: ‘Vallë, ju mohuat pas besimit?! Atëherë shijoni dënimin për shkak se nuk besuat!’ Kurse ato fytyra që do të zbardhen e do të shkëlqejnë, do të jenë në mëshirën e Allahut (në Xhenet), ku do të qëndrojnë përgjithmonë.’’ (Sure "Ali Imran", ajetet 106-107). T'i lutemi Allahut që të jemi prej atyre me fytyrë të bardhë.
Kurrë të mos harrojmë se Allahu është Pranues i pendimit dhe Falës i madh. Në suren "Ta Ha” thuhet: "Vërtet, Unë jam Falës për atë që pendohet, beson e bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugë të drejtë.” (Sure "Ta Ha”, ajeti 82).
O Zoti ynë! Na dhuro ndërmjetësimin e Kur'anit dhe të Ramazanit!