Irani i jep BE-së 60 ditë kohë

Publikuar në Maj 15, 2018, 1:15 a.m.

Pas tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja bërthamore, Irani i dha 60 ditë kohë BE-së lidhur me të ardhmen e kësaj marrëveshjeje. Qeveria e Teheranit e cila dëshiron të qëndrojë e lidhur ndaj marrëveshjes, kërkon si këmbim garanci nga palët perëndimore.

Pas tërheqjes së presidentit të SHBA-së, Donald Trump nga marrëveshja bërthamore e nënshkruar me Iranin në vitin 2015, po vazhdon pasiguria mbi të ardhmen e marrëveshjes.

Sipas Deutsche Welle në turqisht, në deklaratën e bërë në faqen zyrtare të parlamentit iranian, u kërkua garanci nga BE-ja që marrëveshja bërthamore të vazhdoj edhe pa SHBA-në. Në deklaratë, u raportua se në një takim në të cilin mori pjesë edhe zëvendësministri i jashtëm i Iranit, Abbas Arakçi, të dielën, u ra dakord që lidhur me këtë çështje, BE-së t’i jepet një afat kohor prej 60 ditësh.

Sipas burimeve iraniane, tre palët e BE-së në marrëveshje, Gjermania, Franca dhe Anglia dëshirojnë që ky afat kohor të jetë 90 ditë. Pritet që kjo çështje të vijë në rend të ditës të ministrave të punëve të jashtme që do të takohen të martën në Bruksel.

Presidenti iranian Hasan Ruhani deklaroi se pas deklaratës së Trumpit se është tërhequr nga marrëveshja, vendi i tij dëshiron ti përmbahet kësaj marrëveshjeje. Por, për të realizuar përgjegjësitë ekonomike të marrëveshjes, Ruhani vuri si kusht që brenda disa javëve të ofrohet një garanci. Por, raportohet se SHBA-ja vështirësoi punën e vendimeve për sanksionet kundër Iranit.

‘IRANI DO TË TAKOHËT ME PALËT’

Ministri i Jashtëm iranian, Jevad Zarif ka filluar bisedimet individuale me palët e marrëveshjes bërthamore të nënshkruar në vitin 2015. Ndalesa e parë e Zarif ishte Rusia. Ai theksoi se qëllimi i takimeve që do të realizojë me homologun e tij rus Sergej Lavrov në një konferencë të përbashkët për shtyp, është “të kërkoj garanci se interesat e kombit iranian do të mbrohen".

Ministri i Jashtëm rus, Lavrov tha gjithashtu se Rusia dhe Evropa janë të detyruar të mbrojnë interesat e tyre të përbashkëta ndaj marrëveshjes bërthamore.

Gjermania argumentoi se Shtetet e Bashkuara duhet të ndryshojnë qëndrimin e tyre për të siguruar vazhdimësinë e negociatave bërthamore. Ministri i ekonomisë, Peter Altmaier, i cili mori pjesë në programin "Berlin direct" në televizionin publik ZDF të dielën mbrëma, u shpreh: “Në këtë periudhë, ne do të përdorim të gjitha mundësitë për të ndikuar në qëndrimin e qeverisë amerikane." Ministri i Jashtëm Heiko Maas, i cili mori pjesë në të njëjtin program, tha se edhe Irani ashtu si shtetet tjera, mbështetë vazhdimin e marrëveshjes.

Kryeministresha e Mbreterisë së Bashkuar, Theresa May zhvilloi të dielën një thirrje telefonike me presidentin iranian, Hasan Ruhanin. Në deklaratën e bërë nga zyra e Kryeministrisë, u raportua se May i tha Ruhanit se partnerët e BE-së në këtë marrëveshje mbështetin vazhdimin e marrëveshjes.

Ndërsa, ministri i jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian deklaroi se marrëveshja bërthamore mund të ndaloj qeverinë e Teheranit që të prodhoj armë bërthamore.



Burimi : Sputnik News