Imamati (prijësia) dhe imamët (prijësit)

nga Vullnet Merja | Publikuar në Jan. 15, 2018, 11:16 p.m.

Me emrin e Allahut, Të Gjithmëshirshmit Mëshirplotit

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Profetin Muhamed, zotërinë e krijesave dhe vulën e profetëve, mbi Ehli Bejtin e tij të pastër e të dlirë, mbi shokët e tij të zgjedhur dhe mbi të gjithë të dërguarit e Allahut.

Es selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!

Paqja, mëshira e Allahut dhe mirësitë e Tij qofshin mbi ju!

Fjala imam do të thotë prijës, udhëheqës. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) nuk qe vetëm i Dërguar, por ishte edhe imam. Ai është vula e profetëve dhe nuk vjen profet pas tij. Misioni i prijësisë (imamatit) pas tij, u vazhdua me pjestarët e familjes së vet, të cilët ishin dymbëdhjetë imamë. Detyra e të gjithë imamëve ishte ruajtja dhe përhapja e Mesazhit islam që solli profeti Muhamed.

Në vitin e dhjetë të hixhrit, profeti u nis për në Haxh. Kjo ishte hera e fundit që Profeti Muhamed (paqja dhe bekimete e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e vizitoi Shtëpinë e Allahut, Qabenë. Ky haxh njihet në historinë islame si Haxhi i Lamtumirës. Në këtë haxh morën pjesë rreth 120 mijë haxhinj. Duke u kthyer nga haxhi, me 18 Dhul Hixheh, në vendin e quajtur Gadiru Khum, profetit Muhamed i zbriti ajeti kur’anor:  “O ti i dërguar! Komunikoje atë që t’u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk e bën, atëherë nuk e ke përcjellë Mesazhin e Tij. Allahu të mbron ty prej njerëzve...” (Sure "Maide", ajeti 67)

Pas zbritjes të këtij ajeti, profeti urdhëroi haxhinjëve që të ndalen. Të gjithë e kuptuan se profeti do t'u thotë diçka të rëndësishme. Ata ndaluan dhe prisnin se çfarë do t'u komunikojë Profeti. Pasi e falënderoi dhe e lartësoi Allahun, Profeti filloi të mbajë hytben, e cila në librat e historisë është e shënuar Hytbja e Lamtumirës. Kjo është një hytbe e përsosur dhe përmban rregulla, dispozita dhe këshilla të përkryera. Ndër të tjera në këtë hytbe Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Unë po ju lë juve dy gjëra. Nëse kapeni pas tyre, nuk keni për të humbur kurrë pas meje: Librin e Allahut dhe pasardhësit emi, Ehli Bejtin tim.”

Më pas Profeti mori dorën e imam Aliut dhe ngriti atë deri sa njerëzit panë të bardhën e pëllëmbës dhe tha: “Për atë që kam qenë udhëheqës i tij edhe Aliu është udhëheqësi i tij. O Allah i Plotpushtetshëm, duaje atë që që e do Aliun dhe bëhu armik i atij që armiqëson Aliun. Përkrahe atë që përkrah Aliun dhe poshtërje atë që e poshtëron Aliun.”Pastaj ata të dy nuk u ndanë derisa zbriti ky ajet: “Sot përsosa për ju fenë tuaj...” I Dërguari i Allahut tha: “Allahu është më i Madhi ndaj përsosjes së fesë, plotësimit të begative dhe kënaqësisë së Tij me mesazhin tim dhe udhëheqjen e Aliut.”  (Menakibu’l Khavarizmij, 80. Maktelu’l Imami’l Hysejnpo i tiji, 47. Terxhemetu’l Imami Alij i Ibn Asakirit, 2: 75/577-580. Tarijkhu Bagdad, 8: 290. Tarijkhu’l Ja’kubij, 2: 43. Shevahidu’t Tenzijl, 157/210-215. El Menakib i Ibnu’l Megazilit, 19. Tedhkiretu’l Khauass i Ibnu’l Xheuzijit, 29. Feraidu’s Simtejn, 1: 315. Ed Durru’l Menthur i Sujutijut, 2: 259. El Itkan po i Sujutijut, 1: 75).

Ajeti i lartpërmendur (ajeti 67 i sures Maide) ka zbritur për udhëheqësinë e Prijësit të besimtarëve dhe me të njëjtin rast që zbriti edhe ajeti i parë. Ka transmetuar El Uahidiju me zinxhir nga Ebi Sa‘id El Khudrij, i cili ka thënë: “Ky ajet ka zbritur në ditën e Gadijr Khumit (fill pas Haxhit të Lamtumirës) për Ali ibn Ebi Talibin.” (Esbabu’n Nuzul, 115).

Transmeton Sujutiju dhe Sheukaniju nga Ibn Mes’udi, i cili ka thënë: “Lexonim në kohën e të Dërguarit të Allahut:“O ti, i Dërguar! Komunikoje atë që t’u zbrit prej Zotit tënd” që Aliu është udhëheqësi i besimtarëve: “E nëse nuk e bën, atëherë nuk e kryer misionin e Tij.” (Ed Durru’l Menthur, 2: 298. Fet’hu’l Kadijr i Sheukanijit, 2: 60).

Këtë ngjarje e shënuan shumë dijetarë të Ehli Sunnetit dhe të Shiiizmit në librat e tyre. Cilët janë imamët e Ehli Bejtit? Më poshtë do të paraqesim shkurtimisht biografinë e dymbëdhjetë imamëve të Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!).

IMAMI I PARË - IMAM ALIU (paqja qoftë mbi të!)

Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) lindi më 13 Rexheb, 23 vite para hixhretit për në Mekkë. Ai lindi në Shtëpinë e Allahut në Qabe. Babai i tij është Ebu Talibi, kurse nëna e tij është Fatime bintu Esed. Kur mbushi 6 vjeç Profeti Muhammed (paqja dhe bekiemet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e mori në shtëpinë e vet. Imam Aliu u rrit dhe u edukua me edukatën e profetit. U ushqye me moralin e tij të lartë. Imam Aliu qëndronte gjithmonë pranë tij. Ai e ka shoqëruar profetin në çdo betejë. Kur profeti bëri vllazërimin mes besimtarëve,ai e pranoi imam Aliun si vëlla të vetin. Imam Aliu ishte edhe bashkëshorti i bijës së profetit, Fatime Zahrasë. Ishte një njeri që i zbatonte me përpikmëri rregullat dhe dispozitat e ardhura nga Allahu i Madhëruar. Në mesin e as’habëve ishte më i dijshmi, më i devotshmi, më trimi, siç e dëshmon edhe historia islame. Zbatonte drejtësinë dhe ligjin fetar, ndihmonte të dobëtit, të paaftët e të privuarit. Vazhdimisht i kundërshtonte dhe i luftonte zullumqarët. Në zbatimin e drejtësisë nuk i dha asnjë njeriut privilegj, pra as të afërmëve të vet. Bazuar në atë që thamë më lart, Imamti i tij vazhdoi pasi Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e deri në vitin 40 të hixhrit.

Imam Aliu ishte dijetar më i madh në mesin e as'habëve.Profeti Muhammedi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin bmi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Unë jam qyteti i diturisë, kurse Aliu është porta e saj.”

Në kohën e tre khalifëve, Imam Aliut iu drejtoheshin njerëzit për zgjidhjen e problemeve. Po ashtu edhe khalifat konsultoheshin me imam Aliun rreth çështjeve jetike të ummetit islam. Umer ibn Khatabi thoshte: "Sikur të mos ishte Aliu, do të shkatërrohej Umeri."

Cilido që dëshiron të njihet me personalitetin e lartë të imam Aliut, me dijen e gjerë të tij le të lexojë librin “Nehxhul Belaga”, në të cilin gjenden fjalët e urta të imam Aliut, letrat drejtuar personaliteteve të ndryshme si dhe hytbet e tij të ndryshme.

Duke falur namazin e sabahut, më 19 Ramazan të vitit 40 të hixhrit, në qytetin e Kufes që ndodhet në Irak, Imam Aliu u plagos në kokë me shpatë të helmuar nga dora e të ligut Abdurrahman ibn Mulxhem (Allahu e mallkoftë!). Si pasojë e asaj plage ai u martirizua pas dy ditëve, pra më 21 Ramazan të viti 40 të hixhrit.  Varri i tij gjendet në qytetin e Nexhefit në Irak.

IMAMI I DYTË - IMAM HASAN IBN ALI (paqja qoftë mbi të!)

Imami Hasani lindi më 15 Ramazan të vitit 3 të Hixhrit. Babai i tij është imam Aliu, kurse nëna e tij është  hazreti Fatimeja, e bija e profetit Muhamed. Imam Hasani jetoi e u rrit në praninë e gjyshit të tij, profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe nën kujdesin e nënës së tij për shtatë vjet. Jetoi me babanë e tij deri në vitin 40 të hixhrit, vit në të cilin ndërroi jetë imam Aliu (paqja qoftë mbi të!). Në periudhën që imam Hasani jetoi me gjyshin e tij, me nënën dhe babanë e tij, u edukua me fenë e pastër islame. Me anë të kësaj edukate islame, u formua personaliteti i tij i plotë e i pastër islam.

Postin e udhëheqësisë (imamatit) e mori pas vdekjes së babait të tij, imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) në vitin 40 të hixhrit. Situatat politike në atë kohë e shtynë imam Hasanin që të bënte pajtim me Muaviun dhe të binin dakord për paqe. Imam Hasani (paqja qoftë mbi të!) bëri marrëveshje me Muaviun bazuar në disa kushte. Ato më të rëndësishmet ishin:

1- Imam Hasani duhet t’ia dorëzonte udhëheqësinë Muaviut, me kusht që të vepronte sipas Librit të Allahut dhe synetit të profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe të ndiqte jetëshkrimin e punëmirëve.

2- Pas vdekjes së Muaviut, udhëheqja duhet t’i kalonte imam Hasanit, nëse do të ishte gjallë. E nëse nuk do të ishte gjallë, atëherë udhëheqja do t’i kalonte vëllait të tij, imam Huseinit (paqja qoftë mbi të!) dhe Muaviut nuk do t’i lejohej që udhëheqjen t’ia kalonte dikujt tjetër. Mirëpo, kur mori në dorë pushtetin, Muaviu nuk i zbatoi kushtet dhe i tradhtoi ato.

Imam Hasani (paqja qoftë mbi të!) vdiq në Medinen e Ndritur, në vitin 50 të hixhrit, në moshën 47 vjeçare. Imam Hasani u varros në varrezat “El Bakij” në Medine.

IMAMI  I TRETË - IMAM HUSEIN IBN ALI (paqja qoftë mbi të!)

Imam Huseini lindi më 3 Sha'ban të vitit 4 të hixhrit. Babai i tij ishte Imam Aliu  kurse nëna e tij ishte zonja Fatime Zahra, e bija Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). I dërguari i Allahut i donte shumë Hasanin  dhe Huseinin dhe për ta thoshte:  “Hasani dhe Huseini janë prijësat e të rinjëve të banorëve të Xhennetit." Imam Huseini jetoi me gjyshin e tij, Profetin Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), me babanë e tij, prijësin e besimtarëve, imam Aliun, me nënën e tij, Zahranë dhe me vëllanë e tij, imam Hasanin (paqja qoftë mbi ta!). Ky rreth familjar i siguroi atij një edukim të pastër islam, njësoj si vëllai i tij, imam Hasani. Imam Huseini e filloi imamatin (udhëheqësinë) pas vdekjes së vëllait të tij, imam Hasanit, në vitin 50 të hixhrit.

Imam Huseini (paqja qoftë mbi të!) e dinte fort mirë se çdo të thotë që një individ si Jezidi të bëhet khalif (udhëheqës) i muslimanëve. Sepse, Jezidi, biri i Muaviut, sunduesi emevit në kohën e imam Huseinit, ishte i padrejtë, i devijuar nga rregullat dhe mësimet islame. Në kohën e tij, gjendja sociale dhe politike ishte shumë e shkatërruar. Imam Huseini punoi në ngritjen e vetëdijes te myslimanët e vërtetë dhe u tregoi se çfarë rreziku sjell përkrahja e Jezidit për gjeneratat e ardhëshme. Qëllimi i Jezidit ishte zhdukja e mesazhit që solli profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) Ky ishte shkaku kryesor për ngritjen e tij kundër Jezidit.

Imam Huseini (paqja qoftë mbi të!) zgjodhi martirizimin dhe kundërshtoi politikën e padrejtë e të shthurur të Jezidit. Ai zbatoi detyrën fetare që e bën çdo mysliman të sakrifikojë në situatat kur dështojnë të gjitha mjetet për të kundërshtuar devijimin e udhëheqjes emevite dhe padrejtësinë e tyre. Muslimanët duhet të përfitojnë nga sakrifica e imam Huseinit për të kundërshtuar çdo udhëheqje të devijuar e të padrejtë. Imam Huseini (paqja qoftë mbi të!) ra dëshmor në Kerbela ditën e dhjetë të muajit Muharrem në vitin 61 të hixhrit së bashku me 72 dëshmorë të tjerë.

IMAMI I KATËRT- IMAM ALI IBN HUSEIN - ZEJNUL ABIDIN (paqja qoftë mbi të!)

Imam Zejnul Abidin (paqja qoftë mbi të!) lindi më 15 Xhemadu Thani të vitit 38 të hixhrit. Babai i tij ishte imam Huseini e nëna e tij ishte Sheribanja, bija e Shahut të Iranit Jezdergidi. Kur babai i tij, imam Huseini dhe shoët e tij besnikë u martirizuan në Qerbela, Zejnel Abidini ishte i sëmurë dhe nuk mori pjesë në këtë luftën të përgjakshme e masakruese. Imam Aliu, biri i imam Huseinit e filloi misionin e udhëheqësisë pas martirizimit të babait, imam Huseinit, në vitin 61 të hixhrit.

Gjatë kohës së udhëheqësisë (imamatit) të tij, ai u përball me presione, vështirësi e ashpërsi të ndryshme nga ana e sundimit emevit. Atij i vendosën një mbikëqyrje të fortë duke i vënë pas spiunë e përndjekës, me qëllim që të mos vazhdonte rrugëtimin e thirrjes islame. Mirëpo, të gjitha planet e emevitëve ndaj imam Aliut, të birit të imam Huseinit, nuk arritën ta pengonin atë në rrugëtimin e përhapjes së thirrjes islame. Imami (paqja qoftë mbi të!) përdori si metodologji për përhapjen e Islamit dhe luftimin e emevitëve, porositë, këshillat dhe lutjet. Të gjitha lutjet e tij janë të tubuara në një libër të vetëm që quhet “Sahife Saxhadije”.  Imami njihet edhe me emrin Es Saxhad, përshkak se qëndronte gjatë në sexhde.

Imam Zejnul Abedin (paqja qoftë mbi të!) u martirizua me helimim më 25 Muharrem të vitit 95 të Hixhrit. Varri i tij gjendet në varrezat “El Bakij” në Medine.

IMAMI I PESTË - IMAM MUHAMMED EL BAKIR (paqja qoftë mbi të!)

Më 3 Sefer të vitit 57 të hixhrit në qytetin e Medines lindi imam Muhammed El Bakir (paqja qoftë mbi të!), i biri i imam Zejnul Abidin (paqja qoftë mbi të!). Ai jetoi me gjyshin e tij, imam Huseinin, katër vjet dhe me babain  e tij, Zejnul Abidin, tridhjetë e nëntë vjet. Koha e imamatit të imam Bakir (paqja qoftë mbi të!) filloi pas vdekjes së babait, imam Aliut, biri i imam Huseinit (paqja qoftë mbi të!), në vitin 94 të hixhrit. Imameti i tij zgjati 18 vjet. Prej punëve më të rëndësishme që ai bëri në kohën e imamatit të tij, ishin:

- Aktivizimi i lëvizjes mendore e ideologjike pas dobësisë së saj në kohën e sundimit të Muaviut, të birit të Ebu Sufjanit.

- Ringjallja e Sheriatit islam, duke e rikthyer jurisprudencën islame në jetën e shoqërisë islame. Rreth kësaj çështjeje, imam Bakirin (paqja qoftë mbi të!) e ndihmuan edhe rrethanat e asaj kohe, sepse ai jetoi në kohën e fundit të sundimit emevit.

Në kohën e prijësisë së imam Muhamed Bakir, zullumi dhe presioni erdhi duke u dobësuar dhe pasuesit e Ehli Bejtit, shprehnin dëshirën që të mësojnë dituritë islame. Pasuesit e Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!) nga çdo anë shkonin në Medine, ku imam Muhamed Bakir u mësonte atyre njohuri të ndryshme. Imam Muhamed Bakir u Martirizua më 7 të muajit Dhul Hixheh në vitin 114 të hixhrit, në moshën  57 vjeçare. Ai u varros në Medine në varrezat “El Bakij”.

IMAMI I GJASHTË - IMAM XHAFER SADIKU (paqja qoftë mbi të!)

Imami i gjashtë, imam Xhafer Sadiku lindi më 17 Rebiul Evel të vitit 83 të hixhrit në Medinen e Ndritshme. Babai i tij është imam Muhamed Bakir dhe nëna e tij Ummi Ferva, bija e Kasim ibn Muhammed ibn Ebu Bekr. Ai jetoi në kohën kur në histori shënohet rënja e dinastisë emevite dhe ardhja e dinastisë abasite në pushtet. Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të!) e filloi udhëheqësinë (imamatin) pas vdekjes së babait të tij, imam Bakir, në vitin 114 të hixhrit.

Situata politike në kohën e imam Sadikut (paqja qoftë mbi të!) e ndihmoi atë për të kryer përgjegjësinë e tij islame me cilësinë e imamit. Rrethanat i krijuan atij mundësinë e përhapjes së Islamit nëpërmjet rrugës së mendimit dhe të edukimit. Shkolla (medreseja) e tij në Fikh (Jurisprudencë) dhe Hadith ishte më e madhja që ka njohur historia islame. Numri i nxënësve të saj arriti afërsisht në katër mijë.

 Disa prej tyre, bazuar në ligjëratat e imam Sadikut (paqja qoftë mbi të!), shkruan katërqind libra në fusha të ndryshme të shkencave islame. Këto shkrime janë quajtur El Usul el Erbamieh (Katërqind parimet). Kjo ndikoi shumë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore islame dhe në përcjelljen e saj te brezat islamë. Medhhebi imamit (shiit) quhet edhe “Medhhebi Xhaferi”.

Në moshën 65 vjeçare, më 15 Rexhep të vitit 148 të hixhrit, imam Sadiku (paqja qoftë me të!) u martirizua duke u helmuar nga ana dora e pushtetit. Ai u varros në varrezat “El Bakij” në Medinen e Ndritshme.

IMAMI I SHTATË - IMAM MUSA KADHIM (paqja qoftë mbi të!)

Imam Musa Kadhim lindi në fshatin El Ebva, mes Mekës dhe Medines, më 7 të muajit Sefer të vitit 128 të hixhrit. Imam Kadhim (paqja qoftë mbi të!) e filloi udhëheqësinë (imamatin) e tij pas vdekjes së babait, imam Sadikut (paqja qoftë mbi të!), në vitin 148 të hixhrit.

Lëvizja e myslimanëve kundër devijimit abasit në atë kohë ishte e fortë dhe e përhapur. Kjo bëri që imam Kadhim (paqja qoftë mbi të!) të mbante qëndrim kundërshtues ndaj qeverisjes abasite, duke kryer përgjegjësinë e tij islame për të zhdukur devijimin e abasitëve nga mësimet dhe dispozitat islame. Udhëheqësit abasitë shpenzonin pa kriter pasuritë e myslimanëve, ndërkohë që Sheriati islam e urdhëron udhëheqësin e myslimanëve që të bëjë barazi në mesin e tyre me qëllim që të zhduket varfëria te myslimanët. Është detyrë e udhëheqësit që t’ia largojë dhimbjet dhe vështirësitë të varfërit dhe t’i mundësojë një jetë të lehtë e të ndershme. Të shumtë ishin të uriturit dhe të zhveshurit në shtetin abasit, por fatkeqësisht, askush nuk intersohej për ta, përveç Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!).

Në atë kohë shteti abasit udhëhiqej nga Harun Rashidi. Kur mësoi se imam Kadhim kishte qëndrim të kundërt ndaj abasitëve, Haruni vendosi mbikëqyrje të ashpër ndaj imamit dhe përkrahësit e lëvizjes antiabasite i burgosi e i vrau. Prej frikës së lëvizjes dhe zgjerimit të saj, Harun Rashidi e mori imam Kadhimin në Irak dhe e burgosi në Basra. Më pas, e transferoi në burgun e Bagdadit. Edhe pse ishte në burg, imam Kadhim kontaktonte me ndjekësit e tij. Ata shkëmbenin shkresa dhe kujdeseshin për lëvizjen antiabasite.

Kur abasitët e morën vesh këtë, e ashpërsuan më shumë mbikëqyrjen ndaj imamit, derisa e ekzekutuan. Kjo ndodhi më 25 Rexhep të vitit 183 të hixhrit. Imam Musa Kadhim ( paqja qoftë me të!) u martirizua në moshën 55 vjeçare. Varri i tij gjendet afër Bagdadit, në vendin e quajtur Kadhimijeh.

IMAMI I TETË - IMAM ALI RIZA (paqja qoftë mbi të!)

Imam Ali Rizai (paqja qoftë me të) është imami i tetë nga imamët e Ehli Bejtit. Ai lindi më 11 Dhil Kaide të vitit 148 të hixhrit, në Medinen e Ndritshme. Babai i tij ishte Imam Musa Kadhim (paqja qoftë me të!) dhe nëna e tij është Ummu Ueled, e cila thirrej Ummu Benijn.

Imam Rizai (paqja qoftë mbi të!) e filloi udhëheqësinë (imamatin) e tij pas vdekjes së babait, imam Kadhim (paqja qoftë mbi të!), në vitin 183 të hixhrit. Gjatë kohës së prijësisë së tij imam Rizai (paqja qoftë mbi të!) përpiqej t'u sqaronte besimin islam dhe bënte pastrimin e tij prej devijimeve që u përhapën në fillim të pushtetit abasit. Ai u mësonte atyre rregullat dhe dispozitat e fesë së pastër islame. Gjithashtu, u sqaronte njerëzve të drejtën e Ehli Bejtit për udhëheqësi (imamat). Për të shpëtuar nga padrejtësitë, veçanërisht padrejtësitë nda Ehli Bejtit dhe pasuesve të tyre, Me’muni, udhëheqësi abasit i asaj kohe, zgjodhi imamin Veliju Ahdin. Kjo përpjekje e Me’munit, bazohej në:

- Pohimin e Me’munit se imamët e Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!) e meritonin më shumë se abasitët udhëheqësinë (khilafetin). Këtë pohim e ka shprehur qartë edhe në diskutimet dhe dialogjet e tij, si dhe në tekstin e vilajetit të Ahdit.

- Prodhimin e monedhës nga Me’muni me emrin e imam Rizait (paqja qoftë mbi të!).

- Vendosjen e imam Rizait drejtpërsëdrejti nën mbikëqyrjen e tij, me qëllim që imami të mos bëntë asnjë aktivitet politik kundër abasitëve. Imam Rizai vdiq në qytetin Tus, krahinën e Khorasanit (Mashhadi i sotëm), në vitin 203 të hixhrit. Atë e helmoi shteti abasit. Mosha e tij ishte 55 vjeç.

IMAMI I NËNTË - IMAM MUHAMED XHEVAD (paqja qoftë mbi të!)

Imam Muhamed Xhevad (paqja qoftë me të!) lindi më 19 Ramazan të vitit 195 të Hixhrit në Medine. Babai i tij është imam Ali Rizai (paqja qoftë me të!) kurse nëna Sabijkatu. Imam Xhevadi (Paqja qoftë mbi të!) e filloi udhëheqësinë (imamatin) e tij pas vdekjes së babait, imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!), në vitin 203 të hixhrit.

Kur e mori detyrën imam Muhammed Xhevad ishte shumë i ri në moshë, por kishte dituri. Ai ishte në gjendje të zgjidhte çdo problem fetar të popullit. Ishte shumë bujar dhe besnik, prandaj populli e quante “Tekij”dhe “Xhevad”.

Abasitët u përpoqën ta përçmonin imam Xhevadin (paqja qoftë mbi të!) dhe të hidhnin dyshime rreth imamatit (udhëheqësisë) të tij sepse ishte i vogël në moshë. Mirëpo, Me’muni i ftoi ata që të zbulonin të vërtetën e imam Xhevadit  për njerëzit. Nëse situata do të ishte ashtu siç thonin ata, atëherë ai nuk do ta meritonte imamatin. U organizuan tubime diskutimi me imam Xhevadin (paqja qoftë mbi të!), në të cilat morën pjesë dijetarë të njohur të Sheriatit në atë kohë, siç ishte Jahja ibn Ekthem. Në këto tubime u diskutuan çështjet më të rëndësishme të Sheriatit islam. Rezultati i atyre tubimeve ishte triumfi i imam Xhevadit dhe doli na pah se ai qëndronte mbi dijetarët e tjerë në të gjitha ato çështje që u diskutuan. Kjo nxori në pah se imam Xhevadi e meritonte plotësisht dhe me Sheriat postin e imamit që ai gëzonte.

Më pas, imam Xhevadi u kthye në Medinen e Ndritur, pasi kreu haxhin dhe qëndroi atje deri në vdekjen e Me’munit. Kur vdiq Me’muni atë e pasoi vëllai i tij Mu’tesami. Mu'tesami e solli përsëri imam Xhevadin (paqja qoftë mbi të!) në Bagdad. Imami qëndroi në Bagdad deri në fund të vitit që mbërriti në të dhe aty vdiq. Vdekja e tij ndodhin në vitin 220 të hixhrit. Ai u varros afër gjyshit të tij imam Musa Kadhim (paqja qoftë me të!).

IMAMI I DHJETË - IMAM ALI EL HADI (paqja qoftë mbi të!)

Imam Ali El Hadi (paqja qoftë me të!) lindi në Medine, në vitin 212 të hixhrit. Babai i tij është imam Muhammed Xhevad dhe nëna e tij është Semanetu. Imam Ali El Hadij e filloi udhëheqësinë (imamatin) e tij pas vdekjes së babait të vet, imam Xhevadit, në vitin 220 të hixhrit. Në kohën e imam El Hadij ishin këta udhëheqës abasitë:  Mu'tasim (8 vjet), Vathik (5 vjet), Mutevekel (14 vjet), Mustansir (6 muaj), Mu'stein (2 vjet thuhet 3 vjet) dhe Mu'taz (8 vjet e 6 muaj).

Në kohën e udhëheqësisë së imam Ali El Hadij (paqja qoftë mbi të!), lëvizjet e ndjekësve të Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!) u zgjeruan dhe u forcuan. Për pak mund të bëhej revolucioni ndarës mes Hixhazit dhe pushtetit abasit.

Mëkëmbësi i Medines shkroi një raport për Mutevekelin, udhëheqësin abasit të asaj kohe, duke e informuar rreth kësaj lëvizjeje dhe veprimtarisë së saj. Kur lexoi raportin, Mutevekeli dërgoi një delegacion nga ana e tij për të parë gjendjen në Medinen e Ndritur dhe të njiheshin nga afër me atë lëvizje. Ai e dërgoi imam Ali El Hadij në Samarra (qytet i Irakut). Sapo mbërriti në Samarra (kryeqyteti i pushtetit abasit në atë kohë), imami shkoi në shtëpinë që ishte përgatitur për të. Pasuesit e tij filluan të kontaktonin haptazi dhe fshehtazi me imam Ali El Hadij (paqja qoftë mbi të!). Raportimet kundër imamit u shtuan te Mutevekeli. Ato raportime përmbanin:

- Në shtëpinë e imam Ali El Hadij (paqja qoftë mbi të!) gjenden shkresa politike dhe armë.

- Imam Ali El Hadij është i vendosur për të bërë revolucion me qëllim rrëzimin e pushtetit abasit.

Këto raportime e shtynë Mutevekelin t’i urdhëronte xhandarët e tij që ta sulmonin natën shtëpinë e imam Ali El Hadij, ta kontrollonin atë dhe t’ia dërgonin imamin atij, ashtu siç ishte në kohën e sulmit të shtëpisë. Mirëpo kur e sulmuan shtëpinë e imam Ali El Hadij (paqja qoftë mbi të!), nuk gjetën asgjë prej atyre që përmendeshin në raportime. Ata e gjetën imamin duke bërë ibadet (adhurim), të ulur në tokë duke lexuar Kur’anin e Shenjtë.

Qëndrimet e abasitëve ndaj imam Ali El Hadij (paqja qoftë mbi të!) vazhduan në forma të ndryshme. Herë përdornin presionin, terrorin e kërcënimin, e herë tjetër respektin e nderimin. E kjo varej se si e kërkonte situata. Imam Ali El Hadij (paqja qoftë mbi të!) vdiq në Samarra, në vitin 254 të hixhrit.

IMAMI I NJËMBËDHJETË - IMAM HASAN ASKERI (paqja qoftë mbi të!)

Imami i njëmbëdhjetë, Imam Hasan Askeriu (paqja qoftë me të!) lindi më 8 Rebiul Akhir në vitin 232 të hixhrit, në Medine. Babai i tij është imam Ali El Hadi (paqja qoftë me të!) dhe nëna e tij ishte Hadijtheh.

Imam Hasan El Askerij (paqja qoftë mbi të!) e filloi udhëheqësinë (imamatin) e tij pas vdekjes së babait, imam El Hadij (paqja qoftë mbi të!), në vitin 254 të hixhrit. Në kohën e udhëheqësisë së imam Ali El Hadij  lëvizjet e ndjekësve të Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!) ishin të gjera, të fuqishme dhe përbënin rrezik për pushtetin abasit. Për shkak të raportimeve të ndryshme, të kota e të pabaza, Mutevekeli e burgosi Imam Hasan Askeriun. Imami shquhej për moralin e lartë, diturinë e madhe dhe virtyte të larta. Imam Hasan El Askerij (paqja qoftë mbi të!) vdiq në Samarra, në vitin 260 të hixhrit. Ai ishte 28 vjeç. U martirizua me helmim dhe u varros në qytetin Samerra.

IMAMI I DYMBËDHJETË - IMAM MEHDIU i Pritur (Allahu ia shpejtoftë ardhjen!)

Imam Mehdiu (paqja qoftë me të!) lindi më 15 Shaban në vitint 255 të hixhrit në qytetin Samerra të Irakut. Babai i tij është imam Hasan Askeriu dhe nëna e tij është zonja Nerxhis. Çështja e lindjes së tij është fshehur nga frika e pushtetit abasit, që kërkonte ta vriste. Lindjen e tij e paralajmëroi edhe profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Muslimanët janë të një mendimi për ardhjen e imam Mehdiut (Allahu ia shpejtoftë ardhjen!). Dinastia abasite ishte e frikësuar nga lindja e tij dhe kishte përgatitur planin për likujdimin e tij që në lindje. Pas vdekjes së imam Askeriut abasitët ndërmorën një aksion të gjërë për ta rrëmbyer dhe për ta vrarë Imam Mehdiun (Allahu ia shpejtoftë ardhjen!). Mirëpo ishte dëshira e  Allahut që lindja e tij të bëhej larg syve të njerëzve. Jetën e Imam Mehdiut ndahet në dy periudha:

1. Gajbetul Sugra (Fshehja e shkurtër)

2. Gajbetul Kubra ( Fshehja e gjatë)

Në kohën e Fshehjes së shkurtër, Imami zgjodhi disa njerëz të pastër si ambasadorë që të kishte kontakt edhe me njerëzit. Ata ishin: Abu Amar Osman ibn Said,  Abu Xhafer Muhammed ibn Osman,  Hysein ibn. Ruh dhe Ali ibn Muhammed Samariu.

Fshehja e gjatë ka filluar kur vdiq përfaqësuesi i katërt i imam Mehdiut (Allahu e shpejtoftë ardhjen e tij!), në vitin 328 të hixhrit dhe do të vazhdojë derisa Allahu ta urdhërojë ardhjen e tij.

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “ Botës nuk do t'i vijë fundi derisa arabët të sundohen nga një burrë prej familjes sime dhe emri i të cilit do të jetë si emri im.” (Musned Ahmedit, 5/199, hadithi 3573. Në një version tjetër thuhet: “… emri i të cilit do të jetë si emri im dhe emri i babait të tij do të jetë si emri i babait tim.” Sunen Ebu Daud, vëllimi 11, faqe 370).

Prania e imam Mehdiut dhe jetëgjatësia e tij kanë lidhje me fuqinë e Allahut të Madhëruar. Përderisa Allahu e ka ngarkuar me misionin e ndreqjes e të shpëtimit të njerëzimit, po ashtu Ai i jep atij jetëgjatësinë njësoj si profetit Nuh (paqja qoftë mbi të!). Profetit Nuh, Allahu i dha jetëgjatësi në kryerjen e misionit të predikimit e të udhëzimit të njerëzve. Ai jetoi 950 vjet, siç thotë Kur’ani i Shenjtë, duke e ftuar popullin e tij në rrugën e Allahut: Ne e dërguam Nuhun te populli i tij. Ai qëndroi tek ata një mijë pa pesëdhjetë vjet, e megjithatë, ata i përfshiu përmbytja, duke qenë keqbërës.” (Sure “Ankebut”, ajeti 14.).  Sigurisht, për Allahun kjo është diçka e lehtë. Edhe shkenca e sotme ka konstatuar se njeriu mund të jetojë me mijëra vite.

Këto ishin disa të dhëna të përmbledhura rreth imamëve të Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!). Falënderojmë Allahun që kemi literatura edhe në gjuhën shqipe që flasin për jetën e Ehli Bejtit të përhapura në faqe të ndryshme të internetit.

Allahu na bëftë prej ndjekësve të sinqertë të Ehli Bejtit në këtë jetë dhe na bashkoftë me ata në Jetën Tjetër!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI