Biseda Midis Pejgamberit të Zotit dhe Udhëtarit

Publikuar në Jan. 9, 2018, 12:24 a.m.

Një udhëtar hyri i lodhur në xhaminë e Pejgamberit dhe u ul pranë të Dërguarit. Të pranishmit e pyetën, nga kishte ardhur dhe cili ishte qëllimi i ardhjes së tij. Ai u përgjigj: Unë vij nga shkretëtira dhe kam disa pyetje për t’i bërë Pejgamberit.

Biseda e udhëtarit me Pejgamberin

Udhëtari: O Pejgamber, nuk do dëshiroja që në regjistrin e veprave të mia të kishte ndonjë vepër që meriton ndëshkim.

Pejgamberi: Atëherë, bëju mirë prindërve.

Hadith nga Pejgamberi: Xheneti ndodhet nën këmbët e nënës.

Udhëtari: Do dëshiroja që të njihesha nga njerëzit si njeri besnik.

Pejgamberi: Atëherë, kija frikën gjithmonë Zotit të Madhëruar.

Zoti është i pranishëm kudo, prandaj mos kryej mëkate ... .

Udhëtari: Do dëshiroja të bëhesha i dashuri i Zotit.

Pejgamberi: Mos harro që të lexosh Kur’anin çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje.

Leximi i Kur’anit e ndriçon zemrën e besimtarit dhe është mënyra më e mirë për të fituar kënaqësinë e Zotit të Botëve .... .

Udhëtari: Do dëshiroja që zemra ime të ishte gjithnjë e ndriçuar.

Pejgamberi: Mos e harro vdekjen asnjëherë.

Vdekja është fillim i jetës së përjetshme, rilindje prej trupit material dhe bashkim me origjinën.

Udhëtari: Do dëshiroja që gjithnjë të isha nën hijen e mëshirës së Zotit.

Pejgamberi: Sillu mirë me të gjitha krijesat e Zotit.

Hadith nga Pejgamberi: Zoti nuk i mëshiron ata, që nuk kanë mëshirë për të tjerët.

Udhëtari: Do dëshiroja që të isha i mbrojtur prej kurtheve dhe intrigave të armiqve.

Pejgamberi: Mbështetu gjithnjë tek Zoti i Madhëruar.

Me besim të plotë tek Zoti, njeriu mund të gjejë qetësinë, e cila do të bëhet bazë për përparimin e tij në veprat e dobishme dhe të hairit.

Udhëtari: Do dëshiroja që të mos më nënçmonin të tjerët.

Pejgamberi: Ki kujdes ndaj mënyrës se si sillesh ti vetë ndaj të tjerëve.

Sillu me njerëzit në atë mënyrë që ti dëshiron që ata të sillen me ty.

Udhëtari: Do dëshiroja që të kisha një jetë të gjatë.

Pejgamberi: Mos i shkëput asnjëherë lidhjet farefisnore.

Qytetërim islam ka avantazhin se përqëndrohet shumë në çështjet sociale dhe të marrëdhënieve të miqësisë midis njerëzve.

Udhëtari: Do dëshiroja që të më shtohej risku.

Pejgamberi: Qëndro gjithnjë me abdes.

Larja e trupit ose marrja e abdesit i dhuron qetësi njeriut, prodhon rehatimin e ndërgjegjes së njeriut dhe mundëson që ai të jetë i sinqertë.

Udhëtari: Do dëshiroja që të më largoheshin torturat e varrit.

Pejgamberi: Mbaj gjithnjë rroba të pastra.

Hadith nga Pejgamberi: Pastërtia dhe dëlirësia është shenjë e besimit.

Udhëtari: Do dëshiroja që të isha i mbrojtur nga torturat e xhehenemit.

Pejgamberi: Mbaje nën kontroll shikimin dhe gjuhën.

Mysliman i vërtetë është ai, prej dorës dhe gjuhës së të cilit janë të mbrojtur myslimanët e tjerë.

Udhëtari: O Pejgamber, çfarë duhet të bëj që të më falen mëkatet?

Pejgamberi: Kërko gjithnjë falje nga Zoti për mëkatet e tua dhe ji gjithnjë i përulur e i bindur ndaj Tij.

Përulja dhe bindja ndaj Zotit e bën të merituar krenarinë në këtë botë dhe në botën tjetër.

Udhëtari: Do dëshiroja që të gëzoja respektin e të gjithëve.

Pejgamberi: Mos ua shtrij asnjëherë dorën njerëzve.

Sa mirë është që njeriu të kërkojë ndihmë (t’i lutet Zotit për nevojat e veta) vetëm prej Zotit të Madhëruar, sepse vetëm Ai nuk ka nevojë për askënd, ndërkohë që gjithë të tjerët kanë nevojë për ndihmën e Tij.

Udhëtari: Do dëshiroja që të jetoja me nder.

Pejgamberi: Asnjëherë mos i përqesh e fyej të tjerët, e mos i shiko kurrë me syrin e nënçmimit.

Të gjithë duhet ta dimë se çdokush, në çfarëdo pozite qoftë ai, e ka një personalitet, prandaj nuk duhet thyer personaliteti i askujt.

Udhëtari: Do dëshiroja që varri im të mos m’i ndrydhte kockat.

Pejgamberi: Lexo gjithnjë suren “El – Mulk”.

Kur’ani është udhëzues i jetës së njerëzimit.

Udhëtari: Do dëshiroja që të më shtohej pasuria.

Pejgamberi: Lexo për çdo darkë suren “El – Vakia”.

Pishtari i ndezur i Kur’anit i ndriçon rrugën njerëzimit. Mjafton që njeriu të hapi sytë dhe të eci deri sa të gjejë rrugën e lumturisë.

Udhëtari: Do dëshiroja që Ditën e Ringjalljes të isha i mbrojtur nën hijen e mëshirës së Zotit.

Pejgamberi: Mos harro që ta përmendësh Zotin në mëngjes dhe në darkë.

Kur’an: Pa dyshim që përmendja e Zotit i qetëson zemrat.

Udhëtari: Do dëshiroja që në namaz të isha plotësisht i përulur.

Pejgamberi: Të kesh gjithnjë vëmendje gjatë marrjes së abdesit.

Muslimanët duhet të jenë të saktë dhe të kujdesshëm ndaj të gjitha çështjeve, derisa të mbyllen rrugët dëmprurëse.

Përsht: Valbona Ismaili