Si ta fitojmë xhennetin

nga Vullnet Merja | Publikuar në Jan. 4, 2018, 12:31 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu! 

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

Prej qëllimeve të larta të njeriut në këtë jetë është sigurimi i Xhennetit në Jetën Tjetër. Në Xhennet është lumturia e vërtetë. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e Shenjtë: Kurse fatlumët, do të hyjnë në Xhennet, ku do të qëndrojnë përherë, derisa të jenë qiejt dhe Toka, veç si të dojë Zoti yt. Kjo është dhuratë e pandërprerë.” (Sure “Hud”, ajeti 108).

Në Kur’anin e Shenjtë Xhenneti përmendet 66 herë dhe bashkë me fjalët që formohen prej së njëjtës rrënjë, përmendet 147 herë. Xhenneti është vendbanim i përhershëm dhe begatitë e tij janë të pandërprera. Aty do të banojnë punëmirët. Në Xhennet nuk ka as fatkeqësi, as shqetësim e mërzitje. Banorët e Xhennetit do të kënaqen me mirësitë që Allahu u ka përgatitur, të cilat janë të pashoqe për nga pamja dhe nga shija. Të gjitha fetë e pranojnë ekzistencën e Xhennetit (Parajsës).

Allahu e përshkruan Xhennetin me emra të ndryshëm: Firdeus, Xhennatu Adnin, Xhennatu Naijm, El Husna, El Gurfetu, Xhennatul Khuld, Xhennatun Alijeh, Darul Akhireh, Darul Karari, Daru Selam, Darul Mutelijn, Darul Mukameti.

Është ligj i Allahut që për çdo gjë ka vendosur kushte. Edhe për fitimin e Xhennetit ka kushte. Është prej urtësisë dhe drejtësisë së Allahut të Madhëruar që punëmirët t’i shpërblejë në Jetën e Tjetër me Xhennet, në të cilin gjenden mirësi e kënaqësi. Ky është premtim i Allahut, i Cili thotë në Kur’anin e Shenjtë: Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhennet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi.” (Sure “Nisa”, ajeti 124).

Fitimi i Xhenneti është i kushtëzuar. Kushtet e këtij fitimi i përmend edhe Kur’ani i Shenjtë. Në këtë artikull do të paraqesim disa nga kushtet e fitimit të Xhennetit të përmendura në Fjalën e Allahut Fuqiplotë, Kur’anin e Shenjtë.

Kushti i parë: Besimi dhe puna e mirë

Në shumë ajete besimi dhe puna e mirë përmenden së bashku. Në Kur’an thuhet: Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, gëzoji me Xhennetet, nëpër të cilat rrjedhin lumenj… (Sure “Bekare”, ajeti 25).

Dhe: “Sa për ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira, Ne do t’i shpiem në Xhennete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë…” (Sure “Nisa”, ajeti 57).

Dhe: Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të kenë Xhennetin, si shpërblim për punët (e mira) që kanë bërë.” (Sure “Sexhde”, ajeti 19).

Në këto ajete të përmendura, e në ajete të tjera të Kur’anit që flasin për këtë tematikë, duket qartë se Xhenneti fitohet me besimin se Allahu është Një i Vetëm dhe i Pashoq dhe Ai është Krijuesi i gjithçkaje. Po ashtu, Xhenneti fitohet me punë të mira, të cilat i pëlqen Allahu i Madhëruar. Është detyrë e jona që të jemi të kujdesshëm në punët dhe në veprat që bëjmë dhe të mos e lejojmë shejtanin e mallkuar që të na e zbukurojë të keqen dhe të biem pre e mashtrimeve të tij. Të mos jemi si ata, për të cilët Allahu në Kur’anin e Shenjtë, thotë: “…Shejtani ua paraqiste të bukura sjelljet e tyre, duke i larguar nga rruga e drejtë, prandaj nuk ishin të udhëzuar.” (Sure “Neml”, ajeti 24).

Nëse duam që kjo jetë të jetë e kënaqshme, e bukur dhe e lumtur, le të besojmë dhe të bëjmë punë të mira. Allahu thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (Sure “Nahl”, ajeti 97).

Dhe: Pa dyshim, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira – pikërisht ata janë krijesat më të mira. Shpërblimi i tyre është te Zoti i tyre: Xhennetet e Adnit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të banojnë përherë. Allahu është i kënaqur me ta, por dhe ata janë të kënaqur me Të. Kjo është dhurata për ata që e kanë frikë Zotin e vet.” (Sure “Bejjine”, ajetet 7-8). 

Dhe: “Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër. Fytyrat e tyre nuk do t’i mbulojë as errësira, as poshtërimi. Ata do të jenë banorë të Xhennetit, në të cilin do të banojnë përherë.” (Sure “Junus”, ajeti 26).

Besimi pa punën e mirë nuk ka asnjë vlerë.

Kushti i dytë: Bindja ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij

Allahu i Madhëruar na urdhëron që t’i bindemi Atij dhe të Dërguarit të Tij. Në Kur'an thuhet: “O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos ia ktheni shpinën, ndërkohë që e dëgjoni (të vërtetën)!” (Sure “Enfal”, ajeti 20). Bindja ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij ka kuptimin e zbatimit të urdhrave dhe të porosive të tyre. Problemet, vuatjet dhe fatkeqësitë e përhapura sot janë për shkak të mosbindjes ndaj Allahut dhe të Dërguarit të tij. Bindja ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij është shkak i fitimit të Xhennetit. Këtë e dëshmon edhe Kur’ani i Shenjtë, i cili thotë: “…Atë që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Ai e shpie në Xhennete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojë përherë. Kjo është fitorja e madhe.” (Sure “Nisa”, ajeti 13). 

Dhe: “Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (Sure “Ahzab”, ajeti 72). Sigurisht që fitorja madhështore është Xhenneti. Në një ajet tjetër thuhet: “Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të shkojë në Xhennete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, kurse ai që shmanget, do të ndëshkohet me dënim të dhembshëm.” (Sure “Fet’h”, ajeti 17).

Kushti i tretë: Sinqeriteti

Sinqeriteti është prej virtyteve të larta. Ai ka kuptimin që çdo gjë ta bëjmë për hir të Allahut dhe vetëm për Allahun. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “…Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” (Sure “Kehf”, ajeti 110). Pra, çdo vepër të bëhet me sinqeritet për hir të Allahut dhe jo për hir të njeriut, sado i lartë të jetë në pozitë, pushtet e dije. Sinqeriteti është kusht për pranimin e punëve dhe të veprave. Sinqeriteti është shpirti i adhurimit. Pa sinqeritetin adhurimet nuk asnjë dobi. Allahu i Madhëruar thotë: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me sinqeritet, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zekatin. Kjo është feja e drejtë.” (Sure “Bejjine”, ajeti 5).

Sinqeriteti është shkaku i fitimit të Xhennetit. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e Shenjtë: “Allahu thotë: ‘Kjo është Dita në të cilën të sinqertëve u sjell dobi sinqeriteti i tyre. Atyre u takojnë Xhennetet, nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë e ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ata dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është fitorja e madhe!’” (Sure “Maide”, ajeti 119).

Kushti i katërt: Devotshmëria

Ka shumë njerëz, të cilët e kanë të lehtë të bëjnë punë të mira, por e kanë të vështirë t’i ruajnë ato. Kjo, për faktin se gjatë gjithë jetës së tij njeriu përballet me dy armiq. Armiku i jashtëm është shejtani dhe armiku i brendshëm, egoja e tij. Të dy këta armiq përpiqen ta largojnë njeriun nga Rruga e Allahut dhe ta çojnë në devijim e humbje. Mirëpo, Allahu i Gjithëditur dhe i Gjithmëshirshëm, e ka pajisur njeriun me një parzmore shumë të fuqishme: me devotshmërinë. Devotshmëria, jo vetëm që e mbron njeriun nga cytjet e shejtanit e të egos, por ajo është shkak i fitimit të Xhennetit. Të devotshmit do të jenë banorë të Xhennetit. Këtë e dëshmon edhe Kur’ani i Shenjtë: Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe i Xhennetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi; e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” (Sure “Ali Imran”, ajetet 133-134).

Dhe: Sikur ithtarët e Librit të besonin dhe të ishin të devotshëm, Ne do t’ua mbulonim veprat e këqija dhe do t’i shpinim në Xhennetet e kënaqësisë.” (Sure “Maide”, ajeti 65).

Dhe: Vërtet, të devotshmit do të jenë në kopshtet e Xhennetit dhe në lumturi.” (Sure “Tur”, ajeti 17).

Dhe: Vërtet, për të devotshmit është përgatitur e mira (Xheneti).” (Sure “Nebe”, ajeti 31).  

Dhe: Dhe jo larg prej aty, Xhenneti do t’u afrohet të devotshmëve.” (Sure “Kaf”, ajeti 31).

Ka edhe të tjera ajete të begata. Devotshmëria të çon në udhëzim dhe në rrugën e shpëtimit në këtë jetë dhe në fitimin e Xhennetit në Jetën Tjetër.

Kushti i pestë: Përmendja e Allahut dhe të menduarit rreth krijimit

Edhe ky është prej shkaqeve të fitimit të Xhennetit. Përmendja e Allahut e mban gjithmonë njeriun pranë Krijuesit të Tij. Kur’ani i Shenjtë na urdhëron që ta përmendim sa më shumë Allahun e Madhëruar: “O ju që keni besuar! Përmendeni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje! (Sure “Ahzab”, ajetet 41 -42).

Të menduarit rreth krijimit ia shton njeriut më shumë besimin ndaj Allahut Fuqiplotë. Në Kur’anin e Shenjtë thuhet: “Për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë): ‘O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto - lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit! O Zoti Ynë, cilindo që Ti e fut në zjarr, Ti e ke poshtëruar atë. Dhe për mohuesit nuk do të ketë kurrfarë ndihmuesi. O Zoti Ynë! Ne dëgjuam një thirrës që na ftonte në besim: “Besoni Zotin tuaj!” Dhe kështu besuam. O Zoti Ynë! Na i fal gjynahet tona, na i shlyej gabimet dhe bëna që të vdesim me të mirët! O Zoti Ynë! Na e jep shpërblimin që na ke premtuar nëpërmjet të dërguarve të Tu dhe mos na poshtëro në Ditën e Kiametit! Se Ti, me të vërtetë, nuk e shkel premtimin e dhënë!’” Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim). Atyre që u shpërngulën, u dëbuan nga vatrat e tyre, u munduan në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, Unë do t’ua mbuloj veprat e këqija dhe do t’i shpie në Xhennete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, si shpërblim nga Allahu. Shpërblimi më i mirë është tek Allahu.” (Sure “Ali Imran”, ajetet 191-195).

Përmendja e Allahut është ilaçi më i mirë për qetësimin e zemrave në këtë jetë. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “…Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Sure “Rra’d”, ajeti 28).  Sigurisht, përmendja e Allahut ka ndikim të madh në jetën e njeriut. Ajo përmendet në treqind ajete të Kur’anit të Shenjtë. Përmendja e Allahut është ibadeti i zemrës, ashtu sikurse namazi është ibadeti i gjymtyrëve. Madje edhe namazi falet për të përmedur Allahun: “Fale namazin për të më përmendur Mua!” (Sure “Ta Ha”, ajeti 14).

Kushti i gjashtë: Frika ndaj Allahut

Edhe kjo është një shkak i fitimit të Xhennetit. Kjo e bën njeriun të vetëdijshëm se është i mbikëqyrur nga Krijuesi i tij në çdo vepër që bën, në çdo fjalë që thotë, në çdo qëndrim që mban dhe madje edhe kur mendon. Frika ndaj Allahut përmban dashuri, madhështim, përulje ndaj Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Për ata që i frikësohen paraqitjes para Zotit të vet, do të ketë dy Xhennete.” (Sure “Rrahman”, ajeti 46).

Dhe: “Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhennetin.” (Sure “Naziat”, ajetet 40-41).

Dhe: Ndërsa ata që i janë frikësuar Zotit të tyre, do të çohen grupe-grupe në Xhennet.” (Sure “Zumer”, ajeti 73).

Shkaku i shtatë: Kërkimi i faljes për gjynahet

Allahu dëshiron që ne të qëndrojmë larg gjynaheve. Ai do që ne të jemi të pastër shpirtërisht. Për të hequr papastërtitë e trupit, ne lahemi. Për të hequr papastëritë e brendshme (shpirtërore), Allahu ka caktuar kërkimin e faljes (istigfarin). Të gjithë të Dërguarit e Allahut i urdhëronin popujt e tyre që t’i kërkonin falje Allahut. O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai të penduar, se Ai do t’ju sjellë shi të begatshëm dhe do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj. Mos u shmangni prej Atij duke qenë keqbërës!” (Sure “Hud”, ajeti 52).

Çdo njeri gabon, harron dhe vepron ndonjë vepër të keqe. Të kërkuarit falje Allahut për veprat e këqija, të vogla apo të mëdha, është detyrë e çdo njeriu. Në Kur’anin e Shenjtë thuhet: Atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai. Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.” (Sure “Nasr”, ajeti 3).

Të kërkuarit falje Allahut është shkak i fitimit të Xhennetit, sepse njeriu e lan zemrën e tij me ujin e istigfarit, i cili i largon të gjitha papastërtitë e zemrës. Efekti më i mirë i istigfarit duket tek mosrikthimi në veprat e këqija. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e Shenjtë: “Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? - dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë. Për këta do të ketë si shpërblim falje madhështore (të gjynaheve) nga ana e Zotit të tyre dhe Xhennete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojnë përherë. Sa shpërblim i bukur është ky për ata që punojnë (vepra të bukura)!” (Sure “Ali Imran”, ajetet 135-136).

 Dhe: Prandaj rrekuni me njëri-tjetrin, duke kërkuar falje prej Zotit tuaj dhe Xhennetin e gjerë sa qielli dhe Toka, që është e përgatitur për ata që i kanë besuar Allahut dhe të dërguarve të Tij. Ajo është mirësia e Allahut, që Ai ia jep kujt të dojë; e Allahu ka mirësi të pafund.(Sure “Hadijd”, ajeti 21).

Kushti i tetë: Të urdhëruarit në të mirë, të ndaluarit nga e keqja, falja e namazit dhe dhënia e zekatit

 Këtë e dëshmon thënia e Allahut të Madhëruar: Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zekatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë. Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve Xhennete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhennetin e Adnit. Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh. Kjo është fitorja madhështore.” (Sure “Teube”, ajetet 71-72). Duhet që këto veti të gjenden te çdo besimtar, me qëllim që të fitojë Xhennetin.

Dhe: “…Unë jam me ju! Në qoftë se do të kryeni namazin, do të jepni zekatin, do të besoni të dërguarit e Mi, do t’i ndihmoni ata dhe do t’i jepni vullnetarisht hua Allahut, atëherë, patjetër që Unë do t’jua shlyej gjynahet dhe do t’ju shpie në Xhennete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Por, kushdo nga ju që mohon pas kësaj, me të vërtetë, e ka humbur rrugën e drejtë.” (Sure “Maide”, ajeti 12).

Kushti i nëntë: Emigrimi dhe xhihadi në Rrugën e Allahut me pasuri e me shpirt

Emigrimi dhe xhihadi në rrugën e Allahut janë prej veprave të pëlqyera në Islam. Besimtari i vërtetë i kryen këto për hir të Allahut dhe për të fituar kënaqësinë e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që besojnë, mërgojnë dhe luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë e tyre dhe jetën e tyre, janë në shkallë më të lartë tek Allahu. Pikërisht këta janë të fituarit. Zoti i tyre u jep lajmin e mirë për mëshirën dhe miratimin e Tij, si dhe për Xhennetet ku do të ketë kënaqësi të përhershme për ta dhe ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Me të vërtetë, vetëm tek Allahu është shpërblimi i madh. (Sure “Teube”, ajetet 71-72).

Dhe: “Por, i Dërguari dhe ata që besojnë në të, luftojnë me pasurinë e tyre dhe jetën e tyre. Për ata do të ketë çdo të mirë dhe pikërisht ata do të jenë të shpëtuarit. Allahu u ka përgatitur atyre Xhennetet, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore.” (Sure “Teube”, ajetet 88-89).        Dhe: Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten. (Ky është) premtimi i Tij i vërtetë në Teurat, Ungjill dhe Kur’an. E kush i përmbahet besëlidhjes më fort se Allahu? Prandaj, gëzojuni kësaj shitjeje! Kjo është fitorja madhështore.” (Sure “Teube”, ajeti 111).

Dhe: “Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu ka përgatitur për ata Xhennete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore!” (Sure “Teube”, ajeti 100).

Nga ajetet e përmendura sqarohet se këto dy vepra janë shkak për fitimin e Xhennetit. Mirëpo, duhet patjetër të bëhet dallimi mes xhihadit të vërtetë dhe atij pretendues. Nëse nuk do të bëhet dallimi, atëherë xhihadi do të jetë shkatërrues dhe njollë e zezë për Islamin dhe për myslimanët. Nuk mund të quhet xhihad vrasja e të pafajshmëve, vjedhja dhe grabitja e pasurisë së tjetrit me pa të drejtë. As Xhehennemi nuk do t’i pranojë ata të cilët vrasin të tjerët padrejtësisht. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “…kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit.” (Sure “Maide”, ajeti 32).

Kushti i dhjetë: Palëkundshmëria në Rrugën e Allahut (Istikame)

Kuptimi i saj është ecja në Rrugën e Drejtë. Është kapja pas fesë, zbatimi i dispozitave të saj dhe përhapja e saj në mesin e njerëzve. Allahu thotë në Kur’an: “Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar! Ashtu le të veprojnë edhe besimtarët që janë me ty, e mos i kaloni kufijtë, se Ai, me të vërtetë, i sheh mirë ato që punoni ju.” (Sure “Hud”, ajeti 112).

Në ajet duket qartë urdhri i Allahut për istikamet për të gjithë besimtarët. Kushdo që është i palëkundur në fenë e tij, ai do të jetë prej banorëve të Xhennetit. Kur’ani i shenjtë thotë: “Me të vërtetë, atyre që thonë: ‘Zoti ynë është Allahu’, e pastaj vazhdojnë të palëkundur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin melekët (para vdekjes) e do t’u thonë: ‘Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhennetit që ju është premtuar!’” (Sure “Fusilet”, ajeti 30).

Dhe: “Pa dyshim, ata që thonë: ‘Zoti ynë është Allahu!’ dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë, nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar e as për t’u dëshpëruar (kur t’u vijë vdekja). Ata do të jenë banorë të Xhennetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, si shpërblim për atë që kanë punuar.” (Sure “Ahkaf”, ajetet 13-14).

Sigurisht që shkaqet e fitimit të Xhennetit janë të shumta në fenë e pastër islame si: morali i mirë, kujdesja ndaj jetimit, mirësjellja ndaj prindërve, ndërtimi i xhamive, agjërimi, Haxhi e të tjera vepra.

Allahu na bëftë prej banorëve të Xhennetit! 

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI