Jerusalemi, linja e kuqe për myslimanët

Publikuar në Dhj. 6, 2017, 1:04 a.m.

Presidenti turk Rexhep Tajib Erdogani ka kërcënuar se do të ndërpres lidhjet diplomatike me Izraelin për shkak të paralajmërimit se SHBA-të se do të njohin Jerusalemin si kryeqytet izraelit. Hapi i tillë do të ishte”linja e kuqe për myslimanët”, ka deklaruar Erdogani. Të premten janë paraqitur raportet se presidenti amerikan Donald Trumpi po shqyrton njohjen e Jerusalemit si kryeqytet izraelit, duke e transferuar ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem, me të cilin do të tronditej politika amerikane. Kjo ka shkaktuar kritika të shumë liderëve botëror të cilët frikësohen nga eskalimet shtesë që do të sjellin rajonit të tensionuar të Lindjes së Afërt.

Presidenti francez Emanuel Makroni në bisedë telefonike ka thënë Trumpit se statusi i Jerusalemit duhet të vendoset në bisedimet paqësore në mes Izraelitëve dhe Palestinezëve. Lidhja arabe me kërkesë të zyrtarëve palestinez të martën është duke mbajtur takimin e jashtëzakonshëm për të diskutuar rreth  zhvillimit të  ngjarjeve lidhur me statusin e Jerusalemit. Këshilltari diplomatik i presidentit palestinez Mahmut Abasit ka thënë se udhëheqësja palestineze do të ndërpres kontaktet me SHBA-të në rast se Washingtoni njeh Jerusalemin si kryeqytet i Izraelit.

Statusi i Jerusalemit është aspekt tejet i ndijshëm i konfliktit izraelito-palestinez. Izraeli konsideron qytetin si kryeqytet i tij pas okupimit të Jerusalemit lindor në luftë me arabët, Egjiptin, Sirinë dhe Jordaninë në vitin 1967, ndërsa Jerusalemin e konsideron qytet” i bashkuar”. Palestinezët shohin Jerusalemin lindor si kryeqytet i shtetit të tyre të ardhshëm.

Asnjë shtet aktualisht nuk ka ambasadë në Jerusalem, ndërsa bashkësia ndërkombëtare, duke përfshirë  edhe SHBA-të, nuk e pranon juridiksionin izraelit dhe drejtën e tij mbi qytetin e Jerusalemit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Hogan Gidley ka thënë se deklarata do të jetë e publikuar në “ditët në vijim” dhe se presidenti është i përkushtuar në këtë. “Nuk është se  a do, por kur do”, ka thënë ai. Por, nga Trumpi pritet se do të prolongojë transferimin e ambasadës nga Tel Avivi në Jerusalem përkundër premtimit të tij gjatë fushatës presidenciale.

Kongresi amerikan ka miratuar në vitin 1995 vendimin ligjor se do të transferojë ambasadën amerikane, por në ligj është futur klauzola në vitin 1999 me ç’rast  presidentit i mundëson prolongimin e zbatimit të këtij vendimi çdo gjashtë muaj për shkak të interesit të sigurisë shtetërore.        



Burimi : Al Jazeera